Në një rast apo në një tjetër, me siguri keni dëgjuar që dikush të flasë me konfidencë për një temë për të cilën nuk din pothuajse asgjë. Psikologët e kanë studiuar këtë çështje dhe ata kanë sugjeruar një shpjegim disi befasues të njohur si efekti Dunning-Kruger. Kjo ndodh kur njerëzit nuk dinë shumë për një temë të caktuar, por ata shpesh nuk janë të vetëdijshëm për kufijtë e njohurive të tyre dhe mendojnë se dinë më shumë sesa faktikisht dinë. Më poshtë, ne do të rishikojmë se çfarë është efekti Dunning-Kruger, të diskutojmë se si ndikon në sjelljen e njerëzve dhe të eksplorojmë mënyrat se si njerëzit mund të bëhen më të ditur dhe të kapërcejnë efektin Dunning-Kruger.
Çfarë është efekti Dunning-Kruger?
Efekti Dunning-Kruger i referohet konstatimit se njerëzit që janë relativisht të pakualifikuar ose të paditur në një temë të caktuar ndonjëherë kanë tendencën të mbivlerësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre. Në një grup studimesh që testojnë këtë efekt, studiuesit Justin Kruger dhe David Dunning u kërkuan pjesëmarrësve të përfundojnë testet e aftësive të tyre në një fushë të veçantë (siç është humori ose arsyetimi logjik). Pastaj, pjesëmarrësve u kërkua të hamendësojnë se sa mirë e kishin bërë testin. Ata zbuluan se pjesëmarrësit kanë tendencë të mbivlerësojnë aftësitë e tyre, dhe ky efekt ishte më i theksuar në mesin e pjesëmarrësve me rezultatet më të ulëta në testim. Për shembull, në një studim, pjesëmarrësve iu dhanë problema praktike nga testi LSAT. Pjesëmarrësit që në fakt shënuan në 25 përqindëshin më të ulët të pjesëmarrësve hamendësuan se rezultati i tyre i vendosi ata në përqindjen e 62-të të pjesëmarrësve.
Pse ndodh?
Në një intervistë për Forbes, David Dunning shpjegon se "njohuria dhe inteligjenca që kërkohet për të qenë i mirë në një detyrë janë shpesh të njëjtat cilësi të nevojshme për të pranuar se njeriu nuk është i mirë në atë detyrë." Me fjalë të tjera, nëse dikush di shumë pak rreth një teme të caktuar, ata madje nuk dinë as mjaftueshëm rreth asaj teme aq sa të kuptojnë se njohuritë e tyre janë të kufizuara. Më e rëndësishmja, dikush mund të jetë shumë i aftë në një fushë, por të jetë i ndjeshëm ndaj efektit Dunning-Kruger në një fushë tjetër. Kjo do të thotë që të gjithë potencialisht mund të preken nga efekti Dunning-Kruger. Dunning shpjegon në një artikull për revistën "Pacific Standard" se "mund të jetë vërtetë joshëse të mendosh që kjo nuk vlen për ju. Por, problemi i injorancës së panjohur është ai lloj problemi që na viziton të gjithëve”. Me fjalë të tjera, efekti Dunning-Kruger është diçka që mund t'i ndodhë kujtdo.
Po ekspertët?
Nëse njerëzit që dinë shumë pak rreth një teme mendojnë se janë ekspertë, çfarë mendojnë ekspertët për veten e tyre? Kur Dunning dhe Kruger zhvilluan studimet e tyre shikuan gjithashtu njerëzit që ishin mjaft të aftë në detyrat e dhëna (ata që shënuan në 25 përqindëshin më të lartë të pjesëmarrësve). Ata zbuluan se këta pjesëmarrës priren të kishin një pamje më të saktë të performancës së tyre sesa pjesëmarrësit që renditeshin në fund, madje ata në të vërtetë kishin një tendencë për të nënvlerësuar se si vepruan në raport me pjesëmarrësit e tjerë. Megjithëse ata zakonisht mendonin se performanca e tyre ishte mbi mesataren, gjithsesi nuk e kuptuan mirë se sa mirë kishin dalë. Siç shpjegon një video e TED-Ed, "Ekspertët kanë tendencë të jenë të vetëdijshëm se sa njohuri kanë. Por ata shpesh bëjnë një gabim të ndryshëm: Ata supozojnë se të gjithë të tjerët janë gjithashtu të ditur."
Tejkalimi i Efektit Dunning-Kruger.
Çfarë mund të bëjnë njerëzit për të kapërcyer efektin Dunning-Kruger? Një video e TED-Ed mbi efektin Dunning-Kruger ofron disa këshilla: "vazhdo të mësosh". Në fakt, në një nga studimet e tyre të famshme, Dunning dhe Kruger iu dhanë disa prej pjesëmarrësve të bënin një test logjik dhe më pas përfunduan me një seancë të shkurtër trajnimi për arsyetimin logjik. Pas trajnimit, pjesëmarrësve u është kërkuar të vlerësojnë se si mendonin që kishin dalë në testin e mëparshëm. Studiuesit zbuluan se trajnimi bëri një ndryshim. Pjesëmarrësit që shënuan në fund të 25 përqindëshit e ulën vlerësimin e tyre në lidhje me sa mirë kishin dalë në testin e parë.
Me fjalë të tjera, një mënyrë për të tejkaluar efektin Dunning-Kruger mund të jetë të mësoni më shumë rreth asaj teme.
Sidoqoftë, kur mësojmë më shumë rreth një teme, është e rëndësishme të sigurohemi që të shmangim paragjykimin e konfirmimit, që është "tendenca për të pranuar prova që konfirmojnë bindjet tona dhe të hedhim poshtë provat që kundërshtojnë ato." Siç shpjegon Dunning, tejkalimi i efektit Dunning-Kruger ndonjëherë mund të jetë një proçes i ndërlikuar, veçanërisht nëse na detyron të kuptojmë se ishim keqinformuar. Këshillat e tij? Ai shpjegon se "marifeti është të bëhesh avokati i djallit tënd: të mendosh se si përfundimet e tua të preferuara mund të jenë të keq drejtuarara; të pyesni veten se si mund të jesh gabuar, ose se si gjërat mund të dalin ndryshe nga ajo çfarë pret ti."
Efekti Dunning-Kruger sugjeron që ne nuk mund të dimë gjithmonë aq sa mendojmë se dimë. Në disa fusha, ne mund të mos dimë mjaftueshëm sa duhet për një temë as aq sa për të kuptuar se jemi të pakualifikuar. Sidoqoftë, duke e sfiduar veten për të mësuar më shumë dhe duke lexuar rreth pikëpamjeve të kundërta, ne mund të punojmë për të kapërcyer efektin Dunning-Kruger.
Burimi: © Thoughtco
No comments:
Post a Comment