Search This Blog

Thursday, December 31, 2020

Festivali i Vitit të Ri


Çdo ritual me natyrë kulturore, sociale dhe religjioze i mbajtur në mbarë botën në fillim të vitit të ri njihet si Festivali i Vitit të Ri. Të tilla festivale janë ndër më të vjetrat dhe më universalet. 

Regjistrimi më i hershëm i njohur i një festivali të Vitit të Ri daton rreth vitit 2000 p.e.s në Mesopotami, ku në Babiloni viti i ri ose Akitu fillonte me hënën e re pas ekuinoksit të pranverës (mesi i marsit) dhe në Asiri me hënën e re afër ekuinoksit të vjeshtës (mesi i shtatorit). Për egjiptianët, fenikasit dhe persët viti fillonte me ekuinoksin e vjeshtës (21 shtator), ndërsa për grekët e hershëm me solsticin e dimrit, 21 dhjetor. Në kalendarin republikan Romak viti fillonte në 1 Mars, por pas vitit 153 p.e.s, data zyrtare ishte 1 janari, e cila vazhdoi edhe në kalendarin Julian të vitit 46 p.e.s.

Në kohën e mesjetës së hershme, shumica e Evropës së krishterë e konsideronte 25 Marsin, Festën e Lajmërimit, si fillimin e vitit të ri, megjithëse Dita e Vitit të Ri festohej më 25 Dhjetor në Anglinë Anglo-Saksone. William Pushtuesi vendosi që viti të fillonte më 1 janar, por edhe Anglia më vonë u bashkua me pjesën tjetër të krishterimit dhe miratoi 25 Marsin. Kalendari Gregorian, i miratuar në 1582 nga Kisha Katolike Romake, rivendosi 1 Janarin si Ditën e Vitit të Ri dhe shumica e vendeve evropiane gradualisht ndoqi të njëjtin shembull: Skocia, në vitin 1660;  Gjermania dhe Danimarka, rreth vitit 1700;  Anglia, në vitin 1752; dhe Rusia, në vitin 1918.

Ato fe dhe kultura që përdorin një kalendar hënor kanë vazhduar të mbajnë si fillimin e vitit një ditë të ndryshme nga 1 janari. Në kalendarin fetar hebre, për shembull, viti fillon në Rosh Hashana, ditën e parë të muajit Tishri, i cili bie midis 6 shtatorit dhe 5 tetorit. Kalendari musliman normalisht ka 354 ditë në çdo vit, me vitin e ri që fillon me muajin Muharrem. Viti i Ri Kinez festohet zyrtarisht për një muaj duke filluar në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Kulturat e tjera aziatike e festojnë këtë ditë në periudha të ndryshme të vitit. Në Indinë jugore, tamilët (grup etno-linguistik në Indi) e festojnë vitin e ri në solsticin e dimrit; Tibetianët e festojnë këtë ditë në shkurt; dhe në Tajlandë dita festohet në Mars ose në Prill. Japonezët kanë një festë tre-ditore  nga 1-3 janar.

Ishin Romakët ata që i vendosën emrin muajit Janar sipas Zotit të tyre të quajtur Janus, i cili kishte dy fytyra, njëra shikonte pas ndërsa tjetra përpara. 

Wednesday, December 30, 2020

A mundet që truri i rritur në laborator të bëhet i ndërgjegjshëm?


Disa eksperimente po ngrejnë pyetje se nëse grumbujt e  qelizave dhe tru të patrupëzuar mund të bëhen të ndërgjegjshëm dhe si shkencëtarët do t'a dijnë nëse bëhen të tillë. 

Në laboratorin e Alysson Muotri, qindra tru njerëzorë në miniaturë, me madhësinë e farave të susamit, notojnë në enët laboratorike, duke shkaktuar aktivitet elektrik.

Këto struktura të vogla, të njohura si organoide të trurit, janë rritur nga qelizat burimore të njeriut dhe janë bërë një pajisje e njohur në shumë laboratorë që studiojnë vetitë e trurit. Muotri, një neuroshkencëtar në Universitetin e Kalifornisë, San Diego (UCSD), ka gjetur disa mënyra të pazakonta për të paraqitur idete e tija. Ai ka lidhur organoide me robotët që ecin, modifikoi gjenomet e tyre me gjenet e Neandertalit, i nisi në orbitë brenda Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar dhe i përdori ato si modele për të zhvilluar më shumë sisteme të inteligjencës artificiale të ngjashëm me atë njerëzore. Ashtu si shumë shkencëtarë, Muotri përkohësisht ka synuar studimin e COVID-19, duke përdorur organoide të trurit për të provuar se si ilaçet performojnë kundër koronavirusit SARS-CoV-2.

Por, një eksperiment ka tërhequr më shumë shqyrtime se të tjerët. Në gusht 2019, grupi i Muotrit publikoi një artikull në revistën "Cell Stem Cell" duke raportuar krijimin e organoideve të trurit njerëzor që prodhuan valë të koordinuara të aktivitetit, që i ngjajnë atyre që shihen tek foshnjat e lindura parakohe. Valët vazhduan për muaj të tërë para se ekipi të mbyllte eksperimentin.

Ky lloj i aktivitetit elektrik i koordinuar në të gjithë trurin është një nga vetitë e një truri të ndërgjegjshëm. Gjetja e ekipit bëri që eticienet dhe shkencëtarët të ngrenë një mori pyetjesh morale dhe filozofike nëse organoidet duhet të lejohen të arrijnë këtë nivel të zhvillimit të përparuar, nëse organoidet e vetëdijshme mund të kenë të drejtën e trajtimit të veçantë dhe të drejtat që nuk u janë dhënë grupeve të tjera të qelizave  dhe për mundësinë që vetëdija të krijohet nga e para.

Ideja e trurit pa trup dhe të vetëdijshëm ishte tashmë në mendjet e shumë neuroshkencëtarëve dhe bioeticinëve. Vetëm disa muaj më parë, një ekip në Universitetin Yale në New Haven, Connecticut, njoftoi se të paktën pjesërisht i kishte rikthyer jetën trurit të derrave që ishin vrarë orë më parë. Duke hequr trurin nga kafkat e derrave dhe duke i infuzuar me një koktej kimik, studiuesit ringjallën funksionet qelizore të neuroneve dhe aftësinë e tyre për të transmetuar sinjale elektrike.

Eksperimente të tjera, të tilla si përpjekjet për të shtuar neuronet njerëzore në trurin e miut, janë duke ngritur pikëpyetje, me disa shkencëtarë dhe eticienë që argumentojnë se këto eksperimente nuk duhet të lejohen.

Studimet kanë krijuar bazën për një debat midis atyre që duan të shmangin krijimin e vetëdijes dhe atyre që i shohin organoidet komplekse si një mjet për të studiuar sëmundjet shkatërruese të njeriut. Muotri dhe shumë neuroshkencëtarë të tjerë mendojnë se organoidet e trurit të njeriut mund të jenë çelësi për të kuptuar disa kushte unike të njeriut si autizmi dhe skizofrenia, të cilat është e pamundur të studiohen në detaje në modelet e miut. Për të arritur këtë qëllim, thotë Muotri, ai dhe të tjerët mund të kenë nevojë të krijojnë qëllimisht vetëdije.

Studiuesit tani po bëjnë thirrje për një sërë udhëzimesh, të ngjashme me ato të përdorura në kërkimet mbi kafshët, për të drejtuar përdorimin njerëzor të organoideve të trurit dhe eksperimente të tjera që mund të arrijnë vetëdijen. Në qershor, Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë të SH.B.A.-së filluan një studim me synimin për të përshkruar çështjet e mundshme ligjore dhe etike që lidhen me organoide të trurit dhe hibridet e njerëzve dhe kafshëve.

Shqetësimet për trurin e rritur në laborator gjithashtu kanë nxjerrë në pah një pikë paqartësie: neuroshkencëtarët nuk kanë asnjë mënyrë të dakordësuar për të përcaktuar dhe matur vetëdijen. Pa një përkufizim, eticienët shqetësohen se do të jetë e pamundur të ndalosh një eksperiment para se të kapërcejë ndonjë kufi.

Sasia aktuale e eksperimenteve mund ta shtyjnë detyrimisht përpara çështjen. Nëse shkencëtarët binden se një organoid ka fituar vetëdije, ata mund të kenë nevojë të nxitojnë dhe të bien dakord mbi një teori se si ka ndodhur kjo, thotë Anil Seth, një neuroshkencëtar kognitiv në Universitetin e Sussex afër Brighton, në Britaninë e Madhe.  Por, thotë ai, nëse teoria e favorizuar e një personi e konsideron organoidin të vetëdijshëm ndërsa tjetri jo, çdo bindje se vetëdija është arritur zhduket. "Bindja kryesisht varet nga ajo teori në të cilën ne besojmë. Ky është një argument rrethor".

Gjendja e vetëdijes

Krijimi i një sistemi të vetëdijshëm mund të jetë shumë më i lehtë sesa përkufizimi i tij.  Studiuesit dhe klinicistët e përcaktojnë vetëdijen në shumë mënyra të ndryshme për qëllime të ndryshme, por është e vështirë të sintetizohen ato në një përkufizim të hollësishëm operacional që mund të përdoret për të vendosur mbi statusin e një truri të rritur në laborator.

Mjekët në përgjithësi vlerësojnë nivelin e vetëdijes tek pacientët në një gjendje vegjetative në bazë të faktit nëse personi reagon në përgjigje të dhimbjes ose stimujve të tjerë. Për shembull, duke përdorur leximet e elektroencefalogramit (EEG), studiuesit mund të masin se si truri përgjigjet kur zaptohet me një impuls elektrik. Një tru i vetëdijshëm do të shfaqë një aktivitet elektrik shumë më kompleks dhe të paparashikueshëm sesa ai që është pa ndjenja, i cili përgjigjet me modele të thjeshta dhe të rregullta.

Por teste të tilla nuk mund të hetojnë në mënyrë adekuate nëse një personi i mungon vetëdija. Në studimet e imazhit të trurit për njerëzit që janë në gjendje kome ose vegjetative, shkencëtarët kanë treguar se individët që nuk reagojnë mund të shfaqin ndonjë aktivitet të trurit që të kujton vetëdijen, të tilla si aktiviteti në zonat motorike kur u kërkohet të mendojnë për të ecur.

Në çdo rast, testet standarde mjekësore për vetëdijen janë të vështira për t'u zbatuar në qelizat e trurit të rritura në enët laboratorike, ose trurin e kafshëve të hequr prej trupit.  Kur Muotri sugjeroi që modelet e tij të organoideve që po jepnin shenja, ishin po aq komplekse sa ato që shiheshin tek foshnjat e lindura parakohe, njerëzit nuk ishin të sigurt se çfarë të bënin me këtë rast. Disa studiues nuk e konsiderojnë veprimtarinë e trurit në një foshnjë të lindur parakohe të jetë aq komplekse sa të klasifikohet si e vetëdijshme. Dhe organoidet nuk mund të reagojnë prej një stimuli të dhimbshëm, kështu që ata nuk do të kalonin testin klinik për vetëdijen.

