Rreth 10 mijë vite më parë, mes lumit Tiger dhe Eufrat, në Mesopotami, njerëzit filluan një proces që do të ndikonte ndjeshëm në formimin e një qytetërimi të stabilizuar: zbutja e bimëve dhe kafshëve (domestication).
Njerëzit zbusnin bimë dhe kafshë për përdorime të nevojshme si ushqim, veshje, mjekime etj.
Bimët e para të zbutura janë elbi, thjerrëzat, gruri, bizelet etj. Përveç Mesopotamisë, zbutja e bimëve dhe kafshëve bëhej edhe në pjesë të tjera të botës: në Azinë lindore, në disa pjesë të Afrikës dhe në disa pjesë të Amerikës së veriut e të jugut. Përveç ushqimit ata i zbusnin bimët edhe për zbukurim si psh tulipanët ose për veshje si, bima e pambukut. Njerëzit koleksionin dhe mbillnin fara duke u siguruar që të kishin mjaftueshëm ujë dhe rreze dielli.
Krahas bimëve janë zbutur edhe kafshët. Ndoshta kafshët e para që janë zbutur kanë qenë dhitë më pas delet. Pak më vonë u zbuten edhe ato që njihen si kafshët e barrës.
Kafshët më të thjeshta për t'u zbutur kanë qenë barngrenëset, kjo sepse nuk ishte e nevojshme që njeriu të lodhej për t'iu gjetur ushqim. Ato thjesht mbaheshin të ruajtura në kullosa.
Por, si ka ndodhur ky proces në dukje i thjeshtë? Shumë kohë përpara se Wallace dhe Darwin të zbulonin evolucionin nga përzgjedhja natyrore, njerëzit primitivë përdornin të njëjtat parime, por duke mos ia lënë në dorë natyrës. Pra, nëse përzgjedhja natyrore është me pak fjalë mbijetesa e më të përshtatmit, përzgjedhja artificiale është "modifikimi" i species nga çiftëzimi selektiv. Njerëzit përzgjidhnin vetem ato specie që kishin tipare të pëlqyeshme për ata. Kështu përzgjidhnin psh qenin mashkull me nuhatje më të mirë dhe çiftëzohej me një qen femër po ashtu me nuhatje të mirë, në mënyrë që ky tipar të trashëgohej tek pasardhësit. Dhe e gjithë kjo bëhej për qëllimet praktike të njerëzve.
Nuk është shumë e vështirë të kuptohet rëndësia e zbutjes së kafshëve dhe bimëve. Kur njerëzit filluan të mbjellin e të korrin ata u përqendruan rreth tokave pjellore. Është pikërisht agrikultura ajo që shënoi një pikë kthesë në jetën e njerëzve duke krijuar qytetërime më të qëndrueshme. Shtimi i prodhimit ndikoi në rritjen e popullsisë. Njerëzit nuk kishin më pse të gjuanin kafshë, një punë e rrezikshme dhe që kërkonte më shumë kohë. Tashmë njëriu e prodhonte vetë ushqimin dhe nevoja të tjera praktike, duke përdorur bimët dhe kafshët e zbutura.
Është agrikultura ajo që ndikoi në zhvillimin e qytetërimit njerëzor, por po ashtu agrikultura sot është një ndër shkaqet kryesore që ndikon në ndryshimet klimatike, ndryshime të cilat nuk do jenë pa pasoja për qytetërimin tonë.
Bazuar: https://www.nationalgeographic.org/encyclopedia/domestication/
No comments:
Post a Comment