Search This Blog

Thursday, January 14, 2021

Deja vu: shkenca pas ndjenjës hutuese të familjarizimit.


Nëse keni pasur ndonjëherë ndjesinë se një situatë është shumë familjare për ju edhe pse e dini që nuk duhet të ndihet aspak e tillë, atëherë me siguri keni përjetuar déjà vu . Déjà vu, që në frëngjisht do të thotë "tashmë e parë", ndërthur mosnjohjen objektive, pra, faktin që ju e dini, bazuar në prova të shumta se diçka nuk duhet të jetë e njohur, me familjaritetin subjektiv, pra atë ndjenjën që gjithsesi diçka duket familjare për ju.

Déjà vu është e zakonshme. Sipas një artikulli të botuar në vitin 2004, më shumë se 50 sondazhe mbi déjà vu- në sugjeruan që rreth dy të tretat e individëve e kanë përjetuar atë të paktën një herë në jetën e tyre dhe më shumë të tjerë që raportojnë përvoja të tilla të shumta. Ky numër i raportuar gjithashtu duket se është në rritje ndërsa njerëzit bëhen më të vetëdijshëm për atë që është déjà vu.
Më së shpeshti, déjà vu përshkruhet në terma të asaj që ju shihni, por ajo nuk është diçka specifike për të parit, dhe madje edhe njerëzit që kanë lindur të verbër mund ta përjetojnë atë.

• Të masësh Déjà Vu-në.

Déjà vu është e vështirë të studiohet në laborator sepse është një përvojë kalimtare, dhe gjithashtu sepse nuk ka ndonjë shkas qartazi të identifikueshëm për të. Sidoqoftë, studiuesit kanë përdorur disa mjete për të studiuar fenomenin, bazuar në hipotezat që ata kanë paraqitur. Studiuesit mund të anketojnë pjesëmarrësit në studim; të studiojnë proceset e mundshme të lidhura, veçanërisht ato të përfshira në kujtesë; ose të hartojnë eksperimente të tjera për të hetuar déjà vu-në.

Meqenëse déjà vu është e vështirë të matet, studiuesit kanë dhënë shumë shpjegime se si ajo funksionon. Më poshtë janë disa nga hipotezat më të spikatura.

• Shpjegimet e kujtesës.

Shpjegimet e kujtesës së déjà vu bazohen në idenë se më parë keni përjetuar një situatë, ose diçka shumë e ngjashme me të, por nuk e mbani mend me vetëdije. Në vend të kësaj, ju e mbani mend atë në mënyrë të pavetëdijshme, prandaj ndihet e njohur edhe pse nuk e dini arsyen e këtij familjariteti.

1. Familjariteti i një elementi të vetëm.

Hipoteza e familjaritetit të një elementi të vetëm sugjeron që ju të përjetoni déjà vu nëse një element i skenës është i njohur për ju, por nuk e njihni me vetëdije sepse po ndodh në një mjedis tjetër, si psh nëse shihni berberin tuaj në rrugë.

Trurit tuaj ende i duket berberi i njohur edhe pse nuk e dallon diçka të tillë dhe përgjithëson atë ndjenjë familjariteti në të gjithë skenën. Pra, elementi i vetëm që të duket i njohur krijon ndjenjën e familjaritetit për të gjithë skenën e ngjarjes apo vendit ku ndodhesh. Studiues të tjerë e kanë shtrirë këtë hipotezë edhe në shumë elementë. 

2. Familjariteti Gestalt

Hipoteza e familjaritetit gestalt përqendrohet në mënyrën se si sendet janë të organizuara në një skenë dhe se si ndodh déjà vu kur përjetoni diçka me një paraqitje të ngjashme. Për shembull, ju mbase nuk e keni vënë re më parë, pikturën e mikut tuaj në dhomën e tij të ndenjes, por mbase keni parë një dhomë me paraqitje si dhoma e ndenjes së mikut tuaj: një pikturë e varur mbi divan, përballë një rafti librash. Dhe meqenëse nuk mund ta kujtoni dhomën tjetër, ju përjetoni déjà vu.

Një avantazh i hipotezës së ngjashmërisë gestalt është se ajo mund të testohet më drejtpërdrejt. Në një studim, pjesëmarrësit shikuan dhomat në realitetin virtual, më pas u pyetën se sa e njohur ishte një dhomë e re (që nuk e kishin parë virtualisht) dhe nëse ndiheshin se po përjetonin déjà vu.

Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit e studimit të cilët nuk mund të kujtonin dhomat e vjetra që kishin shikuar më parë, kishin tendencë të mendonin se një dhomë e re ishte e njohur për ta dhe se ata po përjetonin déjà vu, në qoftë se dhoma e re i ngjante dhomës së vjetër. Për më tepër, sa më e ngjashme të ishte dhoma e re me një dhomë të vjetër, aq më të larta ishin këto vlerësime.

• Shpjegimet neurologjike.

1. Aktiviteti spontan i trurit.

Disa shpjegime paraqesin që déjà vu përjetohet kur ekziston një aktivitet spontan i trurit që nuk ka lidhje me atë që po përjetoni aktualisht. Kur kjo ndodh në pjesën e trurit tuaj që merret me kujtesën, ju mund të keni një ndjenjë false të familjaritetit.

Disa prova vijnë nga individë me epilepsi të lobit temporal, kur ndodh një aktivitet elektrik jo normal në pjesën e trurit që merret me kujtesën. Kur truri i këtyre pacientëve stimulohet elektrikisht si pjesë e një vlerësimi para operacionit, ata mund të përjetojnë déjà vu.

Një studiues sugjeron që ju përjetoni déjà vu kur sistemi parahipokampal, i cili ndihmon në identifikimin e diçkaje si të njohur, gabon rastësisht dhe ju bën të mendoni se diçka është e njohur kur nuk duhet të ishte e tillë.

Të tjerët kanë thënë që déjà vu nuk mund të izolohet në një sistem të vetëm familjariteti, por përkundrazi përfshin struktura të shumta të përfshira në kujtesë dhe lidhjet midis tyre.

2. Shpejtësia e transmetimit nervor.

Hipoteza të tjera bazohen në atë se sa shpejt informacioni udhëton nëpër trurin tuaj. Zona të ndryshme të trurit tuaj transmetojnë informacione në zona "me një rend të lartë" që kombinojnë informacionin së bashku për t'ju ndihmuar të kuptoni botën. Nëse ky proces kompleks prishet në ndonjë mënyrë, ndoshta një pjesë dërgon diçka më ngadalë ose më shpejt sesa zakonisht, atëherë truri juaj i interpreton gjërat përreth jush në mënyrë të gabuar.

• Cili Shpjegim është i saktë?

Një shpjegim për déjà vu-në mbetet ende i pakapshëm, megjithëse hipotezat e mësipërme duket se kanë një fije të përbashkët: një gabim të përkohshëm në procesimin kognitiv. Tani për tani, shkencëtarët mund të vazhdojnë të hartojnë eksperimente që hetojnë më drejtpërdrejt natyrën e déjà vu-së, për të qenë më të sigurt për shpjegimin e saktë.

Burimi: © ThoughtCo 

Fotoja: Phung Huynh Vu Qui / Getty Images

Monday, January 11, 2021

Pse krokodilët kanë ndryshuar kaq pak që nga epoka e dinozaurëve?


Një hulumtim i ri nga shkencëtarët në Universitetin Bristol shpjegon sesi një shenjë "ndalo-fillo" e evolucionit, të udhëhequr nga ndryshimet mjedisore, mund të shpjegojë se pse krokodilët kanë ndryshuar kaq pak që nga epoka e dinozaurëve. 

Krokodilët sot duken shumë të ngjashëm me ata të periudhës Jurassic rreth 200 milionë vjet më parë. Sot gjithashtu ka vetëm 25 specie prej tyre që janë gjallë. Kafshë të tjera të tilla si hardhucat apo zogjtë kanë arritur një shumëllojshmëri prej mijëra llojesh në afërsisht të njëjtën kohë. 

Në prehistori ka pasur gjithashtu lloje krokodilësh që nuk i shohim sot, duke përfshirë: gjigandë po aq të mëdhenj sa dinozaurët, bimë ngrënës, vrapues të shpejtë dhe forma gjarpërues që jetonin nëpër dete. 

Në hulumtimin e ri, botuar në revistën "Nature Communications Biology" shkencëtarët shpjegojnë se si krokodilat ndjekin një model të evolucionit të njohur si "ekuilibri i pikëzuar". Shkalla e evolucionit të tyre është përgjithësisht e ngadaltë, por në raste të caktuara ata evoluojnë më shpejt, sepse mjedisi ka ndryshuar. Në veçanti, ky hulumtim i ri sugjeron që evolucioni i tyre përshpejton kur klima është më e ngrohtë dhe se madhësia e trupit rritet.

Autori kryesor Dr Max Stockdale nga Shkolla e Shkencave Gjeografike të Universitetit të Bristolit, tha: "Analiza jonë perdori një algoritëm të mësimit makinerik për të përllogaritur shkallën e evolucionit. Shkalla e evolucionit është sasia e ndryshimit që ka ndodhur për një periudhë të caktuar kohore, gjë të cilën ne mund t'a përpunojmë duke krahasuar matjet nga fosilet dhe duke marrë parasysh vjetërsinë e tyre."

"Për studimin tonë ne kemi matur madhësinë e trupit, që është i rëndësishëm sepse ndërvepron me atë sesa shpejt kafshët rritën, për sa ushqim kanë nevojë, sa e madhe është popullata e tyre dhe sa gjasë ka që ato të zhduken." 

Zbulimet e bëra tregojnë se larmishmëria e kufizuar e krokodilëve dhe ajo ngjan si mungesë evoluimi është rezultat i një shkalle të ngadaltë evolutive. Duket se krokodilët arritën në një plan trupor që ishte mjaft efikas dhe i gjithanshëm, saqë nuk kishin nevojë ta ndryshonin atë për të mbijetuar.

Kjo gjithanshmëri mund të jetë një shpjegim se pse krokodilët i mbijetuan ndikimit të meteorit në fund të periudhës së Cretaceous, në të cilën dinosaurët u zhdukën. Krokodilët përgjithësisht lulëzojnë më mirë në kushte të ngrohta, sepse ata nuk mund të kontrollojnë temperaturën e trupit dhe kërkojnë ngrohtësi nga mjedisi.

Klima gjatë epokës së dinosaurëve ishte më e ngrohtë sesa sot dhe kjo mund të shpjegojë pse kishte shumë më shumë lloje krokodilësh se sa shohim tani. Duke qenë se ata janë në gjendje të marrin energji nga dielli, kjo do të thotë se ata nuk kanë nevojë të hanë aq shumë sa një kafshë me gjak të ngrohtë si psh një zog ose një gjitar.

Dr Stockdale shtoi: “Është magjepsëse të shohësh se sa marrëdhënie e ndërlikuar ekziston midis Tokës dhe gjallesave me të cilat e bashkëndajmë atë. Krokodilët kanë zotëruar një mënyrë jetese që ishte mjaft e gjithanshme për t'u përshtatur me ndryshimet e mëdha mjedisore që kanë ndodhur që kur ishin dinosaurët. "

Hapi tjetër për hulumtimin e ekipit është që të zbulojmë se pse disa lloje krokodilësh prehistorik u zhduken, ndërsa të tjerë jo. 

Sunday, January 10, 2021

Pinguini Perandor


Njihuni me historinë e këtyre pinguinëve socialë të cilët shumohen në kohën më të ashpër të vitit dhe në rajonin më jo mikpritës në Tokë. 

Emri i zakonshëm: Pinguini Perandor
Emri shkencor: Aptenodytes forsteri
Tipi: Zogj
Dieta: Mishngrënës
Madhësia: 1.1 metër
Pesha: deri në 40 kg

Perandorët janë më të mëdhenjtë nga të gjithë pinguinët, një zog mesatar është rreth 1.1 metër i gjatë. Këto kafshë që nuk fluturojnë jetojnë në akullin e Antarktikut dhe në ujërat e ftohtë përreth.