 Në të kundërt, ka shumë më shumë gjasa që një tru i padëmtuar nga një derr i sapo vrarë të ketë strukturat e nevojshme për vetëdijen, si dhe rrjetin elektrik të krijuar nga kujtimet dhe përvojat që kafsha kishte ndërsa ishte gjallë. "Duke menduar për një tru që është mbushur me të gjitha këto, është e vështirë të imagjinohet se truri do të jetë bosh", thotë Jeantine Lunshof, një filozofe dhe neuroeticiene në Universitetin e Harvardit në Cambridge, Massachusetts. Sjellja e një truri të vdekur përsëri në një pamje të jetës, siç bëri ekipi i Yale, mund të ketë potencialin për të rivendosur një shkallë të vetëdijes, megjithëse shkencëtarët u përpoqën mundimshëm për ta shmangur këtë duke përdorur agjentë kimikë bllokues që parandalonin aktivitetin në të gjithë trurin.

Studiuesit pajtohen se ata duhet të marrin seriozisht mundësitë e ngritura nga këto studime. Në tetor 2019, UCSD mbajti një konferencë me rreth një duzinë neuroshkencëtarësh dhe filozofësh, së bashku me studentë dhe anëtarë të publikut, me synimin për të krijuar dhe botuar një kornizë etike për eksperimentet e ardhshme.  Por punimi është vonuar për muaj, pjesërisht për shkak se disa nga autorët nuk mund të bien dakord mbi kërkesat bazike për ndërgjegjen.

Gjithnjë e më komplekse.

Pothuajse të gjithë shkencëtarët dhe eticienët pajtohen se deri më tani, askush nuk ka krijuar vetëdije në laborator. Por ata po pyesin veten se çfarë duhet të kenë kujdes dhe se cilat teori të ndërgjegjes mund të jenë më të rëndësishme. Sipas një ideje të quajtur teori e informacionit të integruar, për shembull, vetëdija është një produkt se sa dendur rrjetet e neuroneve janë të lidhura në të gjithë trurin. Sa më shumë neurone që ndërveprojnë me njëri-tjetrin, aq më e lartë është shkalla e vetëdijes, një sasi kjo e njohur si phi. Nëse phi është më i madh se zero, organizmi konsiderohet i vetëdijshëm.

Shumica e kafshëve arrijnë këtë nivel,sipas teorisë. Christof Koch që është president i Institutit Allen për Shkencat e Trurit në Seattle, Uashington, dyshon se ndonjë organoid ekzistues mund ta arrijë këtë prag, por e pranon një më i avancuar mundet.

Teori të tjera konkurruese të ndërgjegjes kërkojnë të dhëna hyrëse shqisore ose modele elektrike të koordinuara nëpër rajone të shumta të trurit. Një ide e njohur si teoria globale e hapësirës së punës, për shembull, paraqet që  korteksi parafrontal i trurit funksionon si kompjuter, duke përpunuar të dhënat hyrëse shqisore dhe duke i interpretuar ato për të formuar një sens të qenies. Për shkak se organoidet nuk kanë një korteks parafrontal dhe nuk mund të marrin të dhëna nëpërmjet shqisave, ata nuk mund të bëhen të vetëdijshëm. "Pa të dhënat hyrëse dhe dalëse, neuronet mund të flasin me njëri-tjetrin, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht diçka si mendimi njerëzor", thotë Madeline Lancaster, një biologe zhvillimore në Universitetin e Kembrixhit, Britani e Madhe.

Të lidhësh organoidet me organet, megjithatë, mund të jetë një detyrë mjaft e thjeshtë. Në vitin 2019, ekipi i Lancaster rriti organoide të trurit njerëzor pranë shtyllës kurrizore të një miu dhe muskujve të shpinës. Kur nervat nga organoidi njerëzor u lidhen me shtyllën kurrizore, muskujt filluan të tkurren spontanisht.

Shumica e organoideve janë ndërtuar për të riprodhuar vetëm një pjesë të trurit, korteksin. Por, nëse ato zhvillohen mjaftueshëm gjatë dhe me llojet e duhura të faktorit të rritjes, qelizat burimore njerëzore rikrijojnë në mënyrë spontane shumë pjesë të ndryshme të trurit, të cilat më pas fillojnë të koordinojnë aktivitetin e tyre elektrik. Në një studim të botuar në vitin 2017, biologia molekulare Paola Arlotta në Universitetin e Harvardit bashkoi qelizat burimore për t’i zhvilluar në organoide të trurit të përbërë nga shumë lloje të ndryshme të qelizave, duke përfshirë edhe qelizat e ndjeshme ndaj dritës si ato që gjenden në retinë. Kur ishin të ekspozuar ndaj dritës, neuronet në organoide filluan të reagonin. Por fakti që këto qeliza ishin aktive nuk do të thotë që organoidet mund të shohin dhe përpunojnë informacionin vizual, thotë Arlotta. Thjesht do të thotë se ato mund të formojnë qarqet e nevojshme.

 Arlotta dhe Lancaster mendojnë se organoidet e tyre janë shumë primitive për të qenë të vetëdijshëm, sepse u mungojnë strukturat anatomike të nevojshme për të krijuar modele komplekse të EEG (elektroencefalograme). Gjithsesi, Lancaster pranon që për organoidet e përparuara, kjo varet nga përkufizimi. "Nëse keni menduar se një mizë është e vetëdijshme, mund të përfytyrohet që edhe një organoid mund të jetë", thotë ajo.

Sidoqoftë, Lancaster dhe shumica e studiuesve të tjerë mendojnë se një tru derri i rivitalizuar do të kishte shumë më shumë gjasa të arrinte vetëdijen sesa një organoid. Ekipi që bëri punën në trurin e derrit, i udhëhequr nga neuroshkencëtari Nenad Sestan, po përpiqej të gjente mënyra të reja për të risjellur në jetë organet dhe jo për të krijuar vetëdije. Studiuesit ishin në gjendje të aktivizonin neurone individuale ose në grupe  dhe ishin të kujdesshëm për të provuar dhe shmangur krijimin e valëve të trurit të përhapura. Sidoqoftë, kur ekipi i Sestan pa atë që dukej si aktivitet i koordinuar i EEG në një nga trurët, ata menjëherë ndaluan projektin. Edhe pasi një specialist i neurologjisë konfirmoi që modeli nuk ishte në përputhje me vetëdijen, grupi anestetizoi trurin si një masë paraprake.

Sestan gjithashtu kontaktoi Institutin Kombëtar të Shëndetit të SH.B.A.-së (NIH) për udhëzime se si të veprohet. Paneli neuroetik i agjencisë, duke përfshirë Lunshof dhe Insoo Hyun, një bioeticien në Universitetin Case Western në Cleveland, Ohio, vlerësoi punën dhe ra dakord që Sestan duhet të vazhdojë të anestetizojë trurin. Por, paneli nuk ka vendosur rregullore më të përgjithshme dhe nuk kërkon në mënyrë rutinë një vlerësim të bioetikës për propozimet organoide, sepse anëtarët e tij mendojnë se vetëdija nuk ka gjasa të lindë. As "NIH" nuk ka arritur në një përkufizim të vetëdijes. "Është kaq fleksibël, të gjithë pretendojnë të kenë kuptimin e tyre", thotë Hyun. "Nëse nuk është e qartë që po flasim për të njëjtën gjë, atëherë është një problem i madh për diskursin."

Përkufizime të paqarta.

Disa mendojnë se është e kotë të përpiqesh të identifikosh vetëdijen në çdo lloj truri të ruajtur në laborator. "Është thjesht e pamundur të thuash gjëra kuptimplota rreth asaj që këto tufa të qelizave të trurit mund të mendojnë ose perceptojnë, duke qenë se nuk e kuptojmë vetëdijen", thotë Steven Laureys, një neurolog në Universitetin e Liège në Belgjikë. "Ne nuk duhet të jemi shumë arrogantë" Studimi i mëtejshëm duhet të vazhdojë me shumë kujdes, thotë ai.

Laureys dhe të tjerët theksojnë se përvoja e një organoidi ka të ngjarë të jetë shumë e ndryshme nga ajo e një foshnje të lindur parakohe, një njeriu të rritur ose e një derri dhe jo direkt e krahasueshme. Për më tepër, strukturat në një organoid mund të jenë shumë të vogla për të matur me saktësi aktivitetin e tyre, dhe ngjashmëritë midis modeleve EEG në organoide dhe në trurin e foshnjës së lindur parakohe mund të jenë të rastësishme. Shkencëtarët e tjerë që punojnë në organoide të trurit gjithashtu bëjnë thirrje për kujdes kundër bërjes së supozimeve për lidhjen midis modeleve të aktivitetit në organoide dhe vetëdijes.

"Ky sistem nuk është truri i njeriut", thotë Sergiu Pasca, një neuroshkencëtar në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni.  "Ata janë bërë nga neuronet, neuronet kanë aktivitet elektrik, por ne duhet të mendojmë me kujdes se si t'i krahasojmë ato."

 Muotri dëshiron që sistemet e tij organoide të jenë të krahasueshme, në të paktën disa mënyra me trurin e njeriut, në mënyrë që ai të mund të studiojë çrregullimet njerëzore dhe të gjejë për to trajtime. Motivimi i tij është personal: djali i tij 14-vjeçar ka epilepsi dhe autizëm. "Ai lufton shumë në jetë", thotë Muotri. Organoidet e trurit janë një rrugë premtuese, sepse ato rikapitulojnë fazat më të hershme të rrjetit elektrik të trurit, të cilat janë të pamundura të studiohen ndërsa zhvillohet një embrion njerëzor. Por studimi i çrregullimeve të trurit njerëzor pa një tru plotësisht funksional, thotë ai, është si të studiosh një pankreas që nuk prodhon insulinë. “Për të arritur atje, më duhet një model organoid i trurit që me të vërtetë i ngjan një truri njerëzor. Mund të më duhet një organoid që bëhet i vetëdijshëm.”

 Muotri thotë se ai është agnostik në lidhje me atë se cilin përkufizim të përdorë për të vendosur nëse një organoid arrin vetëdijen.  Në një moment, thotë ai, organoidet mund të jenë në gjendje të ndihmojnë studiuesit t'i përgjigjen pyetjeve se si truri prodhon gjendje të vetëdijshme. Për shembull, matematikani Gabriel Silva në UCSD po studion aktivitetin nervor në organoidet e Muotrit për të zhvilluar një algoritëm që përshkruan se si truri gjeneron vetëdijen. Qëllimi i projektit të tij, i cili financohet pjesërisht nga Microsoft, është të krijojë një sistem artificial që funksionon si vetëdija njerëzore.

