Search This Blog
Friday, August 16, 2019
Sistemi skeletor i njeriut.
Në total skeleti njerëzor konsiston në një tërësi prej 206 kockash. Përveç gjithë këtyre kockave, sistemi skeletor njerëzor përmban edhe një rrjet tendinash, ligamentesh dhe ind kërcor që lidhin kockat sëbashku. Sistemi skeletor siguron mbështetjen strukturore për trupin e njeriut dhe mbron organet tona. Kockat tona shërbejnë edhe për disa funksione të tjera vitale, duke përfshirë: prodhimin e qelizave të gjakut dhe grumbullimin e yndyrnave të çliruara dhe mineraleve.
• Zhvillimi dhe struktura e skeletit.
Fëmijët lindin me rreth 300 kocka të ndara. Dhe ndërkohë që fëmija rritet disa nga ato kocka bashkohen sëbashku derisa rritja ndalon, kryesisht rreth moshës 25 vjeç, duke e lënë kështu skeletonin me 206 kocka.
Duke u bazuar te vendodhja dhe funksioni kockat ndahen në dy kategori: skeleti boshtor dhe apendikular. Skeleti boshtor përmban 80 kocka, duke përfshirë kafkën, shpinën dhe kafazin e kraharorit. Ai formon strukturën qëndrore të skeletit dhe ka funksion të mbrojë trurin, palcën kurrizore, zemrën dhe mushkëritë.
Ndërsa 126 kockat e mbetura përbëjnë skeletin apendikular dhe përfshijnë: krahët, këmbët, shpatullat dhe legenin. Pjesa e poshtme e skeletit apendikular mbron organet kryesore të lidhura me tretjen dhe riprodhimin dhe siguron qëndrueshmërinë kur një person ecën ose vrapon. Pjesa e sipërme lejon një shkallë më të madhe lëvizje kur ngren dhe mbart objekte.
Një klasifikim i mëtejshëm i kockave bëhet në bazë të formave të tyre: të gjata, të shkurtra, të sheshta, të çrregullta ose "sesamoide".
— Kockat e gjata gjenden te krahët, këmbët, gishtat e duarve dhe të këmbëve. Këto kocka janë më të gjata sesa janë të gjëra dhe janë cilindrike. Ato lëvizin kur muskujt përreth tyre kontraktohen dhe ato janë pjesa më e lëvizshme e skeletonit.
— Kockat e shkurtra gjenden në kyçet e duarve dhe të këmbëve dhe janë afërsisht të barabarta në gjatësinë, gjerësinë dhe trashësinë e tyre.
— Kockat e sheshta përbëjnë kafkën, shpatullat, sternumin dhe brinjët. Këto kocka të lakuara dhe të holla mbrojnë organet e brendshme dhe sigurojnë mbështetje për muskujt.
— Kockat e ç'rregullta janë kockat e shtyllës kurrizore dhe fytyrës të cilat për shkak të përmasave të tyre unike nuk përshtaten me ndonjërën nga format e kategorive të tjera.
— Kockat sesamoide gjenden tek duart, kyçet e duarve, shputat e këmbëve, veshët dhe gjunjtë. Këto kocka të vogla e të rrumbullakëta janë të ngjitura në tendina dhe i mbrojnë ato nga presioni dhe forca e madhe që ato përballojnë.
Skeleti varion nga femrat te meshkujt. Për shembull legeni i femrave është në mënyrë karakteristike më i gjerë dhe më rrethor sesa te meshkujt.
• Çfarë ka brenda kockave të tua?
Tre lloje kryesore materiali ndërtojnë çdo kockë tënden: kockat me material kompakt, kocka me material poroz dhe kocka me palcë.
