Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Nëse kemi evoluar nga majmuni pse ka prapë majmunë?!

"Pyetja, 'nëse kemi evoluar nga majmuni pse ka prapë majmunë?' përfaqëson një keqkuptim gjerësisht të përhapur dhe të vazhdueshëm në lidhje me procesin dhe shenjat e evolucionit." (https://link.springer.com/article/10.1007/s12052-010-0293-2#Fn1)

Është gati e pamundur të diskutosh rreth evolucionit dhe të mos ndeshesh me këtë pyetje. Por çfarë nuk shkon këtu? Të gjithë e dimë sesa e larmishme është jeta në Tokë. Në fakt, ne e kemi të vështirë të perceptojmë plotësisht larmishmërinë e saj: nga bakteret, algat, lulet, peshqit, insektet.... etj. Dhe çdo gjallesë ka karakteristikat e veta dalluese. Prandaj kaq të ndryshme sa janë, a është e mundur që një ditë prej ditësh luani të bëhet dhelpër, majmuni të bëhet njeri apo delfini të bëhet balenë?! Përgjigja e shkurtër është: jo! Evolucioni nuk është proces "transformimi magjik", por ndryshim i vazhdueshëm.

• Pse kjo pyetje është e gabuar?

Përgjigjen e gjatë do t'a bazojmë në një artikull nga Spinger. Sipas këtij artikulli "pyetja 'Pse ka prapë majmunë?' reflekton një interpretim të evolucionit si një seri progresive hapash, nga e thjeshta te më kompleksja. Dhe i shikon organizmat moderne, si përfaqësues të "hapave" ose "fazave" evolutive stërgjyshore, ose madje edhe si paraardhës në vetvete që ende mbijeton. Ky kepkuptim popullor shpesh përfshin edhe pretendimin e nënkuptuar se shfaqja e pasardhësve duhet të koincidojë, në mos të rezultojë, në zhdukjen e paraardhësve. Njëri duhet të ndryshohet në një tjetër, pa ndonjë bashkë-ekzistencë të të dyve. Ky model i pandërgjegjshëm i evolucionit që del se është një modë e parazgjedhur për një shumicë të madhe njerëzish, duket kështu, si një model linear ashtu edhe anagenetic (që do të thotë se një specie duke ndryshuar rezulton në një specie të re dhe në zhdukjen e të mëparshmes)." (https://link.springer.com/article/10.1007/s12052-010-0293-2#Fn1)

Me fjalë të thjeshta t'a shikosh evolucionin si një "kapërcim" nga një gjallesë në një tjetër, p.sh nga majmuni në njeri dhe se, kur majmuni të evoluojë në njeri majmuni duhet të zhduket, është pak a shumë si të thuash "nëse, kur rritet makina bëhet kamion atëherë përse ka prapë makina?" Këtë e kuptojmë të gjithë që është e gabuar. Gjithsesi kur vjen çështja te gjallesat dhe evoluimi i tyre gjërat na bëhen pak më të ndërlikuara. Dhe për të kuptuar më qartë se "Pse ka prapë majmunë?" dhe se "Pse nuk kemi ardhur nga majmuni" na duhet të hedhim sytë pak nga taksonomia dhe pak nga mënyra se si funksionon evolucioni.

• Majmun, "Ape", Njeri.

E dimë se gjallesat klasifikohen mbi bazën e karakteristikave, si të ndryshme ashtu edhe ato të përbashkëta. Të gjitha gjallesat në Tokë ndahen në tre Domene, pastaj secili Domen ndahet në Mbretëri, vetë Mbretëritë në Filiume, këto ndahen në Klasa, Klasat në Rende, Rendet në Familje, pastaj në Gjini dhe në fund në Specie.(https://www.britannica.com/science/taxonomy/Ranks)
Këtë sqarim e bëmë sepse ka një paqartësi të madhe që lidhet me fjalën "majmun". Në gjuhën e përditshme, edhe gorillës, edhe orangutangut edhe bonobosë edhe lemurëve etj ne iu themi thjesht majmun. Por, në taksonomi gjërat janë shumë më ndryshe. Llogaritet se janë rreth 300 specie, që bëjnë pjesë në Rendin e primatëve, ndër ta edhe ne njerëzit edhe majmunët edhe shumë specie të tjera primatësh me të cilat bashkëndajmë karakteristika të përbashkëta.(https://www.britannica.com/animal/primate-mammal)

