Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Studimi i parë në shkallë botërore mbi besueshmërinë e njërëzve në shkencë.

"Wellcome Global Monitor" ka siguruar të dhëna dhe prova të reja sa i takon marrëdhënieve midis publikut, shkencës dhe shkencëtarëve përgjatë botës.
Ky është studimi i parë për qëndrimin që ka publiku për shkencën dhe shëndetin në shkallë globale, duke iu bërë anketime në 140 shtete, njerëzve nga mosha 15 vjeç e sipër. Studimi përmban të dhëna në çështje të tilla si, besueshmëria te shkenca dhe shkencëtarët, besueshmëria te burimet e informacionit rreth shëndetit, kuptimi i fjalës 'shkencë' për publikun, qëndrimi për vaksinat si dhe ndërveprimi mes mësimeve religjioze dhe shkencës.

Të dhënat mbi njohuritë shkencore dhe kërkimin e informacioneve për shkencën.

Pyetjes, sa njohuri keni për shkencën: "shumë njohuri", "disa njohuri", "jo edhe aq" dhe "aspak njohuri", është parë se kudo burrat kanë prirjen më shumë sesa gratë për të pohuar se ata kanë "shumë" ose "disa" njohuri për shkencën, që dëshmon se ka një "hendek gjinor" sa i takon vetë-pohimit të njohurive. Ky "hendek gjinor" është më i madh në Europën Veriore me 17 përqind pikë diferencë. Zona tjera me këtë "hendek gjinor" të konsiderueshëm mbi perceptimin e njohurive për shkencën, përfshijnë: Azinë Jugore (16 pikë diferencë), Azinë Lindore (15 pikë diferencë), Afrikën Perëndimore (14 pikë diferencë), Australinë dhe Zelandën e Re (13 pikë diferencë) dhe Afrikën Lindore (13 pikë diferencë).
Rezultatet e "Wellcome Global Monitor" tregojnë një marrëdhënie të fortë midis vetë-pohimit të njohurive shkencore dhe arritjeve në edukimin shkollor. Në të gjitha zonat njerëzit me nivele më të ulta shkollore janë më pak të prirur për të thënë se e kanë kuptuar "të gjithin" ose "një pjesë" të definicionit të fjalës "shkencë" dhe "shkencëtarë", që iu ofrohej në fillim të anketimit.
Në shkallë globale 28 përqind e njërëzve thonë se kanë kërkuar informacione për shkencën kohët e fundit. Ndërsa kjo shifër rritet në 41 përqind për kërkimin e informacioneve për mjeksinë, sëmundjet ose shëndetin.
Pothuajse dy të tretat e njërëzve në mbarë botën (62%) thonë se janë të interesuar që të mësojnë më shumë rreth shkencës. Veç kësaj, 71 përqind e njërëzve në shkallë globale janë të interesuar që të mësojnë më shumë rreth shëndetit, mjeksisë dhe sëmundjeve.
Përgjatë gjithë botës, më shumë se gjysma e njërëzve (53%) të moshës 15-29 vjeç thonë se kanë "disa" ose "shumë" njohuri shkencore, krahasuar me 40% të atyre që kanë moshën 30-49 vjeç dhe 34% e atyre që kanë moshën 50 vjeç e sipër.

Të dhënat për besueshmërinë te shkenca dhe shkencëtarët.

Globalisht, 18% e njërëzve kanë nivel të lartë besueshmërie te shkencëtarët, ndërsa 54% kanë nivel mesatar dhe 14% kanë nivel të ulët.  Pjesa që mbetet, 13% nuk kanë asnjë opinion për besueshmërinë te shkenca. Kjo varion nga një e treta e njërëzve që kanë besim të lartë në Australi, Zelandën e Re e deri në rreth një në dhjetë njërëz në Amerikën Qendrore dhe Jugore.
Faktorët kryesorë të lidhur me nivelin e besueshmërisë së lartë te shkencëtarët janë: mësimi i shkencës në shkollë ose kolegj si dhe të qenurit konfident ndaj institucioneve kyçe kombëtare (si qeveria, gjygjësori). Faktorë të tjerë të lidhur në mënyrë të konsiderueshme janë edhe vendbanimi: në zonë rurale apo zonë urbane, si ndihen njerëzit në lidhje me të ardhurat e tyre, aksesi te një telefon personal dhe internet.
Në shkallë globale, 73% e njërëzve thonë se do të besonin një doktor ose infermier për këshilla shëndetësore më shumë sesa burime të tjera si psh familja, shoqëria, prijësit fetarë, ose njerëzit e famshëm.

