Search This Blog

Sunday, January 10, 2021

Pinguini Perandor


Njihuni me historinë e këtyre pinguinëve socialë të cilët shumohen në kohën më të ashpër të vitit dhe në rajonin më jo mikpritës në Tokë. 

Emri i zakonshëm: Pinguini Perandor
Emri shkencor: Aptenodytes forsteri
Tipi: Zogj
Dieta: Mishngrënës
Madhësia: 1.1 metër
Pesha: deri në 40 kg

Perandorët janë më të mëdhenjtë nga të gjithë pinguinët, një zog mesatar është rreth 1.1 metër i gjatë. Këto kafshë që nuk fluturojnë jetojnë në akullin e Antarktikut dhe në ujërat e ftohtë përreth.

Përshtatjet Antarktike

Pinguinët përdorin përshtatje fiziologjike dhe sjellje bashkëpunuese në mënyrë që të përballen me një mjedis tepër të ashpër, ku erërat e ftohta mund të arrijnë -60° C.

Ata grumbullohen së bashku për t'i shpëtuar erës dhe për të ruajtur ngrohtësinë. Individët futen me radhë në brendësinë e mbrojtur të grupit. Sapo një pinguin të jetë ngrohur pak, ai do të lëvizë në perimetrin e grupit në mënyrë që edhe të tjerët të gëzojnë mbrojtje nga elementët e akullt.

Pinguinët perandorë kalojnë dimrin e gjatë në akullin e hapur dhe madje shumohen gjatë këtij sezoni të ashpër. Femrat lëshojnë një vezë të vetme dhe më pas e lënë menjëherë. Ato ndërmarrin një udhëtim të zgjatur gjuetie që zgjat rreth dy muaj! Në varësi të shtrirjes së akullit, femrat mund të kenë nevojë të kalojnë rreth 80 km vetëm për të arritur oqeanin e hapur, ku do të ushqehen me peshq, kallamar dhe krill. Në det, pinguinët perandorë mund të zhyten deri në 564 metra; më thellë se çdo zog tjetër dhe arrijnë të qëndrojnë nën ujë për më shumë se 20 minuta.

Riprodhimi dhe Prindërimi

Perandorët meshkuj i mbajnë të ngrohta vezët e sapo lëna, por ata nuk ulen mbi to, siç bëjnë shumë zogj të tjerë. Meshkujt qëndrojnë dhe mbrojnë vezët e tyre nga mjedisi përreth duke i ekuilibruar ato në këmbët e tyre dhe duke i mbuluar ato me lëkurën me pendë të njohur si xhepi i të voglit. Gjatë kësaj periudhe dy-mujore të kujdestarisë, meshkujt nuk hanë asgjë dhe janë në mëshirën e elementeve të Antarktikut.

Kur pinguinët femra kthehen në vendin e shumimit, ato sjellin një bark të mbushur me ushqim që e nxjerrin jashtë nga goja për t'ua dhënë zogjve të sapo çelur. Ndërkohë, duke kryer detyrën e tyre, meshkujt shkojnë në det në kërkim të ushqimit për veten e tyre.

Nënat kujdesen për zogjtë e tyre të vegjël dhe i mbrojnë ata me ngrohtësinë e xhepit të tyre. Jashtë këtij xhepi të ngrohtë, një zog mund të vdesë në vetëm disa minuta. Në dhjetor, në verën e Antarktikut, akulli përreth fillon të prishet dhe uji shfaqet pranë vendit të shumimit, pikërisht atëherë kur pinguinët e rinj perandorë janë gati të notojnë dhe të peshkojnë vetë.

Burimi: © National Geographic 

No comments:

Post a Comment