Search This Blog

Thursday, July 4, 2019

Provat për evolucionin.

Teoria e evolucionit në biologji postulon se llojet e larmishme të bimëve, kafshëve dhe gjallesave të tjera në Tokë, e kanë origjinën e tyre në një lloj tjetër para-ekzistues dhe diferencat e dallueshme janë për shkak të modifikimeve në vargun e gjeneratave pasuese. Teoria e evolucionit është një nga gurët e themelit të biologjisë moderne. (Encyclopedia Britannica.)

Elolucioni ndodh të shkallë të madhe dhe të vogël.

Sipas "Khan Academy" evolucioni në një kuptim të gjerë është ndryshimi në përbërjen gjenetike të një popullate përgjatë kohës. Biologët shpesh herë definojnë dy tipe të evolucionit bazuar në shkallën që ndodh:
Makroevolucioni, që i referohet ndryshimeve në shkallë të gjerë, të cilat ndodhin përgjatë një periudhe kohore shumë të gjatë dhe si rezultat formohen specie e grupe të reja. Makroevolucioni ndodh gjatë mijëra ose miliona vitesh.
Mikroevolucioni, që i referohet ndryshimeve në shkallë të vogël dhe që prek vetëm një ose pak gjene dhe ndodh në popullata në një periudhë kohore të shkurtër.

Mikroevolucioni dhe makroevolucioni nuk janë në fakt dy proçese të ndryshme, por i njëjti proçes pra, evolucion, por që ndodhin në një përshkallëzim kohor të ndryshëm. (https://www.khanacademy.org/science/biology/her/evolution-and-natural-selection/a/lines-of-evidence-for-evolution)

Provat për evolucionin.

Në shekullin e XIX biologët e mbështesnin teorinë e evolucionit në studimet krahasuese të organizmave të gjallë, në shpërndarjen gjeografike të tyre dhe në mbetjet fosile të organizmave të zhdukur. Që nga ajo kohë provat për evolucionin janë bërë më të forta dhe më gjithëpërfshirëse ndërkohë që disiplinat e biologjisë, të cilat janë zhvilluar më pas kanë pajisur me prova plotësuese të fuqishme dhe me një konfirmim të detajuar.

1) Regjistrimet e fosileve

Paleontologët kanë studiuar mbetjet fosile të mijëra organizmave që kanë jetuar në të kaluarën. Regjistrimi i foliseleve tregon se shumë lloje organizmash të zhdukur kanë qenë shumë të ndryshëm në formë nga organizmat që jetojnë sot. Gjithashtu tregon vazhdimësinë e njëpasnjëshme të organizmave përgjatë kohës duke manifestuar tranzicionin e tyre nga një formë në tjetrën.

Fosilet më të vjetra i ngjajnë mikroorganizmave të tillë si bakteret dhe cianobakteret. Fosili më i vjetër nga këto mikroorganizma shfaqet në shkëmbinj 3.5 miliardë të vjetër. Ndërsa sa i takon fosileve të kafshëve më i vjetri daton rreth 700 milion vite më parë dhe vjen nga e ashtuquajtura "Ediacara fauna", që ka qenë një gjallesë e vogël e ngjashme me krimbin me trup të butë.  Janë gjetur në shkëmbinj edhe fosile dhe skelete të mineralizuara të shumta, që iu përkasin filiumeve (rend taksonomik) të gjalla rreth 540 milion vite të vjetër. Por, këto oganizma janë të ndryshëm në formë nga organizmat që jetojnë sot dhe nga ata që jetonin në periudha të ndërmjetme. Vërtebroret e parë, që janë kafshë me shtyllë kurrizore, janë shfaqur rreth 400 milion vite më parë. Historia e jetës e regjistruar nga fosilet paraqet prova bindëse për evolucionin.
Në disa raste vazhdimësia e formave të organizmave përgjatë kohës është rikonstruktuar në detaje. Si shembull është evolucioni i kalit. Evolucioni i kalit na çon në gjurmët e një kafshe që ka jetuar më shumë se 50 mijë vite më parë, që ka pasur madhësinë e qenit, këmbë me disa gishtërinj dhe me dhëmbë të përshtatur për t'u ushqyer me bimë të larta. Kjo kafshë quhet "down horse" (i përket gjinisë Hyracotherium). Forma e fundit e  saj është kali i sotshëm "Equus", që është më i madh në përmasa, me thundër dhe me dhëmbë të përshtatur për të kullotur në barë. Format e ndërmjetme mdis "down horse" dhe "Equus" janë të ruajtura mjaft mirë si fosile, siç janë ruajtur edhe shumë lloje të tjera kuajsh të zhdukur, të cilët kanë evoluar në drejtime të ndryshme dhe nuk kanë lënë pas pasardhës.

