Qelizat burimore konsiderohen si qeliza "motor" për rigjenerimin për arsye se ato janë të afta të vetë-rinovohen, të dyfishojnë dhe të klonojnë vetëveten. Këto qeliza speciale përdoren në fushën e mjeksisë rigjeneruese, që po zhvillohet me shpejtësi, për të ndaluar dhe madje për të zmbrapsur sëmundjet. Mjeksia rigjeneruese synon të riparojë ose të zëvendësojë indet ose organet, që janë dëmtuar prej traumave, sëmundjeve ose defekteve të lindura.
Qelizat burimore janë tre llojesh: embrionale, të kordonit të kërthizës dhe qeliza burimore adulte (të rritura). Qelizat burimore embrionale janë pluripotente, që do të thotë se ato mund të lindin të gjitha llojet e tjera të qelizave që përbëjnë trupin e njeriut. Ndërsa qelizat burimore të kordonit dhe adulte janë multipotente. Kjo nënkupton se ato të afta për t'u zhvilluar në më shumë se një lloj qelize, por janë më të kufizuara sesa qelizat pluripotente.
Në ShBA, vetëm qelizat burimore të kordonit dhe ato adulte mund të përdoren në procedurat e mjeksisë rigjeneruese. Për shkak të një kontroversi etik qelizat burimore embrionale nuk përdoren në praktikën klinike, por vetëm për qëllime hulumtimi.
• Qelizat burimore adulte.
Qelizat burimore adulte, që mund të merren nga palca kockore, gjaku ose yndyrnat, kanë potencial të limituar. Ndërkohë që ne bëhemi më të moshuar qelizat burimore jo vetëm e humbasin funksionalitetin, por kemi shumë më pak prej tyre. Hulumtuesit përllogarisin se të porsalindurit kanë 40 herë më shumë qeliza burimore në palcën kockore krahasuar me një 50 vjeçar. Për rrjedhojë, qelizat burimore adulte mund të jenë subjekt i anomalive të ADN-së të shkaktuara prej dritës së diellit, toksinave dhe gabimeve që lidhen me bërjen e shumë kopjeve të ADN-së, përgjatë kohës jetësore.
• Qelizat burimore të kordonit.
Qelizat burimore të kordonit mund të merren nga kordoni i kërthizës pas lindjes me lejen e nënës që lind. Ky ind, që nuk i duhet më trupit mund t'i dhurohet shkencës për përdorim në hulumtime ose në mjekësi. Qelizat burimore të kordonit janë shumë më efiçente në replikim, kur ato largohen prej trupit, krahasuar me qelizat burimore adulte. Për shembull, nëse ato vendosen në një enë të posaçme me vlerat e duhura ushqyese mund të shumëfishohen në 1 miliardë qeliza brenda 30 ditëve; ndërsa qelizat burimore adulte mund të shumëfishohen në vetëm rreth 200 qeliza brenda 30 ditëve.
Mjekët i përdorin qelizat burimore të kordonit për të trajtuar kushtet autoimune të tilla si lupus, artritin reumatik dhe sklerozën e shumfishtë, po ashtu edhe infeksionet kronike të tilla si HIV, herpes dhe sëmundjen Lyme.
• Qelizat burimore embrionale.
Qelizat burimore embrionale janë më premtueset në trajtimin e sëmundjeve, por që ka hapur debate të nxehta mbi etikën e përdorimit të tyre. Qelizat burimore embrionale të njeriut janë të derivuara prej vezës së fekonduar në mënyrë in vitro dhe në njëfarë mënyrë janë origjinale. Këto qeliza burimore pluripotente çmohen për fleksibilitetin e tyre për të qenë të afta që të shëndrrohen në çdo lloj qelize njerëzore.
Kur këto qeliza janë të rritura në laborator në kushte të caktuara për disa muaj mund të qëndrojnë të paspecializuara dhe mund të prodhojnë miliona qeliza burimore për një kohë të pacaktuar.
• Qelizat burimore pluripotente të induktuara.
Shkencëtarët tashmë mund të riprogramojnë qelizat burimore adulte për t'i bërë ato më të ngjashme me qelizat burimore embrionale. Këto njihen si qeliza burimore pluripotente të induktuara (induced pluripotent stem cells, ose iPSCs). Por, iPSCs janë ende qeliza burimore adulte, prandaj ato mbajnë riskun për të pasur anomali. Nevojiten më shumë hulumtime në iPSCs, por shkencëtarët shpresojnë t'i përdorin ato në mjekësinë e transplantimit.
Ky material është marrë nga Live Science:
https://www.livescience.com/65269-stem-cells.html
No comments:
Post a Comment