Search This Blog

Thursday, January 14, 2021

Deja vu: shkenca pas ndjenjës hutuese të familjarizimit.


Nëse keni pasur ndonjëherë ndjesinë se një situatë është shumë familjare për ju edhe pse e dini që nuk duhet të ndihet aspak e tillë, atëherë me siguri keni përjetuar déjà vu . Déjà vu, që në frëngjisht do të thotë "tashmë e parë", ndërthur mosnjohjen objektive, pra, faktin që ju e dini, bazuar në prova të shumta se diçka nuk duhet të jetë e njohur, me familjaritetin subjektiv, pra atë ndjenjën që gjithsesi diçka duket familjare për ju.

Déjà vu është e zakonshme. Sipas një artikulli të botuar në vitin 2004, më shumë se 50 sondazhe mbi déjà vu- në sugjeruan që rreth dy të tretat e individëve e kanë përjetuar atë të paktën një herë në jetën e tyre dhe më shumë të tjerë që raportojnë përvoja të tilla të shumta. Ky numër i raportuar gjithashtu duket se është në rritje ndërsa njerëzit bëhen më të vetëdijshëm për atë që është déjà vu.
Më së shpeshti, déjà vu përshkruhet në terma të asaj që ju shihni, por ajo nuk është diçka specifike për të parit, dhe madje edhe njerëzit që kanë lindur të verbër mund ta përjetojnë atë.

• Të masësh Déjà Vu-në.

Déjà vu është e vështirë të studiohet në laborator sepse është një përvojë kalimtare, dhe gjithashtu sepse nuk ka ndonjë shkas qartazi të identifikueshëm për të. Sidoqoftë, studiuesit kanë përdorur disa mjete për të studiuar fenomenin, bazuar në hipotezat që ata kanë paraqitur. Studiuesit mund të anketojnë pjesëmarrësit në studim; të studiojnë proceset e mundshme të lidhura, veçanërisht ato të përfshira në kujtesë; ose të hartojnë eksperimente të tjera për të hetuar déjà vu-në.

Meqenëse déjà vu është e vështirë të matet, studiuesit kanë dhënë shumë shpjegime se si ajo funksionon. Më poshtë janë disa nga hipotezat më të spikatura.

• Shpjegimet e kujtesës.

Shpjegimet e kujtesës së déjà vu bazohen në idenë se më parë keni përjetuar një situatë, ose diçka shumë e ngjashme me të, por nuk e mbani mend me vetëdije. Në vend të kësaj, ju e mbani mend atë në mënyrë të pavetëdijshme, prandaj ndihet e njohur edhe pse nuk e dini arsyen e këtij familjariteti.

1. Familjariteti i një elementi të vetëm.

Hipoteza e familjaritetit të një elementi të vetëm sugjeron që ju të përjetoni déjà vu nëse një element i skenës është i njohur për ju, por nuk e njihni me vetëdije sepse po ndodh në një mjedis tjetër, si psh nëse shihni berberin tuaj në rrugë.

Trurit tuaj ende i duket berberi i njohur edhe pse nuk e dallon diçka të tillë dhe përgjithëson atë ndjenjë familjariteti në të gjithë skenën. Pra, elementi i vetëm që të duket i njohur krijon ndjenjën e familjaritetit për të gjithë skenën e ngjarjes apo vendit ku ndodhesh. Studiues të tjerë e kanë shtrirë këtë hipotezë edhe në shumë elementë. 

2. Familjariteti Gestalt

Hipoteza e familjaritetit gestalt përqendrohet në mënyrën se si sendet janë të organizuara në një skenë dhe se si ndodh déjà vu kur përjetoni diçka me një paraqitje të ngjashme. Për shembull, ju mbase nuk e keni vënë re më parë, pikturën e mikut tuaj në dhomën e tij të ndenjes, por mbase keni parë një dhomë me paraqitje si dhoma e ndenjes së mikut tuaj: një pikturë e varur mbi divan, përballë një rafti librash. Dhe meqenëse nuk mund ta kujtoni dhomën tjetër, ju përjetoni déjà vu.

Një avantazh i hipotezës së ngjashmërisë gestalt është se ajo mund të testohet më drejtpërdrejt. Në një studim, pjesëmarrësit shikuan dhomat në realitetin virtual, më pas u pyetën se sa e njohur ishte një dhomë e re (që nuk e kishin parë virtualisht) dhe nëse ndiheshin se po përjetonin déjà vu.

Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit e studimit të cilët nuk mund të kujtonin dhomat e vjetra që kishin shikuar më parë, kishin tendencë të mendonin se një dhomë e re ishte e njohur për ta dhe se ata po përjetonin déjà vu, në qoftë se dhoma e re i ngjante dhomës së vjetër. Për më tepër, sa më e ngjashme të ishte dhoma e re me një dhomë të vjetër, aq më të larta ishin këto vlerësime.

• Shpjegimet neurologjike.

1. Aktiviteti spontan i trurit.

Disa shpjegime paraqesin që déjà vu përjetohet kur ekziston një aktivitet spontan i trurit që nuk ka lidhje me atë që po përjetoni aktualisht. Kur kjo ndodh në pjesën e trurit tuaj që merret me kujtesën, ju mund të keni një ndjenjë false të familjaritetit.