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se kur bëjmë pyetjen  e gabuar "Nëse kemi evoluar nga majmuni...?" harrojmë gjithë ato specie të tjera dhe nuk bëjmë të qartë se nga cilët majmunë paskemi "ardhur" ne, kur edhe vetë fjala "majmun" përfshin shumë specie të tjera.
(https://www.google.com/amp/s/amp.livescience.com/27944-monkeys.html)

Në fakt, njeriu ka më shumë afërsi me një kategori tjetër primatësh që në anglisht quhen "apes" dhe që janë të ndryshëm prej majmunëve. (Duke qenë se nuk gjejmë fjalë në shqip për "apes" do t'a lejmë në anglisht.) Me këtë kategori pra, "apes" ne bashkëndajmë një paraardhës të përbashkët më të afërm sesa me majmunët.

• "Kushërinjtë"

Më tepër sesa kuptimi i klasifikimeve taksonomike, ka kuptimi i proçeseve të ndryshme të evolucionit. Siç e kemi cekur më lart, nuk ka kuptim të themi se evolucioni është vetëm linear apo progresiv.

Po i rikthehemi edhe njëherë artikullit nga Springer, sa i takon këtij këndvështrimi të gabuar për evolucionin. "Ajo çfarë mungon në këtë këndvështrim për evolucionin është roli kyç i degëzimit ose ndarjes në krijimin e pemës së jetës. Ndoshta mënyra më e thjeshtë për të prezantuar një model më të saktë midis marrëdhënieve midis specieve të sotme është nëpërmjet analogjisë me kategoritë në familjet e njerëzve. Shpesh nuk bëhet dallimi se ne kemi dy klasa të afërmish: lineale (linjë direkte prejardhjeje) dhe kolaterale. Modeli evolutiv në shkallë progresive hedh dritë vetëm për të afërmit lineal si: gjyshërit, prindërit, fëmijët etj. Sidoqoftë, të afërmit kolateral, të tillë si kushërinjtë, tezet, nipat etj janë gjithashtu pjestarë të familjes. Dhe në çdo familje të zgjeruar shumë ka gjasa, që të ketë më shumë anëtarë kolateral sesa lineal. Kjo ndodh gjithashtu edhe në familjet shumë të zgjeruara të të gjitha gjallesave."

Sa më shumë të shtohemi aq më shumë degë të reja krijojmë dhe aq më shumë ndahemi. Më tej në artikull thuhet: "ata që pyesnin pse ka ende majmunë, pa dyshim përfytyrojnë një marrëdhënie direkte midis majmunëve, 'apes' dhe njerëzve nga ku majmunët evoluojnë në 'apes' dhe këta të fundit në njerëz. Kjo është jokorrekte në shumë nivele, sigurisht. E para, sepse zakonisht i paraqet majmunët dhe 'apes'që jetojnë sot si pjesë e kësaj trajektoreje lineale, në vend që t'iu referohej 'apes' dhe majmunëve të lashtë. E dyta, as majmunët e lashtë nuk janë bërë 'apes'. Majmunët e sotshëm janë vetëm në distancë të lidhur me 'apes' dhe me njerëzit, por as majmunët e lashtë nuk kanë evoluar në 'apes'. Këta të fundit dhe majmunët e lashtë vijnë nga një paraardhës i përbashkët anthropoid më i gjeneralizuar."

Pra, nuk evoluon majmuni në njeri. Marrëdhënia midis gjallesash është më tepër marrëdhënie "kushërinjsh" e shtrirë në miliona vite. Për të cituar artikullin, "askush nuk të pyeste, 'Nëse ti ke evoluar nga kushëriri jot, atëherë përse është sërish kushëriri?' Pyetja, 'Nëse njeriu evoluojë nga majmuni, pse ka prapë majmunë?' është njësoj absurde për një biolog evolucionist.

•Si përfundim,

1) Ne nuk kemi ardhur nga majmuni.

2) Ne jemi më të afërt me 'apes' që përfshihet (bonoboja, shimpanzeja etj) sesa me majmunët.

3) Ne nuk kemi evoluar as nga 'apes' të sotshëm, por nga paraardhës të përbashkët.

4) Evolucioni nuk është vetëm progresiv, ai në fakt përfshin shumë procese e mekanizma apo forca evolutive që ndikojnë në evoluimin e gjallesave.

No comments:

Post a Comment