Me ndihmën e Teleskopit Shumë të Madh të ESO-s (Very Large Telescope, shkurt VLT), astronomët kanë gjetur gjashtë galaktika të shtrira rreth një vrime të zezë supermasive, atëherë kur Universi ishte më pak se një miliard vjet i vjetër. Kjo është hera e parë që një grupim i tillë i ngushtë është parë kaq shpejt pas Big Bengut dhe zbulimi na ndihmon të kuptojmë më mirë se si vrimat e zeza supermasive, njëra prej të cilave ekziston në qendër të Rrugës së Qumështit, u formuan dhe u rritën në përmasat e tyre kaq të mëdha dhe kaq shpejt. Kjo mbështet teorinë se vrimat e zeza mund të rriten me shpejtësi brenda strukturave të mëdha, që ngjajnë si një rrjet, të cilat përmbajnë shumë gaz për t'i furnizuar ato.
“Ky hulumtim u drejtua kryesisht nga dëshira për të kuptuar disa nga objektet më sfiduese astronomike, vrimat e zeza supermasive në Universin e hershëm. Këto janë sisteme ekstreme dhe deri më sot nuk kemi pasur ndonjë shpjegim të mirë për ekzistencën e tyre,” tha Marco Mignoli, një astronom në Institutin Kombëtar për Astrofizikën (INAF) në Bolonjë, Itali, dhe autori kryesor i kërkimit të ri të botuar në revistën Astronomia & Astrofizika.
Vëzhgimet e reja me VLT të ESO zbuluan disa galaktika që rrethonin një vrimë të zezë supermasive, të gjitha të shtrira në një "rrjetë merimange" kozmike prej gazi që zgjerohet në mbi 300 herë më shumë se Rruga e Qumështit. "Filamentet e rrjetës kozmike janë si fijet e merimangës," shpjegon Mignoli. "Galaktikat qëndrojnë dhe rriten aty ku kryqëzohen filamentet, dhe rrymat e gazit të cilat janë të disponueshme për të furnizuar si galaktikat ashtu edhe vrimën e zezë supermasive qendrore, mund të rrjedhin përgjatë filamenteve."
Drita prej kësaj strukture të madhe dhe e ngjashme me një rrjetë, bashkë me vrimën e saj të zezë prej një miliard mase diellore, ka udhëtuar tek ne nga një kohë kur Universi ishte vetëm 0.9 miliardë vjeç i vjetër. "Puna jonë ka vendosur një pjesë të rëndësishme të "puzzellit" shumë të paplotë që ka të bëjë me formimin dhe rritjen e objekteve kaq ekstreme, por relativisht të bollshme dhe kaq shpejt pas Big Bengut", thotë bashkëautori Roberto Gilli, gjithashtu një astronom në INAF në Bolonjë, duke iu referuar vrimave të zeza supermasive.
Vrimat e para të zeza, që mendohet se janë formuar prej kolapsit të yjeve të parë, duhet të jenë rritur shumë shpejt për të arritur përmasat sa një miliard diej brenda 0.9 miliardë viteve të para të jetës së Universit. Por, astronomët janë përpjekur të shpjegojnë sesa mjaftueshëm sasi të mëdha të "karburantit të vrimës së zezë", duhet të ishin në dispozicion për t'i mundësuar këtyre objekteve të rriteshin në përmasa kaq të mëdha, në një kohë kaq të shkurtër. Struktura e re e gjetur ofron një shpjegim të mundshëm: "rrjeti i merimangës" dhe galaktikat brenda saj përmbajnë gaz të mjaftueshëm për të siguruar karburantin që i duhet vrimës së zezë qendrore për t'u bërë shpejt një gjigant supermasiv.
Por, në rradhë të parë, si u formuan këto struktura kaq të mëdha të ngjashme me rrjetën? Astronomët mendojnë se breroret gjigante të materies së errët misterioze janë çelësi. Këto rajone të mëdha të materies së padukshme mendohet se tërheqin sasi të mëdha gazi në Universin e hershëm; së bashku, gazi dhe materia e errët e padukshme formojnë strukturat e ngjashme me një rrjetë, ku galaktikat dhe vrimat e zeza mund të evoluojnë.
"Gjetja jonë shton mbështetjen për idenë se vrimat e zeza më të largëta dhe masive formohen dhe rriten brenda breroreve masive të materies së errët në struktura në shkallë të gjerë, dhe se mungesa e zbulimeve të mëparshme të strukturave të këtij lloji ka të ngjarë të jetë për shkak të kufizimeve në vëzhgime", thotë Colin Norman i Universitetit Johns Hopkins në Baltimore, SHBA, gjithashtu një bashkëautor në studim.
Galaktikat e zbuluara tani janë nga më të zbehtat që mund të vëzhgojnë teleskopët aktualë. Ky zbulim kërkoi vëzhgime për disa orë duke përdorur teleskopët më të mëdhenj optikë, përfshirë VLT të ESO-s. Duke përdorur instrumentet MUSE dhe FORS2 në VLT në Observatorin Paranal të ESO në shkretëtirën kiliane Atacama, ekipi konfirmoi lidhjen midis katër prej gjashtë galaktikave dhe vrimës së zezë. "Ne besojmë se sapo kemi parë majën e ajsbergut dhe se keto pak galaktika të zbuluara deri tani rreth kësaj vrime të zezë supermasive janë vetëm ato më të shndritshmet", tha bashkëautorja Barbara Balmaverde, një astronome në INAF në Torino, Itali.
Këto rezultate kontribuojnë në kuptimin tonë se si u formuan dhe evoluan vrimat e zeza supermasive dhe strukturat e mëdha kozmike. Teleskopi Ekstremisht i Madh i ESO-s, aktualisht në ndërtim e sipër në Kili, do të jetë në gjendje të ndërtojë mbi këtë hulumtim, duke vëzhguar shumë galaktika më të zbehta rreth vrimave të zeza masive në Universin e hershëm, duke përdorur instrumentet e tij të fuqishëm.
Burimi: © ESO
No comments:
Post a Comment