Search This Blog

Showing posts with label Psikologji. Show all posts
Showing posts with label Psikologji. Show all posts

Friday, November 1, 2019

Rrënjët e besimit njerëzor tek e keqja mund të jenë gjetur.

Rrënjët e besimit njerëzor tek e keqja mund të jenë gjetur. 

Sëmundja mund të jetë rrënja e të gjithë të keqes. 



Ku e ka zanafillën koncepti spiritual i të keqes? Një shpjegim i mundshëm mund të jetë përpjekja e njeriut për të kuptuar dhe për t'u përballur me sëmundjet infektive.

Lidhja e sëmundjeve dhe e simptomave të tyre me forcat misterioze të së keqes është një praktikë që është shfaqur në sistemet e besimit tradicional deri para gjysmës së shekullit XIX, atëherë kur u prezantua teoria e mikrobeve, shkruajnë në një studim të ri shkencëtarët. Teoria e mikrobeve zbuloi se janë në fakt patogjenet mikroskopikë shkaktarë të sëmundjeve dhe jo shpirtrat e keqdashës.

Sidoqoftë, hulumtuesit kanë zbuluar se lidhja midis bindjeve religjoze rreth të mirës dhe të keqes dhe prezencës së sëmundjeve infektive mbetet edhe sot e kësaj dite. Ata gjetën se në zona gjeografike me incidente të mëdha sëmundjesh, njerëzit shfaqnin gjithashtu bindje më të fortë rreth agjentëve të së keqës si demonët dhe shtrigat.

Historikisht, shumë kultura në Afrikë, Azi, Europë dhe në Amerikën Veriore kanë përdorur forcat e mbinatyrshme për të shpjeguar dhe për të drejtuar reagimin ndaj sëmundjeve. Një shembull i njohur ka qenë vala e madhe e gjuetisë së shtrigave në Europën mesjetare atëherë kur kontinenti po shkatërrohej nga "Vdekja e Zezë" (murtaja), raportuan hulumtuesit.

Kjo përqasje kishte një efekt praktik: njerëzit e sëmurë, pra ata që shfaqnin të ashtuquajturën influencë e keqe, do të izoloheshin, shmangeshin dhe madje vriteshin dhe kështu mbroheshin të tjerët nga përhapja e patogjeneve.

Nëse besimet në të keqen kanë qenë më të zakonshme në zona me ngarkesë më lartë sëmundjesh infektive, "sugjeron se historikisht këto besime mund të kenë evoluar për të shpjeguar efektet e patogjeneve," tha autori drejtues i studimit Brock Bastian që është profesor i asociuar në shkollën e shkencave psikologjike në Universitetin Melbourne në Australi.

Shtrigat, djalli dhe syri i keq. 

Për të testuar hipotezën e tyre hulumtuesit kryen studime analizuese si dhe morën parasysh të dhënat e arkivuara për të vlerësuar nivelet e besimit në të keqen. Ata kanë marrë në analizë më shumë se 3,000 studentë të universiteteve në 28 shtete duke hetuar nëse pjesëmarrësit besonin fort në syrin e keq, shtrigat, djallin si dhe në forca të së keqrs të paspecifikuara. Po ashtu edhe të dhënat arkivore të rreth 58,000 njerëzve përgjatë 50 shteteve, të koleksionuara midis vitit 1995 dhe 1998, të cilëve u ishte drejtuar pyetja për besimin te djalli. Hulumtuesit gjithashtu kanë shqyrtuar të dhënat historike globale të sëmundjeve infektive duke krahasuar këto shenja me trendin gjeografik  për besimet spirituale rreth të keqes.

Ata mësuan se në vendet ku sëmundjet infektive ishin historikisht të shpërndara gjerësisht "njerëzit kishin më shumë gjasa të besonin tek djalli, fuqitë keqdashëse të syrit të keq si te shtrigat, të cilat kanalizonin të keqën", sipas studimit të publikuar në revistën "Proceedings of the Royal Society B".