Përshtatjet Antarktike

Pinguinët përdorin përshtatje fiziologjike dhe sjellje bashkëpunuese në mënyrë që të përballen me një mjedis tepër të ashpër, ku erërat e ftohta mund të arrijnë -60° C.

Ata grumbullohen së bashku për t'i shpëtuar erës dhe për të ruajtur ngrohtësinë. Individët futen me radhë në brendësinë e mbrojtur të grupit. Sapo një pinguin të jetë ngrohur pak, ai do të lëvizë në perimetrin e grupit në mënyrë që edhe të tjerët të gëzojnë mbrojtje nga elementët e akullt.

Pinguinët perandorë kalojnë dimrin e gjatë në akullin e hapur dhe madje shumohen gjatë këtij sezoni të ashpër. Femrat lëshojnë një vezë të vetme dhe më pas e lënë menjëherë. Ato ndërmarrin një udhëtim të zgjatur gjuetie që zgjat rreth dy muaj! Në varësi të shtrirjes së akullit, femrat mund të kenë nevojë të kalojnë rreth 80 km vetëm për të arritur oqeanin e hapur, ku do të ushqehen me peshq, kallamar dhe krill. Në det, pinguinët perandorë mund të zhyten deri në 564 metra; më thellë se çdo zog tjetër dhe arrijnë të qëndrojnë nën ujë për më shumë se 20 minuta.

Riprodhimi dhe Prindërimi

Perandorët meshkuj i mbajnë të ngrohta vezët e sapo lëna, por ata nuk ulen mbi to, siç bëjnë shumë zogj të tjerë. Meshkujt qëndrojnë dhe mbrojnë vezët e tyre nga mjedisi përreth duke i ekuilibruar ato në këmbët e tyre dhe duke i mbuluar ato me lëkurën me pendë të njohur si xhepi i të voglit. Gjatë kësaj periudhe dy-mujore të kujdestarisë, meshkujt nuk hanë asgjë dhe janë në mëshirën e elementeve të Antarktikut.

Kur pinguinët femra kthehen në vendin e shumimit, ato sjellin një bark të mbushur me ushqim që e nxjerrin jashtë nga goja për t'ua dhënë zogjve të sapo çelur. Ndërkohë, duke kryer detyrën e tyre, meshkujt shkojnë në det në kërkim të ushqimit për veten e tyre.

Nënat kujdesen për zogjtë e tyre të vegjël dhe i mbrojnë ata me ngrohtësinë e xhepit të tyre. Jashtë këtij xhepi të ngrohtë, një zog mund të vdesë në vetëm disa minuta. Në dhjetor, në verën e Antarktikut, akulli përreth fillon të prishet dhe uji shfaqet pranë vendit të shumimit, pikërisht atëherë kur pinguinët e rinj perandorë janë gati të notojnë dhe të peshkojnë vetë.

Burimi: © National Geographic 

Saturday, January 9, 2021

Leopardi


Mësoni se pse leopardët gjenden shpesh në pemë dhe sesi gëzofët e tyre me shenja i ndihmojnë ata të mbijetojnë. 

Emri i zakonshëm: Leopard

Emri shkencor: Panthera pardus

Tipi: Gjitarë

Dieta: Mishngrënës

Përmasat: Koka dhe trupi: 1.29 deri në 1.91 metër; bishti: 1.07 metër deri në 1.8 metër.

Pesha: 29.94 kg deri në 79.83 kg.

Leopardët janë mace të hijshme dhe të fuqishme të lidhura ngushtë me luanët, tigrat dhe xhaguarët. 
Ata jetojnë në Afrikën Nën-Sahariane, në Afrikën verilindore, në Azinë Qëndrore, në Indi dhe në Kinë. Sidoqoftë, shumë prej popullatave të tyre janë të rrezikuara, sidomos jashtë Afrikës. 

Leopardi është kaq i fortë dhe i rehatshëm në pemë sa shpesh prenë e tij e han nëpër degët e pemëve. 
Duke i ngritur lart në pemë pretë e tij në këtë mënyrë mund të ruhet edhe nga hienat apo grabitqarët e tjerë. 

Leopardët mund të gjuajnë edhe nga pemët për shkak se gëzofi i tyre i lejon të kamuflohen nëpër gjethe duke u hedhur prej tyre për të kapur kafshët e tjera. 
Ata janë kafshë që gjuajnë edhe natën antilopat, drerët dhe derrat duke u fshehur në barin e gjatë. 
Kur vendbanimet e njerëzve janë afër habitatit të tyre ata mund të sulmojnë qentë dhe ndonjëherë edhe vetë njerëzit. 
Leopardët janë notues shumë të mirë dhe janë si në shtëpinë e tyre në ujë, ku ndonjëherë kapin peshk ose gaforre. 

Leopardet femra mund të lindin në çdo periudhë të vitit. Ato zakonisht kanë dy këlyshë gri që mezi ju duken pullat në gëzof. 
Nëna e tyre i fsheh këlyshët dhe ua ndërron vendin herë pas here derisa të jenë të rritur mjaftueshëm për t'u kujdesur për veten dhe të mund të gjuajnë. Ata jetojnë me nënat e tyre për rreth dy vjet dhe pas kësaj periudhë ata janë kafshë solitare. 

Leopardët janë me gëzof lehtësisht të ngjyrosur me pulla që ju ngjajnë rozetave, për shkak se kanë formën e trëndafilave. Ndërsa leopardët e zinj janë pothuajse me ngjyrë të njëtrajtshme dhe pullat e tyre vështirë të dallohen dhe quhen zakonisht "pantera të zeza". 

Burimi:  ©️ National Geographic


Foto:  ©️ Jose Fragozo

Friday, January 8, 2021

Teleskopi ESO shquan galaktika të kapura në rrjetin e një vrime të zezë supermasive


Me ndihmën e Teleskopit Shumë të Madh të ESO-s (Very Large Telescope, shkurt VLT), astronomët kanë gjetur gjashtë galaktika të shtrira rreth një vrime të zezë supermasive, atëherë kur Universi ishte më pak se një miliard vjet i vjetër. Kjo është hera e parë që një grupim i tillë i ngushtë është parë kaq shpejt pas Big Bengut dhe zbulimi na ndihmon të kuptojmë më mirë se si vrimat e zeza supermasive, njëra prej të cilave ekziston në qendër të Rrugës së Qumështit, u formuan dhe u rritën në përmasat e tyre kaq të mëdha dhe kaq shpejt. Kjo mbështet teorinë se vrimat e zeza mund të rriten me shpejtësi brenda strukturave të mëdha, që ngjajnë si një rrjet, të cilat përmbajnë shumë gaz për t'i furnizuar ato.

“Ky hulumtim u drejtua kryesisht nga dëshira për të kuptuar disa nga objektet më sfiduese astronomike, vrimat e zeza supermasive në Universin e hershëm. Këto janë sisteme ekstreme dhe deri më sot nuk kemi pasur ndonjë shpjegim të mirë për ekzistencën e tyre,” tha Marco Mignoli, një astronom në Institutin Kombëtar për Astrofizikën (INAF) në Bolonjë, Itali, dhe autori kryesor i kërkimit të ri të botuar në revistën Astronomia &  Astrofizika.

Vëzhgimet e reja me VLT të ESO zbuluan disa galaktika që rrethonin një vrimë të zezë supermasive, të gjitha të shtrira në një "rrjetë merimange" kozmike prej gazi që zgjerohet në mbi 300 herë më shumë se Rruga e Qumështit. "Filamentet e rrjetës kozmike janë si fijet e merimangës," shpjegon Mignoli. "Galaktikat qëndrojnë dhe rriten aty ku kryqëzohen filamentet, dhe rrymat e gazit të cilat janë të disponueshme për të furnizuar si galaktikat ashtu edhe vrimën e zezë supermasive qendrore, mund të rrjedhin përgjatë filamenteve."

Drita prej kësaj strukture të madhe dhe e ngjashme me një rrjetë, bashkë me vrimën e saj të zezë prej një miliard mase diellore, ka udhëtuar tek ne nga një kohë kur Universi ishte vetëm 0.9 miliardë vjeç i vjetër. "Puna jonë ka vendosur një pjesë të rëndësishme të "puzzellit" shumë të paplotë që ka të bëjë me formimin dhe rritjen e objekteve kaq ekstreme, por relativisht të bollshme dhe kaq shpejt pas Big Bengut", thotë bashkëautori Roberto Gilli, gjithashtu një astronom në INAF në Bolonjë, duke iu referuar vrimave të zeza supermasive.

Vrimat e para të zeza, që mendohet se janë formuar prej kolapsit të yjeve të parë, duhet të jenë rritur shumë shpejt për të arritur përmasat sa një miliard diej brenda 0.9 miliardë viteve të para të jetës së Universit.  Por, astronomët janë përpjekur të shpjegojnë sesa mjaftueshëm sasi të mëdha të "karburantit të vrimës së zezë", duhet të ishin në dispozicion për t'i mundësuar këtyre objekteve të rriteshin në përmasa kaq të mëdha, në një kohë kaq të shkurtër.  Struktura e re e gjetur ofron një shpjegim të mundshëm: "rrjeti i merimangës" dhe galaktikat brenda saj përmbajnë gaz të mjaftueshëm për të siguruar karburantin që i duhet vrimës së zezë qendrore për t'u bërë shpejt një gjigant supermasiv.

Por, në rradhë të parë, si u formuan këto struktura kaq të mëdha të ngjashme me rrjetën? Astronomët mendojnë se breroret gjigante të materies së errët misterioze janë çelësi. Këto rajone të mëdha të materies së padukshme mendohet se tërheqin sasi të mëdha gazi në Universin e hershëm; së bashku, gazi dhe materia e errët e padukshme formojnë strukturat e ngjashme me një rrjetë, ku galaktikat dhe vrimat e zeza mund të evoluojnë.

"Gjetja jonë shton mbështetjen për idenë se vrimat e zeza më të largëta dhe masive formohen dhe rriten brenda breroreve masive të materies së errët në struktura në shkallë të gjerë, dhe se mungesa e zbulimeve të mëparshme të strukturave të këtij lloji ka të ngjarë të jetë për shkak të kufizimeve në vëzhgime", thotë Colin Norman i Universitetit Johns Hopkins në Baltimore, SHBA, gjithashtu një bashkëautor në studim.

Galaktikat e zbuluara tani janë nga më të zbehtat që mund të vëzhgojnë teleskopët aktualë. Ky zbulim kërkoi vëzhgime për disa orë duke përdorur teleskopët më të mëdhenj optikë, përfshirë VLT të ESO-s. Duke përdorur instrumentet MUSE dhe FORS2 në VLT në Observatorin Paranal të ESO në shkretëtirën kiliane Atacama, ekipi konfirmoi lidhjen midis katër prej gjashtë galaktikave dhe vrimës së zezë. "Ne besojmë se sapo kemi parë majën e ajsbergut dhe se keto pak galaktika të zbuluara deri tani rreth kësaj vrime të zezë supermasive janë vetëm ato më të shndritshmet", tha bashkëautorja Barbara Balmaverde, një astronome në INAF në Torino, Itali.

Këto rezultate kontribuojnë në kuptimin tonë se si u formuan dhe evoluan vrimat e zeza supermasive dhe strukturat e mëdha kozmike. Teleskopi Ekstremisht i Madh i ESO-s, aktualisht në ndërtim e sipër në Kili, do të jetë në gjendje të ndërtojë mbi këtë hulumtim, duke vëzhguar shumë galaktika më të zbehta rreth vrimave të zeza masive në Universin e hershëm, duke përdorur instrumentet e tij të fuqishëm. 

Burimi: © ESO 

Thursday, January 7, 2021

Kjo gropë në shkretëtirë ka qenë nën flakët e zjarrit për më shumë se 40 vjet.