Përafërsisht 80% e çdo kocke është kompakte që është lloji më i rëndë dhe më i fortë i kockave dhe është pikërisht kjo që e lejon trupin të suportojë peshën e tij. Kockat kompakte përbëjnë shtresën e jashtme të kockës dhe mbrojnë pjesën e brendshme të saj ku ndodhin shumë funksione vitale, si për shembull prodhimin e palcës kockore. Kockat kompakte konsistojnë kryesisht në qeliza të quajtura osteocite. Midis qelizave ka kanale mikroskopike që lejojnë nervat dhe enët e gjakut të kalojnë nëpër to.
Rreth 20% e secilës kockë është poroze, që është e mbushur me vrima të mëdha dhe kanale. Më së shumti këto gjenden në fund të kockave individuale dhe ky material poroz është i mbushur me palcë, nerva dhe enë të gjakut.
Dy lloj palce kurrizore mbushin poret në kockat poroze. Përafërsisht gjysma është palcë e kuqe kockore që gjendet kryesisht brenda kockave të sheshta të tilla si shpatullat dhe brinjët. Pikërisht këtu (tek palca e kuqe kockore) të gjitha qelizat e kuqe dhe të bardha të gjakut si dhe trombocitet (qeliza që ndihmojnë për të ndaluar rrjedhjen e gjakut nga një e çarë) formohen.
Gjysma tjetër është palcë kockore e verdhë që gjendet tek kockat e gjata të tilla si kockat e kofshëve dhe konsiston më së shumti në yndyrë. Enët e gjakut kalojnë përmes të dyja llojeve të palcës kockore për të çuar vlerat ushqyese dhe për të larguar mbetjet nga kockat.
Brenda kockave ka kater lloje qelizash: Osteoblaste, osteocite, osteoklaste dhe qellizat e shtresave.
— Osteoblastet janë qeliza që krijojnë material të ri kockor ose riparojnë ekzistuesin , ndërkohë që kockat rriten ose thyhen. Qelizat krijojnë një material fleksibël të quajtur osteoid dhe pastaj e fortifikojnë atë me minerale për t'a bërë më të rëndë dhe më të fortë. Kur Osteoblastet e kryejnë me sukses punën e tyre, ato tërhiqen për t'u bërë qeliza osteocite ose qeliza të shtresave.
— Osteocitet gjenden në kockat kompakte dhe janë përgjegjëse për shkëmbimin e mineraleve dhe komunikimin me qelizat e tjera në fqinjësi. Ato janë formuar nga qelizat e vjetra osteoblaste që kanë ngecur në qendër të kockave.
— Osteoklastet shpërbëjnë materialin kockor ekzistues dhe e ri-absorbojnë atë. Këto qeliza shpesh punojnë me osteoblastet për të shëruar dhe ri-formuar kockat pas një thyerje, për të bërë "dhoma" për enët e reja të gjakut dhe nervat dhe për t'i bërë kockat më të trasha e të forta.
— Qelizat e shtresave janë qeliza të kockave të sheshta që në mënyrë të plotë mbulojnë sipërfaqen e jashtme të tyre. Funksioni primar i tyre është kontrolli i lëvizjes së mineraleve, qelizave dhe materialeve të tjera si brenda ashtu edhe jashtë kockës.
• Sëmundjet e sistemit skeletor.
Ashtu si çdo pjesë e trupit të njeriut edhe kockat janë të prekshme nga dëmtimet dhe sëmundjet. Disa nga sëmundjet më të zakonshme që prekin sistemin skeletor përfshijnë:
— Osteoporoza që është një sëmundje e cila shkakton rënien e densitetit dhe forcës së kockave, sepse humbja e kockave ndodh më shpejt sesa rritja e tyre. Kjo sëmundje mund të shkaktohet nga gjenet ose stili i pashëndetshëm i jetesës (i tillë si mungesa e vitaminës D ose kalciumit dhe pirja e duhanit dhe alkoolit si dhe pak ushtrime fizike).
— Leuçemia që është një lloj kanceri i cili fillon në palcën kockore dhe në sistemin limfatik. Disa lloje të leuçemisë prekin variacione të qelizave të gjakut dhe sisteme të tjera të trupit.
