Historia e së gjallës në planetin Tokë, flet padyshim për evolucionin dramatik të saj, për zhdukjen e disave e lulëzimim e të tjerave. Dhe deri më tani ka qenë histori suksesi. Jeta, pavarësisht katastrofave natyrore që ka përballuar dhe pavarësisht masivitetit të zhdukjeve, ia ka dalë sidoqoftë të mbijetojë, duke varrosur një grup speciesh, por edhe duke krijuar mundësi të reja.
Që nga momenti kur Toka u popullua nga e gjalla e deri në ditët e sotme procesi i zhdukjes së florës dhe faunës ka qenë i vazhdueshëm për shkaqe të ndryshme natyrore. Megjithatë, sipas të dhënave që nxjerrim nga fosilet, rezulton se në disa periudha të veçanta në historinë e së gjallës ka pasur një rënie drastike në numrin e gjallesave në një interval të shkurtër të kohës gjeologjike dhe në një shpërndarje të lartë gjeografike, si në det ashtu edhe në tokë. Pikërisht, këtyre karakteristikave i referohet koncepti i zhdukjes masive.
Por, çfarë duket të kemi parasysh kur flasim për zhdukje masive? Së pari, duhet të dimë se diversiteti dhe biomasa në Tokë është në pjesën më të madhe të saj, mikrobiale. Pra, Toka është e populluar dhe vazhdon akoma të jetë, nga një numër jashtëzakonisht i madh gjallesash mikroskopike, të cilat janë shumë të vështira për t'u matur. Prandaj, kur flasim për zhdukje masive, referohemi tek ato gjallesa që janë më lehtësisht të vëzhgueshme nëpërmjet fosileve. Së dyti, ka rëndësi të madhe të kuptojmë se shfarosjet e mëdha nuk ndodhin në disa vite, por përgjatë mijëra e milona vitesh. Dhe së fundmi, të dhënat për zhdukjet e gjallesave i marrim nga fosilet. Megjithatë, numri i fosileve të gjetura për një periudhë gjeologjike, nuk tregon me precizitet larmishmërinë e jetës në atë periudhë. Kjo, sepse procesi i fosilizimit kërkon kushte të caktuara që të ndodhë. Pra, në një periudhë të caktuar, kushtet e fosilizimit mund të jenë më të përshtatshme dhe si rezultat kemi më shumë fosile, krahasuar me një tjetër periudhë për të cilën kemi më pak fosile të rregjistruara. Kjo tregon se nuk mund të përcaktohet në mënyrë absolute numri i këtyre zhdukjeve. Ajo që dihet me saktësi është se jeta në Tokë, në faza të ndryshme, ka përballuar shfarosje të mëdha.
Pesë zhdukjet e mëdha janë pra, një variant i thjeshtëzuar i historisë të së gjallës. Dhe duke i renditur sipas kohës kur kanë ndodhur pesë zhdukjet masive janë këto:
1) Ordovician-Silurian është zhdukja e parë masive që daton rreth 443.8 milion vite më parë dhe si pasojë e së cilës u shfarosen rreth 25 përqind e familjeve detare ("familja" është një prej kategorive taksonomike në të cilën bëjnë pjesë një grup gjallesash që i përkasin gjinive dhe specieve të ndryshme) dhe rreth 85 përqind të specieve detare. Duke përfshirë, brachiopods, conodonts, bryozoans dhe trilobites që e vuajtën shumë. Kjo zhdukje është shkaktuar nga procesi i një akullizimi masiv që bllokoi një pjesë të madhe të gjallesave në akull.
2) Zhdukja Devoniane, (rreth 407.6 milion deri rreth 358.9 milion vite më parë), që përfshiu 15–20 përqind të familjeve detare dhe 70–80 përqind të të gjitha specieve të kafshëve.
Afërsisht 86 përqind e specieve detare brachiopod u shkatërruan dhe bashkë me to edhe shumë korale, conodonts dhe trilobite.
3) Zhdukja Permiane (rreth 265.1 milion deri në rreth 251.9 milion vite më parë), që përfshin vdekjet më dramatike të ndodhura, duke eliminuar rreth gjysmën e familjeve dhe 95 përqind të specieve detare dhe rreth 70 përqind të specieve tokësore duke përfshirë bimët, insektet dhe vertebroret. Shumë shkencëtarë mendojnë se ka qenë një asteroid ose kometë që ka ndikuar në masivitetin e zhdukjeve në këtë periudhë, por mund të kenë qenë edhe aktiviteti vullkanik.
4) Zhdukja Triassic (rreth 201.3 milion vite më parë), që mund të jetë shkaktuar nga ndryshimet e shpejta klimatike ose nga goditja e ndonjë asteroidi. Kjo zhdukje masive shkaktoi vdekjen e rreth 20 përqind të familjeve detare dhe rreth 76 përqind të të gjitha specieve. Ndoshta kjo ka ndodhur për një shtrirje kohore 10,000 mijë vjeçare dhe kështu ka hapur një numër të madh vendbanimesh ekologjike brenda të cilave evoluuan dinosaurët.
5) Zhdukja Cretaceous-Tertiary (rreth 66.0 milion vite më parë), duke përfshirë rreth 80 përqind të të gjitha specieve të kafshëve gjithashtu edhe dinosaurët si dhe shumë specie bimësh. Goditja e Tokës nga një asteroid, por edhe ndryshimet klimatike dhe aktiviteti vullkanik i kohës kanë qenë shkaqet kryesore.
Duke parë efektet e mëdha që kanë aktivitetet njerëzor në ekosistem, shumë shkencëtarë flasin për zhdukjen e gjashtë të shkaktuar nga njeriu. Shumë specie janë zhdukur apo janë drejt zhdukjes si pasojë e gjuetisë, shpyllëzimit, ndotjes së ajrit, shkatërrimit të mjedisit natyror, ndryshimet klimatike etj. Kjo shkallë e lartë zhdukjeje ka të bëjë padyshim me rritjen e numrit të popullsisë. Nga 1 miliardë në vitin 1850, në 2 miliardë në 1930, në më shumë se 7.7 miliardë në 2019 dhe që pritet të arrijë 10 miliardë në 2050 miliardë.
Jeta në Tokë është rrezikuar dhe shfarosur në mënyrë masive, por gjithmonë ka rezultuar në lulëzimin e specieve të reja. Asteroidet, akullnajat, aktivitetet vullkanike, nivelet e ndryshme të oksigjenit etj nuk kanë qenë asnjëherë mjaft për të dorëzuar jetën në këtë Planet jetë-dashës.
Por a do t'i mbijetojë njëriut?
Bazuar:
https://www.britannica.com/science/extinction-biology
https://cosmosmagazine.com/palaeontology/big-five-extinctions
No comments:
Post a Comment