Të vogla dhe të bezdisshme. Na pickojnë pastaj largohen dhe pastaj kruhemi. Sigurisht të gjithë i dimë këto. I kemi provuar.
Megjithatë, përveç mushkonjave që pickojnë e largohen ka edhe nga ato që përhapin sëmundje. Malaria për shembull, sëmundje kjo që rrezikon miliona jetë njerëzish çdo vit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (World Health Organization) në një raport të bërë në vitin 2017 u raportuan 219 milion raste të malaries dhe përafërsisht 435,000 vdekje nga malaria.
Por, a janë të gjitha mushkonjat kaq të këqija?! Sigurisht që jo. Vetëm disa specie që i përkasin gjinisë anopheles dhe vetëm mushkonjat femra e përhapin sëmundjen e malarias. Madje edhe vetë mushkonjat janë të infektuara nga malaria. Ato vetë nuk shkaktojnë sëmundje, por e mbartin dhe e transmetojnë atë. Pra, çfarë e shkakton malarian? Një gjë fare e vogël, mikroskopike në fakt. Një parazit një-qelizor i quajtur Plasmodium. Ky parazit riprodhohet dhe zhvillohet brenda trupit të mushkonjës dhe kur ajo pickon një njeri, për të thithur gjakun më të cilin ushqen vezët e saj, paraziti i ndodhur në gjëndrën e pështymës së mushkonjës, injektohet dhe kalon në gjakun e personit të pickuar.
Dhe si ja bëjnë mushkonjat që arrijnë të "bashkëjetojnë" me këtë parazit? Përgjigjen e kësaj pyetje e kanë dhënë një ekip studiuesish nga Instituti Kombëtar i Alegjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ShBA. Ata zbuluan komponentin e sistemit imunitar të mushkonjës që e lejon atë të jetojë bashkë me parazitin. Kur paraziti futet në gjakun e njeriut ai shkon në mëlçi dhe atje shumohet, pastaj rikthehet në gjak duke infektuar rruazat e kuqe të gjakut. Por, mushkonjat nuk kanë rruaza të kuqe të gjakut. Në njëfarë mënyrë ato kanë gjak pa ngjyrë. Dhe qelizat e tyre të gjakut quhen haemocytes. Ekipi i shkencëtarëve vëzhgoi një nën-grup mushkonjash që përhapin malarien, se si sillen ato në praninë e parazitit. Ata panë se qelizat e gjakut lëshonin pika plazme membrame të quajtur microvesicles. Kjo aktivizonte një shumicë proteinash që gjurmonin dhe shkatërronin mikrobin infektues. Kështu, paraziti Plasmodium preferon më mirë të qëndrojë vetëm në gjëndrën e pështymës sesa të shkojë në gjak ku do të vdiste.
Mushkonjat që përhapin malarian përveç se kanë qenë pjesë e shumë studimeve shkencore, ka kohë që gjithashtu janë bërë shkak i një debati të gjatë të natyrës shkencore dhe etike, nëse ato duhet të zhduken apo jo. Sidoqoftë ne nuk dimë akoma për efektin që zhdukja e tyre do kishte në ekosistem dhe aq më tepër kur studimi i treguar më sipër (apo dhe studime të tjera) mund të na japë një alternativë tjetër. Cameron Webb, entomolog klinik në universitetin Sidney thotë, "ne mund t'a shmangim debatin nëse nuk i zhdukim mushkonjat që shkaktojnë malarie, por i modifikojnë ato deri në atë pikë sa të mos transmetojnë më parazitin".
Referencat:
https://www.who.int/malaria/en/
https://www.who.int/features/qa/10/en/
https://cosmosmagazine.com/biology/why-mosquitoes-don-t-die-from-malaria
No comments:
Post a Comment