Disa prova vijnë nga individë me epilepsi të lobit temporal, kur ndodh një aktivitet elektrik jo normal në pjesën e trurit që merret me kujtesën. Kur truri i këtyre pacientëve stimulohet elektrikisht si pjesë e një vlerësimi para operacionit, ata mund të përjetojnë déjà vu.

Një studiues sugjeron që ju përjetoni déjà vu kur sistemi parahipokampal, i cili ndihmon në identifikimin e diçkaje si të njohur, gabon rastësisht dhe ju bën të mendoni se diçka është e njohur kur nuk duhet të ishte e tillë.

Të tjerët kanë thënë që déjà vu nuk mund të izolohet në një sistem të vetëm familjariteti, por përkundrazi përfshin struktura të shumta të përfshira në kujtesë dhe lidhjet midis tyre.

2. Shpejtësia e transmetimit nervor.

Hipoteza të tjera bazohen në atë se sa shpejt informacioni udhëton nëpër trurin tuaj. Zona të ndryshme të trurit tuaj transmetojnë informacione në zona "me një rend të lartë" që kombinojnë informacionin së bashku për t'ju ndihmuar të kuptoni botën. Nëse ky proces kompleks prishet në ndonjë mënyrë, ndoshta një pjesë dërgon diçka më ngadalë ose më shpejt sesa zakonisht, atëherë truri juaj i interpreton gjërat përreth jush në mënyrë të gabuar.

• Cili Shpjegim është i saktë?

Një shpjegim për déjà vu-në mbetet ende i pakapshëm, megjithëse hipotezat e mësipërme duket se kanë një fije të përbashkët: një gabim të përkohshëm në procesimin kognitiv. Tani për tani, shkencëtarët mund të vazhdojnë të hartojnë eksperimente që hetojnë më drejtpërdrejt natyrën e déjà vu-së, për të qenë më të sigurt për shpjegimin e saktë.

Burimi: © ThoughtCo 

Fotoja: Phung Huynh Vu Qui / Getty Images

Monday, January 11, 2021

Pse krokodilët kanë ndryshuar kaq pak që nga epoka e dinozaurëve?


Një hulumtim i ri nga shkencëtarët në Universitetin Bristol shpjegon sesi një shenjë "ndalo-fillo" e evolucionit, të udhëhequr nga ndryshimet mjedisore, mund të shpjegojë se pse krokodilët kanë ndryshuar kaq pak që nga epoka e dinozaurëve. 

Krokodilët sot duken shumë të ngjashëm me ata të periudhës Jurassic rreth 200 milionë vjet më parë. Sot gjithashtu ka vetëm 25 specie prej tyre që janë gjallë. Kafshë të tjera të tilla si hardhucat apo zogjtë kanë arritur një shumëllojshmëri prej mijëra llojesh në afërsisht të njëjtën kohë. 

Në prehistori ka pasur gjithashtu lloje krokodilësh që nuk i shohim sot, duke përfshirë: gjigandë po aq të mëdhenj sa dinozaurët, bimë ngrënës, vrapues të shpejtë dhe forma gjarpërues që jetonin nëpër dete. 

Në hulumtimin e ri, botuar në revistën "Nature Communications Biology" shkencëtarët shpjegojnë se si krokodilat ndjekin një model të evolucionit të njohur si "ekuilibri i pikëzuar". Shkalla e evolucionit të tyre është përgjithësisht e ngadaltë, por në raste të caktuara ata evoluojnë më shpejt, sepse mjedisi ka ndryshuar. Në veçanti, ky hulumtim i ri sugjeron që evolucioni i tyre përshpejton kur klima është më e ngrohtë dhe se madhësia e trupit rritet.

Autori kryesor Dr Max Stockdale nga Shkolla e Shkencave Gjeografike të Universitetit të Bristolit, tha: "Analiza jonë perdori një algoritëm të mësimit makinerik për të përllogaritur shkallën e evolucionit. Shkalla e evolucionit është sasia e ndryshimit që ka ndodhur për një periudhë të caktuar kohore, gjë të cilën ne mund t'a përpunojmë duke krahasuar matjet nga fosilet dhe duke marrë parasysh vjetërsinë e tyre."

"Për studimin tonë ne kemi matur madhësinë e trupit, që është i rëndësishëm sepse ndërvepron me atë sesa shpejt kafshët rritën, për sa ushqim kanë nevojë, sa e madhe është popullata e tyre dhe sa gjasë ka që ato të zhduken." 

Zbulimet e bëra tregojnë se larmishmëria e kufizuar e krokodilëve dhe ajo ngjan si mungesë evoluimi është rezultat i një shkalle të ngadaltë evolutive. Duket se krokodilët arritën në një plan trupor që ishte mjaft efikas dhe i gjithanshëm, saqë nuk kishin nevojë ta ndryshonin atë për të mbijetuar.

Kjo gjithanshmëri mund të jetë një shpjegim se pse krokodilët i mbijetuan ndikimit të meteorit në fund të periudhës së Cretaceous, në të cilën dinosaurët u zhdukën. Krokodilët përgjithësisht lulëzojnë më mirë në kushte të ngrohta, sepse ata nuk mund të kontrollojnë temperaturën e trupit dhe kërkojnë ngrohtësi nga mjedisi.

