Disa galaktika janë të ngjashme me Rrugën e Qumështit, por disa të tjera janë mjaft të ndryshme.
Galaktikat janë sisteme me pluhur, gaz, materie të errët dhe me miliona e deri në triliona yje të bashkuara së bashku për shkak të gravitetit. Afërsisht të gjitha galaktikat e mëdha mendohet të kanë në qendër të tyre një vrimë të zezë supermasive. Në galaktikën tonë, dielli është thjesht një nga rreth 100 deri në 400 miliardë yje që vërtiten rreth Sagittarius A, që është vrimë e zezë supermasive, e cila ka një masë sa katër milionë diej.
Sa më thellë të vështrojmë në kozmos aq më shumë galaktika do të shohim.
• Tipet e galaktikave.
Përpara shekullit XX nuk e dinim se ekzistojnë edhe galaktika të tjera përveç Rrugës së Qumështit; më parë astronomët i kishin klasifikuar ato si "mjegullnaja" sepse ato ngjanin me retë e zbehta. Por në vitin 1920 astronomi Edwin Hubble tregoi se "mjegullnaja" Andromeda në fakt, ishte galaktikë në vetvete. Përderisa është kaq larg prej nesh, dritës nga kjo galaktikë i duhet 2.5 milion vite për të kaluar hendekun. Pavarësisht distancës së pamasë Andromeda është galaktika e madhe më e afërt me Rrugën e Qumështit dhe është mjaftueshëm e shëndritshme në qiellin e natës sa mund të shikohet me sy të lirë në Hemisferën Veriore.
Në vitin 1936 Hubble caktoj një mënyrë për të klasifikuar galaktikat duke i grupuar ato në katër tipe kryesore: galaktikat spirale, lentikulare, eliptike dhe galaktikat e parregullta.
~ Më shumë se dy të tretat e të gjitha galaktikave të vëzhguara janë spirale. Një galaktikë spirale ka një disk të sheshtë vërtitës me një qendër të përqendruar, që rrethohet nga krahët spiral. Lëvizja rrotulluese me shpejtësi qindra kilometra për sekond mund të jetë shkaku që materia në disk merr një formë të dallueshme spirale. Rruga jonë e Qumështit si çdo galaktikë spirale ka në qendrën e saj një shirit të ndritshëm linear.
~ Galaktikat Eliptike kanë formën që sugjeron edhe vetë emri i tyre: ato përgjithësisht janë të rrumbullakëta, por mund të shtrihen më shumë përgjatë një aksi sesa përgjatë një aksi tjetër dhe aq shumë sa disa marrin një pamje të ngjashme me cigaren. Galaktikat më të mëdha të njohura në univers, galaktikat gjigante eliptike, mund të përmbajnë më shumë se një trilion yje dhe shtrihen përgjatë dy milionë vitesh dritë. Por, ato mund të jenë edhe të vogla dhe në këto raste quhen galaktika eliptike xhuxhe.
Ato përmbajnë shumë yje të vjetër, por kanë pak pluhur dhe materie tjetër ndëryjore. Yjet e saj orbitojnë qendren e galaktikës, por e bëjnë këtë në drejtime më rastesore. Në galaktikat eliptike njihen pak yje të rinj të formuar. Ato janë të zakonshme në grumbujt e galaktikave.
~ Galaktikat Lentikulare, të tilla si Galaktika Sombrero, sa i takon formës qëndron midis eliptikes dhe spirales. Ato janë të quajtura lentikulare sepse iu përngjajnë lenteve. Ashtu si spiralet, ato kanë një disk të hollë rrotullues prej yjesh dhe një qendër të përqendruar, por nuk kanë krahë spiral. Ndërsa në ngjashmëri me galaktiat eliptike kanë pak pluhur dhe materie ndëryjore dhe janë parë që formohen më shumë në zona më dendësisht të populluara.
~ Galaktikat që nuk janë spirale, lentikulare apo eliptike janë të quajtura, galaktika të parregullta. Ato, si psh Retë Magellanic, të Mëdha dhe të Vogla (Large and Small Magallenic Clouds), shfaqen si pa trajtë dhe iu mungon një formë e dallueshme, shpesh sepse janë nën influencën gravitacionale të galaktikave të tjera të afërta. Ato janë plot me pluhur dhe gaz, që i bën ato fidanishte të mëdha për formimin e yjeve të rinj.
• Grumbujt Galaktik dhe bashkimet.
Disa galaktika gjenden të vetme ose në çifte, por ato janë më shpesh pjesë e një asosiacioni të njohur si: grupe, grumbuj dhe supergrumbuj. Për shembull Rruga e Qumështit ndodhet në Grupin Lokal, që është një grup galaktikash, që shtrihet përgjatë rreth 10 milionë viteve dritë dhe gjithashtu përfshin Andromedën dhe satelitët e saj. Grupi Lokal dhe grumbujt e afërt galaktik, Grumbulli Virgo, shtrihet brenda Supergrumbullit të quajtur gjithashtu Virgo, që është një koncentrim galaktikash, i cili shtrihet përgjatë rreth 100 milion viteve dritë. Edhe Supergrumbulli Virgo në vetvete është një gjymtyrë e Laniakea, një Supergrumbull akoma edhe më i madh që përmban rreth 100,000 galaktika, të cilën astronomët e përcaktuan në vitin 2014.
Galaktikat në grumbujt shpesh ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe madje edhe bashkohen së bashku në një kërcim kozmik dinamik prej ndërveprimit të gravitetit. Kur dy galaktika përplasen dhe përzihen, gazet mund të rrjedhin në drejtim të qendrës së galaktikës dhe mund të nxisin fenomene të tillë si formimi i shpejtë i yjeve.
Për shkak se galaktikat eliptike përmbajne yje të vjetër dhe më pak gaz sesa ato spirale, duket se tipet e galaktikave përfaqësojnë pjesë të një evolucioni natyral: ndërkohë që galaktikat spirale bëhen më të vjetra, ndërveprojnë dhe bashkohen ato e humbasin formën spirale dhe bëhen eliptike. Por astronomët janë ende duke punuar për specifikat.
• Origjina e Galaktikave.
Ylli i parë në univers u ndez rreth 180 milion vite pas shpërthimit Big Bang, që është momenti shpërthyes 13.8 miliardë vite më parë, që shënon origjinën e universit siç ne e njohim. Graviteti ka skulpturuar galaktikat e para duke iu dhënë formë në kohën kur Universi u bë 400 milione vjeç, ose më pak se 3% të moshës aktuale.
Tani astronomët mendojnë se afërsisht të gjitha galaktikat, me përjashtime të mundëshme, janë të ngulitura në aureola prej materie të errët. Modelet teorike sugjerojnë se në universin e hershëm, degë të mëdha të materies së errët, siguruan materien normale me skelërinë e nevojshme gravitacionale për t'u bashkuar në galaktikat e para.
Por, ka ende pyetje të hapura sa i takon formimit të galaktikave. Disa besojnë se ato janë formuar nga grumbuj të vegjël me rreth një milion yje, të njohura si grumbujt globular, ndërsa disa të tjerë mbajnë qëndrimin se galaktikat janë formuar të parat e pastaj grumbujt globular. Gjithashtu është e vështirë për t'u qartësuar sesa sa shumë prej yjeve të një galaktike të dhënë janë formuar në vendin e tyre të origjinës prej gazit të tyre, ose përkundër kësaj sa janë formuar në një galaktikë tjetër dhe i janë bashkuar festës më vonë.
Burimi:
https://www.nationalgeographic.com/science/space/universe/galaxies/
No comments:
Post a Comment