Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Evolucioni i syve të qenushave.

Qentë kanë evoluar një muskul të ri përreth syve në mënyrë që të komunikojnë më mirë me njerëzit.

Hulumtimet e reja që kanë krahasuar sjelljen dhe anatominë e qenve dhe ujqërve sugjerojnë se anatomia e fytyrës së qenve ka ndryshuar përgjatë mijëra vitesh, në mënyrë specifike për t'i lejuar ata që të komunikojnë më mirë me njerëzit.
Në analizën e parë të detajuar që krahason sjelljen dhe anatominë e qenve dhe ujqërve, hulumtuesit gjetën se muskulatura e fytyrës te të dyja speciet është e ngjashme, përveç përreth syve. Qentë kanë një muskul të vogël që i lejon ata në mënyrë intensive të ngrejnë vetullën e tyre të brendshme, të cilën ujqërit nuk e kanë.

Ekipi hulumtues i drejtuar nga psikologia krahasuese Dr Juliane Kaminski nga Universiteti Portsmouth, përfshin edhe ekipin e ekspertëve të sjelljes dhe të anatomisë nga Britania e Madhe dhe ShBA-ja.

Dr Kaminski tha: "të dhënat na imponojnë se qentë kanë zhvilluar një muskul për të ngritur vetullën e brendshme, pasi janë zbutur nga ujqërit.

Ne gjithashtu kemi studiuar sjelljen e qenve dhe ujqërve kur ata ekspozohen ndaj një njeriu për dy minuta, qentë e ngrejnë vetullën e brendshme më shumë dhe me një intensitet më të lartë sesa ujqërit."
"Gjetjet sugjerojnë se vetullat shprehëse të qenve mund të jenë rezultat i preferencave të pavetëdijshme të njerëzve që kanë influencuar selektimin gjatë zbutjes. Kur qentë bëjnë lëvizjen (e muskulit rreth syve) duket sikur ngjallin dëshirën te njerëzit për t'u kujdesur për ta. Kjo mund t'iu japë qenve që e lëvizin vetullën e brendshme më shpesh, një avantazh në selektimin e tyre ndër të tjerët si dhe përforcimin e tiparit "sytë e qenushave" në gjeneratat e ardhshme."

Hulumtimet e mëparshme të Dr Kaminski-t treguan se qentë i lëviznin vetullat dukshëm më shpesh kur njërëzit i shikonin ata, krahasuar me rastet kur nuk i shikonin.
Profesorja anatomiste Anne Burrows nga Universiteti Duquesne, Pittsburgh, ShBA dhe bashkëautorja e artikullit thotë: "Për të përcaktuar nëse kjo lëvizje e vetullave është rezultat i evolucionit ne krahasuam anatominë e fytyrës dhe sjelljes së këtyre dy specieve dhe gjetëm se te qentë ishin muskujt që mundësonin lëvizjen e vetullave ndërsa ujqërit kishin një grumbull të pakët fibrash të ç'rregullta."
"Ky është një ndryshim befasues për këto specie që janë ndarë vetëm 33,000 vite më parë dhe ne mendojmë që ndryshimet mrekullisht të shpejta të muskujve të fytyrës mund të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen e ndërveprimit social të qenve me njerëzit."

Profesorja Waller thotë: "Këto lëvizje i bën sytë e qenve të dukën më të mëdhenj, duke iu dhënë atyre një pamje të ngjashme me fëmijët. Gjithashtu mund të imitojnë lëvizjet e fytyrës së njerëzve kur janë të mërzitur."

Bashkëautori Rui Diogo, një anatomist në Universitetin Howard në Washington DC, në ShBA tha: "unë duhet të vë në dukje se isha i surprizuar nga këto rezultate për shkak se anatomia e muskujve është normalisht shumë e ngadaltë për t'u ndryshuar në evolucion, ndërsa në këtë rast ka ndodhur shumë shpejt."
Indet e buta, përfshirë muskujt nuk kanë prirje që të mbijetojnë në regjistrimin e fosileve, duke e bërë studimin e këtij lloj evolucioni të vështirë.

E vetmja specie qensh në studim që nuk e kishte këtë muskul ishte husky Siberian që është një nga rracat më të vjetra të qenve.

Referenca:
https://www.eurekalert.org/pub_releases/2019-06/uop-teo061719.php

No comments:

Post a Comment