Search This Blog

Sunday, July 12, 2020

Zbulohet i afërmi i vogël antik, i dinosaurëve dhe pterosaurëve.

Dinosaurët dhe pterosaurët fluturues mund të jenë të njohur për madhësinë e tyre të jashtëzakonshme, por një specie e përshkruar rishtazi nga Madagaskari që jetoi rreth 237 milion vjet më parë sugjeron se ato kishin origjinë nga paraardhës tejet të vegjël.  Zvarraniku fosil, i quajtur "Kongonaphon kely", ose "bubrrec i vogël vrasës", do të ishte vetëm 10 centimetra i gjatë. Përshkrimi dhe analiza e këtij fosili dhe të afërmve të tij, botuar sot në revistën "Proceedings of the National Academy of Sciences", mund të ndihmojë në shpjegimin e origjinës së fluturimit tek pterosaurët, praninë e qimeve në lëkurën e pterosaurëve dhe dinosaurëve, dhe  pyetje të tjera në lidhje me këto kafshë karizmatike.

"Ekziston një perceptim i përgjithshëm i dinosaurëve si gjigandë", tha Christian Kammerer, një hulumtues kurator në paleontologji në Muzeun e Shkencave të Natyrës në Karolinën e Veriut. "Por kjo kafshë e re është shumë afër divergjencës së dinosaurëve dhe pterosaurëve, dhe është befasisht e vogël".

Si dinosaurët ashtu edhe pterosaurët i përkasin grupit Ornithodira. Sidoqoftë origjina e tyre është shumë pak e njohur, pasi janë gjetur vetëm pak ekzemplarë nga afër rrënjës së kësaj linje. Fosilet e "Kongonaphon" u zbuluan në vitin 1998 në Madagaskar nga një ekip studiuesish të udhëhequr nga John Flynn një kurator i fosileve të gjitarëve në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore, në bashkëpunim të ngushtë me shkencëtarë dhe studentë në Universitetin e Antananarivo, dhe me bashkë drejtuesin e projektit, Andre Wyss kryetar dhe profesor i Departamentit të Shkencës së Tokës në Universitetin e Kalifornisë-Santa Barbara dhe një bashkëpunëtor i studimit të Historisë Natyrore të Muzeut.

"Kjo vendndodhje me fosile në Madagaskarim Jugperëndimor nga një interval kohor shumë pak i njohur globalisht ka prodhuar disa fosile të mahnitshme, dhe ky ekzemplar i vogël u ngatërrua në mesin e qindrave që kemi mbledhur nga kjo vendndodhje ndër vite", tha Flynn. "U desh ca kohë para se të përqendroheshim në këto kocka, por sapo e bëmë, ishte e qartë që kishim diçka unike dhe që ia vlen t'a shikojmë nga afër. Ky është një rast i shkëlqyeshëm që tregon se pse zbulimet në terren, të kombinuara me teknologjinë moderne për të analizuar fosilet e rikuperuara janë akoma kaq të rëndësishme".

"Zbulimi i këtij të afërmi të vogël të dinosaurëve dhe pterosaurëve thekson rëndësinë e rekordit me fosile të Madagaskarit për përmirësimin e njohurive të historisë vertebrore gjatë kohërave që njihen pak në vende të tjera", tha bashkëdrejtuesja e projektit Lovasoa Ranivoharimanana, profesore dhe drejtore e laboratorit vertebror paleontologjik në Universitetin e Antananarivo në Madagaskar. "Gjatë dy dekadave, ekipet tona bashkëpunuese të Madagaskarit dhe ekipeve amerikane kanë trajnuar shumë studentë në shkencat paleontologjike dhe zbulimet si kjo ndihmojnë njerëzit në Madagaskar dhe në mbarë botën të vlerësojnë më mirë rekordin e jashtëzakonshëm të jetës antike të ruajtur në shkëmbinjtë e vendit tonë".

Kongonaphon nuk është kafsha e parë e vogël e njohur pranë rrënjës së pemës së familjes ornithodiran, por më parë, ekzemplarë të tillë konsideroheshin si "përjashtime të izoluara nga rregulli", vuri në dukje Kammerer. Në përgjithësi, mendimi shkencor ishte se madhësia e trupit mbetej e ngjashme midis arosaurëve të parë, që është grupi më i madh i zvarranikëve që përfshin zogj, krokodilë, dinosaurët jo-avianë dhe pterosaurët si dhe ornitodiranëve më të hershëm, përpara se të rriteshin në përmasa gjigande në linjën e dinosaurëve.

 "Zbulimet e fundit si Kongonaphon na kanë dhënë një kuptim shumë më të mirë të evolucionit të hershëm të ornitodiranëve. Duke analizuar ndryshimet në madhësinë e trupit në të gjithë evolucionin arkosaur, ne gjetëm prova bindëse që ajo ra ndjeshëm në fillim të historisë së linjës dinosaur-pterosaur", tha Kammerer.

Kjo ngjarje e “miniaturizimit” tregon se linjat e dinozaurit dhe pterosaurit kanë origjinën nga paraardhës tejet të vegjël që kanë implikime të rëndësishme për paleobiologjinë e tyre.  Për shembull, veshja në dhëmbët e Kongonaphon sugjeron se ai hante insekte. Një zhvendosje e tillë në insektivorë, e cila shoqërohet me madhësinë e vogël të trupit, mund të ketë ndihmuar ornithodiranët e hershëm të mbijetojnë duke zënë një vend të ndryshëm nga të afërmit e tyre bashkëkohorë që hanin mish.

Puna shkencore sugjeron gjithashtu që mbulesa e lëkurës me qime, duke filluar nga fijet e thjeshta deri tek pendët, të njohura në të dy anët e pemës së ornitodiranëve, pra si dinosaurët ashtu edhe pterosaurët, mund të kenë origjinuar për termorregullim në këtë paraardhës të zakonshëm të vogël. Kjo për shkak se mbajtja e nxehtësisë në trupa të vegjël është e vështirë. Periudha e Mesit të vonë të Triasikut ishte një kohë ekstreme klimatike, që rezulton të kishte ndryshime të mprehta në temperaturën midis ditëve të nxehta dhe netëve të ftohta.


No comments:

Post a Comment