— Osteoarthritis është një sëmundje që shkaktohet nga shpërbërja e indit kërcor që mbron fundet e kockave në kyçe. Kjo mungesë e indit kërcor çon në fërkimin kockë me kockë dhe mund të shkaktojë dhimbje të konsiderueshme, dëmtim të kockave dhe indeve lidhëse, inflacion të indeve përreth si dhe lëvizje të kufizuar.
Referenca:
Live Science
Sunday, July 7, 2019
Përse shumica e njerëzve kanë 23 çifte kromozomesh?
• ADN-ja dhe kromozomet.
Për të kuptuar se çfarë janë kromozomet duhet më parë të dime se çfarë është ADN-ja. Formalisht njihet si acidi dezoksiribonukleik, ADN-ja është një molekulë komplekse e gjetur në të gjitha bimët dhe kafshët. Ajo mbart të gjithë informacionin e nevojshëm për një organizëm që të vazhdojë, të zhvillohet dhe riprodhohet. ADN-ja është gjithashtu mënyra kryesore për të kaluar informacionin e trashëgueshëm. Në proçesin e njohur si riprodhim një pjesë e ADN-së kalohet nga prindërit te fëmijët. Shkurt ADN-ja është ajo që tregon historinë e biologjisë tënde plotësisht unike.
• Pse 23 çifte?
Ky numër nuk është universal për të gjitha gjallesat. Edhe pse njerëzit janë specie "diploide" që do të thotë se shumica e kromozomeve janë në sete të quajtura çifte homologe. Shumë kafshë dhe bimë janë gjithashtu "diploide", por jo të gjitha kanë në total 46 kromozome. Mushkonjat përshëmbull kanë gjashtë, bretkosat kanë 26 dhe karkalecat e detit kanë 508 kromozome.
• Tepër shumë ose tepër pak kromozome.
Tani ti e di nga librat shkollor se një njeri i shëndetshëm është kur ka 23 çifte kromozomesh në pothuajse çdo qelizë të trupit. Por jeta nuk është gjithmonë si një libër shkolle. Çfarë ndodh nëse diçka shkakton zhvillimin e më shumë ose më pak kromozomesh? Një shtim ose pakësim të tyre nga standardi 46 (që quhet aneuploidy) ndodh ose gjatë formimit të qelizave riprodhuese në formimin e hershëm të fetusit ose në çdo qelizë tjetër të trupit pas lindjes.
Referenca:
https://science.howstuffworks.com/life/genetic/23-pairs-chromosomes.htm
Thursday, July 4, 2019
Epigjenetika: përkufizimi dhe shembujt.
• Trashëgimia epigjenetike.
Mund të jete e mundshme që ndryshimet epigjenetike të kalohen në gjeneratat e ardhshme, nëse këto ndryshime ndodhin në spermë dhe vezore. Shumica e ndryshimeve epigjenetike që ndodhin në spermë dhe vezore shuhen në momentin kur të dyja kombinohen për të formuar vezën e fertilizuar, në një proçes të quajtur "riprogramim". Ky riprogramin i lejon qelizat e fetusit që "t'ia nisë nga e para" dhe të bëjë ndryshimet e veta epigjenetike. Por, shkencëtarët mendojnë se disa ndryshime epigjenetike të spermës dhe vezores së prindërve mund t'i shmangen proçesit të riprogramimit dhe të kalojnë në gjeneratat e ardhshme. Sidoqoftë, kjo nuk është provuar ende.
• Epigjenetika dhe kanceri.
Shkencëtarët mendojnë se epigjenetika mund të ketë rol në zhvillimin e disa lloje kanceri. Përshëmbull një ndryshim epigjenetik që hesht gjenin shtypës për tumorin, pra, gjenin që mban nën kontroll rritjen e qelizës, mund të çojë në një rritje të pakontrolluar qelizore. Një tjetër shembull mund të jetë edhe ndryshimi epigjenetik që "fik" gjenet të cilat ndihmojnë në riparimin e ADN-së, duke rezultuar kështu në një rritje të ADN-së së dëmtuar, e cila nga ana e saj rrit rriskun e kancerit.
