Në vitin 2003 shkencëtarët kompletuan Projektin e Genomit të Njeriut, duke bërë më në fund të mundur ekzaminimin e prejardhjes së njeriut me anë të gjenetikës. Shkencëtarët që prej atëherë kanë trajtuar çështje si migrimet e njerëzve jashtë Afrikës dhe përgjatë botës. Dhe nuk janë vetëm shkencëtarët të emocionuar rreth gjenetikës së njeriut, por edhe kompanitë të tilla si "23andMe", "Family Tree DNA" and "Ancestry", të cilat ofrojnë mundësinë për të analizuar prejardhjen tënde me kosto të përballueshme.
Por, popullariteti i testit të prejardhjes nënkupton një pohim të heshtur të besimit tonë se ADN-ja mund të na ndajë në katër kategori siç janë, "pesë rracat": Afrikane, Europiane, Aziatike, Oqeanike dhe Amerikane Native.
• Gjetjet e reja në gjenetikë thyejnë idete e vjetra rreth rracave.
Hulumtimet tregojnë se koncepti i "pesë rracave" në një kuptim të gjerë përshkruan shpërndarjen e popullatave njerëzore përgjatë kontinenteve, por kufinjtë midis rracave janë shumë më të paqarta sesa kompanitë e testeve gjenetike duan të na bëjnë të besojmë. Një studim i vitit 2002 i bërë nga shkencëtarët e Standford ekzaminoi çështjen e diversitetit njerëzor duke vëzhguar shpërndarjen përgjatë shtatë zonave kryesore gjeografike të 4,000 aleleve. Për shembull, të gjithë njerëzit kanë të njëjtat gjene për flokët, por janë alelet e ndryshme ato që përcaktojnë të gjitha tipet e ngjyrave dhe të formave.
Në studimin e Standford mbi 92% e aleleve u gjeten në dy ose më shumë zona dhe pothuajse gjysma e këtyre aleleve ishin prezente në të shtatë zonat kryesore gjeografike. Vëzhgimi, që tregon se pjesa më e madhe e aleleve janë të bashkëndara në shumë zona, madje edhe në të gjithë botën, shpjegon ngjashmëritë themelore të të gjithë njerëzve. Ide kjo, që është e mbështetur edhe nga shumë studime të tjera.
Nëse grupe të ndara rracore ose etnike ekzistojnë vërtetë, atëherë ne presim, që të ketë alele si "shenja dalluese" si dhe tipare të tjera gjenetike të cilat janë karakteristike për një grup të vetëm, por jo në ndonjë tjetër. Përkundër kësaj, në studimin e Standford në vitin 2002 u gjet se vetëm 7.4% e 4,000 aleleve ishin specifike për një zonë gjeografike. Për më tepër edhe kur alelet e zonave specifike shfaqen ato funksionojnë vetëm në 1% të njerëzve të asaj zone. Kështu pra, nuk ka asnjë të provë se grupet që ne quajmë rraca të kenë një identitet gjenetik të unifikuar dhe të ndarë prej grupeve të tjera.
Përfundimisht, ka shumë paqartësi në përcaktimin e rracave dhe aq shumë variacione brenda tyre sa dy pasardhës të europianëve mund të kenë më shumë ngjashmëri gjenetike me një aziatik sesa kanë me njëri-tjetrin.
• A ka ndonjë domethënie fjala "rracë"?
Në shkencat biologjike dhe sociale konsensusi është i qartë: rraca është vetëm një konstrukt social dhe jo një atribut biologjik. Shkencëtarët preferojnë të përdorin fjalën "prejardhje" për të përshkruar diversitetin njerëzor. "Prejardhja" reflekton faktin se variacionet njerëzore kanë një lidhje me origjinën gjeografike të paraardhësve tanë dhe me informacione të mjaftueshme rreth ADN-së së një personi, shkencëtarët mund të bëjnë hamendësime të arsyeshme rreth prejardhjes së tij. Por, përkundër termit "rracë" fjala "prejardhje" fokusohet në zbërthimin e historisë së një personi dhe jo në futjen e tij në një kategori rrace.