Shkencëtarët gjetën se  korrelacionet midis besimit te djalli dhe sëmundjeve gjerësisht të shpërndara përgjatë historisë ishin më të fuqishme në Nigeri, Bangladesh dhe në Filipine, ndërsa ishin më të dobëta në Çeki, Gjermani dhe Suedi.

Shikimi i sëmundjeve si të djallosura mund të ketë promovuar një sjellje që frenonte infeksionin dhe limitonte përhapjen, duke përfituar shëndeti i përgjithshëm i komunitetit, thanë hulumtuesit. Në këtë mënyrë, sistemet e besimit me një sens të fortë tek e mira dhe e keqja si forca aktive mund të ketë siguruar një avantazh qe grupet e njerëzve të jetonin në vende ku risku i sëmundjeve ngjitëse ishte i lartë.

Sapo këto bindje nguliten në një kulturë ndikimi i tyre mund të vazhdojë për gjenerata. Madje edhe sot e kësaj dite kur shpjegimet shkencore për sëmundjet janë lehtësisht të disponueshme, "mendime të tilla mbeten të dukshme në shumë shoqëri moderne ku shqetësimet shëndetësore shpeshherë i atribuohen vullnetit të Zotit ose punës së djallit dhe kurat spirituale vazhdojnë," shkruajnë autorët.

Burimi: artikulli origjinal është marrë nga Live Science

Përkthimi: Skeptik

Fotoja: © DeAgostini/Getty

Thursday, July 4, 2019

Pesë fakte të çuditshme për kujtesën.