Referenca:
https://www.livescience.com/37703-epigenetics.html
Njerëzit po çojnë drejt zhdukjes një milion specie.
Më shumë se një milion specie bimësh dhe kafshësh po përballen me zhdukjen, shumë prej tyre brenda disa dekadave, për shkak të aktivitetit njerëzor, thotë raporti më gjithëpërfshirës sa i takon gjendjes së ekosistemeve globale.
Pa masa drastike për të ruajtur habitatet, shkalla e zhdukjes së specieve, që tashmë është dhjetra e deri në qindra herë më e lartë sesa mesatarja përgjatë dhjetë milionë viteve të kaluara, thjesht do të rritet, thonë analizat. Këto gjetje vijnë nga paneli i mbështetur prej Kombeve të Bashkuara, i quajtur Platforma Ndërqeveritare e Politikave Shkencore mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet në Ekosistem (IPBES) .
Bazuar në këtë raport, aktivitetet agrikulturore kanë pasur impaktin më të madh në ekosistemet që njerëzit varen për ushqim, ujë të pijshëm dhe klimë të qëndrueshme. Humbja e specieve dhe habitateve përbën një rrezik më të madh për jetën në Tokë sesa ndryshimet klimatike, thuhet në përmbledhjen e këtij raporti të publikuar më 6 Maj.
Analizat janë bazuar për gjetjet e bëra në afërsisht 15,000 studime dhe raporte qeverish, duke integruar informacione nga shkencat sociale dhe të natyrës, njerëzit indigjenë dhe traditat agrikulturore të komuniteteve. Ky është është vlerësimi i parë ndërkombëtar kryesor për biodiversitetin që nga viti 2005.
Biodiversiteti duhet të jetë në majë të agjendave globale përkrah klimës, tha Anne Larigauderie, sekretare ekzekutive në IPBES gjatë konferencës për shtyp të 6 Majit në Paris, Francë. "Ne nuk mund të themi më se nuk e kemi ditur," tha ajo.
"Ne po shkatërrojmë ekonomitë tona, jetesën tonë, sigurinë e ushqimeve, shëndetin dhe kualitetin e jetës në të gjithë botën," thotë drejtuesi i IPBES Robert Watson, që është kimist atmosferik në Universitetin e Anglisë Lindore në Norwich, BM.
• Riformësimi i jetës në Tokë.
Rreth 75% e tokës dhe 66% e zonave oqeanore janë të ndryshuara në mënyrë të konsiderueshme nga njerëzit, të shtyrë në një pjesë të madhe nga prodhimi i ushqimeve. Të korrat dhe bagëtitë zënë së bashku më shumë se 33% të sipërfaqes tokësore në Tokë dhe 75% të burimeve të ujrave të ëmbla.
Aktivitetet agrikulturore janë gjithashtu disa nga kontribuesit më të mëdhenj në emetimin nga njerëzit të gazeve serë. Ato llogariten të jenë afërsisht 25% e emetimeve totale, kjo për shkak të përdorimit të fertilizuesve si dhe të shëndërrimit të hapësirave të tilla si, pyjet tropikale në zona për rritjen e drithërave dhe mbajtjen e bagëtive. Kërcënimet agrikulturore ndaj ekosistemit vetëm sa do të rriten, përsa kohë edhe popullsia vazhdon të rritet, bazuar mbi analizat e IPBES.
Kërcënimet e tjera të mëdha për natyrën janë: shfrytëzimi i bimëve dhe kafshëve nëpërmjet korrjes/mbledhjes, prerja e pemëve, gjuetia dhe peshkimi, ndryshimet klimatike, ndotja dhe përhapja e kafshëve invazive. Raporti i IPBES gjeti se shumëllojshmëria e bimëve, kafshëve dhe insekteve native ka rënë me të paktën 20% që nga viti 1900 për shkak të specieve invazive.