Sidoqoftë, edhe pse shkencëtarët nuk e pranojnë konceptin e rracës si një koncept biologjik, rracat ekzistojnë në mënyrë të pashmangshme si një koncept politik dhe social.
Klasifikimi popullor i rracave bazohet kryesisht në ngjyrën e lëkurës dhe në disa tipare të tjera si sytë, gjatësia, flokët. Edhe pse këto diferenca fizike janë të dukshme, ato në fakt përcaktohen nga një porcion tepër i vogël i genomit. Është përllogaritur se specia jonë bashkëndan 99.9% të ADN-së me njëri-tjetrin. Dhe këto diferencat fizike që ekzistojnë, reflektojnë ndryshimet në mjedis, faktorët e jashtëm, por jo bërthamën e biologjisë. (Pra, nuk ekziston një identitet gjenetik për rracat.)
Gjithashtu, ka rëndësi të kuptojmë se evolucioni i ngjyrës së lëkurës ka ndodhur në mënyrë të pavarur dhe se nuk influencon tiparet e tjera të tilla si, aftësitë mentale apo sjelljen. Pra, ndërkohë që sigurisht ekzistojnë diferencat biologjike ndërmjet popullatave të ndryshme, këto diferenca janë të pakta dhe të cekta. Nga ana tjetër, ngjashmëritë që kemi janë shumë thelbësore.
• Instrumentet e rracizmit modern.
Pavarësisht konsensusit shkencor se njerëzimi është më shumë i ngjashëm sesa i pangjashëm, historia e gjatë e rracizmit është një kujtesë e zymtë se, përgjatë historisë së njerëzimit, vetëm 0.1% variacione kanë shërbyer si justifikim i mjaftueshëm për të kryer të gjitha llojet e diskriminimit dhe mizorive.
Forcat e ekstremit të djathtë si psh "alt-right" përdorin argumente rraciste duke përfshirë nacionalizmin e bardhë dhe antisemitizmin.
"Alt-right" thonë se europianët dhe aziatikët kanë trashëguar 1 - 4% të ADN-së nga Neandertalët, ndërsa Afrikanët jo. Dhe Neandertali ka pasur kafkë më të madhe sesa Sapiensi. Kjo është korrekte. Por, ata mbi këto baza mbështesin idenë e inteligjencës superiore të aziatikëve dhe europianëve.
Megjithatë ata injorojnë faktin se nuk ka asnjë provë shkencore, që bën lidhjen midis ADN-së të trashëguar nga Neandertali dhe inteligjencës. Madje, studimet shkencore tregojnë se Neandertali nuk ka qenë më inteligjent thjesht sepse ka pasur kafkë më të madhe.
Rracistët duket se përzgjedhin vetëm ato të dhëna që iu përshtaten ideve të tyre, duke fshehur të vërtetën e plotë dhe kontekstin e gjerë të fushës së gjenetikës njerëzore.
• Si t'a luftojmë rracizmin nëpërmjet shkencës?
Ata që mbështesin ideologjinë "alt-right", kanë prirjen t'i bazojnë argumentet e tyre pjesërisht në të dhëna shkencore. Prandaj, arma më e mirë për të luftuar këto argumente rraciste është: edukimi nëpërmjet literaturës shkencore dhe veçanërisht asaj gjenetike.
Ne duhet të kuptojmë se provat shkencore kanë gjetur se njerëzit janë thelbësisht më të ngjashëm sesa ç'janë të ndryshëm. Por, gjetjet shkencore janë shpesh të injoruara ose të keqinterpretuara aktivisht dhe të keqpërdorura nga axhendat rraciste të grupeve ekstreme politike. Kundërshtarët e këtyre ideve duhet, që nëpërmjet edukimit dhe vëmendjes së duhur të kundërshtojnë këto interpretime të gabuara dhe të prezantojnë zbulimet shkencore.
Burimi: Harvard University
http://sitn.hms.harvard.edu/flash/2017/science-genetics-reshaping-race-debate-21st-century/
http://sitn.hms.harvard.edu/flash/2017/science-genetics-reshaping-race-debate-21st-century/
No comments:
Post a Comment