Duke përdorur fosilet e gjetura, paleontologët kanë rikonstrukturuar  tranzicione radikale evolutive si në formë ashtu edhe në funksion. Për shembull, nofulla e poshtme e zvarranikëve përbëhet nga disa kocka, por ajo e gjitarëve vetëm nga një. Kocka tjetër në mënyrë të pagabueshme ka evoluar në kockën, që tani e gjejmë në veshin e gjitarëve. Në fillim, një tranzicion i tillë mund të duket i pamundur, sepse është e vështirë të imagjinojmë se çfarë funksioni një kockë e tillë mund të ketë pasur gjatë fazave të ndërmjetme. Sidoqoftë, paleontologët kanë zbuluar dy forma tranzite (të ndërmjetme) të zvarranikëve të ngjashëm me gjitarët të quajtur "therapids" që kishin një nofull nyje të dyfishtë. Njëra nyje konsistonte në kockën që qëndron si nofull te gjitarët kurse tjetra e përbërë nga kocka "articular" dhe "quadrate", të cilat eventualisht u bënë çekiçi dhe kudhra e veshit.

Për ata që janë "skeptikë" në lidhje me "hallkat e munguara" midis njerëzve dhe "apes" (shimpanzetë, bononotë etj) ka qenë një çështje "jetë a vdekje" për shumë kohë dhe vazhdon të mbetet për njerëzit e painformuar. Nuk është gjetur vetëm një specie e ndërmjetme midis "apes" që jetojnë tani dhe njerëzve, por shumë specie të tilla.

2) Ngjashmëritë në strukturë.

Skeleti i breshkave, kuajve, njerëzve, zogjve dhe lakuriqëve të natës janë befasisht të ngjashëm, pavarësisht mënyrave të ndryshme të të jetuarit të këtyre kafshëve dhe diversitetit të mjedisit. Korrespondenca e këtyre kafshëve kockë për kockë, mund të shikohet kollaj jo vetëm në gjymtyrë, por edhe në pjesët e tjera të trupit. Nëse do niseshim nga një këndvështrim sipërfaqësor do të na dukej e pakuptueshme, që duke pasur krahë me strukturë të ndërtuar nga të njëjtat kocka, një breshkë të mund të notonte, një kalë të vraponte, një njeri të shkruante, një zog apo një lakuriq nate të fluturonte. Padyshim që një inxhinier do të dizenjonte gjymtyrë më të mira për secilin rast. Por, kur pranojmë se këto skelete kanë trashëguar strukturën e tyre  nga një paraardhës i përbashkët dhe janë modifikuar vetëm për shkak se janë përshtatur me mënyra të ndryshme të jetuarit, ngjashmëria e strukturave të tyre merr kuptim.

Anatomia krahasuese investigon homologjitë, ose ngjashmëritë e trashëguara, përgjatë organizmave në strukturën e kockave dhe në pjesët e tjera të trupit. Korrespondenca e strukturave është në mënyrë tipike shumë e afërt midis disa organizmave, si psh midis zogjve që këndojnë, por bëhet më pak e ngjashme kur organizmat që krahasohen janë të lidhur më në largësi në historinë e tyre evolutive.

Ngjashmëritë janë më të vogla midis gjitarëve dhe zogjve sesa midis vetë gjitarëve dhe janë akoma më pak të ngjashme mdis gjitarëve dhe peshqve. Ngjashmëritë në strukturë jo vetëm manifestojnë evolucionin, por gjithashtu ndihmojnë për të rikonstrukturuar historinë evolutive të organizmave.

3) Zhvillimi embrional dhe rudimentet.

Vërtebroret, që nga peshqit, zvarranikët dhe njerëzit, zhvillohen në mënyra që janë mrekulluesht të ngjashme në fazat e hershme, por ato bëhen gjithnjë e më të diferencuara sa më shumë që embrioni arrin maturimin. Ngjashmëritë qëndrojnë më gjatë midis organizmave që janë më afër të lidhur (psh njerëzit dhe majmunët) sesa midis atyre që janë më pak të lidhur (psh njeriu dhe peshkaqeni).