Kujtesa mund të bëhet shumë e gjallëruar. Ajo koleksionon detaje të vogla që nga fëmijëria dhe prapë se prapë na lë të habitur se ku i lamë çelësat.
Ka tipe të ndryshme memorizimesh dhe truri ka një mënyrë unike për të harruar secilën prej tyre. Psikologët kanë klasifikuar mënyra të ndryshme përmes të cilave ne harrojmë dhe biologët kanë studiuar mekanizmat e harresës në nivelin qelizor.
Ata gjetën se të harrosh është normale dhe në fakt vitale për mënyrën se si truri funksionon. Këtu gjeni një paraqitje të fakteve të çuditshme se si njerëzit i harrojnë gjërat.
1) Si zhduket kujtesa duke hyrë në derën e një dhome.
Në një dështim të zakonshëm, por të mistershëm të kujtesës që zgjat pak, njerëzit e gjejnë veten në një dhomë, por pa u kujtuar se për çfarë shkuan aty. Hulumtuesit thonë se në këto rrethana fajin e ka hyrja e derës. Veprimi i të ecurit në vetvete mund të sinjalizojë trurin se një skenë e re po fillon dhe se duhet të magazinojë tutje kujtimet e mëparshme dhe si rrjedhim shkakton gabime të çuditshme në kujtesë.
"Hyrja ose dalja nga një derë shërben si një 'ngjarje kufitare' për mendjen e cila ndan episodet e veprimtarisë dhe i ruan ato më tutje," thotë Gabriel Radvansky, psikolog i Universitetit Notre Dame, në një intervistë të vitit 2011 për Live Science. "Rikujtesa e vendimit ose e veprimtarisë që ka qenë bërë në dhomën tjetër është e vështirë për shkak se memoria është fragmentuar."
2) Aktivitetet që fshijnë mendimet.
Edhe pse të rralla, disa aktivitete mund të rezultojnë në humbjen e përkohshme të kujtesës si dhe në tru të mjegulluar, e quajtur amnezia globale e rastit. Për shembull, është raportuar se seksi te disa pacientë shkakton këtë problem në kujtesë duke harruar ditën e kaluar ose më shumë si dhe duke pasur vështirësi në formimin e kujtimeve të reja.
Njerëzit që kanë amnezi globale të rastit nuk vuajnë nga efekte anësore serioze dhe problemet e kujteses zakonisht zhduken në pak orë. Por, nuk është e qartë se si ndodh kjo dhe skanimet e trurit të pacientëve që kanë këtë lloj amnezie nuk shfaqin shenja të dëmtimit në tru apo goditje.
3) Kujtimet mund të vazhdojnë të jenë edhe nëse ne nuk kemi akses në to.
A mundet që këngët e harruara të jetojnë brenda kokës sonë pa e ditur ne?
Në një raport të vitit 2013 të një rasti të çuditshëm në revistën "Frontiers" në neurologji hulumtuesit përshkruanin një grua që kishte haluçinacione muzikore të këngëve që ajo nuk i njihte, por të tjerët po. "Në dijeninë tonë ky është rasti i parë i haluçinacioneve muzikore për këngë të panjohura, por që të tjerët në vendin e pacientes i njihnin," shkruajnë hulumtuesit.
Shkencëtarët thonë se gruaja ka gjasa ti ketë njohur këngët në njëfarë pike dhe pastaj i ka harruar. Rasti ngre pyetjen se çfarë ndodh me kujtimet e harruara, thanë ata dhe sugjeruan se ato magazinohen në disa forma në tru që i shndërron në të aksesueshme, por prapë të panjohura. Ka mundësi që gruaja të ketë pasur ruajtje fragmentare të kujtimeve muzikore me një pjesë kryesore të kujtimeve të humbura. Si rezultat ajo nuk mund të njihte ato kujtime, thanë hulumtuesit.
4) Truri mund të jetë i programuar për të harruar fëmijërinë.
Kujtimet e hershme të fëmijërisë tonë zhduken dhe ka arsye të mundshme për këtë, thonë hulumtuesit. Shumica e njërëzve nuk rikujtojnë kujtime nga vitet e para të jetës, zakonisht përpara moshës 3 ose 4 vjeç. Kjo quhet amnezi infantile. Më parë shkencëtarët mendonin se kujtimet e hershme ishin aty, por thjesht fëmijët nuk kanë aftësinë gjuhësore për t'i shprehur me fjalë.
Gjithësesi, kërkimet e reja kanë treguar që fëmijët formojnë kujtime gjatë viteve të hershme, por i harrojnë nëpërmjet mekanizmave graduale. Një shpjegim i mundshëm për këtë është se zhvillimi i trurit, ndërkohë që rritet në mënyrë eksponenciale dhe gjeneron qeliza, fshin kujtimet e ruajtura.
5) Dëmtimet e trurit mund të shkaktojnë harresë.
Është e mundshme të harrosh kujtime madje përpara se të kishin shansin që të ruheshin, si rrjedhojë e dëmtimeve të strukturës së trurit që janë të përfshira specifikisht në trajtimin e formimit të kujtimeve, mirëmbajtjen dhe rikujtesën. Dëmtime të këtyre zonave mund të rezultojë në forma të çuditshme amnezie
Në një nga rastet më të studiuara të kësaj amnezie pacienti H.M humbi aftësinë për të formuar çdo lloj kujtimi të ri pasi u hoq një pjese e trurit, hipokampusi, gjatë një operacioni kirurgjikal për të trajtuar epilepsinë e tij.
Një tjetër rast i famshëm regjistron historinë e pacientit E.P i cili kishte fat të ngjashëm pasi kishte inflamacion të trurit për shkak të një virusi.
Burimi:
https://www.livescience.com/44940-strange-facts-about-memory.html

Bulizmi në shkollë rrit shanset për probleme të shëndetit mendor dhe papunësisë në të ardhmen.

Viktimat e bulizmit në shkollën e mesme kanë një rritje dramatike të shanseve për të pasur probleme mendore dhe për të qenë të papunësuar në të ardhmen e tyre.