Krateri i gazit Darvaza, i vendosur në shkretëtirën Karakum të Turkmenistanit, pak më shumë se 241 km nga kryeqyteti është pagëzuar prej banorëve si, "Porta e Ferrit." Krateri që ka qenë duke u djegur prej dekadash, tërheq qindra turistë çdo vit. Por, nuk janë vetëm turistët, edhe kafshët e egra në afërsi të kraterit gjithashtu. Është raportuar se herë pas herë merimangat e asaj zone të joshura nga flakët, zhyten me mijëra në gropë duke gjetur vdekjen. 

Atëherë, si përfundoi ky ferr në mes të një shkretëtire në Turkmenistan? Në vitin 1971, kur republika ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik, një grup gjeologësh sovjetikë shkuan në Karakum për të kërkuar fushat e naftës. Ata gjetën atë që mendonin të ishte një fushë e konsiderueshme e naftës dhe filluan shpimet. Fatkeqësisht për shkencëtarët, ata po shponin në majë të një xhepi shpellor me gaz natyror, i cili nuk mund të mbante peshën e pajisjeve të tyre. Vendi u shemb, duke marrë pajisjet e tyre me vete. Dhe ngjarja shkaktoi që shkëmbi i shkrifët sedimentar i shkretëtirës të rrëzohej edhe në vende të tjera, duke krijuar një efekt domino që rezultoi në disa kratere të hapura. 

Krateri më i madh ndër ta është rreth 70 metra i gjatë dhe rreth 20 metra i thellë. Sipas raportimeve askush nuk është lënduar gjatë kolapsit. Mirëpo, shkencëtarët kishin një tjetër problem në dorë: gazin natyror që po arratisej prej kraterit. Gazi natyror përbëhet kryesisht nga metani, i cili, megjithëse nuk është toksik, zhvendos oksigjenin, duke e bërë të vështirë frymëmarrjen. Megjithatë, kjo nuk ishte aq shumë çështje me rëndësi për shkencëtarët, por për kafshët, për të cilat shkretëtira Karakum është shtëpia e tyre. Shumë pak kohë pas shembjes, kafshët që endeshin në zonë filluan të vdisnin. Metani që po largohej gjithashtu përbënte rreziqe për shkak të ndezshmërisë së tij, pasi nevojitet të ketë vetëm pesë përqind metan në ajër që të ndodhë një shpërthim i mundshëm. Kështu që shkencëtarët vendosën t'a ndiznin flakë kraterin, duke shpresuar se i gjithë gazi natyror i rrezikshëm do të digjej brenda disa javësh.

Nuk është aq e çuditshme sa tingëllon. Në operacionet e shpimit të naftës dhe gazit natyror, kjo ndodh gjatë gjithë kohës me gazin natyror që nuk mund të kapet.  Ndryshe nga nafta, e cila mund të ruhet në rezervuarë për një kohë të pacaktuar pas shpimit, gazi natyror duhet të përpunohet menjëherë. Dhe nëse ka një tepricë gazi natyror që nuk mund të futet në një impiant përpunimi, shpuesit shpesh e djegin atë për ta hequr qafe. Ky është një proces i quajtur "flakërim" dhe harxhon gati një milion dollarë gaz natyror çdo ditë vetëm në North Dakota.

Por, ndryshe nga shpimet që bëhen në North Dakota ose diku tjetër, shkencëtarët në Turkmenistan nuk kishin të bënin me një sasi të matur të gazit natyror. Ata ende nuk e dinë se sa gaz natyror po ushqen kraterin që digjet. Kështu, ajo që supozohej se do të zgjaste disa javë u kthye në një zjarr të madh shkretëtire që do zgjaste për gati një gjysëm shekulli.

Burimi: © Smithsonian 

Tuesday, January 5, 2021

Kaosi në Zemrën e Mjegullnajës së Orionit


Vorbullat e gazta të hidrogjenit, squfurit dhe hidrokarbureve mbartin një koleksion yjesh të mitur në këtë imazh të kompozuar të Mjegullnajës së Orionit, siç edhe shihet nga Teleskopi Hapësinor Hubble dhe teleskopi Hapësinor Spitzer. Së bashku, të dy teleskopët ekspozojnë molekulat e pasura me karbon në renë kozmike të kësaj fabrike të formimit të yjeve, që ndodhet 1500 vjet dritë larg.

Pamja ultraviolet dhe e dritës së dukshme e Hubble-it zbulon gaz hidrogjeni dhe squfuri që janë nxehur dhe jonizuar nga rrezatimi intensiv ultraviolet prej yjeve masivë, i njohur kolektivisht si "Trapezi". Ndërkohë, pamja me infra të kuqe e Spitzer vë në dukje molekulat e pasura me karbon në këtë re. Së bashku, teleskopët ekspozojnë yjet në Orion si një ylber pikash të spërkatur në të gjithë imazhin.

Burimi: © NASA_App

Monday, January 4, 2021

Çfarë duhet të dish rreth neurotransmetuesve?


Neurotransmetuesit janë kimikate që kalojnë nëpër sinapse për të transmetuar impulse nga një neuron në një tjetër neuron, në një qelizë gjëndrore ose në një qelizë muskulore. Me fjalë të tjera, neurotransmetuesit përdoren për të dërguar sinjale nga një pjesë e trupit në një tjetër. Njihen mbi 100 neurotransmetues. Shumë prej tyre janë të ndërtuar thjesht nga aminoacidet. Të tjerët janë molekula më komplekse.

Neurotransmetuesit kryejnë shumë funksione jetësore në trup.  Për shembull, ato rregullojnë rrahjet e zemrës, u tregojnë mushkërive kur të marrin frymë, përcaktojnë pikën e caktuar për peshën, stimulojnë etjen, ndikojnë tek humori jonë dhe kontrollojnë tretjen.

"Çarja sinaptike" u zbulua nga patologu spanjoll Santiago Ramóny Cajal në fillim të shekullit të 20-të. Në vitin 1921, farmakologu gjerman Otto Loewi verifikoi që komunikimi midis neuroneve ishte rezultat i kimikateve të lëshuara. Loewi zbuloi neurotransmetuesin e parë të njohur, acetilkolinën.

Si funksionojnë Neurotransmetuesit?

Aksoni fundor i një sinapsi ruan neurotransmetuesit në fshikëza. Kur stimulohen nga një veprim potencial, fshikëzat sinaptike të një sinapsi lëshojnë neurotransmetues, të cilët kalojnë distancën e vogël (çarja sinaptike) midis fundit të një aksoni dhe një dendriti përmes difuzionit.  Kur neurotransmetuesi lidh një receptor në dendrit, sinjali komunikohet. Neurotransmetuesi mbetet në çarjen sinaptike për një kohë të shkurtër. Pastaj ai ose kthehet në neuronin parasinaptik përmes procesit të rimarrjes, metabolizohet nga enzimat, ose lidhet me receptorin.

Kur një neurotransmetues lidhet me një neuron post-sinaptik, ai mund ta eksitojë ose ta frenojë atë. Neuronët shpesh janë të lidhur me neurone të tjerë, kështu që në çdo kohë një neuron mund t’i nënshtrohet neurotransmetuesve të shumtë. Nëse stimuli për ngacmim është më i madh se efekti frenues, neuroni do të “ndizet” dhe të krijojë një veprim potencial, që çliron neurotransmetuesit në një tjetër neuron.  Kështu, një sinjal kryhet nga njëra qelizë në tjetrën.

Llojet e Neurotransmetuesve.

Një metodë e klasifikimit të neurotransmetuesve bazohet në përbërjen e tyre kimike. 

Kategoritë përfshijnë:
• Aminoacidet: acid γ-aminobutirik (GABA), aspartat, glutamat, glikinë, D-serinë

• Gazrat: monoksid karboni (CO), sulfid hidrogjeni (H2S), oksid nitrik (NO)

• Monoamina: dopaminë, epinefrinë, histaminë, norepinefrinë, serotoninë;

• Peptidet: β-endorfina, amfetaminat, somatostatina, enkefalina;

• Purinat: adenozina, trifosfati adenozin (ATP)

• Aminet e gjurmimit: oktopaminë, fenetilaminë, tripraminë;

• Molekulat e tjera: acetilkolina, anandamidi

• Jonet e vetme: zinku;

Metoda tjetër kryesore e kategorizimit të neurotransmetuesve është në përputhje me faktin nëse ato janë ngacmuese apo frenuese. Sidoqoftë, nëse një neurotransmetues është ngacmues apo frenues, varet nga receptori i tij. Për shembull, acetilkolina është frenuese e zemrës (ngadalëson rrahjet e zemrës), megjithatë nxitëse e muskujve të skeletit (bën që ajo të tkurret).


Neurotransmetues të rëndësishëm.

Glutamati është neurotransmetuesi më i bollshëm tek njerëzit, i përdorur nga rreth gjysma e neuroneve në trurin e njeriut. Ai është transmetuesi primar ngacmues në sistemin nervor qendror. Një nga funksionet e tij është të ndihmojë në formimin e kujtimeve. Interesant është fakti se, glutamati është toksik për neuronet.  Dëmtimi i trurit ose një trombozë në tru mund të çojë në një tepricë të glutamatit, duke vrarë neuronet.

GABA është transmetuesi kryesor frenues në trurin e vertebroreve. Ai dihmon për të kontrolluar ankthin. Mungesa e këtij neurotransmetuesi mund të rezultojë në kriza.

Glicina është neurotransmetuesi kryesor frenues në palcën kurrizore vertebrore.

Acetilkolina stimulon muskujt, funksionon në sistemin nervor autonom dhe neuronet shqisore si dhe shoqërohet me gjumin REM.  Shumë helme veprojnë duke bllokuar receptorët e acetilkolinës. Disa shembuj përfshijnë botulin, kurare dhe hemlok.  Sëmundja Alzheimer shoqërohet me një rënie të ndjeshme të niveleve të acetilkolinës.

Norepinefrina (noradrenalina) rrit rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut. Ajo është pjesë e sistemit hyperarousal ose përgjigjes akute ndaj stresit. Norepinefrina është gjithashtu e nevojshme për të formuar kujtimet. Gjendja e stresit zbraz "magazinën" e këtij neurotransmetuesi.

Dopamina është një transmetues frenues i lidhur me qendrën e shpërblimit të trurit.  Nivelet e ulëta të dopaminës shoqërohen me ankth social dhe sëmundjen e Parkinsonit, ndërsa dopamina e tepërt lidhet me skizofreninë.

Serotonina është një neurotransmetues frenues i përfshirë në humor, emocione dhe perceptim.  Nivelet e ulëta të serotoninës mund të çojnë në depresion, prirje vetëvrasjeje, çështje të menaxhimit të zemërimit, vështirësi në gjumë, migrenë dhe një dëshirë të shtuar për karbohidratet. Trupi mund të sintetizojë serotoninen nga aminoacidi triptofan, i cili gjendet në ushqime të tilla si qumështi i ngrohtë dhe gjeli i detit.

Endorfina është një klasë e molekulave të ngjashme me opioidet (p.sh., morfina, heroina) për nga struktura dhe funksioni.  Fjala "endorfinë" është shkurtesa e "morfinës endogjene". Endorfina është transmetuese frenuese e shoqëruar me kënaqësinë dhe lehtësimin e dhimbjes. Në kafshët e tjera, këto kimikate ngadalësojnë metabolizmin dhe lejojnë letargjinë.

Burimi: © ThoughtCo

Sunday, January 3, 2021

Nga absurditeti në mizori

            

Kina e viteve '50 ishte një shtet i vërshimeve të shpejta. Pas një fitoreje të fituar me vështirësi, Partia Komuniste mori përsipër të transformote një shoqëri agrare në një utopi moderne komuniste. Për këtë qëllim, kryetari i Partisë Mao Zedong nisi një plan ambicioz i njohur si: Hapi i Madh Përpara. Vizioni i Mao-s për këtë industrializim të shpejtuar kërkonte kolektivizimin e fermave si dhe një tërësi të re politikash. 

