Teoria e evolucionit dhe "Darvinizmi" përdoren si sinonime të njëra-tjetrës, që shprehin të njëjtën gjë. Por, a janë vërtetë e njëjta gjë dhe a duhet t'a përdorim termin "Darvinizëm" kur i referohemi evolucionit?!
Ka disa arsye se përse përdorimi i këtij termi është i gabuar.
• Darwin nuk ka qenë vetëm.
Ne jemi mësuar ta lidhim teorinë e evolucionit me një emër të vetëm: atë të Charles Darwin. Historia e themelimit të kësaj teorie është ndryshe nga perceptimi ynë. Ajo është një histori bashkëautorësie dhe akoma më tepër përfaqëson punën dhe përpjekjen e shumë shkencëtarëve ndër vite, që kanë dhënë kontribute të mëdha. Alfred Russel Wallace është figurë qëndrore në themelimin e kësaj teorie. Ai në mënyrë të pavarur nga Charles Darwin arriti në rezultatin se organizmat evoluojnë si pasojë e seleksionimit natyror. Në vitin 1858 u publikua artikulli i parë për evolucionin nga seleksionimi natyror nën titullin, "On the Tendency of Species to Form Varieties; And On the Perpetuation of Varieties and Species by Natural Means of Selection" me autor, Charles Darwin dhe Alfred Russel Wallace. Pra, të thuash "Darvinizëm" është në rradhë të parë një mohim mosmirënjohës ndaj punës pasionante e të përshkushtuar të një shkencëtari të madh si Wallace. (http://wallaceletters.info/content/mini-biography)
Dhe në fakt, të lidhesh evolucionin me emrin e Darwin-it do të thotë t'a paraqesësh në mënyrë të padrejtë si një meritë që i takon vetëm atij duke lënë në hije të gjithë ata burra e gra që kanë dhënë kontributet e tyre.
• "Darvinizmi" nuk përfaqëson zhvillimin e teorisë së evolucionit biologjik modern.
Sidoqoftë, arsyet se pse evolucioni nuk është Darvinizëm, shkojnë përtej çështjeve të autorësisë. Në vijim do të bazohemi në shpjegimin e bërë nga Springer. (https://link.springer.com/article/10.1007/s12052-008-0111-2)
Evolucioni biologjik i detyrohet shumë Charles Darwin, shtjellimet e të cilit sa i përket prejardhjes së përbashkët dhe përzgjedhjes natyrore, përbëjnë themelet e kësaj disipline. Por, evolucioni biologjik është zgjeruar shumë përtej themeleve dhe përfshin shumë teori dhe koncepte të panjohura më parë në shekullin e XIX. Pra, çfarë do të thotë "Darvinizëm"? Dhe si përdoret?! Në rastin më të mirë ky term tregon një paqartësi dhe ç'orientim rreth shkencës. Ndërsa në rastin më të keq përfaqëson jehonën e një strategjie kreacioniste për të demonizuar evolucionin.
Shtjellimet e Darwin-it për evolucionin nga seleksionimi natyror përfshijnë dy koncepte të ndara dhe nuk ka qenë e pranuar e gjitha. Në librin e tij "Mbi Origjinën e Llojeve" Darwin-i në mënyrë bindëse prezantoi pikëpamjen e tij, që gjallesat janë të prejardhura me modifikime nga paraardhës të përbashkët dhe brenda një dekade ose diçka e tillë, shumica e komunitetit shkencor në Britani dhe shkencëtarët në Amerikën veriore e pranuan idenë bazike të evolucionit. Propozimi i dytë i Darwin-it, që motori kryesor lëvizës i ndryshimeve evolutive është përzgjedhja natyrore, nuk pati sukses që të bindte bashkëkohësit e tij. Në shekullin XIX, kleçka kryesore në pranimin e përzgjedhjes natyrore si mekanizëm i përgjithshëm i evolucionit ishte pretendimi se trashëgueshmëria ishte një "proces përzierje". Përzierja do të rezultonte në një reduktim variacionesh në çdo gjeneratë dhe përzgjedhja natyrore varet në variacionet e disponueshme në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm në shekullin XX me rizbulimin e koncepteve të Mendelit mbi trashëgiminë e tipareve, përzgjedhja natyrore u njoh si një mekanizëm i fuqishëm i përshtatjes dhe ndryshimit.
Shpjegimi i mësipërm historik është dhënë për të ilustruar ndarjen konceptuale dhe historike të dy "ideve të mëdha" të Darwin-it: evolucioni (prejardhja e përbashkët) dhe mekanizmi i përzgjedhjes natyrore. E para, sic u tha më lart, ka qenë pranuar dekada më parë se e dyta. Ndërsa sot, me të dhënat e siguruara nëpërmjet gjenetikës Mendeliane dhe molekulare, përzgjedhja natyrore njihet si komponenti primar i ndryshimeve evolutive, veçanërisht përshtatja. Kjo e komplikon akoma edhe më tepër kuptimin e termit "Darvinizëm". I referohet evolucionit? I referohet përzgjedhjes natyrore? Apo evolucionit nga përzgjedhja natyrore?
