Search This Blog

Showing posts with label Mikrobiologji. Show all posts
Showing posts with label Mikrobiologji. Show all posts

Thursday, July 4, 2019

Pasterizimi

Historiku i pasterizimit.

Ka një vizë ndarëse midis verës dhe uthullës. Kjo është ajo që zbuloi Louis Pasteur në vitin 1856 kur një prodhues alkooli e porositi të përcaktonte se çfarë e shkaktonte thartimin te panxhari i sheqerit.

Në atë kohë shkencëtarët mendonin se fermentimi ishte një proces i pastër kimik. Por, hulumtimet e Pasteur-it për fermentimin e çuan atë në zbulimin se ishte maja, një organizëm i gjallë, që e kthente lëngun e panxharit në alkool. Nën mikroskop majaja ishte e rrumbullakët dhe e mbushur. Por, kur alkooli prishej ai përmbante një tjetër mikrob të ndryshëm në formë shufre. Pasteur-i spekuloi se ky mikrob në formë shufre i quajtur mycoderma aceti, që zakonisht përdorej për të bërë uthull, shkaktoi prishjen e verës.

Këto zbulime formuan bazën e teorisë së mikrobeve për fermentimin, nga Pasteur. Vite më vonë Louis Pasteur do të aplikonte të njëjtat koncepte për origjinën e sëmundjeve që jane disa nga kontributet e tij më të mëdha në shkencë dhe mjekësi.

Ndërkohë, perandori Napoleoni III e mori në shërbim Pasteur-in për të shpëtuar industrinë e verës Franceze nga "sëmundja e verës". Në eksperimentet e mëparshme ai zbuloi se nxehja e verës së fermentuar do të vriste mikrobet që e prishin verën. Por, ai nuk ishte i pari që vërejti këtë lidhje. Nicolas Appert, shpikësi i sterilizimit në kontejnerë e dinte gjithashtu, se trajtimi i ushqimeve me nxehtësi i vret mikrobet. Por, kontributet e Louis Pasteur ishin në përcaktimin e kohës dhe temperaturës ekzakte që do të duhej për të vrarë mikroorganizmat e dëmshëm pa iu prishur shijen. Ai e patentoi këtë proces dhe e quajti pasterizim.

Si i vret pasterizimi bakteret?

Nuk është thjesht çështje nxehtësie. Për të kuptuar se çfarë i bën nxehtësia një bakteri ne duhet të dimë më parë strukturën e tij.

Bakteri është një organizëm një qelizor.
Ai është i përbërë nga mbështjella qelizore, citoplazma dhe shpesh herë edhe flagella. Mbështjellja qelizore, përveç se mbahet në citoplazmë, është edhe ky vendi ku zhvillohen proçeset e prodhimit të energjisë, si përshembull frymëmarrja dhe fotosinteza. Në citoplazmë ndodhet çdo gjë brenda mbështjellës qelizore: një përzierje uji, ribozomet, kromozomet, vlerat ushqyese dhe enzimat; pra, çdo gjë që e mban bakterin gjallë. Enzimat janë veçanërisht të rëndësishme sepse ato nxisin reaksione kimike që përbëjnë metabolizmin e qelizës. Ndërsa flagellat janë zgjatime të vogla në pjesën e jashtme të baktereve, që i ndihmojnë ato të lëvizin përreth, të ngjiten nëpër sipërfaqe ose për t'iu shmangur armiqve.

Kur temperatura rritet mjaftueshëm, enzimat e bakterit denatyrohen, që do të thotë se ato ndryshojnë formë. Ky ndryshim i bën të padobishme dhe ato tashmë nuk janë të afta të kryejnë punën e tyre. Qeliza thjesht ndalon së funksionuari.

Nxehtësia gjithashtu mund të dëmtojë mbështjelljen qelizore të baktereve. Proteinat dhe acidet yndyrore që ndërtojnë mbështjellën qelizore, humbasin formën e tyre, duke e dobësuar atë. Në të njëjtën kohë lëngjet brenda qelizës zgjerohen ndërkohë që temperatura rritet duke shkaktuar rritjen e presionit të brendshëm. Lëngjet e zgjeruara që shtyjnë përkundër murit të dobësuar qelizor, i shkaktojnë djegie dhe rrjedhimisht derdhen jashtë të brendshmet e qelizës.

Bakteret nxehtësi-duruese  janë më rezistente ndaj nxehtësisë dhe më të vështira për t'u vrarë. Këto baktere që sfidojnë nxehtësinë duhet të mbahen nën kontroll nëpërmjet ngrirjes në mënyrë që të mos shumohen.

Përmbledhje e artikullit: https://science.howstuffworks.com/life/cellular-microscopic/pasteurization1.htm

TË PADUKSHME, TË DËMSHME DHE THELBËSORE PËR JETËN: BAKTERET.

Ato janë gjallesa primitive, shkaktare të shumë sëmundjeve, por me një rol të pazëvendësueshëm për mjedisin natyror.
                        
