Një elasmosaur 15 ton i është shtuar provave se një ekosistem detar shumë i gjallëruar ka ekzistuar pak përpara zhdukjes masive të dinosaurëve.
U deshën dekada luftë me motin në një ishull të vogël dhe të izoluar të gadishullit Antarktik. Por, tani shkencëtarët më në fund kanë nxjerrë në dritë elasmosaurin më të rëndë të njohur, zvarranik ujor i lashtë që notonte në detet e periudhës Cretaceous (periudhë gjeologjike) përkrah dinozaurëve. Kafsha mund të ketë peshuar 15 ton dhe është tani një nga fosilet e zvarranikëve të lashtë më të kompletuar që është zbuluar ndonjëherë në Antarktikë.
Elasmosaurët përbëjnë një familje plesiosaurësh që përfaqëson disa nga krijesat më të mëdha të periudhës Cretaceous. Plesiosaurët përgjithësisht ngjajnë pak me një lloj gjitari ujor të sotshëm "manatee" me qafë gjirafe dhe me një kokë të ngjashme me gjarprin edhe pse ata kanë katër pendë notimi ndërsa "manatee" ka vetëm tre.
"Për vite me rradhë ka qenë një mister... ne nuk e dinim nëse ata ishin elasmosaur apo jo," thotë Jose O'Gorman, një paleontolog në Këshillin Kombëtar të Hulumtimeve Shkencore dhe Teknologjike në Argjentinë. "Ata ishin një lloj i çuditshëm plesiosauri që askush nuk i njihte."
Hulumtuesit kishin nevojë për një kampion më të kompletuar dhe në fakt kështu ndodhi. William Zinsmeister i Universitetit Purdue kishte zbuluar një kandidat potencial në ishullin Seymour, vetëm pak në jug të skajit verior të gadishullit Antarktik, gjatë ekspeditës së tij në vitin 1989. Megjithatë, në atë kohë ai nuk kishte burimet e duhura për të gërmuar fosilin e gjetur, por ai informoi hulumtuesit në Argjentinë rreth zbulimit.
Instituti Antarktik i Argjentinës u përfshi dhe filloi gërmimet për fosilin, por zvarraniku gjigand u nxorr me një ritëm të ngadaltë për shkak të motit dhe planifikimit operativ.
O'Gorman ishte pesë vjeç kur u zbulua fosili. Ai shkoi për herë të parë në këto udhëtime duke filluar nga viti 2012. Puna mund të zhvillohej vetëm në pak javë gjatë muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt dhe mund të ndodhte që për shkak të motit të keq të mos bënin gërmime fare. "Moti është një nga problemet. Moti kontrollon çdo gjë. Mbase një ditë mund të punosh, ndërsa ditën tjetër jo për shkak të një stuhie dëborë," thotë ai.
Më në fund gërmimet përfunduan në vitin 2017 duke marrë një pjesë thelbësore të skeletit të kafshës. "Ne nuk e kemi kafkën, por kemi shumë pjesë të këtij fosili," thotë O'Gorman. Shkencëtarët përllogarisin se elasmosauri që akoma nuk i është vënë emër, peshon midis 11.8 ton dhe 14.8 ton. Ai ka një gjatësi nga koka të bishti rreth 12 metra.
Ky fosil i ri është shumë interesant për shkak se daton kaq afër fundit të periudhës Cretaceous, vetëm 30,000 vite para eventit të zhdukjes masive që zhduku dinozaurët jo-fluturues rreth 66 milion vite më parë. Shumë gjallesa ujore duhet të kenë jetuar për të kënaqur oreksin e të tillë krijese të madhe, kështu që fakti se këto gjallesa vazhduan të ekzistojnë deri në të vonë të Cretaceous, shton prova se bota ujore të paktën, po shkonte shumë mirë, deri në zhdukjen e papritur masive.
Sa i përket dietës së kësaj kafshe shkencëtarët nuk mund t'a përcaktojnë pa pasur përbërjen e stomakut të fosilizuar ose prova të tjera. Por, O'Gorman thotë se ka gjasa që të jetë ushqyer në peshq të vegjël duke u bazuar në përmasat e vogla të dhëmbëve. Studimi i kockave të zhgroposura vetëm sa ka filluar dhe ka shumë hulumtime që mund të bëhen në këtë fosil antik.
Përmbledhje e artikullit, https://www.nationalgeographic.com/science/2019/06/fossil-sea-monster-found-antarctica-heaviest-of-its-kind-elasmosaurs/
No comments:
Post a Comment