Klima gjatë epokës së dinosaurëve ishte më e ngrohtë sesa sot dhe kjo mund të shpjegojë pse kishte shumë më shumë lloje krokodilësh se sa shohim tani. Duke qenë se ata janë në gjendje të marrin energji nga dielli, kjo do të thotë se ata nuk kanë nevojë të hanë aq shumë sa një kafshë me gjak të ngrohtë si psh një zog ose një gjitar.

Dr Stockdale shtoi: “Është magjepsëse të shohësh se sa marrëdhënie e ndërlikuar ekziston midis Tokës dhe gjallesave me të cilat e bashkëndajmë atë. Krokodilët kanë zotëruar një mënyrë jetese që ishte mjaft e gjithanshme për t'u përshtatur me ndryshimet e mëdha mjedisore që kanë ndodhur që kur ishin dinosaurët. "

Hapi tjetër për hulumtimin e ekipit është që të zbulojmë se pse disa lloje krokodilësh prehistorik u zhduken, ndërsa të tjerë jo. 

Sunday, January 10, 2021

Pinguini Perandor


Njihuni me historinë e këtyre pinguinëve socialë të cilët shumohen në kohën më të ashpër të vitit dhe në rajonin më jo mikpritës në Tokë. 

Emri i zakonshëm: Pinguini Perandor
Emri shkencor: Aptenodytes forsteri
Tipi: Zogj
Dieta: Mishngrënës
Madhësia: 1.1 metër
Pesha: deri në 40 kg

Perandorët janë më të mëdhenjtë nga të gjithë pinguinët, një zog mesatar është rreth 1.1 metër i gjatë. Këto kafshë që nuk fluturojnë jetojnë në akullin e Antarktikut dhe në ujërat e ftohtë përreth.

Përshtatjet Antarktike

Pinguinët përdorin përshtatje fiziologjike dhe sjellje bashkëpunuese në mënyrë që të përballen me një mjedis tepër të ashpër, ku erërat e ftohta mund të arrijnë -60° C.

Ata grumbullohen së bashku për t'i shpëtuar erës dhe për të ruajtur ngrohtësinë. Individët futen me radhë në brendësinë e mbrojtur të grupit. Sapo një pinguin të jetë ngrohur pak, ai do të lëvizë në perimetrin e grupit në mënyrë që edhe të tjerët të gëzojnë mbrojtje nga elementët e akullt.

Pinguinët perandorë kalojnë dimrin e gjatë në akullin e hapur dhe madje shumohen gjatë këtij sezoni të ashpër. Femrat lëshojnë një vezë të vetme dhe më pas e lënë menjëherë. Ato ndërmarrin një udhëtim të zgjatur gjuetie që zgjat rreth dy muaj! Në varësi të shtrirjes së akullit, femrat mund të kenë nevojë të kalojnë rreth 80 km vetëm për të arritur oqeanin e hapur, ku do të ushqehen me peshq, kallamar dhe krill. Në det, pinguinët perandorë mund të zhyten deri në 564 metra; më thellë se çdo zog tjetër dhe arrijnë të qëndrojnë nën ujë për më shumë se 20 minuta.

Riprodhimi dhe Prindërimi

Perandorët meshkuj i mbajnë të ngrohta vezët e sapo lëna, por ata nuk ulen mbi to, siç bëjnë shumë zogj të tjerë. Meshkujt qëndrojnë dhe mbrojnë vezët e tyre nga mjedisi përreth duke i ekuilibruar ato në këmbët e tyre dhe duke i mbuluar ato me lëkurën me pendë të njohur si xhepi i të voglit. Gjatë kësaj periudhe dy-mujore të kujdestarisë, meshkujt nuk hanë asgjë dhe janë në mëshirën e elementeve të Antarktikut.

Kur pinguinët femra kthehen në vendin e shumimit, ato sjellin një bark të mbushur me ushqim që e nxjerrin jashtë nga goja për t'ua dhënë zogjve të sapo çelur. Ndërkohë, duke kryer detyrën e tyre, meshkujt shkojnë në det në kërkim të ushqimit për veten e tyre.

Nënat kujdesen për zogjtë e tyre të vegjël dhe i mbrojnë ata me ngrohtësinë e xhepit të tyre. Jashtë këtij xhepi të ngrohtë, një zog mund të vdesë në vetëm disa minuta. Në dhjetor, në verën e Antarktikut, akulli përreth fillon të prishet dhe uji shfaqet pranë vendit të shumimit, pikërisht atëherë kur pinguinët e rinj perandorë janë gati të notojnë dhe të peshkojnë vetë.

Burimi: © National Geographic 

Saturday, January 9, 2021

Leopardi


Mësoni se pse leopardët gjenden shpesh në pemë dhe sesi gëzofët e tyre me shenja i ndihmojnë ata të mbijetojnë. 

Emri i zakonshëm: Leopard

Emri shkencor: Panthera pardus

Tipi: Gjitarë

Dieta: Mishngrënës

Përmasat: Koka dhe trupi: 1.29 deri në 1.91 metër; bishti: 1.07 metër deri në 1.8 metër.