U gjykua si e domosdoshme që të eliminiheshin parazitët, e tillë si: mizat që bezdisin njerzit, mushkonjat që shpërndanin malarian si dhe minjtë që përhapnin murtajën. Kjo galeri keqbërësish u përmbyll me një përfshirje që ndoshta nuk pritej: harabeli Euroaziatik i pemëve. Ky zog i padëmshëm nuk përçonte asnjë sëmundje, por hante farat që fermerët kishin mbjellur. Për autoritetet, harabelat kishin rezonancë politike, sepse konsideroheshin si parazitë borgjez që shfrytëzonin proletariatin. Duke i shpallur zogjtë si, "kafshë publike të kapitalizmit", Fushata e Madhe e Harabelave e vitit 1958 kishte si qëllim të zhdukte këta armiq fluturues të revolucionit. 

Gazeta e përditshme "Populli i Pekinit" kërkonte që, "të gjithë duhet t'i bashkohen luftës...ne duhet të ruajmë me tërbimin e revolucionarëve". Kjo thirrje për luftë mori një përgjigje të prerë; vetëm Pekini grumbulloi një forcë prej 3 milion vetave. Ekipet e studentëve me pushkë stërviteshin për të gjuajtur harabelat, çerdhet shkatërroheshin në mënyrë sistematike, vezët thyheshin dhe të vegjlit vriteshin. Të tjerët godisnin tenxheret dhe rezultat i kësaj kakofonie ishte parandalimi i harabelave që të uleshin në tokë. Të shkatërruar nga lodhja, këto krijesa të mjera binin të vdekura në grupe. Zogjtë e tmerruar dyndeshin kudo ku ata mundnin të gjenin një strehë të sigurtë, e tillë si ambasada Polake në Pekin, e cila refuzoi hyrjen e turmave. Por, çdo pushim ishte jetëshkurtër, përsa kohë terreni ishte i rrethuar prej vullnetarëve që godisnin daullet. Pas dy ditësh ku vazhdimisht iu binin daulleve, ambasada Polake u detyrua të përdorte lopata për të pastruar harabelat e vdekur. Brenda një viti kanë qenë vrarë një numër i përllogaritur prej 1 miliardë harabelash, duke i bërë ata praktikisht të zhdukur në Kinë.

Por, arkitektët e këtij shkatërrimi nuk e kishin marrë parasysh rëndësinë e harabelave të thjeshtë. Autopsitë zbuluan se burimi ushqimor kryesor i tyre nuk ishin farat, por insektet. Dhe jo që nuk ishte parashikuar diçka e tillë! Orintologu kryesor në Kinë, Tao-hsin Cheng, kishte paralajmëruar që harabelat janë jetësor për kontrollin e insekteve dëmprurës. Duke u perceptuar si kritikë, ky paralajmërim shkaktoi zemërimin Mao-s dhe Cheng-u u etiketua si "autoritet reaksionar". Ai u dënua me riedukim dhe punë të vështirë. Partia eventualisht iu dorëzua realitetit në vitin 1959, por dëmi ishte bërë. Harabelat ishin i vetmi grabitqar natyror i karkalecave dhe në mungesë të tyre, popullata e insekteve shpërtheu. Përgjatë gjithë vendit, karkalecat shkatërronin rendimentin e të korrave pa u penguar. Kjo kërdi e detyroi Kinën në një ndryshim qëndrimi spektakolarë, aq sa importoi harabela nga Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, rendimenti i të korrave ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, një situatë kjo e përkeqësuar edhe prej politikave të tjera katastrofike të planit Hapi i Madh Përpara. Rezultati pasues i kësaj miopie ishte Uria e Madhe Kineze midis vitit 1959 dhe 1961, një tragjedi kjo që shkaktoi midis 15 dhe 45 milionë humbje jete të pafajshme. 

Kjo humbje tronditëse e jetës është një ilustrim i zymtë i dështimit të mendimit, një testament i asaj se çfarë mund të ndodhë nëse veprimet ndërmerren pa reflektuar se cilat mund të jenë pasojat. Mao dhe bashkëkohësit e tij ishin përfshirë nga silogjizmi i politikanit, "Diçka duhet bërë; kjo është diçka; prandaj, kjo duhet bërë." Por, thjesht të veprosh për hir të vetvetes nuk ka asnjë garanci se veprimi do të ketë përfitime. Ashtu siç na paralajmëron edhe fjala e urtë, rruga për në ferr është shtruar me qëllime të mira; veprimet e marra pak në konsideratë mund të çojnë në mënyrë të paqëllimshme, në rezultatete të llahtarshme. Dëshira e jashtëzakonshme e partisë për modernizim i kishte verbuar përkundrejt rrezikut dhe i bëri ata të shurdhër përballë shqetësimit të shkenctarëve, të cilët kishin nxitur të bëhej kujdes. Uria e Madhe Kineze është një shembull i asaj çka mund të ngjajë kur mendimi kritik bëhet pasmendim. 

Burimi: The Irrational Ape, David Robert Grimes, fq. 7-9. 





Thursday, December 31, 2020

Festivali i Vitit të Ri


Çdo ritual me natyrë kulturore, sociale dhe religjioze i mbajtur në mbarë botën në fillim të vitit të ri njihet si Festivali i Vitit të Ri. Të tilla festivale janë ndër më të vjetrat dhe më universalet. 

Regjistrimi më i hershëm i njohur i një festivali të Vitit të Ri daton rreth vitit 2000 p.e.s në Mesopotami, ku në Babiloni viti i ri ose Akitu fillonte me hënën e re pas ekuinoksit të pranverës (mesi i marsit) dhe në Asiri me hënën e re afër ekuinoksit të vjeshtës (mesi i shtatorit). Për egjiptianët, fenikasit dhe persët viti fillonte me ekuinoksin e vjeshtës (21 shtator), ndërsa për grekët e hershëm me solsticin e dimrit, 21 dhjetor. Në kalendarin republikan Romak viti fillonte në 1 Mars, por pas vitit 153 p.e.s, data zyrtare ishte 1 janari, e cila vazhdoi edhe në kalendarin Julian të vitit 46 p.e.s.

Në kohën e mesjetës së hershme, shumica e Evropës së krishterë e konsideronte 25 Marsin, Festën e Lajmërimit, si fillimin e vitit të ri, megjithëse Dita e Vitit të Ri festohej më 25 Dhjetor në Anglinë Anglo-Saksone. William Pushtuesi vendosi që viti të fillonte më 1 janar, por edhe Anglia më vonë u bashkua me pjesën tjetër të krishterimit dhe miratoi 25 Marsin. Kalendari Gregorian, i miratuar në 1582 nga Kisha Katolike Romake, rivendosi 1 Janarin si Ditën e Vitit të Ri dhe shumica e vendeve evropiane gradualisht ndoqi të njëjtin shembull: Skocia, në vitin 1660;  Gjermania dhe Danimarka, rreth vitit 1700;  Anglia, në vitin 1752; dhe Rusia, në vitin 1918.

Ato fe dhe kultura që përdorin një kalendar hënor kanë vazhduar të mbajnë si fillimin e vitit një ditë të ndryshme nga 1 janari. Në kalendarin fetar hebre, për shembull, viti fillon në Rosh Hashana, ditën e parë të muajit Tishri, i cili bie midis 6 shtatorit dhe 5 tetorit. Kalendari musliman normalisht ka 354 ditë në çdo vit, me vitin e ri që fillon me muajin Muharrem. Viti i Ri Kinez festohet zyrtarisht për një muaj duke filluar në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Kulturat e tjera aziatike e festojnë këtë ditë në periudha të ndryshme të vitit. Në Indinë jugore, tamilët (grup etno-linguistik në Indi) e festojnë vitin e ri në solsticin e dimrit; Tibetianët e festojnë këtë ditë në shkurt; dhe në Tajlandë dita festohet në Mars ose në Prill. Japonezët kanë një festë tre-ditore  nga 1-3 janar.

Ishin Romakët ata që i vendosën emrin muajit Janar sipas Zotit të tyre të quajtur Janus, i cili kishte dy fytyra, njëra shikonte pas ndërsa tjetra përpara. 

Wednesday, December 30, 2020

A mundet që truri i rritur në laborator të bëhet i ndërgjegjshëm?


Disa eksperimente po ngrejnë pyetje se nëse grumbujt e  qelizave dhe tru të patrupëzuar mund të bëhen të ndërgjegjshëm dhe si shkencëtarët do t'a dijnë nëse bëhen të tillë. 

Në laboratorin e Alysson Muotri, qindra tru njerëzorë në miniaturë, me madhësinë e farave të susamit, notojnë në enët laboratorike, duke shkaktuar aktivitet elektrik.

Këto struktura të vogla, të njohura si organoide të trurit, janë rritur nga qelizat burimore të njeriut dhe janë bërë një pajisje e njohur në shumë laboratorë që studiojnë vetitë e trurit. Muotri, një neuroshkencëtar në Universitetin e Kalifornisë, San Diego (UCSD), ka gjetur disa mënyra të pazakonta për të paraqitur idete e tija. Ai ka lidhur organoide me robotët që ecin, modifikoi gjenomet e tyre me gjenet e Neandertalit, i nisi në orbitë brenda Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar dhe i përdori ato si modele për të zhvilluar më shumë sisteme të inteligjencës artificiale të ngjashëm me atë njerëzore. Ashtu si shumë shkencëtarë, Muotri përkohësisht ka synuar studimin e COVID-19, duke përdorur organoide të trurit për të provuar se si ilaçet performojnë kundër koronavirusit SARS-CoV-2.

Por, një eksperiment ka tërhequr më shumë shqyrtime se të tjerët. Në gusht 2019, grupi i Muotrit publikoi një artikull në revistën "Cell Stem Cell" duke raportuar krijimin e organoideve të trurit njerëzor që prodhuan valë të koordinuara të aktivitetit, që i ngjajnë atyre që shihen tek foshnjat e lindura parakohe. Valët vazhduan për muaj të tërë para se ekipi të mbyllte eksperimentin.

Ky lloj i aktivitetit elektrik i koordinuar në të gjithë trurin është një nga vetitë e një truri të ndërgjegjshëm. Gjetja e ekipit bëri që eticienet dhe shkencëtarët të ngrenë një mori pyetjesh morale dhe filozofike nëse organoidet duhet të lejohen të arrijnë këtë nivel të zhvillimit të përparuar, nëse organoidet e vetëdijshme mund të kenë të drejtën e trajtimit të veçantë dhe të drejtat që nuk u janë dhënë grupeve të tjera të qelizave  dhe për mundësinë që vetëdija të krijohet nga e para.

Ideja e trurit pa trup dhe të vetëdijshëm ishte tashmë në mendjet e shumë neuroshkencëtarëve dhe bioeticinëve. Vetëm disa muaj më parë, një ekip në Universitetin Yale në New Haven, Connecticut, njoftoi se të paktën pjesërisht i kishte rikthyer jetën trurit të derrave që ishin vrarë orë më parë. Duke hequr trurin nga kafkat e derrave dhe duke i infuzuar me një koktej kimik, studiuesit ringjallën funksionet qelizore të neuroneve dhe aftësinë e tyre për të transmetuar sinjale elektrike.

Eksperimente të tjera, të tilla si përpjekjet për të shtuar neuronet njerëzore në trurin e miut, janë duke ngritur pikëpyetje, me disa shkencëtarë dhe eticienë që argumentojnë se këto eksperimente nuk duhet të lejohen.

Studimet kanë krijuar bazën për një debat midis atyre që duan të shmangin krijimin e vetëdijes dhe atyre që i shohin organoidet komplekse si një mjet për të studiuar sëmundjet shkatërruese të njeriut. Muotri dhe shumë neuroshkencëtarë të tjerë mendojnë se organoidet e trurit të njeriut mund të jenë çelësi për të kuptuar disa kushte unike të njeriut si autizmi dhe skizofrenia, të cilat është e pamundur të studiohen në detaje në modelet e miut. Për të arritur këtë qëllim, thotë Muotri, ai dhe të tjerët mund të kenë nevojë të krijojnë qëllimisht vetëdije.

