Search This Blog

Monday, December 7, 2020

Jo vetëm hardhucat: edhe aligatorët mund të rirrisin bishtat e tyre gjithashtu, zbulon studimi i ri.


Një ekip studiuesish nga Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe Departamenti i Luizianës për Jetën e Egër dhe Peshkimin kanë zbuluar se alligatorët e rinj kanë aftësinë të rirrisin bishtat e tyre deri në rreth 18% të gjatësisë së tyre totale të trupit. Ata hamendësojnë se rirritja e bishtit të tyre u jep aligatorëve një avantazh funksional në habitatet e tyre të errëta ujore.

Ekipi kombinoi teknikat e përparuara të imazhit me metodat e demonstruara të studimit të anatomisë dhe organizimit të indeve për të shqyrtuar strukturën e këtyre bishtave të rirritur. Ata zbuluan se këta bishta të rinj ishin struktura komplekse, me një skelet qendror të përbërë nga kërc i rrethuar prej një indi lidhës që ishte i ndërthurur me enët e gjakut dhe nervat.  Gjetjet e tyre janë botuar në revistën Scientific Reports.

"Ajo që e bën interesant aligatorin, përveç madhësisë së tij, është se bishti i rirritur shfaq shenja si të rigjenerimit ashtu edhe të shërimit të plagës brenda së njëjtës strukturë," tha Cindy Xu, një e sapodiplomuar PhD nga programi i biologjisë molekulare dhe qelizore i Shkollës së Shkencave të Jetës të ASU si dhe autorja kryesore e punimit.

"Rirritja e kërcit, enëve të gjakut, nervave dhe luspave ishte në përputhje me studimet e mëparshme të rigjenerimit të bishtit të hardhucës të bëra nga laboratori ynë dhe të tjerë", tha ajo. "Sidoqoftë, ne u befasuam kur zbuluam ind lidhor të ngjashëm me indet e plagëve (janë inde fibroze që formohen pas shkatërrimit të indeve normale pas një sëmundjeje, plage ose operacioni) në vend të muskujve skeletorë në bishtin e rigjeneruar të aligatorit. Studimet e ardhshme krahasuese do të jenë të rëndësishme për të kuptuar pse kapaciteti rigjenerues është i ndryshueshëm midis grupeve të ndryshme të zvarranikëve dhe kafshëve"

"Spektri i aftësive rigjeneruese nëpër specie është magjepsës, padyshim që ka një kosto të lartë për prodhimin e muskujve të rinj," tha Jeanne Wilson-Rawls, bashkëaurtore kryesore si dhe profesoreshë e asociuar në Shkollën e Shkencave të Jetës të ASU.

Alligatorët, hardhucat dhe njerëzit i përkasin të gjithë një grupi kafshësh me shtyllë kurrizore të quajtur amniotë. Përveç studimeve të mëparshme në lidhje me aftësinë e hardhucave për të rigjeneruar bishtat e tyre, zbulimi i një bishti të rirritur kaq të madh dhe kompleks tek aligatorët, siguron informacion të ri dhe të konsiderueshëm në lidhje me procesin rigjenerues në klasifikimin më të madh të kafshëve të amniotave.

Kjo gjithashtu çon në pyetje të reja në lidhje me historinë e këtyre aftësive, dhe mundësitë për të ardhmen.

"Paraardhësit e aligatorëve dhe dinosaurëve dhe zogjve u ndanë rreth 250 milion vjet më parë," tha bashkëautori Kenro Kusumi, profesor dhe drejtor i Shkollës së Shkencave të Jetës të ASU.

"Gjetja jonë se aligatorët kanë mbajtur makinerinë qelizore për të rigjeneruar bishtin kompleks ndërsa zogjtë e kanë humbur atë aftësi, ngre pyetjen se kur gjatë evolucionit kjo aftësi ka humbur. A ka fosile të dinozaurëve, prej të cilëve zogjtë e kanë prejardhjen, që të kenë bishta të rirritur? Ne nuk kemi gjetur ndonjë provë të kësaj deri më tani në literaturën e botuar ".

Studiuesit shpresojnë se gjetjet e tyre do të ndihmojnë në zbulimin e qasjeve të reja terapeutike për riparimin e lëndimeve dhe trajtimin e sëmundjeve të tilla si artriti.

"Nëse e kuptojmë se si kafshë të ndryshme janë në gjendje të riparojnë dhe rigjenerojnë indet, kjo njohuri mund të shfrytëzohet për të zhvilluar terapi mjekësore", tha Rebecca Fisher, bashkëautore dhe profesoreshë në Universitetin e Arizonës, Kolegji i Mjekësisë.

Burimi: © Arizona State University 

No comments:

Post a Comment