Për momentin, nuk ka rregulla në Shtetet e Bashkuara ose në Evropë që do të ndalonin një studiues të krijonte vetëdije. Paneli i akademive Kombëtare planifikon të lëshojë një raport në fillim të vitit të ardhshëm, duke përshkruar hulumtimet e fundit dhe duke bërë një gjykim nëse rregullat janë të nevojshme. Anëtarët planifikojnë të vlerësojnë pyetje të tilla si, nëse duhet të marrin pëlqimin e njerëzve për t'i zhvilluar qelizat e tyre në organoide të trurit dhe si të studiojnë dhe asgjësojnë organoidet në mënyrë njerëzore. Shoqëria Ndërkombëtare për Kërkimin e Qelizave Burimore po punon gjithashtu në udhëzimet mbi organoidet, por nuk po e trajton vetëdijen si çështje sepse nuk mendon se shkenca të ketë arritur ende atje.

 Insoo Hyun thotë se paneli i neuroetikës në NIH (National Institute of Health) nuk ka parë ende ndonjë propozim për të krijuar organoide komplekse dhe të ndërgjegjshme që do të kërkonin udhëzime të reja. Dhe Muotri thotë se ai nuk njeh ndonjë tjetër që qëllimisht të përpiqet të krijojë organoide të vetëdijshme edhe pse një organoid mjaft kompleks mundet, sipas disa përkufizimeve, të arrijë atë status aksidentalisht.

Gjithsesi, Muotri dhe të tjerët thonë se do të mirëpresin disa udhëzime. Këto mund të përfshijnë detyrimin e shkencëtarëve për të justifikuar numrin e organoideve të trurit njerëzor që ata përdorin, t'i përdorin ato vetëm për kërkime që nuk mund të bëhen në ndonjë mënyrë tjetër, të kufizojnë sasinë e dhimbjes që mund t'u shkaktohet atyre dhe për t'i asgjësuar ato në mënyrë njerëzore  .

Të pasurit e një këshille të tillë para kohe do të ndihmonte studiuesit të peshojnë kostot dhe përfitimet e krijimit të entiteteve të ndërgjegjshme. Dhe shumë studiues theksojnë se eksperimente të tilla kanë potencialin të japin njohuri të rëndësishme. "Ka njerëz me të vërtetë të vetëdijshëm me çrregullime neurologjike pa trajtime", thotë Lancaster. "Nëse do të ndërprisnim të gjithë këtë kërkim për shkak të eksperimentit mendor filozofik," shton ajo, "kjo do të ishte shumë e dëmshme për qeniet njerëzore aktuale që kanë nevojë për ndonjë trajtim të ri."

Sidoqoftë, trajtimet mund të testohen në organoide truri të bëra duke përdorur qelizat burimore të miut, ose në modele të rregullta të kafshëve. Eksperimente të tilla mund të informojnë diskutime rreth përdorimit etik të organoideve njerëzore. Për shembull, Hyun do të dëshironte që studiuesit të krahasonin modelet EEG të organoideve të trurit të miut me ato të minjve të gjallë, të cilat mund të tregojnë se sa mirë organoidet njerëzore rikapitulojnë trurin e njeriut.

Nga ana e tij, Muotri sheh pak ndryshim midis punës në një organoid njerëzor ose një miu laboratorik. "Ne punojmë me modele të kafshëve që janë të vetëdijshme dhe nuk ka probleme", thotë ai. "Ne kemi nevojë për të ecur përpara dhe nëse rezulton se ata bëhen të vetëdijshëm, të jem i sinqertë nuk e shoh si një punë të madhe."

Burimi: © Nature 

Wednesday, December 23, 2020

Macja afrikane me putra të zeza.


Me një gjatësi nga rreth 20-25 cm ajo ka një pamje të adhurueshme e megjithatë pas pamjes së jashtme sharmante, fshihet një vrasëse e zhdërvjellët.

E njohur formalisht me emrin "felis nigripes" kjo lloj maceje është në fakt macja më e vogël në Afrikë. Ajo peshon mesatarisht nga rreth 1.1 kg deri në 1.9 kg ose afërsisht 200 herë më pak sesa një luan tipik. Pavarësisht përmasave të vogla, kjo specie është një prej felinëve më vdekjeprurës në botë. Duke kapur brenda një nate të vetme më shumë pre sesa kap një leopard në 6 muaj.  Por, macen afrikane me putra të zeza është e vështirë t'a gjurmosh nëpërmjet kamerave, sepse ajo priret të zhduket nëpër barin e lartë.

Sipas listës së kuqe të bërë nga IUCN ( International Union for Conservation of Nature and Natural Resources) për speciet e kërcënuara nga zhdukja, macja me putra të zeza klasifikohet si vulnerabël, që do të thotë se është në një rrezik të madh në jetën e egër. Në mënyrë të pabesueshme, kërkimet e mëparshme shkencore kanë treguar që shkalla e suksesit të gjuetisë së saj është 60 përqind. Për krahasim, luanët kanë sukses në kapjen e viktimave të tyre në vetëm 20 deri në 25 përqind të kohës. Ajo vret mesatarisht 10 deri në 14 brejtës dhe zogj të vegjël. Dhe ka një metabolizëm të shpejtë aq sa duhet të gjuajë pothuajse pa ndërprerje.

Burimi: Smithsonian

Monday, December 7, 2020

Jo vetëm hardhucat: edhe aligatorët mund të rirrisin bishtat e tyre gjithashtu, zbulon studimi i ri.


Një ekip studiuesish nga Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe Departamenti i Luizianës për Jetën e Egër dhe Peshkimin kanë zbuluar se alligatorët e rinj kanë aftësinë të rirrisin bishtat e tyre deri në rreth 18% të gjatësisë së tyre totale të trupit. Ata hamendësojnë se rirritja e bishtit të tyre u jep aligatorëve një avantazh funksional në habitatet e tyre të errëta ujore.

Ekipi kombinoi teknikat e përparuara të imazhit me metodat e demonstruara të studimit të anatomisë dhe organizimit të indeve për të shqyrtuar strukturën e këtyre bishtave të rirritur. Ata zbuluan se këta bishta të rinj ishin struktura komplekse, me një skelet qendror të përbërë nga kërc i rrethuar prej një indi lidhës që ishte i ndërthurur me enët e gjakut dhe nervat.  Gjetjet e tyre janë botuar në revistën Scientific Reports.

"Ajo që e bën interesant aligatorin, përveç madhësisë së tij, është se bishti i rirritur shfaq shenja si të rigjenerimit ashtu edhe të shërimit të plagës brenda së njëjtës strukturë," tha Cindy Xu, një e sapodiplomuar PhD nga programi i biologjisë molekulare dhe qelizore i Shkollës së Shkencave të Jetës të ASU si dhe autorja kryesore e punimit.

"Rirritja e kërcit, enëve të gjakut, nervave dhe luspave ishte në përputhje me studimet e mëparshme të rigjenerimit të bishtit të hardhucës të bëra nga laboratori ynë dhe të tjerë", tha ajo. "Sidoqoftë, ne u befasuam kur zbuluam ind lidhor të ngjashëm me indet e plagëve (janë inde fibroze që formohen pas shkatërrimit të indeve normale pas një sëmundjeje, plage ose operacioni) në vend të muskujve skeletorë në bishtin e rigjeneruar të aligatorit. Studimet e ardhshme krahasuese do të jenë të rëndësishme për të kuptuar pse kapaciteti rigjenerues është i ndryshueshëm midis grupeve të ndryshme të zvarranikëve dhe kafshëve"

"Spektri i aftësive rigjeneruese nëpër specie është magjepsës, padyshim që ka një kosto të lartë për prodhimin e muskujve të rinj," tha Jeanne Wilson-Rawls, bashkëaurtore kryesore si dhe profesoreshë e asociuar në Shkollën e Shkencave të Jetës të ASU.

Alligatorët, hardhucat dhe njerëzit i përkasin të gjithë një grupi kafshësh me shtyllë kurrizore të quajtur amniotë. Përveç studimeve të mëparshme në lidhje me aftësinë e hardhucave për të rigjeneruar bishtat e tyre, zbulimi i një bishti të rirritur kaq të madh dhe kompleks tek aligatorët, siguron informacion të ri dhe të konsiderueshëm në lidhje me procesin rigjenerues në klasifikimin më të madh të kafshëve të amniotave.

Kjo gjithashtu çon në pyetje të reja në lidhje me historinë e këtyre aftësive, dhe mundësitë për të ardhmen.

"Paraardhësit e aligatorëve dhe dinosaurëve dhe zogjve u ndanë rreth 250 milion vjet më parë," tha bashkëautori Kenro Kusumi, profesor dhe drejtor i Shkollës së Shkencave të Jetës të ASU.

"Gjetja jonë se aligatorët kanë mbajtur makinerinë qelizore për të rigjeneruar bishtin kompleks ndërsa zogjtë e kanë humbur atë aftësi, ngre pyetjen se kur gjatë evolucionit kjo aftësi ka humbur. A ka fosile të dinozaurëve, prej të cilëve zogjtë e kanë prejardhjen, që të kenë bishta të rirritur? Ne nuk kemi gjetur ndonjë provë të kësaj deri më tani në literaturën e botuar ".

Studiuesit shpresojnë se gjetjet e tyre do të ndihmojnë në zbulimin e qasjeve të reja terapeutike për riparimin e lëndimeve dhe trajtimin e sëmundjeve të tilla si artriti.

"Nëse e kuptojmë se si kafshë të ndryshme janë në gjendje të riparojnë dhe rigjenerojnë indet, kjo njohuri mund të shfrytëzohet për të zhvilluar terapi mjekësore", tha Rebecca Fisher, bashkëautore dhe profesoreshë në Universitetin e Arizonës, Kolegji i Mjekësisë.

Burimi: © Arizona State University 

Wednesday, December 2, 2020

Një guidë për llojet e ndryshme të patogjenëve


Patogjenët janë organizma mikroskopikë që shkaktojnë ose kanë potencialin të shkaktojnë sëmundje. Lloje të ndryshme të patogjenëve përfshijnë bakteret, viruset, protistët (si psh ameba, plazmodiumi, etj.), fungi, krimbat parazitarë (si psh krimbat e sheshtë dhe krimbat e rrumbullakët) dhe prionet. Ndërsa këta patogjenë shkaktojnë një shumëllojshmëri sëmundjesh duke filluar nga të voglat deri te kërcënueset për jetën, është e rëndësishme të theksohet se jo të gjithë mikrobet janë patogjenë. Në fakt, trupi i njeriut përmban mijëra lloje bakteresh, kërpudhash dhe protozoa që janë pjesë e florës së tij normale. Këto mikrobe janë të dobishme dhe të rëndësishme për operimin e duhur të aktiviteteve biologjike siç janë tretja dhe për funksionimin e sistemit imunitar. Ato shkaktojnë probleme vetëm kur kolonizojnë vendet në trup që zakonisht duhet të jenë pa mikrobe ose kur sistemi imunitar është i kompromentuar. Përkundrazi, organizmat vërtetë patogjenë kanë një qëllim të vetëm: të mbijetojnë dhe të shumohen me çdo kusht. Patogjenët përshtaten posaçërisht për të infektuar një trup bujtës, për të anashkaluar përgjigjet imune të bujtësit, për t’u riprodhuar brenda tij dhe për t'u larguar prej tij që të transmetohet te një bujtës tjetër.

