Astronomët kanë mundur të bëjnë matje më të sakta të masës së galaktikës sonë duke përdorur teleskopin hapësinor të NASA-S, Hubble dhe satelitin Gaia të Agjencisë Europiane Hapësinore.
Bazuar mbi matjet e fundit, Rruga e Qumështit peshon rreth 1.5 triliard masë solare ( një masë solare është e barabartë me masën e diellit tonë). Vetëm një përqindje e vogël e kësaj mase i atribuohet përafërsisht 200 miliardë yjeve që gjenden në galaktikën tonë dhe vrimës së zezë supermasve që ndodhet në qendër të Rrugës së Qumështit me një masë solare 4 milion. Pjesa më e madhe e masës është e "bllokuar" në materien e errët. Materia e errët është një substancë e padukshme dhe e mistershme që luan rolin e 'skeletit' përgjatë universit dhe i mban yjet në galaktikat e tyre.
Galaktikat më të lehta kanë një masë solare rreth 1 miliardë ndërsa ato më të rëndat kanë masë solare rreht 30 triliard, ose 30,000 herë më masive se galaktika jonë. Masa e Rrugës së Qumështit është mjaft normale për ndritshmërinë që ka.
Edhe pse ne nuk mund t'a shohim materien e errët, ajo është dominante në univers dhe mund të peshohet nëpërmjet influencës së saj tek objektet e dukshme si grumbujt globulare (globular cluster janë grumbuj yjesh të vjetër, që bashkë formojnë një strukturë sferike për shkak të gravitetit dhe që kanë dendësi yjore më të madhe ne qendër). Sa më masive të jetë një galaktikë aq më shpejt lëvizin grumbujt globular nën tërheqjen e gravitetit.
Vëzhgimet e teleskopit Hubble dhe satelitit Gaia janë plotësuese të njëra tjetrës. Sateliti Gaia është dizenjuar ekskluzivisht për të krijuar një hartë preçize tre-dimensionale të objekteve astronomike në galaktikën tonë. Gaia bën matje në të gjithë qiellin duke përfshirë edhe shumë grumbuj globular. Ndërsa Hubble ka fushëpamje më të vogël, por arrin të kapë objekte qiellore më të largëta.
Studimi i ri bashkon matjet e Gaia-s të 34 grumbujve globular që janë 65,000 vite dritë larg me matjet e Hubble-it të 12 grumbujve globular që janë 130,000 vite dritë larg, të cilat janë përftuar nga imazhet e bëra për një periudhë 10 vjeçare.
Kur matjet e bëra nga Gaia dhe Hubble kombinohen si pika ankorimi, astronomët mund të përllogarisin shpërndarjen e masës së galaktikës tone deri afërsisht 1 milion vite dritë larg nga Toka. Pikërisht nga këto matje të bashkuara astronomët arritën të fiksonin masën e Rrugës së Qumështit.
Burimi: http://nasa.gov/feature/goddard/2019/what-does-the-milky-way-weigh-hubble-and-gaia-investigate via #NASA_APP
Fotoja gjithashtu është marrë nga NASA.
No comments:
Post a Comment