Search This Blog

Tuesday, June 9, 2020

Fuqia e Efektit Plasebo.

Mendja juaj mund të jetë një mjet i fuqishëm shërimi kur ju jepet mundësia. Ideja që truri juaj mund të bindë trupin tuaj se një trajtim i rremë është në fakt i vërtetë, pra, i ashtuquajturi efekti i placebo, dhe kështu të stimulojë shërimin, ka ekzistuar prej mijëra vitesh. Tashmë shkenca ka zbuluar se në rrethanat e duhura, një placebo mund të jetë po aq efektiv sa edhe trajtimet tradicionale.

"Efekti placebo është më shumë sesa të menduarit pozitiv duke besuar se një trajtim ose një procedurë do të funksionojë. Është për krijimin E një lidhje më të fortë midis trurit dhe trupit dhe se si ata punojnë së bashku", thotë profesori Ted Kaptchuk nga Harvard.

Placebot nuk do të ulin kolesterolin tuaj apo të tkurrin një tumor. Në vend të kësaj, placebot funksionojnë në simptoma të moduluara nga truri të tilla si perceptimi i dhimbjes. "Placebot mund t'ju bëjnë të ndiheni më mirë, por nuk do t'ju shërojnë", thotë Kaptchuk. "Ata kanë rezultuar më të efektshëm për kushte të tilla si menaxhimi i dhimbjes, pagjumësia e lidhur me stresin dhe efektet anësore të trajtimit të kancerit si lodhja dhe vjellja."

Efekti placebo a nënkupton dështim apo sukses?

Për vite me radhë, një efekt placebo konsiderohej si një shenjë dështimi. Një placebo përdoret në provat klinike për të testuar efektivitetin e trajtimeve dhe përdoret më shpesh në studimet e ilaçeve. Për shembull, njerëzit në një grup marrin ilaçin e testuar, ndërsa të tjerët marrin një ilaç të rremë ose placebo, të cilin ata e mendojnë si të vërtetë. Në këtë mënyrë, studiuesit mund të masin nëse ilaçi funksionon duke krahasuar se si reagojnë të dy grupet.  Nëse të dyja grupet kanë të njëjtin reagim, qoftë përmirësim ose jo, ilaçi konsiderohet se nuk funksionon.

Megjithatë, kohët e fundit, ekspertët kanë arritur në përfundimin se reagimi ndaj një placeboje nuk është provë që një trajtim i caktuar nuk funksionon, por më mirë që një mekanizëm tjetër, jo farmakologjik, mund të jetë i pranishëm.

 Si funksionon placebo ende nuk është kuptuar plotësisht, por ai përfshin një reagim kompleks neurobiologjik që përmban gjithçka që nga rritja e neurotransmetuesve që të bëjnë të ndihesh mirë të tillë si endorfinat dhe dopamina, e deri te aktiviteti më i madh në zona të caktuara të trurit të lidhura me humorin, reagimet emocionale dhe vetë-ndërgjegjen. E gjithë kjo mund të ketë përfitim terapeutik. "Efekti i placebo është një mënyrë që truri juaj t'i tregojë trupit se çfarë i duhet të ndjehet më mirë," thotë Kaptchuk.

Por, placebot nuk kanë të bëjnë vetëm me çlirimin e fuqisë së trurit. Që të funksionojë, ty të duhet gjithashtu edhe rituali i trajtimit. "Kur ti shikon këto studime që krahasojnë ilaçet me placebot, aty gjen një mjedis të tërë dhe faktor ritual në funksion," thotë Kaptchuk. "Ti duhet të shkosh tek një klinikë në një kohë të caktuar dhe të ekzaminohesh nga mjekë profesionistë me bluza të bardha. Ti merr të gjitha llojet e ilaçeve ekzotike dhe i nënshtrohesh procedurave të çuditshme. E gjitha kjo mund të ketë ndikim thelbësor në mënyrën sesi trupi percepton simptomat për shkak se ti e ndjen se po merr vëmendje dhe kujdes."  

Jepini vetes një placebo.

Placebot shpesh funksionojnë sepse njerëzit nuk e dinë që po e marrin një të tillë.  Por çfarë ndodh nëse e dini që po merrni një të tillë?

Një studim i vitit 2014 i drejtuar nga Kaptchuk dhe botuar në revistën "Science Translational Medicine" e hulumtoi këtë duke testuar mënyrën se si njerëzit reaguan ndaj ilaçeve për dhimbjen nga migrena. Një grup mori një ilaç migrene ku shënohej emri i medikamentit, një tjetër mori një placebo në të cilin shënohej "placebo" dhe një grup të tretë nuk mori asgjë.  Studiuesit zbuluan se placebo ishte 50% po aq efektiv sa ilaçi i vërtetë për të zvogëluar dhimbjen pas një sulmi të migrenës.

Studiuesit spekulojnë se fuqia lëvizëse përtej këtij reagimi ishte thjesht veprimi i marrjes së ilaçit. "Njerzit lidhin ritualin e marrjes së një medikamenti si një efekt pozitiv i shërimit," thotë Kaptchuk. "Madje edhe nëse ata e dijnë që nuk po marrin një medikament, veprimi në vetvete mund të stimulojë trurin në të menduarit se trupi po shërohet."  

Si mund t’i jepni vetes një placebo përveç marrjes së një ilaçi të rremë? Praktikimi i metodave të ndihmës vetjake është një mënyrë. "Angazhimi në ritualin e të jetuarit të shëndetshëm: ushqimi i duhur, ushtrimet fizike, joga, koha shoqërore cilësore dhe meditimi, këto ka mundësi të sigurojnë disa nga përbërësit kryesorë të një efekti placebo," thotë Kaptchuk.

Ndërsa këto aktivitete janë ndërhyrje pozitive në mënyrën e tyre, niveli i vëmendjes që ju u jepni mund të rrisë përfitimet prej tyre. 


Burimi: 
https://www.health.harvard.edu/mental-health/the-power-of-the-placebo-effect

No comments:

Post a Comment