1. Si transmetohen patogjenët?


Patogjenët mund të transmetohen në mënyrë direkte ose indirekte.  Transmetimi i drejtpërdrejtë përfshin përhapjen e patogjenëve nga kontakti i drejtpërdrejtë nga trupi në trup. Transmetimi i drejtpërdrejtë mund të ndodhë nga nëna tek fëmija si shembull mund të sjellim HIV-in, Zika-n dhe sifilis-in. Ky lloj transmetimi i drejtpërdrejtë (nga nëna te fëmija) njihet gjithashtu si transmetim vertikal. Llojet e tjera të kontaktit të drejtpërdrejtë përmes të cilave mund të përhapen patogjenët përfshijnë prekjen (MRSA), puthjet (virusi herpes i thjeshtë) dhe kontaktet seksuale (virusi i papilomës njerëzore ose HPV).  Patogjenët gjithashtu mund të përhapen me anë të transmetimit indirekt, i cili përfshin kontaktin me një sipërfaqe ose substancë që është e kontaminuar me patogjenë. Ai gjithashtu përfshin kontaktin dhe transmetimin përmes një kafshe ose thumbit të një insekti. Llojet e transmetimit indirekt përfshijnë:

• Ajrore: patogjeni nxirret jashtë (zakonisht nga teshtitja, kollitja, qeshja, etj.), mbetet pezull në ajër dhe thithet ose bie në kontakt me membranat e frymëmarrjes të një personi tjetër.

• Pikat: patogjenët që përmbahen në pikat e lëngut të trupit (pështymë, gjak, etj.) kontaktojnë një person tjetër ose kontaminojnë një sipërfaqe. Pikat e pështymës përhapen më së shpeshti përmes teshtitjes ose kollitjes.

• Përmes ushqimit: transmetimi ndodh përmes ngrënies së ushqimit të kontaminuar ose nga zakone të papërshtatshme të pastrimit pas trajtimit të ushqimit të kontaminuar.

• Përmes ujit: patogjeni përhapet nga konsumi ose kontakti me ujë të kontaminuar.

• Zootonike: patogjeni përhapet nga kafshët tek njerëzit. Kjo përfshin edhe thumbin e insekteve që e transmetojnë sëmundjen nëpërmjet pickimit ose të ushqyerit, si dhe përmes transmetimit nga kafshët e egra ose kafshët shtëpiake tek njerëzit.

Ndërsa nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar plotësisht transmetimin e patogjenit, mënyra më e mirë për të minimizuar shanset për të marrë një sëmundje patogjene është duke mbajtur një higjienë të mirë. Kjo përfshin larjen e duhur të duarve pas përdorimit të banjës, trajtimin e ushqimeve të papërpunuara, trajtimin e kafshëve shtëpiake ose jashtëqitjeve të kafshëve shtëpiake si dhe kur bie në kontakt me sipërfaqet që janë ekspozuar nga mikrobet.

Llojet e patogjenëve

Patogjenët janë shumë të larmishëm dhe përbëhen edhe nga organizma prokariotikë dhe nga ato eukariotikë. Patogjenët më të njohur zakonisht janë bakteret dhe viruset. Ndërsa të dy janë të aftë të shkaktojnë sëmundje infektive, bakteret dhe viruset janë shumë të ndryshëm.  Bakteret janë qeliza prokariote që shkaktojnë sëmundje duke prodhuar toksina. Viruset janë grimca të acidit nukleik (ADN ose ARN) të mbështjella me një proteinë. Ata shkaktojnë sëmundje duke marrë nën kontroll makinerinë e qelizave të bujtësit të tyre për të bërë kopje të shumta të virusit. Kjo veprimtari shkatërron qelizën pritëse gjatë procesit. Patogjenët eukariotikë përfshijnë fungi, protistët protozoarë dhe krimba parazitarë.

Prioni është një lloj unik i patogjenit që nuk është aspak organizëm, por proteinë.  Proteinat Prion kanë të njëjtat sekuenca aminoacide si proteinat normale por janë palosur në një formë anormale. Kjo formë e ndryshuar i bën proteinat prion infektive pasi ato ndikojnë që proteinat e tjera normale të marrin spontanisht një formë infektive. Prionet zakonisht ndikojnë në sistemin nervor qendror. Ata priren të grumbullohen së bashku në indet e trurit duke rezultuar në përkeqësim të neuroneve dhe trurit. Prionet shkaktojnë sëmundjen fatale neurodegjenerative të sëmundjes Creutzfeldt-Jakob (CJD) te njerëzit. Ata gjithashtu shkaktojnë encefalopati spongiforme të gjedhit (BSE) ose sëmundje të lopës së çmendur në bagëti.

2. Bakteret


Bakteret janë përgjegjëse për një numër infeksionesh që variojnë nga asimptomatike e deri te simptomat e papritura dhe ato intensive. Sëmundjet që sjellin bakteret patogjene janë zakonisht rezultat i prodhimit të toksinave (Endotoksinat, Ekzotoksinat).

• Endotoksinat janë përbërës të murit qelizor bakterial që lirohen me vdekjen dhe përkeqësimin e bakterit. Këto toksina shkaktojnë simptoma duke përfshirë temperaturë, ndryshime të presionit të gjakut, të dridhura, shok septik, dëmtime të organeve dhe vdekje.

• Ekzotoksinat prodhohen nga bakteret dhe lirohen në mjedisin e tyre. Tri lloje të ekzotoksinave përfshijnë citotoksinat, neurotoksinat dhe enterotoksinat. Citotoksinat dëmtojnë ose shkatërrojnë lloje të caktuara të qelizave të trupit. Bakteret Streptococcus pyogenes prodhojnë citotoksina të quajtura eritrotoksina që shkatërrojnë qelizat e gjakut, dëmtojnë kapilarët dhe shkaktojnë simptomat që lidhen me sëmundjen e "ngrënies së mishit".  Neurotoksinat janë substanca helmuese që veprojnë në sistemin nervor dhe në tru. Bakteret Clostridium botulinum lëshojnë një neurotoksinë që shkakton paralizë të muskujve.  Enterotoksinat ndikojnë në qelizat e zorrëve duke shkaktuar të vjella dhe diarre të forta. Speciet bakteriale që prodhojnë enterotoksina përfshijnë Bacillus, Clostridium, Escherichia, Staphylococcus dhe Vibrio.

3. Viruset


Viruset janë patogjenë unikë për arsye se nuk janë qeliza por segmente të ADN-së ose ARN-së të mbështjella brenda një kapsidi (zarf proteinash). Ato shkaktojnë sëmundje duke infektuar qelizat dhe duke komanduar makinerinë qelizore për të prodhuar më shumë viruse në mënyrë të përshpejtuar. Ata i kundërpërgjigjen ose shmangin detektimin e sistemit imunitar dhe shumohen me forcë brenda bujtësit të tyre. Viruset jo vetëm që infektojnë qelizat e kafshëve dhe bimëve, por gjithashtu infektojnë edhe bakteret e arkaet.

Infeksionet virale tek njerëzit variojnë për nga ashpërsia, nga të buta (virusi i të ftohurit) e deri në vdekjeprurëse (Ebola). Viruset shpesh shënjestrojnë dhe infektojnë indet ose organet specifike në trup. Virusi i gripit, për shembull, ka një afinitet për indet e sistemit të frymëmarrjes duke rezultuar në simptoma që e bëjnë frymëmarrjen të vështirë.  Virusi i tërbimit zakonisht infekton indet e sistemit nervor qendror ndërsa viruset e ndryshme të hepatitit banojnë në mëlçi. Disa viruse gjithashtu janë lidhur me zhvillimin e disa llojeve të kancerit. Viruset papillomane të njeriut janë shoqëruar me kancerin çervikal, hepatiti B dhe C janë lidhur me kancerin e mëlçisë dhe virusi Epstein-Barr ka qenë i lidhur me limfomën e Burkit (çrregullimi i sistemit limfatik).

4. Fungi


Fungit janë organizma eukariote që përfshijnë majanë dhe mykun. Sëmundja e shkaktuar nga fungit është e rrallë te njerëzit dhe zakonisht është rezultat i prishjes së një pengese fizike (lëkurës etj) ose i një sistemi imun të kompromentuar. Fungit patogjene shpesh shkaktojnë sëmundje duke kaluar nga një formë e rritjes në një tjetër. Që do të thotë, majatë njëqelizore arrijnë të ndryshojnë duke u rritur si myshqe, ndërsa myku kalon nga myk në maja.

Majaja Candida albicans ndryshon morfologjinë duke kaluar nga rritja e qelizave të rrumbullakëta , në rritjen e qelizave të zgjatura (filamentoze) të ngjashme me mykun bazuar në një numër faktorësh. Këta faktorë përfshijnë ndryshime në temperaturën e trupit, pH dhe praninë e disa hormoneve. C. albicans shkakton infeksione vaginale. Në mënyrë të ngjashme, fungit Histoplasma capsulatum jeton si myk filamentoz në habitatin e tij natyror që është dheu, por bëhet i ngjashëm me majanë kur thithet në trup. Shtysa për këtë ndryshim është rritja e temperaturës brenda mushkërive në krahasim me temperaturën e dheut. H. capsulatum shkakton një lloj infeksioni në mushkëri të quajtur histoplazmozë që mund të zhvillohet në sëmundje të mushkërive.

5. Protozoa


Protozoat janë organizma të vegjël njëqelizorë që bëjnë pjesë në Mbretërinë Protista. Kjo mbretëri është shumë e larmishme dhe përfshin organizma të tilla si algat, euglena, ameba, myku i zhulit, tripanosomet dhe sporozoanët.  Shumica e protistëve që shkaktojnë sëmundje tek njerëzit janë protozoarë. Ata e bëjnë këtë duke u ushqyer në mënyrë parazitare dhe duke u shumuar në kurriz të bujtësit të tyre. Protozoa parazitare zakonisht transmetohet te njerzit përmes kontaktit me dheun, përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar. Ato gjithashtu mund të transmetohen nga kafshët shtëpiake dhe kafshëve tjera, si dhe nga thumbat e insekteve.

Ameba Naegleria fowleri është një protozoar i pavarur, që gjendet zakonisht në tokë dhe habitate të ujërave të ëmbla. Ajo quhet ameba që ha trurin sepse shkakton sëmundjen e quajtur meningoencefaliti primar amebic (PAM). Ky infeksion i rrallë ndodh kur individët notojnë në ujë të ndotur. Ameba migron nga hunda në tru ku dëmton indet e trurit.