Embrioni i njeriut dhe vërtebroreve të tjerë jo ujorë kanë velëzat e peshkut edhe pse ata nuk marrin asnjëherë frymë nëpërmjet tyre. Këto velëza janë gjetur në embrionet e të gjithë vërtebroreve për shkak se bashkëndajnë si paraardhës të përbashkët një peshk tek i cili evoluan velëzat për herë të parë. Embrioni i njeriut shfaq gjithashtu nga java e katërt një bisht të mirë zhvilluar, që arrin maksimumin e gjatësisë në javën e gjashtë. Ky bisht është gjetur edhe te embrionet e kafshëve të tjera, sidoqoftë te njerëzit bishti eventualisht shkurtohet, duke mbetur vetëm një rudiment tek adultët, që ne e quajmë kërbisht.

Rudimentet embrionale, që kurrë nuk zhvillohen plotesisht, të tilla si velëzat e peshkut te njerëzit, janë të zakonshme në të gjitha llojet e kafshëve. Ndërsa disa të tjera si psh bishti te njerëzit arrin të qëndrojë edhe te të rriturit në formë rudimentare. Zhvillimi embrionik dëshmon për prejardhjen e përbashkët gjithashtu. (Në kundërshtim me pretendimin e dizenjuesit inteligjent, i cili padyshim nuk do kishte ndonjë arsye për të dizenjuar embrionin e njeriut psh me velëzat e peshkut apo me bisht. Dizenjuesi inteligjent do të duhej të ishte pak më inteligjent dhe të mos u jepte gjallesave tipare që nuk iu duhen. Shënim nga Skeptik.)

4) Biogjeografia.

Darvini pa gjithashtu konfirmim të evolucionit në shpërndarjen gjeografike të bimëve dhe pemëve dhe njohuritë e mëvonshme kanë përforcuar vëzhgimet e tij. Përshembull, ka rreth 1,500 specje të njohura të mizave Drosofilia në botë; pothuajse një e treta e tyre jetojnë vetëm në Hawaii dhe askund tjetër, megjithëse sipërfaqja totale e arkipelagut është më pak pak se një e njëzeta e sipërfaqes së Kalifornisë apo Gjermanisë. Gjithashtu në Hawaii janë më shumë se 1,000 specje kërmijsh dhe molusqesh të tjera tokësore që nuk ekzistojnë askund tjetër. Ishujt e Hawaii janë ekstremisht të izoluar dhe kanë pak kolonizues, përshembull kafshë dhe bimë që kanë arritur aty nga popullata të tjera jashtë ishujve.

Ato specje që kolonizuan ishujt gjetën shumë hapësira ekologjike të lira dhe mjedisi lokal ishte i përshtatshëm për to ku mungonin grabitqarët, që do t'i pengonin për t'u shumuar.
Si rezultat, këto specje u diversifikuan shpejt; ky proçes i diversifikimit për të mbushur hapësirat ekologjike quhet "rezatim adaptiv".

Çdo kontinent ka shumëllojshmërinë e tij dalluese të kafshëve dhe bimëve.
Në Afrikë ndodhen rinocerontët, hipopotamët, luanët, majmunë me hundë të ngushtë me bishta jo kapës, shimpanzeja dhe gorillat.

Amerika e Jugut që shtrihet në të njëjtën gjerësi gjeografike si Afrika nuk ka asnjërënnga këto kafshë; në vend të tyre ka puma, xhaguarë, tapirë, lama, rakinë, oposume, armadilo dhe majmunë me hundë të gjerë dhe bishta të mëdhenj kapës.
Këto ndryshime të papritura të biogjeografisë nuk janë vetëm për shkak të përshtatjes në mjedise të ndryshëm. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se kafshët e Amerikës së Jugut nuk janë të përshtatshme për të jetuar në Afrikë apo se ato të Afrikës janë të papërshtatshme për të jetuar në Amerikën e Jugut.

Ishujt e Hawaiit nuk janë më të përshtatshme se ishujt e Paqësorit për mizat e uthullës Drosofilia, as nuk janë më pak të papërshtatshme se pjesët e tjera të botës për organizmat që këto ishuj nuk i kanë.

Në fakt, megjithëse asnjë gjitar i madh nuk është nativ, derrat dhe dhitë janë shumuar aty si kafshë të egra pasi janë dërguar aty fillimisht nga njeriu. Mungesa e shumë specieve nga mjedise mikpritëse ku një varietet i madh specjesh të tjera lulëzojnë mund të shpjegohet nga teoria e evolucionit që thotë se specjet mund të ekzistojnë dhe evoluojnë vetëm në zonat gjeografike që kanë qenë kolonizuar nga paraardhësit e tyre.