Raporti bën lidhje të pazgjidhshme midis humbjes së biodiversitetit dhe ndryshimeve klimatike. Nga një përllogaritje del se 5% e të gjitha specieve do të kërcënohej me zhdukje nëse temperatura do të rritej me 2°C mbi nivelet para-industriale dhe që ky është një prag përtej të cilit bota do të dëmtohej rëndë në pak dekada të ardhshme, përveç se po të reduktohej në mënyrë drastike emetimi e gazeve serë. Toka mund të humbasë 16% të specieve të saj nëse temperatura mesatare globale do të rritej përtej 4.3°C . Të tilla dëme ndaj ekosistemeve do të minonin përpjekjet globale për të reduktuar varfërinë dhe urinë si dhe promovimin e një zhvillimi më të qëndrueshëm, thotë raporti i IPBES.
- Bota mund t'a ndalojë këtë krizë të biodiversitetit, sipas raportit, por që të bëhet kjo gjë kërkohen politika mjedisore proaktive, prodhim i qëndrueshëm i ushqimeve dhe burimeve të tjera, si dhe përpjekje të bashkërenduara për të reduktuar emetimin e gazeve serë.
Burimi:
https://www.nature.com/articles/d41586-019-01448-4
Çfarë janë qelizat burimore?
Qelizat burimore konsiderohen si qeliza "motor" për rigjenerimin për arsye se ato janë të afta të vetë-rinovohen, të dyfishojnë dhe të klonojnë vetëveten. Këto qeliza speciale përdoren në fushën e mjeksisë rigjeneruese, që po zhvillohet me shpejtësi, për të ndaluar dhe madje për të zmbrapsur sëmundjet. Mjeksia rigjeneruese synon të riparojë ose të zëvendësojë indet ose organet, që janë dëmtuar prej traumave, sëmundjeve ose defekteve të lindura.
Qelizat burimore janë tre llojesh: embrionale, të kordonit të kërthizës dhe qeliza burimore adulte (të rritura). Qelizat burimore embrionale janë pluripotente, që do të thotë se ato mund të lindin të gjitha llojet e tjera të qelizave që përbëjnë trupin e njeriut. Ndërsa qelizat burimore të kordonit dhe adulte janë multipotente. Kjo nënkupton se ato të afta për t'u zhvilluar në më shumë se një lloj qelize, por janë më të kufizuara sesa qelizat pluripotente.
Në ShBA, vetëm qelizat burimore të kordonit dhe ato adulte mund të përdoren në procedurat e mjeksisë rigjeneruese. Për shkak të një kontroversi etik qelizat burimore embrionale nuk përdoren në praktikën klinike, por vetëm për qëllime hulumtimi.
• Qelizat burimore adulte.
Qelizat burimore adulte, që mund të merren nga palca kockore, gjaku ose yndyrnat, kanë potencial të limituar. Ndërkohë që ne bëhemi më të moshuar qelizat burimore jo vetëm e humbasin funksionalitetin, por kemi shumë më pak prej tyre. Hulumtuesit përllogarisin se të porsalindurit kanë 40 herë më shumë qeliza burimore në palcën kockore krahasuar me një 50 vjeçar. Për rrjedhojë, qelizat burimore adulte mund të jenë subjekt i anomalive të ADN-së të shkaktuara prej dritës së diellit, toksinave dhe gabimeve që lidhen me bërjen e shumë kopjeve të ADN-së, përgjatë kohës jetësore.
• Qelizat burimore të kordonit.