   Përmasat e baktereve janë mikroskopike. Me shumë pak përjashtime ato nuk mund të shihen përveç se nëpërmjet një mikroskopi.
Bakteret maten me mikrometer. Një milimetër është e barabartë me 1000 mikron. Mjafton kaq për të kuptuar sesa e padukshme është bota e tyre për sytë tanë. Pjesa më e madhe e tyre varion nga 1 deri 5 mikron. Ndërsa përmasat e Thiomargarita namibiensis arrijnë deri në 750 mikron ose vetëm 0.075 milimetër.
   Bakteret janë mikroorganizma një qelizore prokariote që do të thotë se janë të përbëra nga vetëm një qelizë, e cila nuk ka një bërthamë të dukshme. Disa baktere kanë nevojë për oksigjen, ndërsa disa  të tjera do të vriteshin nga ai. Por, ka edhe nga ato lloje bakteresh (Salmonella) që mund të jetojnë me ose pa oksigjen, prandaj dhe quhen anaerobe fakultative. Ato janë gjallesa primitive, por është pikërisht ky fakt që ju mundëson atyre të popullojnë mjedise nga më ndryshimet. Bakteriet mund t'i gjejmë kudo: brenda, mbi ose rreth gjallesave të tjera; mund t'i gjejmë lart në atmosferë, poshtë në fundin e lumenjve apo liqeneve, në oqeane, shkretëtira, në burime të nxehta dhe madje edhe në dëborë në temperaturë poshtë zeros. Do të mjaftonte një lugë e vogël e mbushur me dhe për të numëruar rreth 500 milionë individë bakteresh.
   Sigurisht, disa prej tyre shkaktojnë sëmundje. Bakteret patogjene hyjnë brenda organizmave të tjerë në rrugë të ndryshme si p.sh nga goja, ose të çarat në lëkurë. Nëse ato shumëfishohen mjaftueshëm, mund të shkaktojnë infeksion. Infeksionet bakteriale mund të jenë rezultat i vetë baktereve ose i toksinave që ato prodhojnë dhe që janë më të rrezikshme sesa vetë bakteret. Jo vetem njerëzit, por edhe kafshët dhe bimët janë të prekshme nga infeksionet prej baktereve. Madje, edhe këto të fundit mund të sëmuren. Ato janë vulnerabël nga disa viruse që quhen bakteriofage (bacteriophages).
Gjithsesi këto mikroorganizma janë të pazëvendësueshme për jetën dhe mjedisin natyror. Pa baktere, lënda organike nuk do të mund të shpërbëhej dhe kështu toka nuk do të ishte pjellore. Nëse lënda organike nuk do të shpërbëhej, organizmat e vdekur dhe mbetjet e tjera do të grumbulloheshin aq shumë sa do të interferonin me jetën tonë të përditshme. Dhe nuk është vetëm kaq, në fakt bakteret Saprofite (Saprophytic bacteria) që dekompozojnë lëndët organike e pasurojnë tokën duke i rikthyer asaj minerale dhe vlera ushqyese që përdoren nga gjallesat e tjera. Gjithashtu ato ndihmojnë bimët. Dihet që azoti është përgjegjës për rritjen e bimëve, por ato vetë nuk mund t'a përdorin në formë të gaztë. Janë disa lloje bakteresh (Rhizobium, Azotobacter) që arrijnë të konvertojnë azotin në një formë të përdorshme për to.
   Edhe per ne njerëzit po ashtu janë shumë të  rëndësishme, p.sh disa lloje bakteresh (Firmicutes, Bacteroidetes, Actinobacteria, Proteobacteria) që jetojnë në zorrët e njeriut janë thelbësore në procesin e tretjes. Shkencëtarët gjithashtu i përdorin bakteret për të krijuar vaksina dhe antitoksina që të luftojnë infeksionet. Vaksinat përgatiten duke marrë baktere patogjene që vriten ose dobësohen dhe shpërbëhen në një tretësirë, e cila pastaj injektohet brenda trupit tonë. Dhe kjo shërben për të përgatitur sistemim tonë imunitar që të formojë antitrupa dhe t'i përdorë ata në rastet e një infeksioni në të ardhmen. Ndërsa antitoksina përbëhet nga antitrupa të parapërgatitur. Antitoksina përgatitet nga injektimi i toksinave bakteriale brenda kafshëve të gjalla. Dhe më vonë, falë mjeteve kimike bëhet procesi i ndarjes së gjakut të kafshëve nga serumi. Antitoksina vepron më shpejt sesa vaksina, por vaksinat e mbrojnë  organizmin shumë më gjatë se ato.
Përveç kësaj bakteriet përdoren edhe në prodhimin i ushqimeve, dhe në agrikulturë dhe imdustri.

  Se fundi mund të themi se pavarësisht përmasave të tyre mikroskopike, bakteret janë padyshim prezente në jetën tonë qoftë duke na dhënë benefite për shëndetin dhe jetesën, qoftë duke na dëmtuar nëpërmjet sëmundjeve të rrezikshme për shëndetin. Ato janë një faktor kyç dhe jashtëzakonisht i vlefshëm për jetën në tokë dhe mjedisin natyror. Madje bakteriet, duke qenë relativisht e lehtë për kërkuesit shkencorë që të punojnë me to, janë kthyer në një mjet të thjeshtë për studimim e proceseve tëe ndërlikuara jetësore. Dhe janë bërë një mjet i fuqishëm për studime në gjenetikë dhe studime të tjera në nivel molekular.

Burimi: Enciklopedia Britannica, "A closer look at bacteria, algae and protozoa".