5) Biologjia molekulare.

Fusha e biologjisë molekulare siguron provat më bindëse dhe më të detajuara për evolucionin.

Një uniformitet i mahnitshëm ekziston në komponentët molekular të të gjithë organizmave. Në të gjitha bakteret, bimët, kafshët dhe njerëzit, ADN-ja përfshin sekuenca të ndryshme të të njëjtëve katër komponentë, nukleotidet dhe të gjitha proteinat e shumëllojshme janë të sintetizuara nga kombinime dhe sekuenca të ndryshme të të njëjtave 20 aminoacide edhe pse disa qindra aminoacide të tjera ekzistojnë. Kodi gjenetik, nëpërmjet të cilit informacioni i përmbajtur në ADN e bërthamës së qelizave, kalohet te proteinat është praktikisht i njëjtë kudo.

Ky unitetit tregon vazhdimësinë gjenetike dhe prejardhjen e përbashkët të të gjithë organizmave. Kodi gjenetik është shembull i këtij uniteti; secila sekuencë e tre nukleotideve në ADN e bërthamës shërben si një model për prodhimin e të njëjtave aminoacide në të gjithë organizmat.
Gjenet dhe proteinat janë molekula të gjata, të cilat përmbajnë informacion në sekuencat e komponenteve të tyre. Sekuencat që përbëjnë gjenet kalohen nga prindërit te fëmijët dhe janë identike përveçse kur ndodhin ndryshime për shkak të mutuacioneve. Për ilustrim marrim si shembull krahasimin e dy librave. Të dy librat kanë 200 faqe dhe përmbajnë të njëjtin numër kapitujsh. Një ekzaminim më i afërt tregon se librat janë identikë faqe për faqe e shkronjë për shkronjë, përveç një fjale të rastit si psh fjalës "them" që është e ndryshme 1 në 100 herë në të dy librat. Sidoqoftë të dy librat nuk mund të kenë qenë shkruajtur në mënyrë të pavarur; njëri është kopjim i tjetrit ose të dy janë kopjuar nga libri origjinal. Në mënyrë të ngjashme, nëse secili komponent nukleotidesh i ADN-së  përfaqësohet nga një shkronjë, sekuenca e plotë e nukleotideve të një organizimi të lartë do të kërkonte disa qindra libra, me qindra faqe dhe me disa mijëra shkronja në secilën faqe. Kur "faqet" (ose sekuencat e nukleotideve) në këtë "libër" (pra, në një organizëm të gjallë) janë të ekzaminuara një e nga një dhe korrespondenca e "shkronjave" na jep në mënyrë të pagabueshme provën e origjinës së përbashkët.

Provat për evolucionin që na jep biologjia molekulare shkojnë akoma më tej. Shkalla e ngjashmërisë në sekuencat e nukleotideve mund t'iu përcaktohet sasia në mënyrë preçize. Për shembull, te njerëzit dhe shimpanzetë proteina "molecule" e quajtur "cytochrome c" e cila ka një funksion vital në frymëmarrjen brenda qelizës, konsiston në të njëjtat 104 aminoacide në ekzaktësisht të njëjtin rregull. Por, ndryshon sidoqoftë nga cytochrome c tek majmunët rezuz nga një aminoacid dhe nga e kuajve ndryshon në 11 aminoacide, ndërsa nga peshku tuna në 21 aminoacide. Kjo shkallë ngjashmërie reflekton afërsinë në prejardhjen e përbashkët. 

Këto konkluzione nga anatomia e krahasuar dhe nga disiplinat e tjera, që përmbajnë historinë e evolucionit mund të testohen në studimet molekulare të ADN-së dhe proteinave duke ekzaminuar sekuencat e tyre të nukleotideve dhe aminoacideve. Qindra teste janë bërë, por asnjë i vetëm nuk ka dhënë prova që kundërshtojnë evolucionin. Mund të themi se ndoshta nuk ka ndonjë nocion në ndonjë fushë tjetër shkencore që të jetë kaq gjerësisht i testuar dhe me një bashkëpunim kaq të plotë sa teoria e origjinës evolutive të organizmave të gjallë.

Referenca:
www.britannica.com/science/evolution-scientific-theory/Biogeography

No comments:

Post a Comment