6. Krimbat parazitarë


Krimbat parazitarë infektojnë një numër organizmash të ndryshëm duke përfshirë bimët, insektet dhe kafshët. Krimbat parazitarë, të quajtur edhe helminths, përfshijnë nematodat (krimbat e rrumbullakët) dhe Platyhelminthes (krimbat e sheshtë). Tek njerzit, shumica e këtyre krimbave infektojnë zorrët dhe nganjëherë përhapen në zona të tjera të trupit. Parazitët e zorrëve ngjiten në muret e aparatit tretës dhe ushqehen nga bujtësi. Ata prodhojnë mijëra vezë që çelin brenda ose jashtë (kur largohen nëpërmjet jashtëqitjes) trupit.

Krimbat parazitarë përhapen përmes kontaktit me ushqimin dhe ujin e kontaminuar. Ata, gjithashtu mund të transmetohen nga kafshët dhe insektet tek njerëzit. Jo të gjithë krimbat parazitë infektojnë aparatin tretës. Speciet hematobike të Schistosoma-s për shembull, infektojnë fshikëzën e urinës dhe indin urogjenital. Krimbat Schistosoma banojnë në enët e gjakut. Pasi femrat vendosin vezët, disa vezë dalin nga trupi nëpërmjet urinës ose jashtëqitjes. Ndërsa të tjerët mund të futen në organet e trupit (si psh mëlçia, shpretka, mushkëritë) duke shkaktuar humbje të gjakut, pengesa të zorrës së trashë, shpretkë të zgjeruar ose grumbullim të tepërt të lëngjeve në bark. Llojet e shistosomës transmetohen nga kontakti me ujin që është ndotur me larvat e Schistosoma-s. Këto krimba hyjnë në trup duke depërtuar në lëkurë.

Burimi: © ThoughtCo 

Monday, November 30, 2020

COVID 19: katër mënyra për t'iu përgjigjur skeptikëve të vaksinave dhe ndoshta edhe t'i bindësh ata.


Për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, më shumë se 60,000 njerëz vdiqën në SH.B.A. nga poliomieliti, difteria dhe lia çdo vit. Në vitin 2016, numri i vdekjeve në Amerikë nga këto sëmundje ishte zero.  Përreth globit, dy deri në tre milion vdekje nga këto sëmundje dhe të tjera, përfshirë fruthin, rubeolën dhe tetanozin, parandalohen çdo vit.

Këto statistika të jashtëzakonshme janë një triumf i mjekësisë dhe e masës së vetme më të efektshme të shëndetit publik në histori: programet globale të vaksinimit.

COVID-19, pas programit më të shpejtë dhe të qëndrueshëm të zhvillimit të vaksinave në histori, tani duket se do t'i bashkohet kësaj liste të sëmundjeve fatale që mund të parandalohen lehtësisht me një injektim ose dy. Sëmundja që ka vrarë rreth 1.3 milion njerëz (dhe është në rritje), duket të ketë pasur ditën e saj. Mjerisht, ka shumë keqinformata përreth vaksinimeve, që po kërcënojnë suksesin e programeve të vaksinimit.

Pra, çfarë mund të bësh për të mbrojtur veten nga keqinformimi dhe për ta sfiduar atë në bisedë me të tjerët?

1. Kupto se me kë po flet

Mos të harrojmë se shumica e njerëzve do të ndiheshin të lumtur po të marrin një vaksinë COVID (64%, sipas një studimi të fundit).  Vetëm një pakicë e vogël (9%) nuk ka ndërmend të vaksinohet. Nëse hyni në një debat rreth vaksinimit, mund mund të qëllojë të jetë dikush që bën pjesë në këtë grupin e fundit. Dhe ju nuk keni shumë të ngjarë të ndryshoni mendjen e këtyre refuzuesve të vaksinave, kështu që audienca kryesore për argumentet tuaja është në të vërtetë pjesa tjetër e çdo grupi që shikon dhe veçanërisht 27% e atyre që hezitojnë në lidhje me vaksinimin.

Qëllimi i diskutimit tuaj është të fuqizoni anëtarët e audiencës me njohuri dhe argumente. Për ta bërë këtë, është e rëndësishme të gjesh gjuhë të përbashkët dhe disa "lidhje" me këdo që po flet, më mirë sesa t'i japësh vetëm leksione.

2. Vaksinimi kundër keqinformimit

Ka shumë shembuj të keqinformimit që "mbërthehen" në kujtimet tona individuale dhe shoqërore, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për t'i larguar ato, i tillë është përshëmbull "fakti" i rremë se njerëzit kanë vetëm pesë shqisa. Në vend që të luftojmë fakte të rreme, opsioni më i mirë është t'u mundësojmë njerëzve të dallojnë keqinformatat para se ato të përhapen përmes shoqërisë dhe të bëhen "endemike" si një e vërtetë e pranuar.

Për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për ekspozim paraprak ndaj versioneve të dobësuara të strategjive manipuluese që përdorin shitësit e fakteve të rreme.  Duke vepruar kështu, ne mund të parademaskojmë keqinformimin.

Për shembull, sapo të kuptoni se disa përdorues të mediave sociale, publikues dhe organe të tjera mund të kenë axhenda të fshehura dhe për këtë arsye ata mund të keq-prezantojnë qëllimisht studime shkencore si dhe të përzgjedhin informacione sipas dëshirës, ju jeni në një pozitë më të mirë për të kërkuar dhe vlerësuar faktet për veten tuaj. Dhe në fakt, edhe industritë e duhanit e të naftës nxorrën "ekspertë të rremë" për të krijuar dyshime se pirja e duhanit shkakton kancer dhe se  emetimet e CO2 ndikojnë, në klimë.

3. Demasko në mënyrë efektive

Në mes të një debati është ndoshta tepër vonë për të përftuar ndonjë taktikë parademaskue. Por duhet të tregoheni të kujdesshëm që të mos filloni një dialog, me anë të të cilit vetëm sa i jepni më shumë vëmëndje mitit. Thjesht përsëritja e të pavërtetave rrezikon t'i bëjë ato të qëndrojnë në kujtesën tonë, prandaj në vend të kësaj përqendroni pikat tuaja të diskutimit në rezultatet pozitive të vaksinimeve. Mos jini personi i parë që përmend mitin.

Por nëse përgjatë bisedës disa keqinformata përmenden, do t'ju duhet t'i merrni në konsideratë ato. Le të imagjinojmë se jeni në mes të një debati rreth COVID-it dhe dikush bën pretendimin se rrjeti 5G është shkaku i vërtetë i sëmundjes. Çelësi për t'a demaskuar siç duhet këtë është të kufizosh se sa shpesh përmendet gënjeshtra dhe t'a bësh të vërtetën më ngjitëse sesa mitin. Ja se si t'ia bësh:

a) Fillo duke deklaruar të vërtetën në një mënyrë të qartë dhe të përmbledhur. Mos ia nis me një shpjegim të gjatë, përkundrazi imagjino se po shkruan një titull.

"COVID-i përhapet në pikat e krijuara kur njerëzit nxjerrin frymën, veçanërisht kur kolliten, teshtijnë ose bërtasin."

b) Vini në dukje keqinformimin dhe tregohuni të qartë se ai është një mit.

"Rrjeti celular është në thelb një seri transmetuesish radio, dhe viruset nuk mund të udhëtojnë nëpërmjet valëve të radios."

c) Shpjego pse miti është i gabuar. Ti mund të vësh në dukje shkencën që hedh poshtë mitin dhe të përmendesh të metat në argument.

" Virusi COVID është përhapur nëpër shtete, të tilla si Irani për shembull, që nuk kanë fare rrjet 5G.

d) Ripohoni faktet.

4. Mendo përtej fakteve

Thënë kjo, faktet vetëm të ndihmojnë deri në njëfarë pike. Por, edhe fjalët që përdorim janë gjithashtu të rëndësishme, ato krijojnë imazhe që ndikojnë në përgjigjen tonë ndaj informacionit që po na paraqitet. Merr parasysh fjalët "tufat" dhe "komunitetet". Në cilën prej këtyre do të dëshiroje të ishe pjesë?  Shumica e njerëzve do të thoshin "komunitete". Pra, nëse je duke inkurajuar dikë që të vaksinohet, ti mund të dëshirosh të flasësh për kontributin e vaksinimit në imunitetin e komunitetit, në vend të imunitetit të tufës.

Një teknikë tjetër e rëndësishme është rrëfimi i ndodhive, i cili mund të jetë shumë më efektiv sesa faktet. Rrëfimet lidhin shkakun dhe pasojën, duke i bërë përfundimet që dëshiron të paraqesësh të duken pothuajse të pashmangshme. Për shembull, ti mund të duash t'u tregosh atyre që janë anti-vaksina, për një të afërm jeta e të cilit u shpëtua nga një vaksinë në një kohë kur nuk ishte në dispozicion për të gjithë.

Ose mund të theksosh se ke inkurajuar nënën tënde për të marrë vaksinën, në vend që thjesht të thoni se të moshuarit duhet ta bëjnë atë.

Burimi : © The Conversation 

Wednesday, September 16, 2020

Gjenetika e pemës së jetës.


Pema afrikane baobab (Adansonia digitata) quhet pema e jetës. Pemët Baobab mund të jetojnë për më shumë se një mijë vjet dhe të sigurojnë ushqim për njerëzit dhe bagëtinë, përbërje medicinale dhe lëndë të parë. Pemët Baobab janë tepër të rëndësishme. Megjithatë, shqetësimet në lidhje me ruajtjen e tyre po rriten, por deri më tani kishte mungesë të informacionit gjenetik.

Pema afrikane e baobab ka 168 kromozome, kjo njohuri është kritike për studime të mëtejshme gjenetike, konservim dhe përmirësim për qëllime bujqësore. Gjetjet u botuan në revistën "Scientific Reports". Studimet e mëparshme vlerësuan se kjo pemë ka midis 96 dhe 166 kromozome.
 
"Ne ishim në gjendje të numëronim pa dyshim kromozomet", thotë Nurul Faridi, një gjeneticist hulumtues i Shërbimit Pyjor USDA, i cili bashkë-drejtoi studimin me Hamidou Sakhanokho, një gjeneticist hulumtues i Shërbimit të Kërkimit Agrikulturor të USDA.

Studiuesit përdorën sonda fluoreshente për të parë përbërësit gjenetikë të kromozomeve individuale brenda qelizave, të cilat shkëlqejnë si bizhuteritë.

Analiza gjithashtu zbuloi se pema ka një Rajon Masiv Organizator të Nukleusit (NOR). Në lidhje me trupin kryesor të kromozomeve, ky rajon duket më i madh se i çdo specie tjetër të bimëve. Gjatë fazave të caktuara të ciklit qelizor, nukleuset formohen në NOR. Nukleuset janë thelbësore për mbledhjen e ribozomeve dhe sintezën e proteinave tek eukariotët dhe janë një tipar i rëndësishëm që diferencon eukariotët nga prokariotët.

