Search This Blog

Friday, November 1, 2019

Rrënjët e besimit njerëzor tek e keqja mund të jenë gjetur.

Rrënjët e besimit njerëzor tek e keqja mund të jenë gjetur. 

Sëmundja mund të jetë rrënja e të gjithë të keqes. 



Ku e ka zanafillën koncepti spiritual i të keqes? Një shpjegim i mundshëm mund të jetë përpjekja e njeriut për të kuptuar dhe për t'u përballur me sëmundjet infektive.

Lidhja e sëmundjeve dhe e simptomave të tyre me forcat misterioze të së keqes është një praktikë që është shfaqur në sistemet e besimit tradicional deri para gjysmës së shekullit XIX, atëherë kur u prezantua teoria e mikrobeve, shkruajnë në një studim të ri shkencëtarët. Teoria e mikrobeve zbuloi se janë në fakt patogjenet mikroskopikë shkaktarë të sëmundjeve dhe jo shpirtrat e keqdashës.

Sidoqoftë, hulumtuesit kanë zbuluar se lidhja midis bindjeve religjoze rreth të mirës dhe të keqes dhe prezencës së sëmundjeve infektive mbetet edhe sot e kësaj dite. Ata gjetën se në zona gjeografike me incidente të mëdha sëmundjesh, njerëzit shfaqnin gjithashtu bindje më të fortë rreth agjentëve të së keqës si demonët dhe shtrigat.

Historikisht, shumë kultura në Afrikë, Azi, Europë dhe në Amerikën Veriore kanë përdorur forcat e mbinatyrshme për të shpjeguar dhe për të drejtuar reagimin ndaj sëmundjeve. Një shembull i njohur ka qenë vala e madhe e gjuetisë së shtrigave në Europën mesjetare atëherë kur kontinenti po shkatërrohej nga "Vdekja e Zezë" (murtaja), raportuan hulumtuesit.

Kjo përqasje kishte një efekt praktik: njerëzit e sëmurë, pra ata që shfaqnin të ashtuquajturën influencë e keqe, do të izoloheshin, shmangeshin dhe madje vriteshin dhe kështu mbroheshin të tjerët nga përhapja e patogjeneve.

Nëse besimet në të keqen kanë qenë më të zakonshme në zona me ngarkesë më lartë sëmundjesh infektive, "sugjeron se historikisht këto besime mund të kenë evoluar për të shpjeguar efektet e patogjeneve," tha autori drejtues i studimit Brock Bastian që është profesor i asociuar në shkollën e shkencave psikologjike në Universitetin Melbourne në Australi.

Shtrigat, djalli dhe syri i keq. 

Për të testuar hipotezën e tyre hulumtuesit kryen studime analizuese si dhe morën parasysh të dhënat e arkivuara për të vlerësuar nivelet e besimit në të keqen. Ata kanë marrë në analizë më shumë se 3,000 studentë të universiteteve në 28 shtete duke hetuar nëse pjesëmarrësit besonin fort në syrin e keq, shtrigat, djallin si dhe në forca të së keqrs të paspecifikuara. Po ashtu edhe të dhënat arkivore të rreth 58,000 njerëzve përgjatë 50 shteteve, të koleksionuara midis vitit 1995 dhe 1998, të cilëve u ishte drejtuar pyetja për besimin te djalli. Hulumtuesit gjithashtu kanë shqyrtuar të dhënat historike globale të sëmundjeve infektive duke krahasuar këto shenja me trendin gjeografik  për besimet spirituale rreth të keqes.

Ata mësuan se në vendet ku sëmundjet infektive ishin historikisht të shpërndara gjerësisht "njerëzit kishin më shumë gjasa të besonin tek djalli, fuqitë keqdashëse të syrit të keq si te shtrigat, të cilat kanalizonin të keqën", sipas studimit të publikuar në revistën "Proceedings of the Royal Society B".

Shkencëtarët gjetën se  korrelacionet midis besimit te djalli dhe sëmundjeve gjerësisht të shpërndara përgjatë historisë ishin më të fuqishme në Nigeri, Bangladesh dhe në Filipine, ndërsa ishin më të dobëta në Çeki, Gjermani dhe Suedi.

Shikimi i sëmundjeve si të djallosura mund të ketë promovuar një sjellje që frenonte infeksionin dhe limitonte përhapjen, duke përfituar shëndeti i përgjithshëm i komunitetit, thanë hulumtuesit. Në këtë mënyrë, sistemet e besimit me një sens të fortë tek e mira dhe e keqja si forca aktive mund të ketë siguruar një avantazh qe grupet e njerëzve të jetonin në vende ku risku i sëmundjeve ngjitëse ishte i lartë.

Sapo këto bindje nguliten në një kulturë ndikimi i tyre mund të vazhdojë për gjenerata. Madje edhe sot e kësaj dite kur shpjegimet shkencore për sëmundjet janë lehtësisht të disponueshme, "mendime të tilla mbeten të dukshme në shumë shoqëri moderne ku shqetësimet shëndetësore shpeshherë i atribuohen vullnetit të Zotit ose punës së djallit dhe kurat spirituale vazhdojnë," shkruajnë autorët.

Burimi: artikulli origjinal është marrë nga Live Science

Përkthimi: Skeptik

Fotoja: © DeAgostini/Getty

No comments:

Post a Comment