Qelizat burimore të kordonit mund të merren nga kordoni i kërthizës pas lindjes me lejen e nënës që lind. Ky ind, që nuk i duhet më trupit mund t'i dhurohet shkencës për përdorim në hulumtime ose në mjekësi. Qelizat burimore të kordonit janë shumë më efiçente në replikim, kur ato largohen prej trupit, krahasuar me qelizat burimore adulte. Për shembull, nëse ato vendosen në një enë të posaçme me vlerat e duhura ushqyese mund të shumëfishohen në 1 miliardë qeliza brenda 30 ditëve; ndërsa qelizat burimore adulte mund të shumëfishohen në vetëm rreth 200 qeliza brenda 30 ditëve.
Mjekët i përdorin qelizat burimore të kordonit për të trajtuar kushtet autoimune të tilla si lupus, artritin reumatik dhe sklerozën e shumfishtë, po ashtu edhe infeksionet kronike të tilla si HIV, herpes dhe sëmundjen Lyme.
• Qelizat burimore embrionale.
Qelizat burimore embrionale janë më premtueset në trajtimin e sëmundjeve, por që ka hapur debate të nxehta mbi etikën e përdorimit të tyre. Qelizat burimore embrionale të njeriut janë të derivuara prej vezës së fekonduar në mënyrë in vitro dhe në njëfarë mënyrë janë origjinale. Këto qeliza burimore pluripotente çmohen për fleksibilitetin e tyre për të qenë të afta që të shëndrrohen në çdo lloj qelize njerëzore.
Kur këto qeliza janë të rritura në laborator në kushte të caktuara për disa muaj mund të qëndrojnë të paspecializuara dhe mund të prodhojnë miliona qeliza burimore për një kohë të pacaktuar.
• Qelizat burimore pluripotente të induktuara.
Shkencëtarët tashmë mund të riprogramojnë qelizat burimore adulte për t'i bërë ato më të ngjashme me qelizat burimore embrionale. Këto njihen si qeliza burimore pluripotente të induktuara (induced pluripotent stem cells, ose iPSCs). Por, iPSCs janë ende qeliza burimore adulte, prandaj ato mbajnë riskun për të pasur anomali. Nevojiten më shumë hulumtime në iPSCs, por shkencëtarët shpresojnë t'i përdorin ato në mjekësinë e transplantimit.
Ky material është marrë nga Live Science:
https://www.livescience.com/65269-stem-cells.html
Çfarë do të ndodhte nëse të gjitha bletët do të zhdukeshin?
Në botë ka rreth 20,000 specie bletësh. Dhe ka mundësi që ato të jenë insektet polenizuese më të rëndësishme. Mijëra specie bletësh kanë shenja unike fluturimi dhe preferenca unike për lulet dhe mund të kenë bashkë-evoluar me lulet në të tillë mënyrë sa madhësia e trupit të tyre dhe sjellja, e plotësojnë lulen që ato polemizojnë thuajse përsosmërisht.
Fatkeqësisht, bletët e të gjitha llojeve janë në rënie në të gjithë botën, siç janë edhe shumë instekte të tjerë. Bletët e mjaltit, me të cilat jemi familjarizuar kanë vuajtur më shumë nga çrregullimi për shkak të kolapsit të kolonisë në të cilën kosheret humbasin papritur anëtarët e tyre të rritur. Popullata e grerëzave dhe e bletëve të tjera vetmitare në disa vende ka rënë me shpejtësi, më së shumti për shkak të përdorimit të insekticideve dhe herbicideve, humbjes së habitatit si dhe ngrohjes globale. Disa specie madje janë listuar si specie të rrezikuara.
Nëse të gjitha bletët në botë do të zhdukeshin, do të kishte një valë efektesh nëpër të gjitha ekosistemet. Një numër bimësh, të tilla si Orkidet e bletëve polenizohen në mënyrë ekskluzive nga disa bletë specifike dhe ato do të vdisnin pa ndërhyrjen e njeriut. Kjo do të ndikonte në kompozimin e habitateve të tyre dhe do të preknin zinxhirin ushqimor, pjesë e të cilit janë dhe ka gjasa të shkaktonin edhe zhdukjen ose rënien e organizmave të tjerë, që varen prej tyre. Shumë bimë pllenohen suksesshëm nëpërmjet bletëve dhe pa to bimët do të prodhonin më pak fara e kështu do të kishin më pak sukses në riprodhim.
