Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Argument apo keqkuptim?

Teoria e Evolucionit mund të konsiderohet ndoshta si teoria më e keqkuptuar prej njerëzve. Shumë prej atyre që e mohojnë evolucionin përdorin "argumente," që nuk tregojnë më shumë sesa mungesen e njohurive minimale, qoftë për evolucionin, qoftë për vetë mënyrën se si funksionon metoda shkencore. "Është thjesht një teori", "nuk ka prova mjaftueshëm", "nëse kemi evoluar nga majmuni pse ka prapë majmunë"...etj. Keqkuptimet që lindin si pasojë e mungesës së informacionit janë siç duket, të shumëllojshme, të përsëritura vazhdimisht dhe sa i takon literaturës shkencore në Shqipëri janë edhe të patrajtuara e të pasqaruara mjaftueshëm. Duke parë pra, boshllëkun e artikujve apo shpjegimeve në shqip për evolucion, ne do të mundohemi, që në vazhdimësi të shpjegojmë sa më thjeshtë disa nga keqkuptimet më të zakonshme rreth teorisë së evolucionit. Në këtë artikull do të mundohemi të sqarojmë një nga këto keqkuptime.

• Është thjeshtë një teori.

"Evolucioni nuk është i vërtetë sepse është thjesht një teori", "teoritë nuk janë përfundimtare", "këto janë vetëm teorizime", etj, janë disa nga mënyrat se si përdoret në fjalorin e përditshëm fjala teori: dukshëm gabim. Në bisedat tona të zakonshme apo edhe në diskutimet/debatet nëpër rrjete sociale, shpesh e konsiderojmë teorinë si diçka spekulative, si një supozim, ide, hamendje, retorikë apo çfarë do gjëje tjetër, përveçse jo atë që teoria është në të vërtetë për shkencën. Pra, ajo që në fjalorin tonë cilësohet si teori, për shkencën në fakt as hipotezës nuk i afrohet. Në metodën shkencore hipoteza, teoria dhe ligjet nuk janë e njëjta gjë. Secila prej tyre ka një përkufizim e madje shpjegim të hollësishëm.

• Marrëdhënia midis hipotezës dhe teorisë shkencore.

Sipas një shpjegimi të dhënë nga Universiteti Berkeley, jo vetëm që teoria nuk ka të bëjë me hamendjet e aty për atyshme, por as hipoteza shkencore nuk mund të konsiderohet si tërësisht e pabazuar apo si një spekulim i rastit. "Hipotezat janë shpjegime të propozuara për një set mjaft të kufizuar fenomenesh natyrore. Kur një shkencëtar formulon një hipotezë të re ai bazohet në eksperiencën e mëparshme, në begraundin e njohurisë shkencore, në vëzhgimet paraprake dhe në logjikë." ( https://undsci.berkeley.edu/article/0_0_0/howscienceworks_19).
Kjo do të thotë, se edhe kur formulohet një hipotezë shkencore ajo nuk duhet të jetë një ide arbitrare apo fantazi e kotë, por përkundrazi duhet të jetë e bazuar në disa vëzhgime të mëparshme si dhe të jetë rrjedhojë logjike e tyre. Por, hipoteza ka ende rrugë për të bërë, që të pranohet si teori, sepse duhet të mblidhen të dhëna e prova empirike të mjaftueshme për t'u pranuar. Sipas një artikulli nga "Live Science", çdo teori shkencore fillon në formën e hipotezës dhe kur mblidhen mjaftueshëm prova atëherë hipoteza kalon në stadin e teorisë. (https://www.livescience.com/21491-what-is-a-scientific-theory-definition-of-theory.html)

• Pra, a është evolucioni thjesht teori apo fakt?