Studiuesit tani po bëjnë thirrje për një sërë udhëzimesh, të ngjashme me ato të përdorura në kërkimet mbi kafshët, për të drejtuar përdorimin njerëzor të organoideve të trurit dhe eksperimente të tjera që mund të arrijnë vetëdijen. Në qershor, Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë të SH.B.A.-së filluan një studim me synimin për të përshkruar çështjet e mundshme ligjore dhe etike që lidhen me organoide të trurit dhe hibridet e njerëzve dhe kafshëve.

Shqetësimet për trurin e rritur në laborator gjithashtu kanë nxjerrë në pah një pikë paqartësie: neuroshkencëtarët nuk kanë asnjë mënyrë të dakordësuar për të përcaktuar dhe matur vetëdijen. Pa një përkufizim, eticienët shqetësohen se do të jetë e pamundur të ndalosh një eksperiment para se të kapërcejë ndonjë kufi.

Sasia aktuale e eksperimenteve mund ta shtyjnë detyrimisht përpara çështjen. Nëse shkencëtarët binden se një organoid ka fituar vetëdije, ata mund të kenë nevojë të nxitojnë dhe të bien dakord mbi një teori se si ka ndodhur kjo, thotë Anil Seth, një neuroshkencëtar kognitiv në Universitetin e Sussex afër Brighton, në Britaninë e Madhe.  Por, thotë ai, nëse teoria e favorizuar e një personi e konsideron organoidin të vetëdijshëm ndërsa tjetri jo, çdo bindje se vetëdija është arritur zhduket. "Bindja kryesisht varet nga ajo teori në të cilën ne besojmë. Ky është një argument rrethor".

Gjendja e vetëdijes

Krijimi i një sistemi të vetëdijshëm mund të jetë shumë më i lehtë sesa përkufizimi i tij.  Studiuesit dhe klinicistët e përcaktojnë vetëdijen në shumë mënyra të ndryshme për qëllime të ndryshme, por është e vështirë të sintetizohen ato në një përkufizim të hollësishëm operacional që mund të përdoret për të vendosur mbi statusin e një truri të rritur në laborator.

Mjekët në përgjithësi vlerësojnë nivelin e vetëdijes tek pacientët në një gjendje vegjetative në bazë të faktit nëse personi reagon në përgjigje të dhimbjes ose stimujve të tjerë. Për shembull, duke përdorur leximet e elektroencefalogramit (EEG), studiuesit mund të masin se si truri përgjigjet kur zaptohet me një impuls elektrik. Një tru i vetëdijshëm do të shfaqë një aktivitet elektrik shumë më kompleks dhe të paparashikueshëm sesa ai që është pa ndjenja, i cili përgjigjet me modele të thjeshta dhe të rregullta.

Por teste të tilla nuk mund të hetojnë në mënyrë adekuate nëse një personi i mungon vetëdija. Në studimet e imazhit të trurit për njerëzit që janë në gjendje kome ose vegjetative, shkencëtarët kanë treguar se individët që nuk reagojnë mund të shfaqin ndonjë aktivitet të trurit që të kujton vetëdijen, të tilla si aktiviteti në zonat motorike kur u kërkohet të mendojnë për të ecur.

Në çdo rast, testet standarde mjekësore për vetëdijen janë të vështira për t'u zbatuar në qelizat e trurit të rritura në enët laboratorike, ose trurin e kafshëve të hequr prej trupit.  Kur Muotri sugjeroi që modelet e tij të organoideve që po jepnin shenja, ishin po aq komplekse sa ato që shiheshin tek foshnjat e lindura parakohe, njerëzit nuk ishin të sigurt se çfarë të bënin me këtë rast. Disa studiues nuk e konsiderojnë veprimtarinë e trurit në një foshnjë të lindur parakohe të jetë aq komplekse sa të klasifikohet si e vetëdijshme. Dhe organoidet nuk mund të reagojnë prej një stimuli të dhimbshëm, kështu që ata nuk do të kalonin testin klinik për vetëdijen.

 Në të kundërt, ka shumë më shumë gjasa që një tru i padëmtuar nga një derr i sapo vrarë të ketë strukturat e nevojshme për vetëdijen, si dhe rrjetin elektrik të krijuar nga kujtimet dhe përvojat që kafsha kishte ndërsa ishte gjallë. "Duke menduar për një tru që është mbushur me të gjitha këto, është e vështirë të imagjinohet se truri do të jetë bosh", thotë Jeantine Lunshof, një filozofe dhe neuroeticiene në Universitetin e Harvardit në Cambridge, Massachusetts. Sjellja e një truri të vdekur përsëri në një pamje të jetës, siç bëri ekipi i Yale, mund të ketë potencialin për të rivendosur një shkallë të vetëdijes, megjithëse shkencëtarët u përpoqën mundimshëm për ta shmangur këtë duke përdorur agjentë kimikë bllokues që parandalonin aktivitetin në të gjithë trurin.

Studiuesit pajtohen se ata duhet të marrin seriozisht mundësitë e ngritura nga këto studime. Në tetor 2019, UCSD mbajti një konferencë me rreth një duzinë neuroshkencëtarësh dhe filozofësh, së bashku me studentë dhe anëtarë të publikut, me synimin për të krijuar dhe botuar një kornizë etike për eksperimentet e ardhshme.  Por punimi është vonuar për muaj, pjesërisht për shkak se disa nga autorët nuk mund të bien dakord mbi kërkesat bazike për ndërgjegjen.

Gjithnjë e më komplekse.

Pothuajse të gjithë shkencëtarët dhe eticienët pajtohen se deri më tani, askush nuk ka krijuar vetëdije në laborator. Por ata po pyesin veten se çfarë duhet të kenë kujdes dhe se cilat teori të ndërgjegjes mund të jenë më të rëndësishme. Sipas një ideje të quajtur teori e informacionit të integruar, për shembull, vetëdija është një produkt se sa dendur rrjetet e neuroneve janë të lidhura në të gjithë trurin. Sa më shumë neurone që ndërveprojnë me njëri-tjetrin, aq më e lartë është shkalla e vetëdijes, një sasi kjo e njohur si phi. Nëse phi është më i madh se zero, organizmi konsiderohet i vetëdijshëm.

Shumica e kafshëve arrijnë këtë nivel,sipas teorisë. Christof Koch që është president i Institutit Allen për Shkencat e Trurit në Seattle, Uashington, dyshon se ndonjë organoid ekzistues mund ta arrijë këtë prag, por e pranon një më i avancuar mundet.

Teori të tjera konkurruese të ndërgjegjes kërkojnë të dhëna hyrëse shqisore ose modele elektrike të koordinuara nëpër rajone të shumta të trurit. Një ide e njohur si teoria globale e hapësirës së punës, për shembull, paraqet që  korteksi parafrontal i trurit funksionon si kompjuter, duke përpunuar të dhënat hyrëse shqisore dhe duke i interpretuar ato për të formuar një sens të qenies. Për shkak se organoidet nuk kanë një korteks parafrontal dhe nuk mund të marrin të dhëna nëpërmjet shqisave, ata nuk mund të bëhen të vetëdijshëm. "Pa të dhënat hyrëse dhe dalëse, neuronet mund të flasin me njëri-tjetrin, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht diçka si mendimi njerëzor", thotë Madeline Lancaster, një biologe zhvillimore në Universitetin e Kembrixhit, Britani e Madhe.

Të lidhësh organoidet me organet, megjithatë, mund të jetë një detyrë mjaft e thjeshtë. Në vitin 2019, ekipi i Lancaster rriti organoide të trurit njerëzor pranë shtyllës kurrizore të një miu dhe muskujve të shpinës. Kur nervat nga organoidi njerëzor u lidhen me shtyllën kurrizore, muskujt filluan të tkurren spontanisht.

Shumica e organoideve janë ndërtuar për të riprodhuar vetëm një pjesë të trurit, korteksin. Por, nëse ato zhvillohen mjaftueshëm gjatë dhe me llojet e duhura të faktorit të rritjes, qelizat burimore njerëzore rikrijojnë në mënyrë spontane shumë pjesë të ndryshme të trurit, të cilat më pas fillojnë të koordinojnë aktivitetin e tyre elektrik. Në një studim të botuar në vitin 2017, biologia molekulare Paola Arlotta në Universitetin e Harvardit bashkoi qelizat burimore për t’i zhvilluar në organoide të trurit të përbërë nga shumë lloje të ndryshme të qelizave, duke përfshirë edhe qelizat e ndjeshme ndaj dritës si ato që gjenden në retinë. Kur ishin të ekspozuar ndaj dritës, neuronet në organoide filluan të reagonin. Por fakti që këto qeliza ishin aktive nuk do të thotë që organoidet mund të shohin dhe përpunojnë informacionin vizual, thotë Arlotta. Thjesht do të thotë se ato mund të formojnë qarqet e nevojshme.

 Arlotta dhe Lancaster mendojnë se organoidet e tyre janë shumë primitive për të qenë të vetëdijshëm, sepse u mungojnë strukturat anatomike të nevojshme për të krijuar modele komplekse të EEG (elektroencefalograme). Gjithsesi, Lancaster pranon që për organoidet e përparuara, kjo varet nga përkufizimi. "Nëse keni menduar se një mizë është e vetëdijshme, mund të përfytyrohet që edhe një organoid mund të jetë", thotë ajo.

Sidoqoftë, Lancaster dhe shumica e studiuesve të tjerë mendojnë se një tru derri i rivitalizuar do të kishte shumë më shumë gjasa të arrinte vetëdijen sesa një organoid. Ekipi që bëri punën në trurin e derrit, i udhëhequr nga neuroshkencëtari Nenad Sestan, po përpiqej të gjente mënyra të reja për të risjellur në jetë organet dhe jo për të krijuar vetëdije. Studiuesit ishin në gjendje të aktivizonin neurone individuale ose në grupe  dhe ishin të kujdesshëm për të provuar dhe shmangur krijimin e valëve të trurit të përhapura. Sidoqoftë, kur ekipi i Sestan pa atë që dukej si aktivitet i koordinuar i EEG në një nga trurët, ata menjëherë ndaluan projektin. Edhe pasi një specialist i neurologjisë konfirmoi që modeli nuk ishte në përputhje me vetëdijen, grupi anestetizoi trurin si një masë paraprake.

Sestan gjithashtu kontaktoi Institutin Kombëtar të Shëndetit të SH.B.A.-së (NIH) për udhëzime se si të veprohet. Paneli neuroetik i agjencisë, duke përfshirë Lunshof dhe Insoo Hyun, një bioeticien në Universitetin Case Western në Cleveland, Ohio, vlerësoi punën dhe ra dakord që Sestan duhet të vazhdojë të anestetizojë trurin. Por, paneli nuk ka vendosur rregullore më të përgjithshme dhe nuk kërkon në mënyrë rutinë një vlerësim të bioetikës për propozimet organoide, sepse anëtarët e tij mendojnë se vetëdija nuk ka gjasa të lindë. As "NIH" nuk ka arritur në një përkufizim të vetëdijes. "Është kaq fleksibël, të gjithë pretendojnë të kenë kuptimin e tyre", thotë Hyun. "Nëse nuk është e qartë që po flasim për të njëjtën gjë, atëherë është një problem i madh për diskursin."

Përkufizime të paqarta.

Disa mendojnë se është e kotë të përpiqesh të identifikosh vetëdijen në çdo lloj truri të ruajtur në laborator. "Është thjesht e pamundur të thuash gjëra kuptimplota rreth asaj që këto tufa të qelizave të trurit mund të mendojnë ose perceptojnë, duke qenë se nuk e kuptojmë vetëdijen", thotë Steven Laureys, një neurolog në Universitetin e Liège në Belgjikë. "Ne nuk duhet të jemi shumë arrogantë" Studimi i mëtejshëm duhet të vazhdojë me shumë kujdes, thotë ai.