Përtej bimëve, shumë kafshë, të tillë si zogjtë e bukur që ushqehen me bletë do të humbisnin prenë e tyre nëse bletët do të zhdukeshin dhe kjo gjithashtu do të ndikonte në sistemet natyrore dhe zinxhirin ushqimor.
Edhe sa i takon agrikulturës do të kishte një impakt dramatik në sistemet ushqimore për njerëzit, por mundet që gjithsesi të mos çojë në krizë urie. Shumica e njerëzve në botë i marrin kaloritë nga drithërat, të cilat polenizohen nëpërmjet erës. Por, shumë fruta dhe perime sidoqoftë, polenizohen nga insektet dhe pa bletët ato mund të mos rriteshin në një shkallë të madhe ose të mos shiteshin lirë. Boronicat dhe qershitë për shembull, mbështeten në polenizimin prej bletëve në mbi 90 përqind të rasteve.
Edhe pse mbetet si opsion polenizimi me dorë kjo gjithsesi do të kërkonte një punë jashtëzakonisht intensive si dhe do të kushtonte shumë. Gjithashtu janë zhvilluar dronë të vegjël robotik që pllenojnë bimët, por mbeten tepër të shtrenjtë për t'u përdorur në masë. Pra, pa bletët mundësia dhe shumëllojshmëria e prodhimeve të freskëta ushqimore do të ulej thelbësisht dhe ka gjasa, që vlerat ushqimore për njerëzit do të dëmtoheshin.
Burimi:
https://www.britannica.com/story/what-would-happen-if-all-the-bees-died
Mjeshtër të maskimit.
Insektet maskojnë veten e tyre në mënyra të ndërlikuara dhe të mrekullueshme për t'iu shmangur grabitqarëve.
Kur flasim për biologji, imitacioni (mimikria) ndodhet kudo në natyrë. Luanët e përdorin kamuflimin për t'u përzier me mjedisin e tyre në Savana. Bretkosat gjithashtu përdorin mimikrinë për t'iu përshtatur ambjentit të gjelbër. Dhe më i famshmi, kameleoni arrin madje, të ndryshojë edhe ngjyrë për t'u miksuar me mjedisin e tij.
Prej kohësh kërkuesit shkencorë kanë qenë të mrekulluar me imitacionin (mimikrinë) dhe për disa bashkëkohës të Darwinit, si natyralisti Alfred Russel Wallace, ishte pikërisht mimikria dhe kamuflazhi që i ndihmoi ata të bindeshin për fuqinë e seleksionimit natyror. Natyra seleksion tiparet më të suksesshme: insektet që arrijnë të maskohen më mirë duke u përzier me mjedisin kanë më pakë gjasë që të bëhen pre dhe kanë më shumë mundësi të kalojnë gjenet e tyre si dhe aftësinë për t'u fshehur, gjeneratave të ardhshme. Madje forma të imitacionit të gjetheve datojnë mbrapa në kohë deri në kohën e dinozaurëve.
Në fotot e mëposhtme të marra nga revista National Geographic, kemi paraqitur dy forma të përsosura maskimi: 1) Deroplatys trigonodera është një insekt që ka pamjen e një gjetheje në dekompozim. 2) Phyllium giganteum është një tjetër insekt-gjethe, por kësaj rradhe ky insekt ka pamjen e një gjetheje të gjelbër dhe formën e saj që është gati e pamundur t'a dallosh. Jo vetëm imiton formën dhe ngjyrën, por edhe aftësinë për t'u lëkundur si një gjethe që e merr era kur ajo lëviz.