Të dyja. Edhe teori edhe fakt. Madje, është teori gjithëpërfshirëse. Por, çfarë është një fakt në shkencë? Një shpjegim shumë interesant për këtë çështje mund t'a gjejmë në një artikull nga http://www.nas.edu: "në shkencë 'fakti' i referohet në mënyrë tipike një vëzhgimi, matjeje, ose forme tjetër të dhënash, që mund të pritet se do të ndodhë në të njëjtën mënyrë, nën rrethana të ngjashme. Sidoqoftë shkencëtarët e përdorin termin 'fakt' për t'iu referuar një shpjegimi shkencor, që ka qenë testuar dhe konfirmuar aq shumë herë sa nuk ka më arsye për të vazhduar testimet. Në respekt të këtij përkufizimi evolucioni është një fakt shkencor... shkencëtarët nuk pyesin më nëse evolucioni biologjik ka ndodhur apo vazhdon të ndodhë, por në vend të kësaj ata investigojnë mekanizma të evolucionit, pyesin se sa shpejt mund të ndodhë evolucioni si dhe pyetje të tjera të kësaj natyre." (http://www.nas.edu/evolution/TheoryOrFact.html)

Sipas artikullit të cituar më sipër nga Universiteti Berkeley: "teoritë shkencore janë shpjegime të zgjeruara për një shkallë të gjerë fenomenesh; ato janë konçize, koherente, sistematike, parashikuese dhe gjerësisht të aplikueshme." "Që një teori (në kuptimin shkencor të fjalës) të jetë e pranuar nga komuniteti shkencor duhet të jetë fuqimisht e suportuar nga shumë linja të ndryshme të dhënash. Pra, evolucioni biologjik është një teori, (që është e mirë-mbështetur, gjerësisht e pranuar dhe një shpjegim i fuqishëm për diversitetin e jetës në Tokë) por jo "thjesht" një teori." (https://undsci.berkeley.edu/article/0_0_0/howscienceworks_19).

• Po të ishte e vërtetë do të ishte ligj.

Përkrah keqkuptimit apo pretendimit fals se teoria e evolucionit është "thjesht një teori", ndeshet edhe pretendimi tjetër i çuditshëm se, "teoria kur vërtetohet duhet të kthehet në ligj"  dhe që përgjithësisht shkojnë gjithmonë bashkë. Nga kjo rrëmujë arsyetimi në lidhje me termat shkencorë, të krijohet përshtypja sikur hierarkia në metoden shkencore ka "ligjin shkencor" si instancën më të lartë. Tashmë ne kemi sqaruar se çfarë është dhe çfarë nuk është një teori shkencore dhe gjithashtu se pse një teori shkencore nuk është "thjesht" një teori.

Pra, pse të mos bëhet teoria ligj? Sepse ligji dhe teoria janë dy gjëra të ndryshme në shkencë. Ato kanë rëndësinë dhe përkufizimin e tyre dallues prej njëri-tjetrit. Sipas profesorit të asociuar të biologjisë dhe inxhinierisë biomedicinale, Peter Coppinger në Institutin e Teknologjisë Rose-Hulman thotë, "ligjet janë përshkrime, shpesh herë përshkrime matematike, të një fenomeni natyror, për shembull ligji i gravitetit i Njutonit ose ligji i ndarjes së pavarur i Mendelit. Këto ligje thjesht shpjegojnë vëzhgimet. Por jo se si apo se pse ato funksionojnë." (https://www.google.com/amp/s/amp.livescience.com/21457-what-is-a-law-in-science-definition-of-scientific-law.html)

Pra, ligji dhe teoria shkencore nuk janë në "garë" vërtetësie. Ato janë thjesht pjesë të ndryshme të metodës shkencore dhe nuk mund të bëhet ligji teori apo teoria ligj.

• Si përfundim.

1) Nuk duhet të ngatërrohet kuptimi i përditshëm apo komercial i fjalës teori me "teorinë shkencore."
2) Teoria shkencore është shpjegim i gjerë dhe i hollësishëm i fenomeneve natyrore i mbështetur me prova.
3) Teoria e evolucionit biologjik nuk është "thjesht" një teori, por një teori e konfirmuar.
4) Evolucioni është gjithashtu fakt që ka ndodhur dhe ndodh.
5) Teoria nuk "gradohet" në ligj dhe as e anasjellta.

Në vazhdimësi do të sqarojmë edhe keqkuptimet e tjera.

No comments:

Post a Comment