Pesha: 29.94 kg deri në 79.83 kg.

Leopardët janë mace të hijshme dhe të fuqishme të lidhura ngushtë me luanët, tigrat dhe xhaguarët. 
Ata jetojnë në Afrikën Nën-Sahariane, në Afrikën verilindore, në Azinë Qëndrore, në Indi dhe në Kinë. Sidoqoftë, shumë prej popullatave të tyre janë të rrezikuara, sidomos jashtë Afrikës. 

Leopardi është kaq i fortë dhe i rehatshëm në pemë sa shpesh prenë e tij e han nëpër degët e pemëve. 
Duke i ngritur lart në pemë pretë e tij në këtë mënyrë mund të ruhet edhe nga hienat apo grabitqarët e tjerë. 

Leopardët mund të gjuajnë edhe nga pemët për shkak se gëzofi i tyre i lejon të kamuflohen nëpër gjethe duke u hedhur prej tyre për të kapur kafshët e tjera. 
Ata janë kafshë që gjuajnë edhe natën antilopat, drerët dhe derrat duke u fshehur në barin e gjatë. 
Kur vendbanimet e njerëzve janë afër habitatit të tyre ata mund të sulmojnë qentë dhe ndonjëherë edhe vetë njerëzit. 
Leopardët janë notues shumë të mirë dhe janë si në shtëpinë e tyre në ujë, ku ndonjëherë kapin peshk ose gaforre. 

Leopardet femra mund të lindin në çdo periudhë të vitit. Ato zakonisht kanë dy këlyshë gri që mezi ju duken pullat në gëzof. 
Nëna e tyre i fsheh këlyshët dhe ua ndërron vendin herë pas here derisa të jenë të rritur mjaftueshëm për t'u kujdesur për veten dhe të mund të gjuajnë. Ata jetojnë me nënat e tyre për rreth dy vjet dhe pas kësaj periudhë ata janë kafshë solitare. 

Leopardët janë me gëzof lehtësisht të ngjyrosur me pulla që ju ngjajnë rozetave, për shkak se kanë formën e trëndafilave. Ndërsa leopardët e zinj janë pothuajse me ngjyrë të njëtrajtshme dhe pullat e tyre vështirë të dallohen dhe quhen zakonisht "pantera të zeza". 

Burimi:  ©️ National Geographic


Foto:  ©️ Jose Fragozo

Friday, January 8, 2021

Teleskopi ESO shquan galaktika të kapura në rrjetin e një vrime të zezë supermasive


Me ndihmën e Teleskopit Shumë të Madh të ESO-s (Very Large Telescope, shkurt VLT), astronomët kanë gjetur gjashtë galaktika të shtrira rreth një vrime të zezë supermasive, atëherë kur Universi ishte më pak se një miliard vjet i vjetër. Kjo është hera e parë që një grupim i tillë i ngushtë është parë kaq shpejt pas Big Bengut dhe zbulimi na ndihmon të kuptojmë më mirë se si vrimat e zeza supermasive, njëra prej të cilave ekziston në qendër të Rrugës së Qumështit, u formuan dhe u rritën në përmasat e tyre kaq të mëdha dhe kaq shpejt. Kjo mbështet teorinë se vrimat e zeza mund të rriten me shpejtësi brenda strukturave të mëdha, që ngjajnë si një rrjet, të cilat përmbajnë shumë gaz për t'i furnizuar ato.

“Ky hulumtim u drejtua kryesisht nga dëshira për të kuptuar disa nga objektet më sfiduese astronomike, vrimat e zeza supermasive në Universin e hershëm. Këto janë sisteme ekstreme dhe deri më sot nuk kemi pasur ndonjë shpjegim të mirë për ekzistencën e tyre,” tha Marco Mignoli, një astronom në Institutin Kombëtar për Astrofizikën (INAF) në Bolonjë, Itali, dhe autori kryesor i kërkimit të ri të botuar në revistën Astronomia &  Astrofizika.

Vëzhgimet e reja me VLT të ESO zbuluan disa galaktika që rrethonin një vrimë të zezë supermasive, të gjitha të shtrira në një "rrjetë merimange" kozmike prej gazi që zgjerohet në mbi 300 herë më shumë se Rruga e Qumështit. "Filamentet e rrjetës kozmike janë si fijet e merimangës," shpjegon Mignoli. "Galaktikat qëndrojnë dhe rriten aty ku kryqëzohen filamentet, dhe rrymat e gazit të cilat janë të disponueshme për të furnizuar si galaktikat ashtu edhe vrimën e zezë supermasive qendrore, mund të rrjedhin përgjatë filamenteve."

Drita prej kësaj strukture të madhe dhe e ngjashme me një rrjetë, bashkë me vrimën e saj të zezë prej një miliard mase diellore, ka udhëtuar tek ne nga një kohë kur Universi ishte vetëm 0.9 miliardë vjeç i vjetër. "Puna jonë ka vendosur një pjesë të rëndësishme të "puzzellit" shumë të paplotë që ka të bëjë me formimin dhe rritjen e objekteve kaq ekstreme, por relativisht të bollshme dhe kaq shpejt pas Big Bengut", thotë bashkëautori Roberto Gilli, gjithashtu një astronom në INAF në Bolonjë, duke iu referuar vrimave të zeza supermasive.