Burimi: https://www.google.com/amp/s/relay.nationalgeographic.com/proxy/distribution/public/amp/news/2014/03/140321-insects-fossil-camouflage-mimicry-pictures
Mushkonjat dhe pasojat e tyre.
Të vogla dhe të bezdisshme. Na pickojnë pastaj largohen dhe pastaj kruhemi. Sigurisht të gjithë i dimë këto. I kemi provuar.
Megjithatë, përveç mushkonjave që pickojnë e largohen ka edhe nga ato që përhapin sëmundje. Malaria për shembull, sëmundje kjo që rrezikon miliona jetë njerëzish çdo vit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (World Health Organization) në një raport të bërë në vitin 2017 u raportuan 219 milion raste të malaries dhe përafërsisht 435,000 vdekje nga malaria.
Por, a janë të gjitha mushkonjat kaq të këqija?! Sigurisht që jo. Vetëm disa specie që i përkasin gjinisë anopheles dhe vetëm mushkonjat femra e përhapin sëmundjen e malarias. Madje edhe vetë mushkonjat janë të infektuara nga malaria. Ato vetë nuk shkaktojnë sëmundje, por e mbartin dhe e transmetojnë atë. Pra, çfarë e shkakton malarian? Një gjë fare e vogël, mikroskopike në fakt. Një parazit një-qelizor i quajtur Plasmodium. Ky parazit riprodhohet dhe zhvillohet brenda trupit të mushkonjës dhe kur ajo pickon një njeri, për të thithur gjakun më të cilin ushqen vezët e saj, paraziti i ndodhur në gjëndrën e pështymës së mushkonjës, injektohet dhe kalon në gjakun e personit të pickuar.
Dhe si ja bëjnë mushkonjat që arrijnë të "bashkëjetojnë" me këtë parazit? Përgjigjen e kësaj pyetje e kanë dhënë një ekip studiuesish nga Instituti Kombëtar i Alegjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ShBA. Ata zbuluan komponentin e sistemit imunitar të mushkonjës që e lejon atë të jetojë bashkë me parazitin. Kur paraziti futet në gjakun e njeriut ai shkon në mëlçi dhe atje shumohet, pastaj rikthehet në gjak duke infektuar rruazat e kuqe të gjakut. Por, mushkonjat nuk kanë rruaza të kuqe të gjakut. Në njëfarë mënyrë ato kanë gjak pa ngjyrë. Dhe qelizat e tyre të gjakut quhen haemocytes. Ekipi i shkencëtarëve vëzhgoi një nën-grup mushkonjash që përhapin malarien, se si sillen ato në praninë e parazitit. Ata panë se qelizat e gjakut lëshonin pika plazme membrame të quajtur microvesicles. Kjo aktivizonte një shumicë proteinash që gjurmonin dhe shkatërronin mikrobin infektues. Kështu, paraziti Plasmodium preferon më mirë të qëndrojë vetëm në gjëndrën e pështymës sesa të shkojë në gjak ku do të vdiste.
Mushkonjat që përhapin malarian përveç se kanë qenë pjesë e shumë studimeve shkencore, ka kohë që gjithashtu janë bërë shkak i një debati të gjatë të natyrës shkencore dhe etike, nëse ato duhet të zhduken apo jo. Sidoqoftë ne nuk dimë akoma për efektin që zhdukja e tyre do kishte në ekosistem dhe aq më tepër kur studimi i treguar më sipër (apo dhe studime të tjera) mund të na japë një alternativë tjetër. Cameron Webb, entomolog klinik në universitetin Sidney thotë, "ne mund t'a shmangim debatin nëse nuk i zhdukim mushkonjat që shkaktojnë malarie, por i modifikojnë ato deri në atë pikë sa të mos transmetojnë më parazitin".
Referencat:
https://www.who.int/malaria/en/
https://www.who.int/features/qa/10/en/
https://cosmosmagazine.com/biology/why-mosquitoes-don-t-die-from-malaria