"Këto zbulime gjenetike janë themelore dhe do ta bëjnë konservimin gjenetik të pemës afrikane baobab më efikase dhe efektive," thotë Dana Nelson, një bashkëautore dhe udhëheqëse e projektit të njësisë gjenetike të Stacionit të Kërkimeve Jugore. "Ky studim është gjithashtu një pararendës për programet e mbarështimit të pemëve që kërkojnë të përmirësojnë pemën baobab për aplikime silvikulturore."

Burimi: © USDA 

Një prezantim i evolucionit njerëzor.


Evolucioni i njeriut. 

Evolucioni i njeriut është proçesi i gjatë i ndryshimit nëpërmjet të cilit njerëzit e kanë origjinën nga paraardhës të ngjashëm me Apes (fjala angleze "ape" përfaqëson një grup primatësh pa bisht, me apendiks dhe me tru më kompleks). Provat shkencore tregojnë se tiparet fizike dhe të sjelljes të bashkëndara nga të gjithë njerëzit burojnë nga paraardhësit  e ngjashëm me "ape" dhe kanë evoluar për një periudhë prej afërsisht gjashtë milion vjetësh.

Një nga tiparet më të hershme njerëzore përcaktuese, bipedalizmi që është aftësia për të ecur në dy këmbë, evoluoi mbi 4 milion vjet më parë. Karakteristikat e tjera të rëndësishme njerëzore të tilla si, një tru i madh dhe kompleks, aftësia për të bërë dhe përdorur mjete si dhe aftësia për gjuhë, janë zhvilluar më vonë. Shumë tipare të përparuara, përfshirë të shprehurit kompleks simbolik, artin dhe larminë kulturore të përpunuar, janë shfaqur kryesisht gjatë 100,000 viteve të kaluara.

 Njerëzit janë primatë. Ngjashmëritë fizike dhe gjenetike tregojnë se speciet moderne njerëzore, Homo sapiensi, kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë me një grup tjetër të specieve primatësh të quajtur "apes". Njerëzit dhe ape-ët e mëdhenj të Afrikës, shimpanzetë (përfshirë bonobot, ose të ashtuquajturat "shimpanzetë e vegjël") dhe gorillat, ndajnë një paraardhës të përbashkët që jetoi midis 6 dhe 8 milion vjet më parë. Njerëzit fillimisht evoluan në Afrikë dhe shumica e evolucionit njerëzor ndodhi në atë kontinent. Fosilet e njerëzve të hershëm të cilët kanë jetuar midis 6 dhe 2 milion vjet më parë vijnë tërësisht nga Afrika.

Shumica e shkencëtarëve aktualisht njohin rreth 15 deri në 20 lloje të ndryshme të njerëzve të hershëm. Megjithatë, shkencëtarët nuk pajtohen të gjithë për mënyrën se si lidhen këto specie ose se cilat thjesht u shuan. Shumë specie të hershme njerëzore, sigurisht shumica e tyre, nuk lanë pasardhës të gjallë. Shkencëtarët gjithashtu debatojnë rreth mënyrës se si të identifikojnë dhe klasifikojnë specie të veçanta të njerëzve të hershëm, dhe në lidhje me faktorët që ndikuan në evolucionin dhe zhdukjen e secilës specie.

Njerëzit e hershëm migruan për herë të parë jashtë nga Afrika për në Azi ndoshta mes 2 milion dhe 1.8 milion vjet më parë. Ata hynë në Evropë disi më vonë, midis 1.5 milion dhe 1 milion vjet. Llojet e njerëzve modernë populluan shumë pjesë të botës shumë më vonë. Për shembull, njerëzit erdhën për herë të parë në Australi ndoshta gjatë 60,000 viteve të fundit dhe në Amerikë brenda 30,000 viteve të fundit apo më shumë.  Fillimet e agrikulturës dhe ngritja e civilizimeve të para ndodhën në 12,000 vitet e fundit.

Paleoantropologjia

Paleoantropologjia është studimi shkencor i evolucionit të njeriut. Paleoantropologjia është një nënfushë e antropologjisë që është studimi i kulturës njerëzore, shoqërisë dhe biologjisë. Fusha përfshin një kuptim të ngjashmërive dhe ndryshimeve midis njerëzve dhe specieve të tjera në gjene, formën e trupit, fiziologjinë dhe sjelljen e tyre. Paleoantropologët kërkojnë rrënjët e tipareve fizike dhe të sjelljes njerëzore. Ata kërkojnë të zbulojnë se si evolucioni ka formuar potencialet, prirjet dhe kufizimet e të gjithë njerëzve. Për shumë njerëz, paleoantropologjia është një fushë shkencore emocionuese sepse heton origjinën, për miliona vjet, të tipareve universale dhe përcaktuese të species tonë.  Sidoqoftë, disa njerëz e konsiderojnë shqetësuese konceptin e evolucionit njerëzor sepse mund të duket se nuk përputhet me besime fetare dhe besime të tjera tradicionale për mënyrën se si njerëzit dhe gjallesat e tjera erdhën në botë.  Sidoqoftë, shumë njerëz kanë arritur të pajtojnë bindjet e tyre me provat shkencore.

Fosilet e hershme njerëzore dhe mbetjet arkeologjike ofrojnë të dhëna më të rëndësishme për këtë të kaluar të lashtë.  Këto mbetje përfshijnë kocka, mjete dhe çdo provë tjetër (të tilla si gjurmë këmbësh, prova të vatrave ose shenja kasapësh në kockat e kafshëve) të lëna nga njerëzit e hershëm.  Zakonisht, eshtrat kanë qenë varrosur dhe ruajtur natyrshëm. Ato gjenden pastaj, ose në sipërfaqe (të ekspozuara nga shiu, lumenjtë dhe erozioni i erës) ose duke gërmuar në tokë. Duke studiuar kockat e fosilizuara, shkencëtarët mësojnë për pamjen fizike të njerëzve të hershëm dhe sesi ndryshoi ajo. Madhësia e kockave, forma dhe shenjat e lëna nga muskujt na tregojnë se si lëviznin ata paraardhës, si i mbanin mjetet dhe si ndryshoi madhësia e trurit të tyre për një kohë të gjatë. Provat arkeologjike u referohen gjërave që njerëzit më parë kanë bërë dhe vendeve ku shkencëtarët i gjejnë ato. Duke studiuar këtë lloj prove, arkeologët mund të kuptojnë se si njerëzit e hershëm bënin dhe përdornin mjetet dhe jetonin në mjediset e tyre.

Proçesi i evolucionit.

Proçesi i evolucionit përfshin një sërë ndryshimesh natyrore që bëjnë që speciet (popullatat e organizmave të ndryshëm) të lindin, të përshtaten me mjedisin dhe të zhduken. Të gjitha speciet ose organizmat kanë origjinën përmes proçesit të evolucionit biologjik. Te kafshët që riprodhohen seksualisht, duke përfshirë njerëzit, termi specie i referohet një grupi, anëtarët e rritur të të cilit riprodhohen rregullisht, duke rezultuar në pasardhës pjellorë, që domethënë se edhe pasardhësit janë të aftë të riprodhohen. Shkencëtarët klasifikojnë secilën specie me një emër unik, shkencor dy-pjesësh. Në këtë sistem, njerëzit modernë klasifikohen si Homo sapiens.

Evolucioni ndodh kur ka ndryshim në materialin gjenetik, molekulën kimike ADN, e cila trashëgohet nga prindërit dhe veçanërisht në proporcione të gjeneve të ndryshme në një popullatë. Gjenet përfaqësojnë segmentet e ADN-së që sigurojnë kodin kimik për prodhimin e proteinave. Informacioni që përmbahet në ADN mund të ndryshojë nga një proces i njohur si mutacion. Mënyra se si gjenet e veçanta shprehen, domethënë se si ato ndikojnë në trupin ose në sjelljen e një organizmi, mundet gjithashtu të ndryshojë.  Gjenet ndikojnë në mënyrën se si trupi dhe sjellja e një organizmi zhvillohen gjatë jetës së tij dhe kjo është arsyeja pse karakteristikat e trashëguara gjenetikisht mund të ndikojnë në gjasat e mbijetesës dhe riprodhimit të një organizmi.

Evolucioni nuk ndryshon një individ të vetëm.  Në vend të kësaj, ai ndryshon mjetet e trashëguara të rritjes dhe zhvillimit që tipizojnë një popullatë (një grup individësh të së njëjtës specie që jetojnë në një habitat të veçantë). Prindërit kalojnë ndryshime gjenetike adaptive në pasardhësit e tyre, dhe në fund të fundit këto ndryshime bëhen të zakonshme në të gjithë popullatën. Si rezultat, pasardhësit trashëgojnë ato karakteristika gjenetike që rrisin shanset e tyre për të mbijetuar dhe aftësinë për të lindur, të cilat mund të funksionojnë mirë derisa të ndryshojë mjedisi. Me kalimin e kohës, ndryshimi gjenetik mund të ndryshojë mënyrën e përgjithshme të jetës së një specie të tillë si, çfarë ha, si rritet dhe ku mund të jetojë. Evolucioni i njeriut ndodhi teksa variacione të reja gjenetike në popullatat e paraardhësve të hershëm favorizuan aftësitë e reja për t'u përshtatur me ndryshimet mjedisore dhe kështu ndryshuan mënyrën njerëzore të jetës.

Burimi: © Smithsonian 

Wednesday, September 9, 2020

Shtatë mrekullitë e reja të botës.


Në vitin 2000, një fondacion zviceran nisi një fushatë për të përcaktuar shtatë mrekullitë e reja të botës. Duke qenë se lista origjinale e Shtatë Mrekullive ishte përpiluar në shekullin e 2-të para erës sonë dhe se vetëm një prej tyre është ende në këmbë (Piramidat e Gizës), dukej se kishte ardhur koha për një azhornim. Dhe njerëzit në të gjithë botën me sa duket ranë dakord, pasi më shumë se 100 milion vota u hodhën në Internet ose përmes mesazheve me tekst. Rezultatet përfundimtare, të cilat u njoftuan më 2007, u pritën me brohoritje, por edhe me shaka, pasi një numër pretendentësh të shquar, të tillë si Akropoli i Athinës, dështuan të bëhen pjesë.  A jeni dakord me listën e re?

1. Muri i madh Kinez


Të thuhet thjesht "i madh" mund të jetë një nënvlerësim. Një nga projektet më të mëdha në botë për ndërtimin e ndërtesave, Muri i Madh i Kinës mendohet gjerësisht se është i gjatë rreth 8,850 km; një studim i diskutueshëm kinez, megjithatë, pretendon se gjatësia e tij është 21.200 km. Puna filloi në shekullin e 7-të p.e.s dhe vazhdoi për dy mijëvjeçarë. Megjithëse quhet "mur", struktura në të vërtetë përmban dy mure paralele në shtrirje të gjatë. Për më tepër, kulla vrojtimi dhe kazerma mbrojtjeje. Sidoqoftë, një gjë jo shumë e madhe për murin ishte efektiviteti i tij. Megjithëse u ndërtua për të parandaluar pushtimet dhe bastisjet, muri kryesisht dështoi në dhënien e  sigurisë faktike. Në vend të kësaj, studiuesit kanë vërejtur se ai shërbeu më shumë si "propagandë politike".