Vrimat e para të zeza, që mendohet se janë formuar prej kolapsit të yjeve të parë, duhet të jenë rritur shumë shpejt për të arritur përmasat sa një miliard diej brenda 0.9 miliardë viteve të para të jetës së Universit.  Por, astronomët janë përpjekur të shpjegojnë sesa mjaftueshëm sasi të mëdha të "karburantit të vrimës së zezë", duhet të ishin në dispozicion për t'i mundësuar këtyre objekteve të rriteshin në përmasa kaq të mëdha, në një kohë kaq të shkurtër.  Struktura e re e gjetur ofron një shpjegim të mundshëm: "rrjeti i merimangës" dhe galaktikat brenda saj përmbajnë gaz të mjaftueshëm për të siguruar karburantin që i duhet vrimës së zezë qendrore për t'u bërë shpejt një gjigant supermasiv.

Por, në rradhë të parë, si u formuan këto struktura kaq të mëdha të ngjashme me rrjetën? Astronomët mendojnë se breroret gjigante të materies së errët misterioze janë çelësi. Këto rajone të mëdha të materies së padukshme mendohet se tërheqin sasi të mëdha gazi në Universin e hershëm; së bashku, gazi dhe materia e errët e padukshme formojnë strukturat e ngjashme me një rrjetë, ku galaktikat dhe vrimat e zeza mund të evoluojnë.

"Gjetja jonë shton mbështetjen për idenë se vrimat e zeza më të largëta dhe masive formohen dhe rriten brenda breroreve masive të materies së errët në struktura në shkallë të gjerë, dhe se mungesa e zbulimeve të mëparshme të strukturave të këtij lloji ka të ngjarë të jetë për shkak të kufizimeve në vëzhgime", thotë Colin Norman i Universitetit Johns Hopkins në Baltimore, SHBA, gjithashtu një bashkëautor në studim.

Galaktikat e zbuluara tani janë nga më të zbehtat që mund të vëzhgojnë teleskopët aktualë. Ky zbulim kërkoi vëzhgime për disa orë duke përdorur teleskopët më të mëdhenj optikë, përfshirë VLT të ESO-s. Duke përdorur instrumentet MUSE dhe FORS2 në VLT në Observatorin Paranal të ESO në shkretëtirën kiliane Atacama, ekipi konfirmoi lidhjen midis katër prej gjashtë galaktikave dhe vrimës së zezë. "Ne besojmë se sapo kemi parë majën e ajsbergut dhe se keto pak galaktika të zbuluara deri tani rreth kësaj vrime të zezë supermasive janë vetëm ato më të shndritshmet", tha bashkëautorja Barbara Balmaverde, një astronome në INAF në Torino, Itali.

Këto rezultate kontribuojnë në kuptimin tonë se si u formuan dhe evoluan vrimat e zeza supermasive dhe strukturat e mëdha kozmike. Teleskopi Ekstremisht i Madh i ESO-s, aktualisht në ndërtim e sipër në Kili, do të jetë në gjendje të ndërtojë mbi këtë hulumtim, duke vëzhguar shumë galaktika më të zbehta rreth vrimave të zeza masive në Universin e hershëm, duke përdorur instrumentet e tij të fuqishëm. 

Burimi: © ESO 

Thursday, January 7, 2021

Kjo gropë në shkretëtirë ka qenë nën flakët e zjarrit për më shumë se 40 vjet.


Krateri i gazit Darvaza, i vendosur në shkretëtirën Karakum të Turkmenistanit, pak më shumë se 241 km nga kryeqyteti është pagëzuar prej banorëve si, "Porta e Ferrit." Krateri që ka qenë duke u djegur prej dekadash, tërheq qindra turistë çdo vit. Por, nuk janë vetëm turistët, edhe kafshët e egra në afërsi të kraterit gjithashtu. Është raportuar se herë pas herë merimangat e asaj zone të joshura nga flakët, zhyten me mijëra në gropë duke gjetur vdekjen. 

Atëherë, si përfundoi ky ferr në mes të një shkretëtire në Turkmenistan? Në vitin 1971, kur republika ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik, një grup gjeologësh sovjetikë shkuan në Karakum për të kërkuar fushat e naftës. Ata gjetën atë që mendonin të ishte një fushë e konsiderueshme e naftës dhe filluan shpimet. Fatkeqësisht për shkencëtarët, ata po shponin në majë të një xhepi shpellor me gaz natyror, i cili nuk mund të mbante peshën e pajisjeve të tyre. Vendi u shemb, duke marrë pajisjet e tyre me vete. Dhe ngjarja shkaktoi që shkëmbi i shkrifët sedimentar i shkretëtirës të rrëzohej edhe në vende të tjera, duke krijuar një efekt domino që rezultoi në disa kratere të hapura. 