Laureys dhe të tjerët theksojnë se përvoja e një organoidi ka të ngjarë të jetë shumë e ndryshme nga ajo e një foshnje të lindur parakohe, një njeriu të rritur ose e një derri dhe jo direkt e krahasueshme. Për më tepër, strukturat në një organoid mund të jenë shumë të vogla për të matur me saktësi aktivitetin e tyre, dhe ngjashmëritë midis modeleve EEG në organoide dhe në trurin e foshnjës së lindur parakohe mund të jenë të rastësishme. Shkencëtarët e tjerë që punojnë në organoide të trurit gjithashtu bëjnë thirrje për kujdes kundër bërjes së supozimeve për lidhjen midis modeleve të aktivitetit në organoide dhe vetëdijes.

"Ky sistem nuk është truri i njeriut", thotë Sergiu Pasca, një neuroshkencëtar në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni.  "Ata janë bërë nga neuronet, neuronet kanë aktivitet elektrik, por ne duhet të mendojmë me kujdes se si t'i krahasojmë ato."

 Muotri dëshiron që sistemet e tij organoide të jenë të krahasueshme, në të paktën disa mënyra me trurin e njeriut, në mënyrë që ai të mund të studiojë çrregullimet njerëzore dhe të gjejë për to trajtime. Motivimi i tij është personal: djali i tij 14-vjeçar ka epilepsi dhe autizëm. "Ai lufton shumë në jetë", thotë Muotri. Organoidet e trurit janë një rrugë premtuese, sepse ato rikapitulojnë fazat më të hershme të rrjetit elektrik të trurit, të cilat janë të pamundura të studiohen ndërsa zhvillohet një embrion njerëzor. Por studimi i çrregullimeve të trurit njerëzor pa një tru plotësisht funksional, thotë ai, është si të studiosh një pankreas që nuk prodhon insulinë. “Për të arritur atje, më duhet një model organoid i trurit që me të vërtetë i ngjan një truri njerëzor. Mund të më duhet një organoid që bëhet i vetëdijshëm.”

 Muotri thotë se ai është agnostik në lidhje me atë se cilin përkufizim të përdorë për të vendosur nëse një organoid arrin vetëdijen.  Në një moment, thotë ai, organoidet mund të jenë në gjendje të ndihmojnë studiuesit t'i përgjigjen pyetjeve se si truri prodhon gjendje të vetëdijshme. Për shembull, matematikani Gabriel Silva në UCSD po studion aktivitetin nervor në organoidet e Muotrit për të zhvilluar një algoritëm që përshkruan se si truri gjeneron vetëdijen. Qëllimi i projektit të tij, i cili financohet pjesërisht nga Microsoft, është të krijojë një sistem artificial që funksionon si vetëdija njerëzore.

Për momentin, nuk ka rregulla në Shtetet e Bashkuara ose në Evropë që do të ndalonin një studiues të krijonte vetëdije. Paneli i akademive Kombëtare planifikon të lëshojë një raport në fillim të vitit të ardhshëm, duke përshkruar hulumtimet e fundit dhe duke bërë një gjykim nëse rregullat janë të nevojshme. Anëtarët planifikojnë të vlerësojnë pyetje të tilla si, nëse duhet të marrin pëlqimin e njerëzve për t'i zhvilluar qelizat e tyre në organoide të trurit dhe si të studiojnë dhe asgjësojnë organoidet në mënyrë njerëzore. Shoqëria Ndërkombëtare për Kërkimin e Qelizave Burimore po punon gjithashtu në udhëzimet mbi organoidet, por nuk po e trajton vetëdijen si çështje sepse nuk mendon se shkenca të ketë arritur ende atje.

 Insoo Hyun thotë se paneli i neuroetikës në NIH (National Institute of Health) nuk ka parë ende ndonjë propozim për të krijuar organoide komplekse dhe të ndërgjegjshme që do të kërkonin udhëzime të reja. Dhe Muotri thotë se ai nuk njeh ndonjë tjetër që qëllimisht të përpiqet të krijojë organoide të vetëdijshme edhe pse një organoid mjaft kompleks mundet, sipas disa përkufizimeve, të arrijë atë status aksidentalisht.

Gjithsesi, Muotri dhe të tjerët thonë se do të mirëpresin disa udhëzime. Këto mund të përfshijnë detyrimin e shkencëtarëve për të justifikuar numrin e organoideve të trurit njerëzor që ata përdorin, t'i përdorin ato vetëm për kërkime që nuk mund të bëhen në ndonjë mënyrë tjetër, të kufizojnë sasinë e dhimbjes që mund t'u shkaktohet atyre dhe për t'i asgjësuar ato në mënyrë njerëzore  .

Të pasurit e një këshille të tillë para kohe do të ndihmonte studiuesit të peshojnë kostot dhe përfitimet e krijimit të entiteteve të ndërgjegjshme. Dhe shumë studiues theksojnë se eksperimente të tilla kanë potencialin të japin njohuri të rëndësishme. "Ka njerëz me të vërtetë të vetëdijshëm me çrregullime neurologjike pa trajtime", thotë Lancaster. "Nëse do të ndërprisnim të gjithë këtë kërkim për shkak të eksperimentit mendor filozofik," shton ajo, "kjo do të ishte shumë e dëmshme për qeniet njerëzore aktuale që kanë nevojë për ndonjë trajtim të ri."

Sidoqoftë, trajtimet mund të testohen në organoide truri të bëra duke përdorur qelizat burimore të miut, ose në modele të rregullta të kafshëve. Eksperimente të tilla mund të informojnë diskutime rreth përdorimit etik të organoideve njerëzore. Për shembull, Hyun do të dëshironte që studiuesit të krahasonin modelet EEG të organoideve të trurit të miut me ato të minjve të gjallë, të cilat mund të tregojnë se sa mirë organoidet njerëzore rikapitulojnë trurin e njeriut.

Nga ana e tij, Muotri sheh pak ndryshim midis punës në një organoid njerëzor ose një miu laboratorik. "Ne punojmë me modele të kafshëve që janë të vetëdijshme dhe nuk ka probleme", thotë ai. "Ne kemi nevojë për të ecur përpara dhe nëse rezulton se ata bëhen të vetëdijshëm, të jem i sinqertë nuk e shoh si një punë të madhe."

Burimi: © Nature 

Wednesday, December 23, 2020

Macja afrikane me putra të zeza.


Me një gjatësi nga rreth 20-25 cm ajo ka një pamje të adhurueshme e megjithatë pas pamjes së jashtme sharmante, fshihet një vrasëse e zhdërvjellët.

E njohur formalisht me emrin "felis nigripes" kjo lloj maceje është në fakt macja më e vogël në Afrikë. Ajo peshon mesatarisht nga rreth 1.1 kg deri në 1.9 kg ose afërsisht 200 herë më pak sesa një luan tipik. Pavarësisht përmasave të vogla, kjo specie është një prej felinëve më vdekjeprurës në botë. Duke kapur brenda një nate të vetme më shumë pre sesa kap një leopard në 6 muaj.  Por, macen afrikane me putra të zeza është e vështirë t'a gjurmosh nëpërmjet kamerave, sepse ajo priret të zhduket nëpër barin e lartë.

Sipas listës së kuqe të bërë nga IUCN ( International Union for Conservation of Nature and Natural Resources) për speciet e kërcënuara nga zhdukja, macja me putra të zeza klasifikohet si vulnerabël, që do të thotë se është në një rrezik të madh në jetën e egër. Në mënyrë të pabesueshme, kërkimet e mëparshme shkencore kanë treguar që shkalla e suksesit të gjuetisë së saj është 60 përqind. Për krahasim, luanët kanë sukses në kapjen e viktimave të tyre në vetëm 20 deri në 25 përqind të kohës. Ajo vret mesatarisht 10 deri në 14 brejtës dhe zogj të vegjël. Dhe ka një metabolizëm të shpejtë aq sa duhet të gjuajë pothuajse pa ndërprerje.

Burimi: Smithsonian

Monday, December 7, 2020

Jo vetëm hardhucat: edhe aligatorët mund të rirrisin bishtat e tyre gjithashtu, zbulon studimi i ri.


Një ekip studiuesish nga Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe Departamenti i Luizianës për Jetën e Egër dhe Peshkimin kanë zbuluar se alligatorët e rinj kanë aftësinë të rirrisin bishtat e tyre deri në rreth 18% të gjatësisë së tyre totale të trupit. Ata hamendësojnë se rirritja e bishtit të tyre u jep aligatorëve një avantazh funksional në habitatet e tyre të errëta ujore.

Ekipi kombinoi teknikat e përparuara të imazhit me metodat e demonstruara të studimit të anatomisë dhe organizimit të indeve për të shqyrtuar strukturën e këtyre bishtave të rirritur. Ata zbuluan se këta bishta të rinj ishin struktura komplekse, me një skelet qendror të përbërë nga kërc i rrethuar prej një indi lidhës që ishte i ndërthurur me enët e gjakut dhe nervat.  Gjetjet e tyre janë botuar në revistën Scientific Reports.

"Ajo që e bën interesant aligatorin, përveç madhësisë së tij, është se bishti i rirritur shfaq shenja si të rigjenerimit ashtu edhe të shërimit të plagës brenda së njëjtës strukturë," tha Cindy Xu, një e sapodiplomuar PhD nga programi i biologjisë molekulare dhe qelizore i Shkollës së Shkencave të Jetës të ASU si dhe autorja kryesore e punimit.

"Rirritja e kërcit, enëve të gjakut, nervave dhe luspave ishte në përputhje me studimet e mëparshme të rigjenerimit të bishtit të hardhucës të bëra nga laboratori ynë dhe të tjerë", tha ajo. "Sidoqoftë, ne u befasuam kur zbuluam ind lidhor të ngjashëm me indet e plagëve (janë inde fibroze që formohen pas shkatërrimit të indeve normale pas një sëmundjeje, plage ose operacioni) në vend të muskujve skeletorë në bishtin e rigjeneruar të aligatorit. Studimet e ardhshme krahasuese do të jenë të rëndësishme për të kuptuar pse kapaciteti rigjenerues është i ndryshueshëm midis grupeve të ndryshme të zvarranikëve dhe kafshëve"

"Spektri i aftësive rigjeneruese nëpër specie është magjepsës, padyshim që ka një kosto të lartë për prodhimin e muskujve të rinj," tha Jeanne Wilson-Rawls, bashkëaurtore kryesore si dhe profesoreshë e asociuar në Shkollën e Shkencave të Jetës të ASU.

Alligatorët, hardhucat dhe njerëzit i përkasin të gjithë një grupi kafshësh me shtyllë kurrizore të quajtur amniotë. Përveç studimeve të mëparshme në lidhje me aftësinë e hardhucave për të rigjeneruar bishtat e tyre, zbulimi i një bishti të rirritur kaq të madh dhe kompleks tek aligatorët, siguron informacion të ri dhe të konsiderueshëm në lidhje me procesin rigjenerues në klasifikimin më të madh të kafshëve të amniotave.

Kjo gjithashtu çon në pyetje të reja në lidhje me historinë e këtyre aftësive, dhe mundësitë për të ardhmen.

"Paraardhësit e aligatorëve dhe dinosaurëve dhe zogjve u ndanë rreth 250 milion vjet më parë," tha bashkëautori Kenro Kusumi, profesor dhe drejtor i Shkollës së Shkencave të Jetës të ASU.

"Gjetja jonë se aligatorët kanë mbajtur makinerinë qelizore për të rigjeneruar bishtin kompleks ndërsa zogjtë e kanë humbur atë aftësi, ngre pyetjen se kur gjatë evolucionit kjo aftësi ka humbur. A ka fosile të dinozaurëve, prej të cilëve zogjtë e kanë prejardhjen, që të kenë bishta të rirritur? Ne nuk kemi gjetur ndonjë provë të kësaj deri më tani në literaturën e botuar ".

Studiuesit shpresojnë se gjetjet e tyre do të ndihmojnë në zbulimin e qasjeve të reja terapeutike për riparimin e lëndimeve dhe trajtimin e sëmundjeve të tilla si artriti.

