Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Në gjueti të jetës; astronomët kanë identifikuar yjet më premtues.

Sateliti i NASA-s për vëzhgimin e ekzoplaneteve tranzitore (Transiting Exoplanet Survey Satellite ose TESS), është dizenjuar për të zbuluar ekzoplanetët e banueshëm. Por, me qindra mijëra yje të ngjashëm me Diellin apo më të vegjël se ai që shfaqën në pamjen e kamerave të këtij sateliti, cili nga këta është "mikpritës" ndaj planeteve si ky i joni?

TESS do të vëzhgojë 400,000 yje nëpër të gjithë qiellin, për të kapur një shfaqje të shpejtë të një ekzoplaneti që po kalon përgjatë fytyrës së yllit të tij, kjo është një nga metodat kryesore nga e cila, ekzoplanetët identifikohen.

Një ekip astronomësh nga Universiteti Cornell, Universiteti Lehigh dhe Universiteti Vanderbilt kanë identifikuar shënjestrat më premtuese për këtë kërkim në katalogun e ri të TESS-it me yje në zonën e banueshme. Autorja drejtuese e këtij kërkimi është profesoresha e astronomisë në Cornell, Lisa Kaltenegger, e cila është gjithashtu edhe drejtuese e institutit Carl Sagan në Cornell dhe anëtare e ekipit shkencor në TESS.

Katalogu identifikon 1822 yje, nga të cilët TESS është mjaftueshëm sensitiv për të dalluar planete të ngjashëm me Tokën, vetëm pak më të mëdhenj se ajo, që marrin rrezatim nga ylli i tyre njësoj siç merr edhe Toka nga dielli ynë. Për 408 yje, TESS mund të dallojë një planet po aq të vogël sa Toka, dhe me rrezatim të ngjashëm, në vetëm një kalim.

"Jeta mund të ekzistojë në çdo lloj bote, por ajo që ne dimë më mirë që e suporton jetën është bota jonë, prandaj është e arsyeshme që kërkimet e para t'i bëjmë për planete të ngjashëm me Tokën," thotë Kaltenegger. "Për TESS-in ky katalog është i rëndësishëm sepse kushdo që po punon me të dhënat dëshiron të dijë se përreth cilit yll mund të gjejmë planetë analogë me Tokën."

Kaltenegger drejton programin në TESS që po vëzhgon katalogun e 1822 yjeve në detaje, duke shikuar për planete. "Unë kam 408 yje të preferuar", thotë ajo. "Është e mrekullueshme që nuk kam pse të zgjedh vetëm njërin nga ata; tani mund të kërkoj për qindra yje."

Për të konfirmuar një ekzoplanet që ka qenë vëzhguar dhe për të gjetur distancën mes tij dhe yllit të tij, duhet të dedektohen dy tranzite (kalime të planetit) përreth yllit. 1822 yjet që hulumtuesit kanë identifikuar në katalog janë nga ata që TESS mund të dedektojë dy tranzite planetare gjatë misionit të tij. Për shkak të këtyre periodave orbitale del se planetet ndodhen në zonën e banueshme të yllit të tyre.

Zona e banueshme është ajo zonë përreth një ylli në të cilën uji mund të jetë në gjendje të lëngët në sipërfaqen e një planeti shkëmbor dhe rrjedhimisht konsiderohen ideale për të pasur jetë. Siç hulumtuesit thonë, se edhe në planetët jashtë zonës së banueshme sigurisht që mund të ketë jetë, por do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për të dedektuar ndonjë shenjë të saj në të tillë planetë të ngrirë, pa qenë atje.

Katalogu gjithashtu identifikon një nënbashkësi prej 227 yjesh për të cilat TESS jo vetëm që mund të kërkojë për planetë që marrin të njëjtin rrezatim, por për të cilët TESS mund të kërkojë edhe më shumë, duke mbuluar tërësisht zonën e gjerë të banueshme e deri në zonën e ftohtë të orbitave të ngjashme me Marsin. Kjo do t'i lejojë astronomët që të kërkojnë për shumëllojshmërinë e zonave potencialisht të banueshme përreth qindra yjesh të ftohtë gjatë kohëzgjatjes së misionit të TESS-it.

Yjet e përzgjedhur në katalog janë të ndritshëm, të ftohtë dhe xhuxhë, temperatura e të cilëve arrin afërsisht midis 2,700 dhe 5,000 gradë Kelvin. Yjet në katalog janë përzgjedhur në sajë të ndritshmërisë së tyre; më të afërtit janë afërsisht gjashtë vite dritë larg nga Toka.

"Ne nuk e dimë se sa planetë do të gjejë TESS-i përreth qindra yjesh, ose nëse ata do të jenë të banueshëm," thotë Kaltenegger "por shanset janë në favorin tonë. Disa studime tregojnë se janë shumë planetë shkëmborë në zonën e banueshme të një ylli të ftohtë, po ashtu si në katalog. Ne jemi të emocionuar për të parë se çfarë do të gjejmë."

Një total prej 137 yjesh në katalog janë brenda fushëpamjes së vazhdueshme të teleskopit hapësinor të NASA-S James Webb, që po ndërtohet. Webb do të mund të vëzhgojë këto yje dhe të karakterizojë atmosferën planetare dhe të kërkojë për shenja jete në atmosferën e tyre.

Hulumtuesit vënë në dukje se, planetët e identifikuar nga TESS mund të përbëjnë edhe një shënjestër ekselente për vëzhgime nga teleskopë jashtëzakonisht të mëdhenj, me bazë në tokë, që janë duke u ndërtuar dhe që për shkak të ndritshmërisë së yllit "mikëpritës", mund t'a bëjë të lehtë karakterizimin e tyre.

"Kjo është një kohë e mrekullueshme në historinë e njerëzimit dhe një hap i madh për të kuptuar vendin tonë në univers," thotë Stassun që është anëtar në ekipin shkencor të TESS.

Burimi:
https://www.eurekalert.org/pub_releases/2019-03/cu-ihf032619.php
Ilustrimi i mëposhtëm është marrë nga NASA.

No comments:

Post a Comment