2. Chichen Itza

Chichen Itza është një qytet i Majave në Gadishullin Jukatan në Meksikë, i cili lulëzoi në shekujt 9 dhe 10 të erës sonë. Nën fisin Mayan Itza, të cilët u ndikuan fuqimisht nga Toltekët, u ndërtuan një numër monumentesh dhe tempujsh të rëndësishëm. Ndër më të dukshmet është piramida e shkallëzuar El Castillo ("Kështjella"), e cila ngrihet 24 metra mbi sheshin kryesor. Një dëshmi e aftësive astronomike të Majave, struktura përmban një total prej 365 hapash, që përkon me numrin e ditëve në vitin diellor. Gjatë ekuinokseve të pranverës dhe vjeshtës, dielli që perëndon hedh hije mbi piramidën dhe jep pamjen e një gjarpri që rrëshqet poshtë shkallëve veriore; në bazë është një kokë gjarpri prej guri. Sidoqoftë, jeta atje nuk ishte e gjitha punë dhe shkencë. Chichen Itza është shtëpia e "tlachtli" më të madh (një lloj fushe sportive) në Amerikat.  Në atë fushë, banorët luanin një lojë rituale me top të popullarizuar në të gjithë Mesoamerikën para-kolumbiane.

3. Petra

Qyteti antik i Petrës në Jordani, është i vendosur në një luginë të largët, e vendosur mes maleve dhe shkëmbinjve ranorë.  Supozohej se ishte një nga vendet ku Moisiu goditi një shkëmb dhe uji shpërtheu.  Më vonë Nabataeanet, një fis arab, e bëri atë kryeqytetin e tyre, dhe gjatë kësaj kohe ajo lulëzoi, duke u bërë një qendër e rëndësishme tregtare, veçanërisht për erëza. Gdhendësit e shënuar, Nabataeanët gdhendën në gur ranor banesa, tempuj dhe varre, të cilat ndryshojnë ngjyrën me zhvendosjen e diellit. Përveç kësaj, ata ndërtuan një sistem uji që lejonte kopshte të harlisura dhe bujqësi. Në kulmin e saj, Petra thuhet se kishte një popullsi prej 30,000 banorësh. Qyteti filloi të bjerë, megjithatë, pasi rrugët tregtare u zhvendosën. Një tërmet i madh në vitin 363 të erës sonë shkaktoi më shumë vështirësi dhe pas një goditje tjetër në 551, Petra u braktis gradualisht.  Megjithëse u rizbulua në 1912, ai u injorua kryesisht nga arkeologët deri në fund të shekullit të 20-të, dhe shumë pyetje mbeten në lidhje me qytetin.

4. Machu Picchu

Kjo vendodhje e Inkasve afër Cuzco në Peru, u "zbulua" në vitin 1911 nga Hiram Bingham, i cili besonte se ishte Vilcabamba, një bastion i fshehtë i Inkasve i përdorur gjatë rebelimit të shekullit të 16-të kundër sundimit Spanjoll. Megjithëse ai pretendim më vonë u hodh poshtë, qëllimi i Machu Picchu ka hutuar studiuesit. Bingham besonte se ishte shtëpia e "Virgjëreshave të Diellit", gra që jetonin në manastir nën një zotim të dëlirësisë. Të tjerë mendojnë se ka të ngjarë të ishte një vend pelegrinazhi, ndërsa disa besojnë se ishte një tërheqje mbretërore. (Një gjë që me sa duket nuk duhet të jetë është vendi i një reklame birre. Në vitin 2000 një vinç që po përdorej për një reklamë të tillë ra dhe theu një monument.) Ajo që dihet është se Machu Picchu është një nga disa rrënojat kryesore para-kolumbiane që është gjetur gati e paprekur.  Pavarësisht izolimit relativ të tij të lartë në Malet e Andeve, ai përmban tarraca bujqësore, shesh, zona banimi dhe tempuj.

5. Krishti Shëlbuesi

Krishti Shëlbuesi, një statujë kolosale e Jezusit, qëndron në majë të malit Corcovado në Rio de Janeiro. Origjina e saj daton menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, kur disa brazilianë kishin frikë nga një «valë mosbesimi në Zot». Ata propozuan një statujë, e cila u projektua përfundimisht nga Heitor da Silva Costa, Carlos Oswald dhe Paul Landowski.  Ndërtimi filloi në vitin 1926 dhe përfundoi pesë vjet më vonë. Monumenti që rezultoi është 30 metra i gjatë, duke mos përfshirë bazën e tij, e cila është rreth 28 metra e lartë dhe krahët e tij janë të shtrirë një gjatësi prej 28 metra. Kjo është skulptura më e madhe e Art Deco në botë. Krishti Shëlbuesi është bërë prej betoni të përforcuar dhe është i mbuluar me afërsisht gjashtë milion pllaka. Disi në mënyrë zhgënjyese, statuja shpesh është goditur nga rrufeja dhe në 2014 maja e gishtit të djathtë të Jezuit u dëmtua gjatë një stuhie.

6. Koloseu

Koloseu në Romë u ndërtua në shekullin e parë me urdhër të Perandorit Vespasian.  Një shënjë e inxhinierisë, amfiteatri ka një madhësi prej 189 me 156 metra dhe përmban një sistem kompleks të kupolave.  Ai ishte i aftë të mbante 50,000 spektatorë, të cilët shikonin një larmi eventesh.  Ndoshta më të mirënjohurit ishin luftimet me gladiatorë, megjithëse burrat që luftonin me kafshët kanë qenë gjithashtu të zakonshme. Për më tepër, uji hidhej ndonjëherë në Koloseum për beteja ujore. Besimi se të krishterët janë martirizuar aty është sidoqoftë i debatueshëm. Sipas disa vlerësimeve, rreth 500,000 njerëz vdiqën në Koloseum. Për më tepër, kaq shumë kafshë u kapën dhe më pas u vranë atje, saqë specie të caktuara thuhet se u zhdukën.

7. Taj Mahal
Ky kompleks mauzoleumi në Agra, Indi, konsiderohet si një nga monumentet më ikonë të botës dhe është ndoshta shembulli më i mirë i arkitekturës Mughal. Ajo u ndërtua nga Perandori Shah Jahān (mbretëroi 1628–58) për të nderuar gruan e tij Mumtāz Maḥal, e cila vdiq në vitin 1631 duke lindur fëmijën e tyre të 14-të. U deshën rreth 22 vjet dhe 20,000 punëtorë për të ndërtuar kompleksin, i cili përfshin një kopsht të pamasë me një pishinë reflektuese. Mauzoleumi është bërë prej mermeri të bardhë që përmban gurë gjysëm të çmuar në modelet gjeometrike dhe të luleve. Kupola e saj madhështore qendrore është e rrethuar nga katër kupola më të vogla. Sipas disa raporteve, Shah Jahān dëshironte të kishte mauzoleun e tij të bërë nga mermeri i zi. Sidoqoftë, ai u rrëzua nga një prej djemve të tij para se të fillonte çdo punë.


Saturday, August 15, 2020

Nukleosinteza yjore. Si i bëjnë yjet të gjithë elementët?


Nukleosinteza yjore është procesi përmes të cilit elementët krijohen brenda yjeve duke kombinuar protonet dhe neutronet së bashku nga bërthamat e elementeve më të lehta. Të gjithë atomet në univers filluan si hidrogjen. Fuzioni brenda yjeve shndërron hidrogjenin në helium, nxehtësi dhe rrezatim. Elementet më të rënda krijohen në lloje të ndryshme të yjeve ndërsa vdesin ose shpërthejnë.

Historia e teorisë

Ideja që yjet bashkojnë atomet e elementeve të lehtë u propozua për herë të parë në vitet 1920, nga mbështetësi i fortë i Ajnshtajnit, Arthur Eddington. Sidoqoftë, kredencialet e vërteta për zhvillimin e saj në një teori koherente i jepet veprës së Fred Hoyle pas Luftës së Dytë Botërore. Teoria e Hoyle përmbante disa ndryshime domethënëse nga teoria aktuale, më së shumti që ai nuk besonte në teorinë Big Bang-ut, por përkundrazi që hidrogjeni po krijohej vazhdimisht brenda universit tonë. (Kjo teori alternative u quajt teoria e gjendjes së qëndrueshme dhe nuk rezultoi e favorshme kur u zbulua rrezatimi në sfond i mikrovalëve kozmike.)

Yjet e hershëm.

Lloji më i thjeshtë i atomit në univers është një atom hidrogjeni, i cili përmban një proton të vetëm në bërthamë (ndoshta me disa neutrone, gjithashtu) me elektronet që i rrotullohen asaj bërthame. Këta protone tani besohet se janë formuar kur plazma me një energji kuark-gluon pabesueshmërisht e lartë e universit shumë të hershëm humbi energji të mjaftueshme saqë kuarkët filluan të lidhen së bashku për të formuar protone (dhe hadrone të tjerë, si neutronet). Hidrogjeni u formua pothuajse në çast dhe madje edhe heliumi (me bërthama që përmbajnë 2 protone) u formuan në një rend relativisht të shkurtër kohe (pjesë e një procesi të referuar si nukleosinteza e Big Bang-ut).

Ndërsa ky hidrogjen dhe helium filluan të formohen në universin e hershëm, atje kishte disa zona ku ishte më i dendur se në të tjerat.  Forca e gravitetit mbizotëroi dhe eventualisht këto atome u tërhoqën brenda një reje masive prej gazi në hapësirën e pamasë. Sapo këto re u bënë mjaftueshëm të mëdha, ato u tërhoqën nga graviteti me mjaft forcë që në fakt të shkaktonte shkrirjen e bërthamës atomike, në një proces të quajtur fuzion bërthamor. Rezultati i këtij procesi të fuzionit është se dy atome me një proton kanë formuar një atom të vetëm me dy protone. Me fjalë të tjera, dy atome të hidrogjenit kanë krijuar një atom të vetëm të heliumit. Energjia e lëshuar gjatë këtij procesi është ajo që bën që dielli (ose ndonjë yll tjetër) të "digjet".

Duhen afro 10 milion vjet të "digjet" përmes hidrogjenit, pastaj gjërat nxehen dhe heliumi fillon të shkrihet. Nukleosinteza yjore vazhdon të krijojë elementë  gjithnjë e më të rëndë deri sa të përfundosh me hekur.