"Nëse e kuptojmë se si kafshë të ndryshme janë në gjendje të riparojnë dhe rigjenerojnë indet, kjo njohuri mund të shfrytëzohet për të zhvilluar terapi mjekësore", tha Rebecca Fisher, bashkëautore dhe profesoreshë në Universitetin e Arizonës, Kolegji i Mjekësisë.

Burimi: © Arizona State University 

Wednesday, December 2, 2020

Një guidë për llojet e ndryshme të patogjenëve


Patogjenët janë organizma mikroskopikë që shkaktojnë ose kanë potencialin të shkaktojnë sëmundje. Lloje të ndryshme të patogjenëve përfshijnë bakteret, viruset, protistët (si psh ameba, plazmodiumi, etj.), fungi, krimbat parazitarë (si psh krimbat e sheshtë dhe krimbat e rrumbullakët) dhe prionet. Ndërsa këta patogjenë shkaktojnë një shumëllojshmëri sëmundjesh duke filluar nga të voglat deri te kërcënueset për jetën, është e rëndësishme të theksohet se jo të gjithë mikrobet janë patogjenë. Në fakt, trupi i njeriut përmban mijëra lloje bakteresh, kërpudhash dhe protozoa që janë pjesë e florës së tij normale. Këto mikrobe janë të dobishme dhe të rëndësishme për operimin e duhur të aktiviteteve biologjike siç janë tretja dhe për funksionimin e sistemit imunitar. Ato shkaktojnë probleme vetëm kur kolonizojnë vendet në trup që zakonisht duhet të jenë pa mikrobe ose kur sistemi imunitar është i kompromentuar. Përkundrazi, organizmat vërtetë patogjenë kanë një qëllim të vetëm: të mbijetojnë dhe të shumohen me çdo kusht. Patogjenët përshtaten posaçërisht për të infektuar një trup bujtës, për të anashkaluar përgjigjet imune të bujtësit, për t’u riprodhuar brenda tij dhe për t'u larguar prej tij që të transmetohet te një bujtës tjetër.

1. Si transmetohen patogjenët?


Patogjenët mund të transmetohen në mënyrë direkte ose indirekte.  Transmetimi i drejtpërdrejtë përfshin përhapjen e patogjenëve nga kontakti i drejtpërdrejtë nga trupi në trup. Transmetimi i drejtpërdrejtë mund të ndodhë nga nëna tek fëmija si shembull mund të sjellim HIV-in, Zika-n dhe sifilis-in. Ky lloj transmetimi i drejtpërdrejtë (nga nëna te fëmija) njihet gjithashtu si transmetim vertikal. Llojet e tjera të kontaktit të drejtpërdrejtë përmes të cilave mund të përhapen patogjenët përfshijnë prekjen (MRSA), puthjet (virusi herpes i thjeshtë) dhe kontaktet seksuale (virusi i papilomës njerëzore ose HPV).  Patogjenët gjithashtu mund të përhapen me anë të transmetimit indirekt, i cili përfshin kontaktin me një sipërfaqe ose substancë që është e kontaminuar me patogjenë. Ai gjithashtu përfshin kontaktin dhe transmetimin përmes një kafshe ose thumbit të një insekti. Llojet e transmetimit indirekt përfshijnë:

• Ajrore: patogjeni nxirret jashtë (zakonisht nga teshtitja, kollitja, qeshja, etj.), mbetet pezull në ajër dhe thithet ose bie në kontakt me membranat e frymëmarrjes të një personi tjetër.

• Pikat: patogjenët që përmbahen në pikat e lëngut të trupit (pështymë, gjak, etj.) kontaktojnë një person tjetër ose kontaminojnë një sipërfaqe. Pikat e pështymës përhapen më së shpeshti përmes teshtitjes ose kollitjes.

• Përmes ushqimit: transmetimi ndodh përmes ngrënies së ushqimit të kontaminuar ose nga zakone të papërshtatshme të pastrimit pas trajtimit të ushqimit të kontaminuar.

• Përmes ujit: patogjeni përhapet nga konsumi ose kontakti me ujë të kontaminuar.

• Zootonike: patogjeni përhapet nga kafshët tek njerëzit. Kjo përfshin edhe thumbin e insekteve që e transmetojnë sëmundjen nëpërmjet pickimit ose të ushqyerit, si dhe përmes transmetimit nga kafshët e egra ose kafshët shtëpiake tek njerëzit.

Ndërsa nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar plotësisht transmetimin e patogjenit, mënyra më e mirë për të minimizuar shanset për të marrë një sëmundje patogjene është duke mbajtur një higjienë të mirë. Kjo përfshin larjen e duhur të duarve pas përdorimit të banjës, trajtimin e ushqimeve të papërpunuara, trajtimin e kafshëve shtëpiake ose jashtëqitjeve të kafshëve shtëpiake si dhe kur bie në kontakt me sipërfaqet që janë ekspozuar nga mikrobet.

Llojet e patogjenëve

Patogjenët janë shumë të larmishëm dhe përbëhen edhe nga organizma prokariotikë dhe nga ato eukariotikë. Patogjenët më të njohur zakonisht janë bakteret dhe viruset. Ndërsa të dy janë të aftë të shkaktojnë sëmundje infektive, bakteret dhe viruset janë shumë të ndryshëm.  Bakteret janë qeliza prokariote që shkaktojnë sëmundje duke prodhuar toksina. Viruset janë grimca të acidit nukleik (ADN ose ARN) të mbështjella me një proteinë. Ata shkaktojnë sëmundje duke marrë nën kontroll makinerinë e qelizave të bujtësit të tyre për të bërë kopje të shumta të virusit. Kjo veprimtari shkatërron qelizën pritëse gjatë procesit. Patogjenët eukariotikë përfshijnë fungi, protistët protozoarë dhe krimba parazitarë.

Prioni është një lloj unik i patogjenit që nuk është aspak organizëm, por proteinë.  Proteinat Prion kanë të njëjtat sekuenca aminoacide si proteinat normale por janë palosur në një formë anormale. Kjo formë e ndryshuar i bën proteinat prion infektive pasi ato ndikojnë që proteinat e tjera normale të marrin spontanisht një formë infektive. Prionet zakonisht ndikojnë në sistemin nervor qendror. Ata priren të grumbullohen së bashku në indet e trurit duke rezultuar në përkeqësim të neuroneve dhe trurit. Prionet shkaktojnë sëmundjen fatale neurodegjenerative të sëmundjes Creutzfeldt-Jakob (CJD) te njerëzit. Ata gjithashtu shkaktojnë encefalopati spongiforme të gjedhit (BSE) ose sëmundje të lopës së çmendur në bagëti.

2. Bakteret


Bakteret janë përgjegjëse për një numër infeksionesh që variojnë nga asimptomatike e deri te simptomat e papritura dhe ato intensive. Sëmundjet që sjellin bakteret patogjene janë zakonisht rezultat i prodhimit të toksinave (Endotoksinat, Ekzotoksinat).

• Endotoksinat janë përbërës të murit qelizor bakterial që lirohen me vdekjen dhe përkeqësimin e bakterit. Këto toksina shkaktojnë simptoma duke përfshirë temperaturë, ndryshime të presionit të gjakut, të dridhura, shok septik, dëmtime të organeve dhe vdekje.

• Ekzotoksinat prodhohen nga bakteret dhe lirohen në mjedisin e tyre. Tri lloje të ekzotoksinave përfshijnë citotoksinat, neurotoksinat dhe enterotoksinat. Citotoksinat dëmtojnë ose shkatërrojnë lloje të caktuara të qelizave të trupit. Bakteret Streptococcus pyogenes prodhojnë citotoksina të quajtura eritrotoksina që shkatërrojnë qelizat e gjakut, dëmtojnë kapilarët dhe shkaktojnë simptomat që lidhen me sëmundjen e "ngrënies së mishit".  Neurotoksinat janë substanca helmuese që veprojnë në sistemin nervor dhe në tru. Bakteret Clostridium botulinum lëshojnë një neurotoksinë që shkakton paralizë të muskujve.  Enterotoksinat ndikojnë në qelizat e zorrëve duke shkaktuar të vjella dhe diarre të forta. Speciet bakteriale që prodhojnë enterotoksina përfshijnë Bacillus, Clostridium, Escherichia, Staphylococcus dhe Vibrio.

3. Viruset


Viruset janë patogjenë unikë për arsye se nuk janë qeliza por segmente të ADN-së ose ARN-së të mbështjella brenda një kapsidi (zarf proteinash). Ato shkaktojnë sëmundje duke infektuar qelizat dhe duke komanduar makinerinë qelizore për të prodhuar më shumë viruse në mënyrë të përshpejtuar. Ata i kundërpërgjigjen ose shmangin detektimin e sistemit imunitar dhe shumohen me forcë brenda bujtësit të tyre. Viruset jo vetëm që infektojnë qelizat e kafshëve dhe bimëve, por gjithashtu infektojnë edhe bakteret e arkaet.

Infeksionet virale tek njerëzit variojnë për nga ashpërsia, nga të buta (virusi i të ftohurit) e deri në vdekjeprurëse (Ebola). Viruset shpesh shënjestrojnë dhe infektojnë indet ose organet specifike në trup. Virusi i gripit, për shembull, ka një afinitet për indet e sistemit të frymëmarrjes duke rezultuar në simptoma që e bëjnë frymëmarrjen të vështirë.  Virusi i tërbimit zakonisht infekton indet e sistemit nervor qendror ndërsa viruset e ndryshme të hepatitit banojnë në mëlçi. Disa viruse gjithashtu janë lidhur me zhvillimin e disa llojeve të kancerit. Viruset papillomane të njeriut janë shoqëruar me kancerin çervikal, hepatiti B dhe C janë lidhur me kancerin e mëlçisë dhe virusi Epstein-Barr ka qenë i lidhur me limfomën e Burkit (çrregullimi i sistemit limfatik).

4. Fungi


Fungit janë organizma eukariote që përfshijnë majanë dhe mykun. Sëmundja e shkaktuar nga fungit është e rrallë te njerëzit dhe zakonisht është rezultat i prishjes së një pengese fizike (lëkurës etj) ose i një sistemi imun të kompromentuar. Fungit patogjene shpesh shkaktojnë sëmundje duke kaluar nga një formë e rritjes në një tjetër. Që do të thotë, majatë njëqelizore arrijnë të ndryshojnë duke u rritur si myshqe, ndërsa myku kalon nga myk në maja.

Majaja Candida albicans ndryshon morfologjinë duke kaluar nga rritja e qelizave të rrumbullakëta , në rritjen e qelizave të zgjatura (filamentoze) të ngjashme me mykun bazuar në një numër faktorësh. Këta faktorë përfshijnë ndryshime në temperaturën e trupit, pH dhe praninë e disa hormoneve. C. albicans shkakton infeksione vaginale. Në mënyrë të ngjashme, fungit Histoplasma capsulatum jeton si myk filamentoz në habitatin e tij natyror që është dheu, por bëhet i ngjashëm me majanë kur thithet në trup. Shtysa për këtë ndryshim është rritja e temperaturës brenda mushkërive në krahasim me temperaturën e dheut. H. capsulatum shkakton një lloj infeksioni në mushkëri të quajtur histoplazmozë që mund të zhvillohet në sëmundje të mushkërive.

5. Protozoa


Protozoat janë organizma të vegjël njëqelizorë që bëjnë pjesë në Mbretërinë Protista. Kjo mbretëri është shumë e larmishme dhe përfshin organizma të tilla si algat, euglena, ameba, myku i zhulit, tripanosomet dhe sporozoanët.  Shumica e protistëve që shkaktojnë sëmundje tek njerëzit janë protozoarë. Ata e bëjnë këtë duke u ushqyer në mënyrë parazitare dhe duke u shumuar në kurriz të bujtësit të tyre. Protozoa parazitare zakonisht transmetohet te njerzit përmes kontaktit me dheun, përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar. Ato gjithashtu mund të transmetohen nga kafshët shtëpiake dhe kafshëve tjera, si dhe nga thumbat e insekteve.