Krateri më i madh ndër ta është rreth 70 metra i gjatë dhe rreth 20 metra i thellë. Sipas raportimeve askush nuk është lënduar gjatë kolapsit. Mirëpo, shkencëtarët kishin një tjetër problem në dorë: gazin natyror që po arratisej prej kraterit. Gazi natyror përbëhet kryesisht nga metani, i cili, megjithëse nuk është toksik, zhvendos oksigjenin, duke e bërë të vështirë frymëmarrjen. Megjithatë, kjo nuk ishte aq shumë çështje me rëndësi për shkencëtarët, por për kafshët, për të cilat shkretëtira Karakum është shtëpia e tyre. Shumë pak kohë pas shembjes, kafshët që endeshin në zonë filluan të vdisnin. Metani që po largohej gjithashtu përbënte rreziqe për shkak të ndezshmërisë së tij, pasi nevojitet të ketë vetëm pesë përqind metan në ajër që të ndodhë një shpërthim i mundshëm. Kështu që shkencëtarët vendosën t'a ndiznin flakë kraterin, duke shpresuar se i gjithë gazi natyror i rrezikshëm do të digjej brenda disa javësh.

Nuk është aq e çuditshme sa tingëllon. Në operacionet e shpimit të naftës dhe gazit natyror, kjo ndodh gjatë gjithë kohës me gazin natyror që nuk mund të kapet.  Ndryshe nga nafta, e cila mund të ruhet në rezervuarë për një kohë të pacaktuar pas shpimit, gazi natyror duhet të përpunohet menjëherë. Dhe nëse ka një tepricë gazi natyror që nuk mund të futet në një impiant përpunimi, shpuesit shpesh e djegin atë për ta hequr qafe. Ky është një proces i quajtur "flakërim" dhe harxhon gati një milion dollarë gaz natyror çdo ditë vetëm në North Dakota.

Por, ndryshe nga shpimet që bëhen në North Dakota ose diku tjetër, shkencëtarët në Turkmenistan nuk kishin të bënin me një sasi të matur të gazit natyror. Ata ende nuk e dinë se sa gaz natyror po ushqen kraterin që digjet. Kështu, ajo që supozohej se do të zgjaste disa javë u kthye në një zjarr të madh shkretëtire që do zgjaste për gati një gjysëm shekulli.

Burimi: © Smithsonian 

Tuesday, January 5, 2021

Kaosi në Zemrën e Mjegullnajës së Orionit


Vorbullat e gazta të hidrogjenit, squfurit dhe hidrokarbureve mbartin një koleksion yjesh të mitur në këtë imazh të kompozuar të Mjegullnajës së Orionit, siç edhe shihet nga Teleskopi Hapësinor Hubble dhe teleskopi Hapësinor Spitzer. Së bashku, të dy teleskopët ekspozojnë molekulat e pasura me karbon në renë kozmike të kësaj fabrike të formimit të yjeve, që ndodhet 1500 vjet dritë larg.

Pamja ultraviolet dhe e dritës së dukshme e Hubble-it zbulon gaz hidrogjeni dhe squfuri që janë nxehur dhe jonizuar nga rrezatimi intensiv ultraviolet prej yjeve masivë, i njohur kolektivisht si "Trapezi". Ndërkohë, pamja me infra të kuqe e Spitzer vë në dukje molekulat e pasura me karbon në këtë re. Së bashku, teleskopët ekspozojnë yjet në Orion si një ylber pikash të spërkatur në të gjithë imazhin.

Burimi: © NASA_App

Monday, January 4, 2021

Çfarë duhet të dish rreth neurotransmetuesve?


Neurotransmetuesit janë kimikate që kalojnë nëpër sinapse për të transmetuar impulse nga një neuron në një tjetër neuron, në një qelizë gjëndrore ose në një qelizë muskulore. Me fjalë të tjera, neurotransmetuesit përdoren për të dërguar sinjale nga një pjesë e trupit në një tjetër. Njihen mbi 100 neurotransmetues. Shumë prej tyre janë të ndërtuar thjesht nga aminoacidet. Të tjerët janë molekula më komplekse.

Neurotransmetuesit kryejnë shumë funksione jetësore në trup.  Për shembull, ato rregullojnë rrahjet e zemrës, u tregojnë mushkërive kur të marrin frymë, përcaktojnë pikën e caktuar për peshën, stimulojnë etjen, ndikojnë tek humori jonë dhe kontrollojnë tretjen.

"Çarja sinaptike" u zbulua nga patologu spanjoll Santiago Ramóny Cajal në fillim të shekullit të 20-të. Në vitin 1921, farmakologu gjerman Otto Loewi verifikoi që komunikimi midis neuroneve ishte rezultat i kimikateve të lëshuara. Loewi zbuloi neurotransmetuesin e parë të njohur, acetilkolinën.

Si funksionojnë Neurotransmetuesit?

Aksoni fundor i një sinapsi ruan neurotransmetuesit në fshikëza. Kur stimulohen nga një veprim potencial, fshikëzat sinaptike të një sinapsi lëshojnë neurotransmetues, të cilët kalojnë distancën e vogël (çarja sinaptike) midis fundit të një aksoni dhe një dendriti përmes difuzionit.  Kur neurotransmetuesi lidh një receptor në dendrit, sinjali komunikohet. Neurotransmetuesi mbetet në çarjen sinaptike për një kohë të shkurtër. Pastaj ai ose kthehet në neuronin parasinaptik përmes procesit të rimarrjes, metabolizohet nga enzimat, ose lidhet me receptorin.