Një hulumtim i ri i bërë nga Universiteti Lancaster zbuloi disa rrjedhoja të zymta në një dekadë me rradhë për nxënësit që kanë qenë subjekt i bulizmit. Ata që kanë qenë viktima të bulizmi të dhunshëm dhe të vazhdueshëm vuanin rrjedhojat më të këqija.

Dr Emma Gorman dhe profesori Ion Walker të Universitetit Lancaster, Departamenti i Ekonomisë bashkë me partnerët në hulumtim Silvia Mendolia e Universitetit Wollongong dhe Colm Harmon e Anita Staneva nga Universiteti Sidney gjetën se të qenurit viktimë e bulizmit në shkollë rrit shtrirjen e problemeve mendore në moshën 25 vjeçare me 40 përqind. Gjithashtu rrit probabilitetin për të qenë i papunë në moshën 25 vjeçare me rreth 35 përqind. Ndërsa për ata që janë në punë ul të ardhurat me rreth 2 përqind.

Bashkëautoria Emma Gorman thotë, "Bulizmi është gjerësisht i përhapur nëpër shkolla dhe shumë studime dokumentojnë një lidhje negative midis bulizmit dhe rezultateve në shkollë. Gjithashtu bulizmi është një çështje politike me rëndësi për shkak të shqetësimit, që në lidhje me rezultatet shkollore, të qenurit viktimë e bulizmit mund të çojë në impakte negative afatgjata në jetën e mëvonshme të të rinjve, të tilla si, vetëbesim i ulët, probleme mendore dhe prespektivë më të ulët punësimi..."

Ky hulumtim i prezantuar në Shoqërinë Mbretërore Ekonomike (Royal Economic Society) në një konferencë të përvitshme në Universitetin Warwick, iu nënshtrua analizës së të dhënave konfidenciale të më shumë se 7,000 nxënësve të moshës 14-16 nga LSYPE (Longitudinal Study of Young People in England).

Rreth gjysma e nxënësve të përfshirë në studim, që janë intervistuar në intervale të rregullta deri në moshën 21 vjeç dhe që pastaj janë intervistuar edhe një herë në moshën 25 vjeçare, raportuan se kanë përjetuar disa lloje të bulizmit midis moshës 14 dhe 16 vjeç. Ky raportim është bërë si nga fëmijët ashtu edhe nga prindërit. Është rregjistruar gjithashtu edhe se sa shpesh fëmija ka qenë i bulizuar dhe çfarë lloj bulizmi ka përjetuar.

Shembuj të bulizmit brenda studimit përfshijnë: thirrjen me emra (tallës psh); të qenurit i përjashtuar nga grupet shoqërore; të qenurit i kërcënuar me dhunë; përjetimi i dhunës. Përveç rrjedhojave në jetën e mëvonshme, studimi tregon se bulizmi gjithashtu prek edhe arritjet akademike të viktimave.

Burimi:
https://www.sciencedaily.com/releases/2019/04/190417130013.htm

Pse besojmë në teori konspirative?

Në një artikull të publikuar në vitin 2013 në revistën Psychological Science, Levandovski një shkencëtar kognitiv shpjegonte arsyet se pse njërezit besojnë në teori konspiracioni. Levandovski habitej se përse disa njerëz refuzojnë provat dërrmuese se planeti po ngrohet dhe se jemi ne përgjegjësit. Gjatë kërkimeve të tij ai zbuloi se ata që refuzonin ngrohjen e planetit besonin edhe në ide të tilla si, "Apollo është një mashtrim i bërë nga qeveria amerikane".

Por, besimi në teori konspiracioni mund të çojë në akte dhune. Personi i armatosur që vrau 11 vetë dhe plagosi 6 në një sinagogë në Pittsburgh në tetor të vitit 2018, i justifikoi veprimet e veta duke konspiruar se hebrenjtë vjedhurazi suportonin imigrimin ilegal.

