Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Njerëzit po çojnë drejt zhdukjes një milion specie.

Më shumë se një milion specie bimësh dhe kafshësh po përballen me zhdukjen, shumë prej tyre brenda disa dekadave, për shkak të aktivitetit njerëzor, thotë raporti më gjithëpërfshirës sa i takon gjendjes së ekosistemeve globale.

Pa masa drastike për të ruajtur habitatet, shkalla e zhdukjes së specieve, që tashmë është dhjetra e deri në qindra herë më e lartë sesa mesatarja përgjatë dhjetë milionë viteve të kaluara, thjesht do të rritet, thonë analizat. Këto gjetje vijnë nga paneli i mbështetur prej Kombeve të Bashkuara, i quajtur Platforma Ndërqeveritare e Politikave Shkencore mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet në Ekosistem (IPBES) .

Bazuar në këtë raport, aktivitetet agrikulturore kanë pasur impaktin më të madh në ekosistemet që njerëzit varen për ushqim, ujë të pijshëm dhe klimë të qëndrueshme. Humbja e specieve dhe habitateve përbën një rrezik më të madh për jetën në Tokë sesa ndryshimet klimatike, thuhet në përmbledhjen e këtij raporti të publikuar më 6 Maj.

Analizat janë bazuar për gjetjet e bëra në afërsisht 15,000 studime dhe raporte qeverish, duke integruar informacione nga shkencat sociale dhe të natyrës, njerëzit indigjenë dhe traditat agrikulturore të komuniteteve. Ky është është vlerësimi i parë ndërkombëtar kryesor për biodiversitetin që nga viti 2005.

Biodiversiteti duhet të jetë në majë të agjendave globale përkrah klimës, tha Anne Larigauderie, sekretare ekzekutive në IPBES gjatë konferencës për shtyp të 6 Majit në Paris, Francë. "Ne nuk mund të themi më se nuk e kemi ditur," tha ajo.

"Ne po shkatërrojmë ekonomitë tona, jetesën tonë, sigurinë e ushqimeve, shëndetin dhe kualitetin e jetës në të gjithë botën," thotë drejtuesi i IPBES Robert Watson, që është kimist atmosferik në Universitetin e Anglisë Lindore në Norwich, BM.

• Riformësimi i jetës në Tokë.

Rreth 75% e tokës dhe 66% e zonave oqeanore janë të ndryshuara në mënyrë të konsiderueshme nga njerëzit, të shtyrë në një pjesë të madhe nga prodhimi i ushqimeve. Të korrat dhe bagëtitë zënë së bashku më shumë se 33% të sipërfaqes tokësore në Tokë dhe 75% të burimeve të ujrave të ëmbla.

Aktivitetet agrikulturore janë gjithashtu disa nga kontribuesit më të mëdhenj në emetimin nga njerëzit të gazeve serë. Ato llogariten të jenë afërsisht 25% e emetimeve totale, kjo për shkak të përdorimit të fertilizuesve si dhe të shëndërrimit të hapësirave të tilla si, pyjet tropikale në zona për rritjen e drithërave dhe mbajtjen e bagëtive. Kërcënimet agrikulturore ndaj ekosistemit vetëm sa do të rriten, përsa kohë edhe popullsia vazhdon të rritet, bazuar mbi analizat e IPBES.

Kërcënimet e tjera të mëdha për natyrën janë: shfrytëzimi i bimëve dhe kafshëve nëpërmjet korrjes/mbledhjes, prerja e pemëve, gjuetia dhe peshkimi, ndryshimet klimatike, ndotja dhe përhapja e kafshëve invazive. Raporti i IPBES gjeti se shumëllojshmëria e bimëve, kafshëve dhe insekteve native ka rënë me të paktën 20% që nga viti 1900 për shkak të specieve invazive.

Raporti bën lidhje të pazgjidhshme midis humbjes së biodiversitetit dhe ndryshimeve klimatike. Nga një  përllogaritje del se 5% e të gjitha specieve do të kërcënohej me zhdukje nëse temperatura do të rritej me 2°C mbi nivelet para-industriale dhe që ky është një prag përtej të cilit bota do të dëmtohej rëndë në pak dekada të ardhshme, përveç se po të reduktohej në mënyrë drastike emetimi e gazeve serë. Toka mund të humbasë 16% të specieve të saj nëse temperatura mesatare globale do të rritej përtej 4.3°C . Të tilla dëme ndaj ekosistemeve do të minonin përpjekjet globale për të reduktuar varfërinë dhe urinë si dhe promovimin e një zhvillimi më të qëndrueshëm, thotë raporti i IPBES.

- Bota mund t'a ndalojë këtë krizë të biodiversitetit, sipas raportit, por që të bëhet kjo gjë kërkohen politika mjedisore proaktive, prodhim i qëndrueshëm i ushqimeve dhe burimeve të tjera, si dhe përpjekje të bashkërenduara për të reduktuar emetimin e gazeve serë.

Burimi:
https://www.nature.com/articles/d41586-019-01448-4

No comments:

Post a Comment