Kur një neurotransmetues lidhet me një neuron post-sinaptik, ai mund ta eksitojë ose ta frenojë atë. Neuronët shpesh janë të lidhur me neurone të tjerë, kështu që në çdo kohë një neuron mund t’i nënshtrohet neurotransmetuesve të shumtë. Nëse stimuli për ngacmim është më i madh se efekti frenues, neuroni do të “ndizet” dhe të krijojë një veprim potencial, që çliron neurotransmetuesit në një tjetër neuron.  Kështu, një sinjal kryhet nga njëra qelizë në tjetrën.

Llojet e Neurotransmetuesve.

Një metodë e klasifikimit të neurotransmetuesve bazohet në përbërjen e tyre kimike. 

Kategoritë përfshijnë:
• Aminoacidet: acid γ-aminobutirik (GABA), aspartat, glutamat, glikinë, D-serinë

• Gazrat: monoksid karboni (CO), sulfid hidrogjeni (H2S), oksid nitrik (NO)

• Monoamina: dopaminë, epinefrinë, histaminë, norepinefrinë, serotoninë;

• Peptidet: β-endorfina, amfetaminat, somatostatina, enkefalina;

• Purinat: adenozina, trifosfati adenozin (ATP)

• Aminet e gjurmimit: oktopaminë, fenetilaminë, tripraminë;

• Molekulat e tjera: acetilkolina, anandamidi

• Jonet e vetme: zinku;

Metoda tjetër kryesore e kategorizimit të neurotransmetuesve është në përputhje me faktin nëse ato janë ngacmuese apo frenuese. Sidoqoftë, nëse një neurotransmetues është ngacmues apo frenues, varet nga receptori i tij. Për shembull, acetilkolina është frenuese e zemrës (ngadalëson rrahjet e zemrës), megjithatë nxitëse e muskujve të skeletit (bën që ajo të tkurret).


Neurotransmetues të rëndësishëm.

Glutamati është neurotransmetuesi më i bollshëm tek njerëzit, i përdorur nga rreth gjysma e neuroneve në trurin e njeriut. Ai është transmetuesi primar ngacmues në sistemin nervor qendror. Një nga funksionet e tij është të ndihmojë në formimin e kujtimeve. Interesant është fakti se, glutamati është toksik për neuronet.  Dëmtimi i trurit ose një trombozë në tru mund të çojë në një tepricë të glutamatit, duke vrarë neuronet.

GABA është transmetuesi kryesor frenues në trurin e vertebroreve. Ai dihmon për të kontrolluar ankthin. Mungesa e këtij neurotransmetuesi mund të rezultojë në kriza.

Glicina është neurotransmetuesi kryesor frenues në palcën kurrizore vertebrore.

Acetilkolina stimulon muskujt, funksionon në sistemin nervor autonom dhe neuronet shqisore si dhe shoqërohet me gjumin REM.  Shumë helme veprojnë duke bllokuar receptorët e acetilkolinës. Disa shembuj përfshijnë botulin, kurare dhe hemlok.  Sëmundja Alzheimer shoqërohet me një rënie të ndjeshme të niveleve të acetilkolinës.

Norepinefrina (noradrenalina) rrit rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut. Ajo është pjesë e sistemit hyperarousal ose përgjigjes akute ndaj stresit. Norepinefrina është gjithashtu e nevojshme për të formuar kujtimet. Gjendja e stresit zbraz "magazinën" e këtij neurotransmetuesi.

Dopamina është një transmetues frenues i lidhur me qendrën e shpërblimit të trurit.  Nivelet e ulëta të dopaminës shoqërohen me ankth social dhe sëmundjen e Parkinsonit, ndërsa dopamina e tepërt lidhet me skizofreninë.

Serotonina është një neurotransmetues frenues i përfshirë në humor, emocione dhe perceptim.  Nivelet e ulëta të serotoninës mund të çojnë në depresion, prirje vetëvrasjeje, çështje të menaxhimit të zemërimit, vështirësi në gjumë, migrenë dhe një dëshirë të shtuar për karbohidratet. Trupi mund të sintetizojë serotoninen nga aminoacidi triptofan, i cili gjendet në ushqime të tilla si qumështi i ngrohtë dhe gjeli i detit.

Endorfina është një klasë e molekulave të ngjashme me opioidet (p.sh., morfina, heroina) për nga struktura dhe funksioni.  Fjala "endorfinë" është shkurtesa e "morfinës endogjene". Endorfina është transmetuese frenuese e shoqëruar me kënaqësinë dhe lehtësimin e dhimbjes. Në kafshët e tjera, këto kimikate ngadalësojnë metabolizmin dhe lejojnë letargjinë.

Burimi: © ThoughtCo

Sunday, January 3, 2021

Nga absurditeti në mizori

            

Kina e viteve '50 ishte një shtet i vërshimeve të shpejta. Pas një fitoreje të fituar me vështirësi, Partia Komuniste mori përsipër të transformote një shoqëri agrare në një utopi moderne komuniste. Për këtë qëllim, kryetari i Partisë Mao Zedong nisi një plan ambicioz i njohur si: Hapi i Madh Përpara. Vizioni i Mao-s për këtë industrializim të shpejtuar kërkonte kolektivizimin e fermave si dhe një tërësi të re politikash. 

