Shkencëtarët kanë provuar të zhvillojnë qelizat e kuqe sintetike të gjakut që imitojnë veçoritë e favorshme të atyre natyrore, siç janë fleksibiliteti, transporti i oksigjenit dhe koha e gjatë e qarkullimit. Por, deri më tani, shumica e qelizave të kuqe sintetike të gjakut kanë pasur një ose disa nga tiparet kryesore të versioneve natyrore. Tashmë, studiuesit që raportojnë në American Chemical Society kanë arritur të bëjnë qeliza të kuqe sintetike të gjakut që kanë të gjitha aftësitë e qelizave natyrore, madje edhe disa të reja.
Qelizat e kuqe të gjakut (QKGj) marrin oksigjen nga mushkëritë dhe e dërgojnë atë në indet e trupit. Këto qeliza në formë disku përmbajnë miliona molekula të hemoglobinës që është një proteinë që përmban hekur që lidh oksigjenin. QKGj-të janë shumë fleksibël, gjë që i lejon ato të "shtrydhen" nëpër kapilarë të vegjël dhe pastaj të kthehen përsëri në formën e tyre të mëparshme.
Këto qeliza gjithashtu përmbajnë proteina në sipërfaqen e tyre që lejojnë ato të qarkullojnë nëpër enët e gjakut për një kohë të gjatë pa u gëlltitur nga qelizat imune. Wei Zhu, C. Jeffrey Brinker dhe kolegët donin të bënin qeliza të kuqe sintetike të gjakut që të kishin veçori të ngjashme me ato natyrale, por të mund të kryenin edhe punë të reja siç janë shpërndarja e barnave terapeutike, shënjestrimi magnetik dhe zbulimi i toksinave.
Studiuesit i bënë qelizat sintetike fillimisht duke i veshur me një shtresë të hollë silici QKGj-të. Ata shtresuan polimere të ngarkuara pozitivisht dhe negativisht mbi silikat e QKGj-ve dhe më pas e larguan shtresën e silicës, duke prodhuar kopje fleksibël.
Më në fund, ekipi veshi sipërfaqen e kopjes sintetike me membrana natyrale të qelizave të kuqe të gjakut. Qelizat artificiale ishin të ngjashme në madhësi, formë, ngarkesë dhe në proteinat e sipërfaqes me qelizat natyrore. Edhe ato mund të "shtrydheshin" përmes kapilarëve të marrë si model pa humbur formën e tyre fillestare. Tek minjtë, QKGJ-të sintetike zgjatën më shumë se 48 orë, pa asnjë toksicitet të vërejtur.
Studiuesit ngarkuan qelizat artificiale me hemoglobinë, një ilaç antikancerogjen, një sensor toksinash ose nanogrimca magnetike për të demonstruar se ato mund të transportonin ngarkesa. Ekipi gjithashtu tregoi se QKGJ-të e reja mund të veprojnë si karrem për toksinat bakteriale. Studimet e ardhshme do të eksplorojnë potencialin e qelizave artificiale në aplikimet mjekësore, të tilla si në terapinë e kancerit dhe biosensorët e toksinave, thonë studiuesit.
Burimi:
Artikulli është publikuar në American Chemical Society: https://www.acs.org/content/acs/en/pressroom/presspacs/2020/acs-presspac-june-3-2020/synthetic-red-blood-cells-mimic-natural-ones-and-have-new-abilities.html
No comments:
Post a Comment