Më tej në artikull thuhet se njerëzit që janë të stresuar dhe kanë ankth ose kanë vetëbesim të ulët kanë më shumë prirje për të besuar në teori konspiracioni. Në një studimi të vitit 2018 kërkuesit shkencorë të universitetit Minnesota dhe Universitetit Lehigh, morën në pyetje më shumë se 3,000 amerikanë dhe panë se pjesëmarrësit që ndjenin se vlerat Amerikane po shkatërrohen, prireshin të besonin më shumë edhe qëndrime konspirative të tilla si, "pas shumë ngjarjeve qëndrojnë veprimet e një grupi të vogël njerëzish me influencë".

Përveç rasteve të dhunës të justifikuara me teori konspirative, ka edhe rreziqe të tjera që vijnë prej tyre. Për shembull, njerëzit që besojnë në konspiracionin se vaksinat shkaktojnë autizëm, janë më pak të gatshëm të vaksinojnë fëmijët dhe kjo krijon kushtet e infektimit nga sëmundje që mund të rrezikojnë të gjithë komunitetin.

Si të tregojmë faktin nga trillimi? Ka qenë një çështje e diskutuar gjatë, nëse është ide e mirë apo e keqe të kundërshtosh konspiracionet duke përdorur provat dhe logjikën. Kërkuesit i referoheshin "backfire effect" që do të thotë se nëse dikush është i keqinformuar për diçka, sa më shumë prova ti japësh kundër pretendimit të gabuar, aq më shumë do të zhytet në keqinformim e tij. Por, kërkimet e bëra më vonë treguan se efekti "backfire" vepron vetëm në raste të rralla sidomos kur kundërshtimet e bëra sfidojnë individualitetin e personit që kundërshtohet. Kur hulumtuesit refuzonin një konspiracion duke paraqitur papërputhshmëritë logjike të tij, vunë re se konspiracioni bëhej më pak tërheqës për njerëzit.

Është mendimi analitik që na ndihmon të bëjmë dallimin midis teorive të pambështetura dhe atyre, që sado të çuditshme të tingëllojnë, janë të suportuara nga provat. Karen Murphy, një psikologe në universitetin e shtetit Pennsylvania, sugjeron se ata që duan të përmirësojnë aftësitë në të menduarit analitik, duhet të bëjnë tre pyetje kyçe kur interpretojnë pretendimet konspirative. E para: cilat janë provat e tua? E dyta: cili është burimi i provave tua? Dhe e treta: cili është arsyetimi që ke për të lidhur provat me pretendimin? Burimet e provave duhet të jenë të sakta, të besueshme dhe rilevante.

Nuk do të jetë gjithmonë një detyrë e lehtë, të ndajmë të vërtetën nga gënjeshtra, por ka një rëndësi kritike për të gjithë ne.

Burimi: Revista Scientific American, botimi i muajit Mars 2019, fq 59-64.

Mitet më të përhapura për trurin e njeriut.

Dëgjojmë shpesh mitizime të ndryshme përsa i përket trurit të njeriut. "Përdorim vetëm 10 përqind të trurit", "Muzika klasike të bën të zgjuar" etj janë disa nga legjendat urbane që i ndeshim kudo. Këto keqkuptime i gjejmë të përhapura gjerësisht në faqe të ndryshme interneti e kryesisht nëpër rrjete sociale.
Më poshtë kemi paraqitur 5 mitet kryesore duke u bazuar në një klasifikim të bërë nga Popular Science.

-Miti 1
Ne përdorim vetëm një pjesë të trurit.
Në vitin 1907 psikologu i famshëm William James sqaroi "Ne po përdorim vetëm një pjesë të vogël të burimeve të mundshme mentale dhe fizike që ne kemi". Më vonë një gazetarë e keqinterpretoi atë sikur ka thënë se një person i zakonshëm përdor vetëm 10 përqind të kapacitetit të tij mendor. Gjithsesi, skanimet treguan se ne përdorim secilën pjesë të trurit tonë edhe pse të gjitha zonat e tij nuk janë aktive menjëherë. Për këtë arsye dëmtimi i çfarëdolloj zone të trurit si p.sh. pasojat pas një goditjeje zakonisht shkaktojnë probleme mentale dhe në sjellje.