U gjykua si e domosdoshme që të eliminiheshin parazitët, e tillë si: mizat që bezdisin njerzit, mushkonjat që shpërndanin malarian si dhe minjtë që përhapnin murtajën. Kjo galeri keqbërësish u përmbyll me një përfshirje që ndoshta nuk pritej: harabeli Euroaziatik i pemëve. Ky zog i padëmshëm nuk përçonte asnjë sëmundje, por hante farat që fermerët kishin mbjellur. Për autoritetet, harabelat kishin rezonancë politike, sepse konsideroheshin si parazitë borgjez që shfrytëzonin proletariatin. Duke i shpallur zogjtë si, "kafshë publike të kapitalizmit", Fushata e Madhe e Harabelave e vitit 1958 kishte si qëllim të zhdukte këta armiq fluturues të revolucionit. 

Gazeta e përditshme "Populli i Pekinit" kërkonte që, "të gjithë duhet t'i bashkohen luftës...ne duhet të ruajmë me tërbimin e revolucionarëve". Kjo thirrje për luftë mori një përgjigje të prerë; vetëm Pekini grumbulloi një forcë prej 3 milion vetave. Ekipet e studentëve me pushkë stërviteshin për të gjuajtur harabelat, çerdhet shkatërroheshin në mënyrë sistematike, vezët thyheshin dhe të vegjlit vriteshin. Të tjerët godisnin tenxheret dhe rezultat i kësaj kakofonie ishte parandalimi i harabelave që të uleshin në tokë. Të shkatërruar nga lodhja, këto krijesa të mjera binin të vdekura në grupe. Zogjtë e tmerruar dyndeshin kudo ku ata mundnin të gjenin një strehë të sigurtë, e tillë si ambasada Polake në Pekin, e cila refuzoi hyrjen e turmave. Por, çdo pushim ishte jetëshkurtër, përsa kohë terreni ishte i rrethuar prej vullnetarëve që godisnin daullet. Pas dy ditësh ku vazhdimisht iu binin daulleve, ambasada Polake u detyrua të përdorte lopata për të pastruar harabelat e vdekur. Brenda një viti kanë qenë vrarë një numër i përllogaritur prej 1 miliardë harabelash, duke i bërë ata praktikisht të zhdukur në Kinë.

Por, arkitektët e këtij shkatërrimi nuk e kishin marrë parasysh rëndësinë e harabelave të thjeshtë. Autopsitë zbuluan se burimi ushqimor kryesor i tyre nuk ishin farat, por insektet. Dhe jo që nuk ishte parashikuar diçka e tillë! Orintologu kryesor në Kinë, Tao-hsin Cheng, kishte paralajmëruar që harabelat janë jetësor për kontrollin e insekteve dëmprurës. Duke u perceptuar si kritikë, ky paralajmërim shkaktoi zemërimin Mao-s dhe Cheng-u u etiketua si "autoritet reaksionar". Ai u dënua me riedukim dhe punë të vështirë. Partia eventualisht iu dorëzua realitetit në vitin 1959, por dëmi ishte bërë. Harabelat ishin i vetmi grabitqar natyror i karkalecave dhe në mungesë të tyre, popullata e insekteve shpërtheu. Përgjatë gjithë vendit, karkalecat shkatërronin rendimentin e të korrave pa u penguar. Kjo kërdi e detyroi Kinën në një ndryshim qëndrimi spektakolarë, aq sa importoi harabela nga Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, rendimenti i të korrave ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, një situatë kjo e përkeqësuar edhe prej politikave të tjera katastrofike të planit Hapi i Madh Përpara. Rezultati pasues i kësaj miopie ishte Uria e Madhe Kineze midis vitit 1959 dhe 1961, një tragjedi kjo që shkaktoi midis 15 dhe 45 milionë humbje jete të pafajshme. 

Kjo humbje tronditëse e jetës është një ilustrim i zymtë i dështimit të mendimit, një testament i asaj se çfarë mund të ndodhë nëse veprimet ndërmerren pa reflektuar se cilat mund të jenë pasojat. Mao dhe bashkëkohësit e tij ishin përfshirë nga silogjizmi i politikanit, "Diçka duhet bërë; kjo është diçka; prandaj, kjo duhet bërë." Por, thjesht të veprosh për hir të vetvetes nuk ka asnjë garanci se veprimi do të ketë përfitime. Ashtu siç na paralajmëron edhe fjala e urtë, rruga për në ferr është shtruar me qëllime të mira; veprimet e marra pak në konsideratë mund të çojnë në mënyrë të paqëllimshme, në rezultatete të llahtarshme. Dëshira e jashtëzakonshme e partisë për modernizim i kishte verbuar përkundrejt rrezikut dhe i bëri ata të shurdhër përballë shqetësimit të shkenctarëve, të cilët kishin nxitur të bëhej kujdes. Uria e Madhe Kineze është një shembull i asaj çka mund të ngjajë kur mendimi kritik bëhet pasmendim. 

Burimi: The Irrational Ape, David Robert Grimes, fq. 7-9.