Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Mitet më të përhapura për trurin e njeriut.

Dëgjojmë shpesh mitizime të ndryshme përsa i përket trurit të njeriut. "Përdorim vetëm 10 përqind të trurit", "Muzika klasike të bën të zgjuar" etj janë disa nga legjendat urbane që i ndeshim kudo. Këto keqkuptime i gjejmë të përhapura gjerësisht në faqe të ndryshme interneti e kryesisht nëpër rrjete sociale.
Më poshtë kemi paraqitur 5 mitet kryesore duke u bazuar në një klasifikim të bërë nga Popular Science.

-Miti 1
Ne përdorim vetëm një pjesë të trurit.
Në vitin 1907 psikologu i famshëm William James sqaroi "Ne po përdorim vetëm një pjesë të vogël të burimeve të mundshme mentale dhe fizike që ne kemi". Më vonë një gazetarë e keqinterpretoi atë sikur ka thënë se një person i zakonshëm përdor vetëm 10 përqind të kapacitetit të tij mendor. Gjithsesi, skanimet treguan se ne përdorim secilën pjesë të trurit tonë edhe pse të gjitha zonat e tij nuk janë aktive menjëherë. Për këtë arsye dëmtimi i çfarëdolloj zone të trurit si p.sh. pasojat pas një goditjeje zakonisht shkaktojnë probleme mentale dhe në sjellje.

-Miti 2
Dëgjimi i muzikës klasike të bën më të zgjuar.
Shteti i Gjeorgjisë filloi t'iu jepte CD me muzikë klasike familjeve me fëmijë të porsalindur, bashkë me këtë mesazh nga qeveria: "shpresojmë që si ju ashtu edhe fëmija ta shijoni muzikën dhe kështu i vogli juaj do të ketë një fillim të zgjuar". Ndërkohë që urimi është tërheqës "efekti Moxart" është i dyshimtë. Ky mit filloi nga një studim i vitit 1993 në Universitetin e Kalifornisë në Irvine. Studimi tregoi se 36 studentë të kolegjit e përformuan më mirë testin e inteligjencës pasi dëgjuan Moxartin. Por, askush nuk ka mundur të përsëris studimin me të njëjtat rezultate. Në fakt, sipas një rishikimi të bërë nga Harvard ne 1999 , nëpërmjet 16 studimeve, arriti në përfundimin se efekti Moxart nuk është i vërtetë.

-Miti 3
Të rriturit nuk mund të formojnë qeliza trunore të reja.
Minjtë, lepujt e madje edhe zogjtë e rritur mund të formojnë neurone të reja, por për 130 vite shkencëtarët dështuan në indentifikimin e formimit të qelizave të reja trunore te njerëzit e rritur. E gjitha kjo ndryshoi ne 1998 kur një grup shkencëtarësh nga Suedia treguan se qeliza të reja trunore formohen në hipokampus që është një strukturë e përfshirë në procesin e kujtesës. Pastaj në vitin 2014 një tjetër grup shkencëtarësh nga Instituti Karolinska në Suedi matën gjurmët nga karboni-14 në ADN si një mënyrë për të datuar moshën e qelizave dhe konfirmuan se stratiumi që është një zonë e përfshirë në kontrollin motorik dhe në procesin e njohjes, mund të prodhojë gjithashtu, neurone të reja përgjatë jetës.

-Miti 4
Truri i meshkujve është më i aftë në matematikë dhe shkencë ndërsa truri i femrave në ndjeshmëri.
Mes trurit të meshkujve dhe femrave gjenden pak diferenca anatomike dhe kjo është shumë e sigurt. Hipokampusi, i përfshirë ne procesin memorizues, zakonisht është më i madh te femrat ndërsa amigdala përgjegjës për emocionet është me i madh te meshkujt (e kundërta e asaj që pretendon miti). Provat tregojnë se pabarazitë gjinore kanë të bëjnë vetëm me kulturën dhe jo me biologjinë.

-Miti 5
Truri majtë dhe truri i djathtë.
Ne vitin 1960, Roger Sperry, një neuropsikolog në institutin e teknologjisë në Kaliforni preu fibrat lidhëse të dy hemisferave të trurit, te disa pacientë me epilepsi për të redukruar krizat e epilepsisë. Pastaj ai bëri një eksperiment, duke iu shfaqur pacientëve imazhe - letra, dritë e stimuj të tjerë - herë në syrin e majtë e herë në të djathtin e tyre. Sperry gjeti se hemisfera e majtë e trurit përcepton më mirë informacione verbale, ndërsa e djathta vizuale e hapësinore. Përgjatë dekadave këto zbulime u keqinterpretuan. Nuk ka asnjë të dhënë që mbështesin tipet e personalitetit, bazuar në dominancën e njërës apo tjetrës hemisferë, por ka plot prova që e refuzojnë pretendimin. Në 2012, p.sh një psikolog nga British Kolumbia gjeti se të menduarit krijues aktivizon një rrjetë neural gjerësisht të shpërndarë pa favorizuar ndonjërën nga hemisferat e trurit.

Referencë:
https://www.popsci.com/10-brain-myths-busted#page-5

No comments:

Post a Comment