-Miti 2
Dëgjimi i muzikës klasike të bën më të zgjuar.
Shteti i Gjeorgjisë filloi t'iu jepte CD me muzikë klasike familjeve me fëmijë të porsalindur, bashkë me këtë mesazh nga qeveria: "shpresojmë që si ju ashtu edhe fëmija ta shijoni muzikën dhe kështu i vogli juaj do të ketë një fillim të zgjuar". Ndërkohë që urimi është tërheqës "efekti Moxart" është i dyshimtë. Ky mit filloi nga një studim i vitit 1993 në Universitetin e Kalifornisë në Irvine. Studimi tregoi se 36 studentë të kolegjit e përformuan më mirë testin e inteligjencës pasi dëgjuan Moxartin. Por, askush nuk ka mundur të përsëris studimin me të njëjtat rezultate. Në fakt, sipas një rishikimi të bërë nga Harvard ne 1999 , nëpërmjet 16 studimeve, arriti në përfundimin se efekti Moxart nuk është i vërtetë.

-Miti 3
Të rriturit nuk mund të formojnë qeliza trunore të reja.
Minjtë, lepujt e madje edhe zogjtë e rritur mund të formojnë neurone të reja, por për 130 vite shkencëtarët dështuan në indentifikimin e formimit të qelizave të reja trunore te njerëzit e rritur. E gjitha kjo ndryshoi ne 1998 kur një grup shkencëtarësh nga Suedia treguan se qeliza të reja trunore formohen në hipokampus që është një strukturë e përfshirë në procesin e kujtesës. Pastaj në vitin 2014 një tjetër grup shkencëtarësh nga Instituti Karolinska në Suedi matën gjurmët nga karboni-14 në ADN si një mënyrë për të datuar moshën e qelizave dhe konfirmuan se stratiumi që është një zonë e përfshirë në kontrollin motorik dhe në procesin e njohjes, mund të prodhojë gjithashtu, neurone të reja përgjatë jetës.

-Miti 4
Truri i meshkujve është më i aftë në matematikë dhe shkencë ndërsa truri i femrave në ndjeshmëri.
Mes trurit të meshkujve dhe femrave gjenden pak diferenca anatomike dhe kjo është shumë e sigurt. Hipokampusi, i përfshirë ne procesin memorizues, zakonisht është më i madh te femrat ndërsa amigdala përgjegjës për emocionet është me i madh te meshkujt (e kundërta e asaj që pretendon miti). Provat tregojnë se pabarazitë gjinore kanë të bëjnë vetëm me kulturën dhe jo me biologjinë.

-Miti 5
Truri majtë dhe truri i djathtë.
Ne vitin 1960, Roger Sperry, një neuropsikolog në institutin e teknologjisë në Kaliforni preu fibrat lidhëse të dy hemisferave të trurit, te disa pacientë me epilepsi për të redukruar krizat e epilepsisë. Pastaj ai bëri një eksperiment, duke iu shfaqur pacientëve imazhe - letra, dritë e stimuj të tjerë - herë në syrin e majtë e herë në të djathtin e tyre. Sperry gjeti se hemisfera e majtë e trurit përcepton më mirë informacione verbale, ndërsa e djathta vizuale e hapësinore. Përgjatë dekadave këto zbulime u keqinterpretuan. Nuk ka asnjë të dhënë që mbështesin tipet e personalitetit, bazuar në dominancën e njërës apo tjetrës hemisferë, por ka plot prova që e refuzojnë pretendimin. Në 2012, p.sh një psikolog nga British Kolumbia gjeti se të menduarit krijues aktivizon një rrjetë neural gjerësisht të shpërndarë pa favorizuar ndonjërën nga hemisferat e trurit.

Referencë:
https://www.popsci.com/10-brain-myths-busted#page-5