Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Pse besojmë në teori konspirative?

Në një artikull të publikuar në vitin 2013 në revistën Psychological Science, Levandovski një shkencëtar kognitiv shpjegonte arsyet se pse njërezit besojnë në teori konspiracioni. Levandovski habitej se përse disa njerëz refuzojnë provat dërrmuese se planeti po ngrohet dhe se jemi ne përgjegjësit. Gjatë kërkimeve të tij ai zbuloi se ata që refuzonin ngrohjen e planetit besonin edhe në ide të tilla si, "Apollo është një mashtrim i bërë nga qeveria amerikane".

Por, besimi në teori konspiracioni mund të çojë në akte dhune. Personi i armatosur që vrau 11 vetë dhe plagosi 6 në një sinagogë në Pittsburgh në tetor të vitit 2018, i justifikoi veprimet e veta duke konspiruar se hebrenjtë vjedhurazi suportonin imigrimin ilegal.

Më tej në artikull thuhet se njerëzit që janë të stresuar dhe kanë ankth ose kanë vetëbesim të ulët kanë më shumë prirje për të besuar në teori konspiracioni. Në një studimi të vitit 2018 kërkuesit shkencorë të universitetit Minnesota dhe Universitetit Lehigh, morën në pyetje më shumë se 3,000 amerikanë dhe panë se pjesëmarrësit që ndjenin se vlerat Amerikane po shkatërrohen, prireshin të besonin më shumë edhe qëndrime konspirative të tilla si, "pas shumë ngjarjeve qëndrojnë veprimet e një grupi të vogël njerëzish me influencë".

Përveç rasteve të dhunës të justifikuara me teori konspirative, ka edhe rreziqe të tjera që vijnë prej tyre. Për shembull, njerëzit që besojnë në konspiracionin se vaksinat shkaktojnë autizëm, janë më pak të gatshëm të vaksinojnë fëmijët dhe kjo krijon kushtet e infektimit nga sëmundje që mund të rrezikojnë të gjithë komunitetin.

Si të tregojmë faktin nga trillimi? Ka qenë një çështje e diskutuar gjatë, nëse është ide e mirë apo e keqe të kundërshtosh konspiracionet duke përdorur provat dhe logjikën. Kërkuesit i referoheshin "backfire effect" që do të thotë se nëse dikush është i keqinformuar për diçka, sa më shumë prova ti japësh kundër pretendimit të gabuar, aq më shumë do të zhytet në keqinformim e tij. Por, kërkimet e bëra më vonë treguan se efekti "backfire" vepron vetëm në raste të rralla sidomos kur kundërshtimet e bëra sfidojnë individualitetin e personit që kundërshtohet. Kur hulumtuesit refuzonin një konspiracion duke paraqitur papërputhshmëritë logjike të tij, vunë re se konspiracioni bëhej më pak tërheqës për njerëzit.

Është mendimi analitik që na ndihmon të bëjmë dallimin midis teorive të pambështetura dhe atyre, që sado të çuditshme të tingëllojnë, janë të suportuara nga provat. Karen Murphy, një psikologe në universitetin e shtetit Pennsylvania, sugjeron se ata që duan të përmirësojnë aftësitë në të menduarit analitik, duhet të bëjnë tre pyetje kyçe kur interpretojnë pretendimet konspirative. E para: cilat janë provat e tua? E dyta: cili është burimi i provave tua? Dhe e treta: cili është arsyetimi që ke për të lidhur provat me pretendimin? Burimet e provave duhet të jenë të sakta, të besueshme dhe rilevante.

Nuk do të jetë gjithmonë një detyrë e lehtë, të ndajmë të vërtetën nga gënjeshtra, por ka një rëndësi kritike për të gjithë ne.

Burimi: Revista Scientific American, botimi i muajit Mars 2019, fq 59-64.

No comments:

Post a Comment