I lindur në Usk të Wales në 1823 nga një familje me të ardhura modeste, Alfred Wallace do të bëhet një nga shkencëtarët më të mëdhenj të shekullit 19. Ai është nderuar me çmimet dhe medaljet më të mëdha të kohës dhe anëtar i Royal Society, por i humbur në histori. Pak kush e njeh si emër e ndoshta edhe më pak njohin kontributet e çmuara që ai ka dhënë në shkencë. Mes këtyre kontributeve, ajo më e rëndësishmja pa dyshim, ishte bashkë-formulimi i teorisë së evolucionit që në shekullin 19 njihej si Teoria Darwin-Wallace.
Me këtë publikim duam të hedhim pak dritë mbi natyralistin, humanistin gjeografin dhe kritikun politik dhe social të lënë padrejtësisht në harresë.
Wallace që në moshë të re shfaqi pasionin e tij për natyrën dhe dijen shkencore. Shkollimi i tij formal u kufizua në vetëm gjashtë vite në një shkollë gramatike në Hertford. Edhe pse u detyrua të ndërpresë shkollën për arsye financiare ai rrethohej nga librat dhe hartat e shumta që kishte në shtëpi dhe që ishin për të burim studimi dhe kënaqësie. Për një kohë të gjatë Wallace jetoi mes fermerëve duke parë nga afër padrejtësitë që iu bëheshin të varfërve. Ai ishte socialist dhe kritik i feve të organizuara dhe i njohur për pikëpamje kontroverse për kohën ku jetonte, që nga idetë për shtetëzimin e tokës, mbrojtjën e të drejtave të gruas, spiritualizmit të theksuar dhe mrekullisht kundërshtar i rracizmit.
Por, Wallace ka ende në begraundin e tij. Ai do të bëhet autoritet i padiskutueshëm në shkencë dhe ky rrugetim i gjatë fillon me udhëtimin e parë për në Brazil së bashku me mikun e tij Hanry Walter Bates në 1848. Të dy së bashku koleksionuan insekte, zogj dhe specie të tjera të cilat i shisnin në Britani. Pas disa aventurave së bashku ata udhëtuan veç e veç. Alfred Wallace kaloi katër vite në vende të paeksploruara më parë përgjatë lumit Amazonë duke koleksionuar, vizatuar, shkruar dhe duke bërë harta të asaj zone. Ai gjithashtu kërkoi të dhëna për të zgjidhur misterin e origjinës së specieve. Fatkeqësisht vetëm disa nga këto të dhëna shpëtuan sepse gjatë kthimit të tij, anija u pushtua nga flakët dhe u permbys. Gjithsesi nga të dhënat e mbetura ai arriti të publikonte disa artikuj dhe dy libra, "Palm Trees of the Amazon and Their Use", "Narrative of Travels on the Amazon and Rio Negro" të dy në vitin 1853 dhe një hartë ku përshkruhet rrjedha e lumit Negro. Për këtë arritje ai korri duartrokitjet e Royal Geographical Society si dhe mbështetjen financiare për udhëtimin tjetër, kësaj here në arkipelagun e Malajzisë ku qëndron atje për tetë vite. I përballur me kushte të këqija deri madje edhe i sëmurë rëndë A. R. Wallace vazhdon i vendosur kërkimin pasionant për zbulimin e të vërtetës në lidhje me origjinën e specieve. Gjatë kësaj kohe ai shkroi artikuj të shumtë shkencorë kryesisht rreth zoologjisë. Por, momenti kulmor i karrierës së tij do të jetë letra që i dërgoi Darwin-it në fillimin e vitit 1858. Në letër Wallace kishte shkruar për idenë e tij mbi origjinën e specieve dhe seleksionimin natyror. Për habinë e Darwinit, kjo letër koincidonte në mënyrë befasuese me të dhënat dhe punën e tij të papublikuar ende rreth kësaj çështjeje. Darwini pasi konsultohet me dy kolegët e tij vendosë të publikojnë punën e të dyve në artikullin e famshëm shkencor, me titull: “On the Tendency of Species to Form Varieties; and on the Perpetuation of Varieties and Species by Natural Means of Selection”.
Në 1862 Wallace u rikthye në Britani si një shkencëtar natyralist i mirënjohur po ashtu edhe si një gjeograf dhe koleksionues i më shumë se 125,000 kafshëve të ndryshme.
Gjatë karrierës së tij ka publikuar mbi 700 artikuj dhe 21 libra. Më i famshmi ndër ta është libri me titull, "Arkipelagu i Malajzisë: toka e orangutanit dhe e zogut të parajsës" (The Malay Archipelago: The Land of the Orang-Utan, and the Bird of Paradise).
Dhe me gjithë këtë punë të jashtëzakonshme ai mbeti i panjohur dhe i pavlerësuar nga historia e shkencës. Ndoshta ka qenë karakteri i tij kontrovers, si kritik politik dhe social që hodhën mbi të pluhurin e harresës. Por, mbase më shumë ka ndikuar përpjekja e tij për të futur spiritualitetin në një teori shkencore si ajo e evolucionit.
Sidoqoftë Wallace ka qenë dhe mbetet gjeni dhe ne i kemi atij një borxh të madh mirënjohje për arritjet që ka bërë.
Referenca: https://www.britannica.com/biography/Alfred-Russel-Wallace
No comments:
Post a Comment