Sepse, siç u shpjegua këto dy ide të Darwin-it nuk kanë qenë pranuar në të njëjtën kohë, pra kur themi Darvinizëm cilës ide po i referohemi konkretisht?
As në ëndrrat më të çmendura, Darwin-i nuk do mund të ëndërronte për shtrirjen dhe fuqinë e zhvillimeve që ndjekin sintezën moderne. Komponentet e evolucionit biologjik modern përfshijnë endosimbiozen, epigjenetikën, transferimin horizontal të gjeneve etj dhe kjo tregon se evolucioni pas Darwin-it, nuk ka qenë një ide e "fjetur".
• "Darvinizmi" është shashka e kreacionistëve në luftën kundër të vërtetës.
Përveç faktit që "Darvinizmi" nuk përfaqëson dot zhvillimin e evolucionit biologjik modern ka edhe një arsye të fundit se pse ky term nuk duhet të përdoret. Po të shikojmë me kujdes termi përfundon me prapashtesën "izm", që është një prapashtesë gati tipike për ideologjitë. Pra, duke e quajtur evolucionin biologjik si "izm" kreacionistët synojnë të ngatërrojnë njerëzit, duke e paraqitur këtë teori shkencore të bazuar në vëzhgime e prova, thjesht si një ideologji. Sipas artikullit në të cilin jemi bazuar, është vënë re një ndryshim i qëllimtë në retorikën kundërshtuese të ithtarëve të kreacionizmit dhe dizenjimit inteligjent. Në botimin e parë të librit kreacionist "Of Pandas and People" në botimin e parë ata flasin për evolucion dhe evolucionista, ndërsa në botimin e dytë është bërë korrigjimi duke zëvendësuar fjalën evolucion dhe evolucionist me termin "Darvinizëm" dhe "Darvinistë". Pra, duke u përpjekjur në mënyrë të padrejtë të keqinformojnë publikun sikur nuk ka evolucion, por vetëm ideologji apo doktrinë darviniste.
Madje, duhet të theksojmë se "Darvinizmi" nuk është thjesht një "ism", por një "ism" i asociuar me një person të vetëm. Kur në fakt, siç është thënë më sipër evolucioni përfaqëson punën e gjithë atyre shkencëtarëve që nga shekulli i XIX e deri sot. T'a quash evolucionin "evolucionizëm" do të ishte një retorikë taktike si të thuash një "gënjeshtër e bukur", përsa kohë sugjeron se evolucioni është ideologji. Por, t'a quash evolucionin "Darvinizëm" kjo është maja e gënjeshtrave sepse jo vetëm sugjeron që evolucioni është ideologji, por e paraqet si një ideologji të lidhur me formulimin e Darwin-it dhe me reputacionin e tij. Pra, kreacionistët preferojnë të mos kapen me kundërshtimin e provave sa i takon kësaj teorie, por më mirë e më të lehtë e kanë të dezinformojnë njerëzit e thjeshtë duke tentuar të kultivojnë idenë se evolucioni është thjesht një dogmë.
• Si përfundim.
1) T'a quajmë evolucionin "Darvinizëm" jo vetëm tregojmë injorancë në lidhje me historinë e themelimit dhe zhvillimit të kësaj teorie, por tregohemi edhe mosmirënjohës ndaj bashkëautorit Alfred Russel Wallace e në të njëjtën kohë ndaj gjithë kontribuesve të tjerë.
2) "Darvinizmi" është inkoherent dhe jo gjithëpërfshirës sa i takon evolucionit biologjik modern. Kjo nuk do të thotë se evolucioni sot është i papajtueshëm me idete e Darvinit, por më saktë mund të themi se sot është shumë më i plotësuar dhe zgjeruar duke përfshirë: endosimbiozen, epigjenetikën, transferimin horizontal të gjeneve, somatic hypermutuation etj.
3) Termi "Darvinizëm" përdoret në mënyrë taktike për të demonizuar dhe keqinformuar njerëzit për teorinë gjithëpërfshirëse të evolucionit biologjik modern. Madje, shpesh herë ky term përdoret edhe në formë përkeqësuese dhe fyese.
4) "Darvinizmin" historianët dhe filozofët e shkencës e përdorin në sensin historik duke iu referuar ideve të Charles Darwin.
Thjesht mos e quani "Darvinizëm".
No comments:
Post a Comment