Çdo ritual me natyrë kulturore, sociale dhe religjioze i mbajtur në mbarë botën në fillim të vitit të ri njihet si Festivali i Vitit të Ri. Të tilla festivale janë ndër më të vjetrat dhe më universalet.
Regjistrimi më i hershëm i njohur i një festivali të Vitit të Ri daton rreth vitit 2000 p.e.s në Mesopotami, ku në Babiloni viti i ri ose Akitu fillonte me hënën e re pas ekuinoksit të pranverës (mesi i marsit) dhe në Asiri me hënën e re afër ekuinoksit të vjeshtës (mesi i shtatorit). Për egjiptianët, fenikasit dhe persët viti fillonte me ekuinoksin e vjeshtës (21 shtator), ndërsa për grekët e hershëm me solsticin e dimrit, 21 dhjetor. Në kalendarin republikan Romak viti fillonte në 1 Mars, por pas vitit 153 p.e.s, data zyrtare ishte 1 janari, e cila vazhdoi edhe në kalendarin Julian të vitit 46 p.e.s.
Në kohën e mesjetës së hershme, shumica e Evropës së krishterë e konsideronte 25 Marsin, Festën e Lajmërimit, si fillimin e vitit të ri, megjithëse Dita e Vitit të Ri festohej më 25 Dhjetor në Anglinë Anglo-Saksone. William Pushtuesi vendosi që viti të fillonte më 1 janar, por edhe Anglia më vonë u bashkua me pjesën tjetër të krishterimit dhe miratoi 25 Marsin. Kalendari Gregorian, i miratuar në 1582 nga Kisha Katolike Romake, rivendosi 1 Janarin si Ditën e Vitit të Ri dhe shumica e vendeve evropiane gradualisht ndoqi të njëjtin shembull: Skocia, në vitin 1660; Gjermania dhe Danimarka, rreth vitit 1700; Anglia, në vitin 1752; dhe Rusia, në vitin 1918.
Ato fe dhe kultura që përdorin një kalendar hënor kanë vazhduar të mbajnë si fillimin e vitit një ditë të ndryshme nga 1 janari. Në kalendarin fetar hebre, për shembull, viti fillon në Rosh Hashana, ditën e parë të muajit Tishri, i cili bie midis 6 shtatorit dhe 5 tetorit. Kalendari musliman normalisht ka 354 ditë në çdo vit, me vitin e ri që fillon me muajin Muharrem. Viti i Ri Kinez festohet zyrtarisht për një muaj duke filluar në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Kulturat e tjera aziatike e festojnë këtë ditë në periudha të ndryshme të vitit. Në Indinë jugore, tamilët (grup etno-linguistik në Indi) e festojnë vitin e ri në solsticin e dimrit; Tibetianët e festojnë këtë ditë në shkurt; dhe në Tajlandë dita festohet në Mars ose në Prill. Japonezët kanë një festë tre-ditore nga 1-3 janar.
Ishin Romakët ata që i vendosën emrin muajit Janar sipas Zotit të tyre të quajtur Janus, i cili kishte dy fytyra, njëra shikonte pas ndërsa tjetra përpara.
Burimi: Encyclopedia Britannica
No comments:
Post a Comment