Vëzhgimet e bëra me Teleskopin Shumë të Madh të Observatorit Jugor Evropian (VLT të ESOs) kanë zbuluar shenjat e një sistemi planetar që po lind. Rreth yllit të ri "AB Aurigae" shtrihet një disk i dendur pluhuri dhe gazi në të cilin astronomët kanë dalluar një strukturë spirale të spikatur me një "përdredhje" që shënon vendin ku mund të formohet një planet. Tipari i vëzhguar mund të jetë dëshmia e parë e drejtpërdrejtë e një planeti foshnje që ekziston.
"Mijëra ekzoplanetë janë identifikuar deri më tani, por pak dihet se si ata formohen," thotë Anthony Boccaletti i cili drejtoi studimin nga "Observatoire de Paris", Universiteti PSL, Francë. Astronomët e dinë se planetët lindin në disqe me pluhur që rrethojnë yje të rinj, si "AB Aurigae", teksa gazi i ftohtë dhe pluhuri grumbullohen së bashku. Vëzhgimet e reja me Teleskopin Shumë të Madh të ESO-s, të publikuara në revisten "Astronomy & Astrophysics", ofrojnë të dhëna thelbësore që ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë këtë proces.
"Ne duhet të vëzhgojmë sisteme shumë të reja që në të vërtetë të kapim momentin kur formohen planetët," thotë Boccaletti. Por, deri më tani astronomët nuk kanë mundur të kapin imazhe sa më të mprehta dhe të thella të këtyre disqeve të rinj për të gjetur "përdredhjen" që pikërisht shënon vendin ku një planet foshnjë mund të vijë në ekzistencë.
Imazhet e reja përmbajnë një spirale mahnitëse të pluhurit dhe gazit rreth "AB Aurigae", që ndodhet 520 vjet dritë larg Tokës në yjësinë e Aurigës. Spiralet e këtij lloji sinjalizojnë praninë e planetëve foshnjë, të cilat e largojnë tutje gazin, duke krijuar "trazira në disk në formën e një vale", shpjegon Emmanuel Di Folco nga Laboratori Astrofizik i Bordosë (LAB) në Francë, i cili gjithashtu mori pjesë në studim. Ndërsa planeti rrotullohet rreth yllit qendror, kjo valë merr formën e një krahu spiral. Pikërisht zona shumë e ndritshme e verdhë në këtë "përdredhje" afër qendrës së imazhit të ri "AB Aurigae", është një nga këto vendet e trazuara, ku ekipi beson se po formohet një planet i ri.
Vëzhgimet mbi sistemin "AB Aurigae" të bëra disa vjet më parë me teleskopin ALMA (Atacama Large Millimeter/submillimeter Array), në të cilën ESO është partner, siguruan gjetjet e para të formimit të planetit rreth yllit. Në imazhet e kapura nga ALMA, shkencëtarët vunë re dy krahë spirale gazi afër yllit, të shtrirë në rajonin e brendshëm të diskut. Pastaj, në vitin 2019 dhe në fillim të vitit 2020, Boccaletti dhe një ekip astronomësh nga Franca, Tajvani, SH.B.A. dhe Belgjika u nisën për të kapur një pamje më të qartë duke e kthyer instrumentin SPHERE të vendosur në Teleskopin Shumë të Madh të ESO-s në Kili, në drejtim të yllit. Imazhet e kapura nga SPHERE janë imazhet më të thella të sistemit "AB Aurigae" të kapura deri më sot.
Nëpërmjet sistemit të fuqishëm të imazhit të instrumentit SPHERE, astronomët arrijnë të shohin edhe dritën më të zbehtë nga grimcat e vogla të pluhurit si dhe emetimet që vijnë nga disku i brendshëm. Ata konfirmuan praninë e krahëve spirale të zbuluara së pari nga ALMA dhe gjithashtu vunë re një veçori tjetër të mrekullueshme, një "përdredhje" që tregon për praninë e formimit të vazhdueshëm të planetit në disk.
Burimi:
https://www.eso.org/public/news/eso2008/
No comments:
Post a Comment