Të dhënat për opinionin e njerëzve mbi benefitet e shkencës dhe marrdhënies me fenë.

Globalisht rreth shtatë në dhjetë persona ndjejnë që shkenca sjell benefite për ta, por ka një variacion të gjerë përgjatë zonave. Sidoqoftë, vetëm rreth katër në dhjetë persona besojnë se sjell përfitime për shoqërinë në vendin e tyre.
Rreth një e treta e njerëzve në Afrikën e Veriut, Afrikën Jugore, Amerikën e Jugut dhe Qëndrore, ndihen personalisht të përjashtuar nga benefitet e shkencës.
Përgjatë njerëzve me përkatësi religjioze, 55% do të ishin dakort me mësimet e fesë së tyre edhe në rast se ka mosmarrëveshje midis shkencës dhe religjionit të tyre, 29% do të ishin dakort me shkencën dhe 13% thonë se varet nga çështja. Përgjatë njerëzve që kanë një religjion, përqindjet më të larta të personave që thonë se shkenca ka mosmarrëveshje me mësimet e tyre fetare janë në SHBA dhe në Europën Jugore.
Në shkallë globale, 64% e njërëzve që kanë një përkatësi religjioze dhe që thonë se religjioni për ta është pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së tyre, do të besonin fenë mbi shkencën në rastin e një mosdakortësie të të dyjave.

Të dhënat për vaksinat.

Globalisht, tetë në dhjetë persona (79%) jani disi ose shumë dakord që vaksinat janë të sigurta, ndërsa 7% nuk janë disi ose shumë dakord; 11% nuk janë dakord, por as nuk e kundërshtojnë dhe 3% u përgjigjen "nuk e di". Franca është shteti me përqindjen më të lartë të atyre që nuk pranojnë vaksinat si të sigurta: një në tre persona.
Por, pavarësisht niveleve të larta të skepticizmit në disa shtete, përgjatë gjithë botës 92% e prindërve thonë se i kanë vaksinuar fëmijët, 6% thonë se nuk i kanë vaksinuar dhe 2% thanë se "nuk e dinin".

Në mënyrë specifike për Shqipërinë.

Për besueshmërinë te shkenca: vetëm 10% e shqiptarëve kanë nivel të lartë besueshmërie, 46% kanë nivel të mesëm, 39% kanë nivel të ulët besueshmërie dhe 4% nuk kanë opinion.
Shqipëria bashkë me pesë shtete të tjera (Mongolia, Mali i Zi, Paraguaj, Armenia dhe Gjeorgjia) është ndër vendet me më shumë njerëz që nuk besojnë se shkenca ka ndonjë benefit për ta dhe as për shoqërinë.
Përsa i takon marrëdhënieve fe-shkencë: për rreth 70% të shqiptarëve feja është e rëndësishme në jetën e tyre dhe rreth 45% e tyre janë shprehur se, në rast mosmarrëveshjeje midis fesë dhe shkencës ata do të besonin mësimet e fesë.
Një gjë e mirë të paktën: Shqipëria futet ndër vendet që pranon si të sigurta vaksinat. Rreth 96% e shqiptarëve besojnë se vaksinat janë të rëndësishme për fëmijët.

Referenca:
https://wellcome.ac.uk/reports/wellcome-global-monitor/2018
https://www.sciencemag.org/news/2019/06/global-survey-finds-strong-support-scientists

No comments:

Post a Comment