Ameba Naegleria fowleri është një protozoar i pavarur, që gjendet zakonisht në tokë dhe habitate të ujërave të ëmbla. Ajo quhet ameba që ha trurin sepse shkakton sëmundjen e quajtur meningoencefaliti primar amebic (PAM). Ky infeksion i rrallë ndodh kur individët notojnë në ujë të ndotur. Ameba migron nga hunda në tru ku dëmton indet e trurit.

6. Krimbat parazitarë


Krimbat parazitarë infektojnë një numër organizmash të ndryshëm duke përfshirë bimët, insektet dhe kafshët. Krimbat parazitarë, të quajtur edhe helminths, përfshijnë nematodat (krimbat e rrumbullakët) dhe Platyhelminthes (krimbat e sheshtë). Tek njerzit, shumica e këtyre krimbave infektojnë zorrët dhe nganjëherë përhapen në zona të tjera të trupit. Parazitët e zorrëve ngjiten në muret e aparatit tretës dhe ushqehen nga bujtësi. Ata prodhojnë mijëra vezë që çelin brenda ose jashtë (kur largohen nëpërmjet jashtëqitjes) trupit.

Krimbat parazitarë përhapen përmes kontaktit me ushqimin dhe ujin e kontaminuar. Ata, gjithashtu mund të transmetohen nga kafshët dhe insektet tek njerëzit. Jo të gjithë krimbat parazitë infektojnë aparatin tretës. Speciet hematobike të Schistosoma-s për shembull, infektojnë fshikëzën e urinës dhe indin urogjenital. Krimbat Schistosoma banojnë në enët e gjakut. Pasi femrat vendosin vezët, disa vezë dalin nga trupi nëpërmjet urinës ose jashtëqitjes. Ndërsa të tjerët mund të futen në organet e trupit (si psh mëlçia, shpretka, mushkëritë) duke shkaktuar humbje të gjakut, pengesa të zorrës së trashë, shpretkë të zgjeruar ose grumbullim të tepërt të lëngjeve në bark. Llojet e shistosomës transmetohen nga kontakti me ujin që është ndotur me larvat e Schistosoma-s. Këto krimba hyjnë në trup duke depërtuar në lëkurë.

Burimi: © ThoughtCo 

Monday, November 30, 2020

COVID 19: katër mënyra për t'iu përgjigjur skeptikëve të vaksinave dhe ndoshta edhe t'i bindësh ata.


Për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, më shumë se 60,000 njerëz vdiqën në SH.B.A. nga poliomieliti, difteria dhe lia çdo vit. Në vitin 2016, numri i vdekjeve në Amerikë nga këto sëmundje ishte zero.  Përreth globit, dy deri në tre milion vdekje nga këto sëmundje dhe të tjera, përfshirë fruthin, rubeolën dhe tetanozin, parandalohen çdo vit.

Këto statistika të jashtëzakonshme janë një triumf i mjekësisë dhe e masës së vetme më të efektshme të shëndetit publik në histori: programet globale të vaksinimit.

COVID-19, pas programit më të shpejtë dhe të qëndrueshëm të zhvillimit të vaksinave në histori, tani duket se do t'i bashkohet kësaj liste të sëmundjeve fatale që mund të parandalohen lehtësisht me një injektim ose dy. Sëmundja që ka vrarë rreth 1.3 milion njerëz (dhe është në rritje), duket të ketë pasur ditën e saj. Mjerisht, ka shumë keqinformata përreth vaksinimeve, që po kërcënojnë suksesin e programeve të vaksinimit.

Pra, çfarë mund të bësh për të mbrojtur veten nga keqinformimi dhe për ta sfiduar atë në bisedë me të tjerët?

1. Kupto se me kë po flet

Mos të harrojmë se shumica e njerëzve do të ndiheshin të lumtur po të marrin një vaksinë COVID (64%, sipas një studimi të fundit).  Vetëm një pakicë e vogël (9%) nuk ka ndërmend të vaksinohet. Nëse hyni në një debat rreth vaksinimit, mund mund të qëllojë të jetë dikush që bën pjesë në këtë grupin e fundit. Dhe ju nuk keni shumë të ngjarë të ndryshoni mendjen e këtyre refuzuesve të vaksinave, kështu që audienca kryesore për argumentet tuaja është në të vërtetë pjesa tjetër e çdo grupi që shikon dhe veçanërisht 27% e atyre që hezitojnë në lidhje me vaksinimin.

Qëllimi i diskutimit tuaj është të fuqizoni anëtarët e audiencës me njohuri dhe argumente. Për ta bërë këtë, është e rëndësishme të gjesh gjuhë të përbashkët dhe disa "lidhje" me këdo që po flet, më mirë sesa t'i japësh vetëm leksione.

2. Vaksinimi kundër keqinformimit

Ka shumë shembuj të keqinformimit që "mbërthehen" në kujtimet tona individuale dhe shoqërore, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për t'i larguar ato, i tillë është përshëmbull "fakti" i rremë se njerëzit kanë vetëm pesë shqisa. Në vend që të luftojmë fakte të rreme, opsioni më i mirë është t'u mundësojmë njerëzve të dallojnë keqinformatat para se ato të përhapen përmes shoqërisë dhe të bëhen "endemike" si një e vërtetë e pranuar.

Për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për ekspozim paraprak ndaj versioneve të dobësuara të strategjive manipuluese që përdorin shitësit e fakteve të rreme.  Duke vepruar kështu, ne mund të parademaskojmë keqinformimin.

Për shembull, sapo të kuptoni se disa përdorues të mediave sociale, publikues dhe organe të tjera mund të kenë axhenda të fshehura dhe për këtë arsye ata mund të keq-prezantojnë qëllimisht studime shkencore si dhe të përzgjedhin informacione sipas dëshirës, ju jeni në një pozitë më të mirë për të kërkuar dhe vlerësuar faktet për veten tuaj. Dhe në fakt, edhe industritë e duhanit e të naftës nxorrën "ekspertë të rremë" për të krijuar dyshime se pirja e duhanit shkakton kancer dhe se  emetimet e CO2 ndikojnë, në klimë.

3. Demasko në mënyrë efektive

Në mes të një debati është ndoshta tepër vonë për të përftuar ndonjë taktikë parademaskue. Por duhet të tregoheni të kujdesshëm që të mos filloni një dialog, me anë të të cilit vetëm sa i jepni më shumë vëmëndje mitit. Thjesht përsëritja e të pavërtetave rrezikon t'i bëjë ato të qëndrojnë në kujtesën tonë, prandaj në vend të kësaj përqendroni pikat tuaja të diskutimit në rezultatet pozitive të vaksinimeve. Mos jini personi i parë që përmend mitin.

Por nëse përgjatë bisedës disa keqinformata përmenden, do t'ju duhet t'i merrni në konsideratë ato. Le të imagjinojmë se jeni në mes të një debati rreth COVID-it dhe dikush bën pretendimin se rrjeti 5G është shkaku i vërtetë i sëmundjes. Çelësi për t'a demaskuar siç duhet këtë është të kufizosh se sa shpesh përmendet gënjeshtra dhe t'a bësh të vërtetën më ngjitëse sesa mitin. Ja se si t'ia bësh:

a) Fillo duke deklaruar të vërtetën në një mënyrë të qartë dhe të përmbledhur. Mos ia nis me një shpjegim të gjatë, përkundrazi imagjino se po shkruan një titull.

"COVID-i përhapet në pikat e krijuara kur njerëzit nxjerrin frymën, veçanërisht kur kolliten, teshtijnë ose bërtasin."

b) Vini në dukje keqinformimin dhe tregohuni të qartë se ai është një mit.

"Rrjeti celular është në thelb një seri transmetuesish radio, dhe viruset nuk mund të udhëtojnë nëpërmjet valëve të radios."

c) Shpjego pse miti është i gabuar. Ti mund të vësh në dukje shkencën që hedh poshtë mitin dhe të përmendesh të metat në argument.

" Virusi COVID është përhapur nëpër shtete, të tilla si Irani për shembull, që nuk kanë fare rrjet 5G.

d) Ripohoni faktet.

4. Mendo përtej fakteve

Thënë kjo, faktet vetëm të ndihmojnë deri në njëfarë pike. Por, edhe fjalët që përdorim janë gjithashtu të rëndësishme, ato krijojnë imazhe që ndikojnë në përgjigjen tonë ndaj informacionit që po na paraqitet. Merr parasysh fjalët "tufat" dhe "komunitetet". Në cilën prej këtyre do të dëshiroje të ishe pjesë?  Shumica e njerëzve do të thoshin "komunitete". Pra, nëse je duke inkurajuar dikë që të vaksinohet, ti mund të dëshirosh të flasësh për kontributin e vaksinimit në imunitetin e komunitetit, në vend të imunitetit të tufës.

Një teknikë tjetër e rëndësishme është rrëfimi i ndodhive, i cili mund të jetë shumë më efektiv sesa faktet. Rrëfimet lidhin shkakun dhe pasojën, duke i bërë përfundimet që dëshiron të paraqesësh të duken pothuajse të pashmangshme. Për shembull, ti mund të duash t'u tregosh atyre që janë anti-vaksina, për një të afërm jeta e të cilit u shpëtua nga një vaksinë në një kohë kur nuk ishte në dispozicion për të gjithë.

Ose mund të theksosh se ke inkurajuar nënën tënde për të marrë vaksinën, në vend që thjesht të thoni se të moshuarit duhet ta bëjnë atë.

Burimi : © The Conversation 

Wednesday, September 16, 2020

Gjenetika e pemës së jetës.


Pema afrikane baobab (Adansonia digitata) quhet pema e jetës. Pemët Baobab mund të jetojnë për më shumë se një mijë vjet dhe të sigurojnë ushqim për njerëzit dhe bagëtinë, përbërje medicinale dhe lëndë të parë. Pemët Baobab janë tepër të rëndësishme. Megjithatë, shqetësimet në lidhje me ruajtjen e tyre po rriten, por deri më tani kishte mungesë të informacionit gjenetik.

Pema afrikane e baobab ka 168 kromozome, kjo njohuri është kritike për studime të mëtejshme gjenetike, konservim dhe përmirësim për qëllime bujqësore. Gjetjet u botuan në revistën "Scientific Reports". Studimet e mëparshme vlerësuan se kjo pemë ka midis 96 dhe 166 kromozome.
 
"Ne ishim në gjendje të numëronim pa dyshim kromozomet", thotë Nurul Faridi, një gjeneticist hulumtues i Shërbimit Pyjor USDA, i cili bashkë-drejtoi studimin me Hamidou Sakhanokho, një gjeneticist hulumtues i Shërbimit të Kërkimit Agrikulturor të USDA.

Studiuesit përdorën sonda fluoreshente për të parë përbërësit gjenetikë të kromozomeve individuale brenda qelizave, të cilat shkëlqejnë si bizhuteritë.

Analiza gjithashtu zbuloi se pema ka një Rajon Masiv Organizator të Nukleusit (NOR). Në lidhje me trupin kryesor të kromozomeve, ky rajon duket më i madh se i çdo specie tjetër të bimëve. Gjatë fazave të caktuara të ciklit qelizor, nukleuset formohen në NOR. Nukleuset janë thelbësore për mbledhjen e ribozomeve dhe sintezën e proteinave tek eukariotët dhe janë një tipar i rëndësishëm që diferencon eukariotët nga prokariotët.

"Këto zbulime gjenetike janë themelore dhe do ta bëjnë konservimin gjenetik të pemës afrikane baobab më efikase dhe efektive," thotë Dana Nelson, një bashkëautore dhe udhëheqëse e projektit të njësisë gjenetike të Stacionit të Kërkimeve Jugore. "Ky studim është gjithashtu një pararendës për programet e mbarështimit të pemëve që kërkojnë të përmirësojnë pemën baobab për aplikime silvikulturore."

Burimi: © USDA