Krijimi i elementeve më të rëndë

"Djegia" e heliumit për të prodhuar elementë më të rëndë pastaj vazhdon për rreth 1 milion vjet. Në pjesën më të madhe, ajo është e shkrirë në karbon përmes procesit "treshe-alfa", në të cilin shndërrohen tre bërthama helium-4 (grimca alfa). Procesi alfa, pastaj kombinon heliumin me karbonin për të prodhuar elementë më të rëndë, por vetëm ata me një numër çift protonesh. Kombinimet shkojnë në këtë renditje:

1. Karbon plus helium prodhon oksigjen. 

2. Oksigjen plus helium prodhon neon.

3. Neon plus helium prodhon magnez.

4. Magnesium plus helium prodhon silikon.

5. Silicon plus helium prodhon squfur.

6. Sulfuri plus helium prodhon argon.

7. Argon plus helium prodhon kalcium.

8. Kalcium plus helium prodhon titan.

9. Titanium plus  heliumi prodhon krom.

10. Kromi plus helium prodhon hekur.

Mënyrat e tjera të fuzionit krijojnë elementet me numër tek të protoneve. Hekuri ka një bërthamë aq ngushtë të lidhur sa që nuk ka fuzion të mëtejshëm pasi të arrihet kjo pikë.  Pa nxehtësinë e fuzionit, ylli bie në kolaps dhe shpërthen në një valë shoku.

Fizikani Lawrence Krauss vëren se duhen 100,000 vjet që karboni të shndërrohet në oksigjen, 10,000 vjet që oksigjeni të shndërrohet në silic, dhe një ditë që silikoni të shndërrohet në hekur duke sinjalizuar kështu kolapsin e yllit.

 Astronomi Carl Sagan në serinë televizive "Cosmos" ka vënë në dukje, "Ne jemi bërë nga materiali i yjeve". Krauss në dakordësi më të shton, "çdo atom në trupin tuaj ka qenë njëherë brenda një ylli që ka shpërthyer... Atomet në dorën tënde të majtë ndoshta kanë ardhur nga një yll i ndryshëm, sesa ata në dorën tënde të djathtë, sepse 200 milion yje kanë shpërthyer për të përbërë atomet në trupin tënd."

Burimi: © Thoughtco 

Fakte rreth Diellit: çfarë duhet të dish.


Ajo dritë dielli që ne të gjithë e shijojmë duke marrë rreze në një pasdite dembele? Ajo vjen nga një yll, ai më i afërti me Tokën. Është një nga karakteristikat më të shkëlqyera të Diellit, i cili është objekti më masiv në sistemin diellor. Ai siguron në mënyrë efikase ngrohtësinë dhe dritën që i duhet jetës për të mbijetuar në Tokë. Dielli gjithashtu ndikon një koleksion planetesh, asteroidesh, kometash, objekteve në Kuiper Belt dhe në bërthamen prej kometash në Renë e largët Ort.

Sado i rëndësishëm të jetë për ne, në skemën e madhe të galaktikës, Dielli është në të vërtetë një lloj ylli mesatar. Kur astronomët e vendosin atë në vendin e vet sipas hierarkisë së yjeve, ai nuk është as shumë i madh, as shumë e vogël dhe as shumë aktiv.  Teknikisht, është klasifikuar si një yll i tipit G.  Yjet më të nxehtë janë ata të tipit O dhe më të zbehtët janë të tipit M në shkallën O, B, A, F, G, K, M. Dielli bie pak a shumë në mes të kësaj shkalle. Jo vetëm kaq, por ai është një yll me moshë mesatare dhe astronomët i referohen atij në mënyrë joformale si një xhuxh të verdhë. Kjo sepse nuk është shumë masiv kur krahasohet me yje të tillë behemoth si Betelgeuse.

Sipërfaqja e Diellit

Dielli mund të duket i verdhë dhe i qetë në qiellin tonë, por në të vërtetë ai ka një "sipërfaqe" mjaft të larmë. Në fakt, Dielli nuk ka një sipërfaqe të fortë siç e njohim ne këtu në Tokë, por përkundrazi ka një shtresë të jashtme të një gazi të elektrizuar të quajtur "plazma" që duket se është sipërfaqe. Ajo përmban njollat e diellit, prominencat diellore dhe nganjëherë gjëmon nga shpërthimet e jashtme të quajtura flakërime. Sa shpesh ndodhin këto njolla dhe flakërime? Kjo varet nga vendi se ku është Dielli në ciklin e tij diellor. Kur Dielli është më aktiv, ai është në "maksimumin diellor" dhe ne shohim shumë njolla të diellit dhe shpërthime të jashtme. Kur Dielli qetësohet, ai është në "minimumin diellor" dhe ka më pak aktivitet. Në fakt, gjatë kohërave të tilla, mund të duket mjaft i vakët për periudha të gjata kohore.

Jeta e Diellit

Dielli ynë u formua në një re gazi dhe pluhuri rreth 4.5 miliardë vjet më parë. Dhe ai do të vazhdojë të konsumojë hidrogjen në bërthamen e tij ndërsa lëshon dritë dhe nxehtësi për 5 miliardë vjet të tjerë. Eventualisht, ai do të humbasë pjesën më të madhe të masës së tij dhe të formojë një mjegullnajë planetare. Ajo çfarë mbetet pas, do të tkurret për t'u bërë një xhuxh i bardhë që ftohet ngadalë.

Çfarë është brenda diellit

Dielli ka një strukturë shtresore që e ndihmon atë të krijojë dritë dhe nxehtësi dhe t'i përhap ato në sistemin diellor. Bërthama është pjesa qendrore e Diellit.  Është vendi ku banon termocentrali i Diellit. Këtu, temperatura 15.7 milion Kelvin dhe presioni jashtëzakonisht i lartë janë të mjaftueshme për të bërë që hidrogjeni të shkrihet (fuzioni) në helium.  Ky proces siguron gati të gjithë prodhimin e energjisë së Diellit, i cili i lejon atij të heqë energjinë ekuivalente të 100 miliardë bombave bërthamore çdo sekondë.

 Zona rrezatuese shtrihet jashtë bërthamës, që shtrihet në një distancë prej rreth 70% të rrezes së Diellit, plazma e nxehtë e Diellit ndihmon në rrezatimin e energjisë larg nga bërthama përmes një rajoni të quajtur zona rrezatuese. Gjatë këtij procesi, temperatura bie nga 7,000,000 Kelvin në rreth 2,000,000 Kelvin.

Zona konvektive ndihmon në transferimin e nxehtësisë diellore dhe dritës në një proces të quajtur "konvekcion". Plazma e gaztë e nxehtë ftohet ndërsa mbart energji për në në sipërfaqe. Gazi i ftohur pastaj zhytet përsëri në kufirin e zones rrezatuese dhe të konvekcionit dhe procesi fillon përsëri. 

Fotosfera (sipërfaqja e dukshme): normalisht kur shikojmë Diellin (duke përdorur vetëm pajisje të përshtatshme sigurisht) shohim vetëm fotosferen, pra sipërfaqen e dukshme. Pasi fotonet të kenë dalë në sipërfaqen e Diellit, ato udhëtojnë larg dhe jashtë nëpër hapësirë. Sipërfaqja e Diellit ka një temperaturë prej afro 6,000 Kelvin, kjo është arsyeja pse Dielli shfaqet i verdhë në Tokë.

Korona (atmosfera e jashtme): gjatë një eklipsi diellor mund të shihet një aureolë e shkëlqyeshme rreth Diellit. Kjo është atmosfera e Diellit, e njohur si korona.  Dinamika e gazit të nxehtë që rrethon Diellin mbetet disi një mister, megjithëse fizikanët diellorë dyshojnë se një fenomen i njohur si "nanoflakërimet" po ndihmon në nxehjen e koronës. Temperaturat në koronë arrijnë deri në miliona gradë, shumë më të nxehta se sipërfaqja diellore.

Korona është emri që u jepet shtresave kolektive të atmosferës, por është gjithashtu edhe posaçërisht shtresa më e jashtme.  Shtresa e poshtme e ftohtë (rreth 4,100 K) i merr fotonet e saj direkt nga fotosfera, mbi të cilat janë grumbulluar gradualisht shtresat më të nxehta të kromosferës dhe koronës. Eventualisht, korona zbehet në vakumin e hapësirës.

Fakte të shpejta rreth Diellit

Dielli është një yll xhuxh i verdhë në moshë mesatare. Është rreth 4.5 miliardë vjeç dhe do të jetojë rreth 5 miliardë vjet.

Struktura e Diellit është e shtresëzuar, me një bërthamë shumë të nxehtë, një zonë rrezatuese, një zonë konvektive, një sipërfaqe fotosferë dhe një koronë.

Dielli lëshon një rrjedhë të qëndrueshme grimcash nga shtresat e tij të jashtme, të quajtura era diellore.

Burimi: ©  Thoughtco

Wednesday, August 12, 2020

Marsi i hershëm ka qenë i mbuluar në shtresa akulli dhe jo nga lumenjtë e rrjedhshëm, thonë hulumtuesit.


Një numër i madh i rrjeteve të luginës që dhëmbëzojnë sipërfaqen e Marsit ishin gdhendur nga shkrirja e ujit nën akullin akullnajor, jo nga lumenjtë me rrjedhë të lirë siç mendohej më parë, sipas studimit të ri të UBC të botuar në Nature Geoscience.  Zbulimet në mënyrë efektive hedhin ujë të ftohtë në hipotezën mbizotëruese "të Marsit antik të lagësht dhe të ngrohtë", e cila supozon se lumenjtë, reshjet dhe oqeanet dikur ekzistonin në planetin e kuq.

Për të arritur në këtë përfundim, autorja kryesore Anna Grau Galofre, ish studente e doktoratës në departamentin e shkencave të tokës, oqeanit dhe atmosferës, zhvilloi dhe përdori teknika të reja për të ekzaminuar mijëra lugina Marsiane. Ajo dhe bashkautorët e saj krahasuan gjithashtu luginat Marsiane me kanalet subglaciale në Arkipelagun Arktik Kanadez dhe zbuluan ngjashmëri të habitshme.

"Për 40 vitet e fundit, pasi luginat e Marsit u zbuluan për herë të parë, supozimi ishte se lumenjtë dikur rridhnin në Mars, duke gërryerur dhe origjinuar të gjitha këto lugina," thotë Grau Galofre. "Por ka me qindra lugina në Mars, dhe ato duken shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Nëse e shikoni Tokën nga një satelit, do të shihni shumë lugina: disa prej tyre të bëra nga lumenj, disa të bëra nga akullnajat, disa të bëra nga të tjera  procese dhe secili lloj ka një formë të veçantë. Marsi në këtë pikë ka ngjashmëri me Tokën sepse ato lugina duken shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, duke sugjeruar që shumë procese kanë qenë në lojë në lojë për t'i gdhendur ato".

Ngjashmëria midis shumë luginave Marsiane dhe kanaleve subglaciale në Ishullin Devon në Arktikun Kanadez i motivoi autorët që të kryejnë studimin e tyre krahasues. "Ishulli Devon është një nga analogët më të mirë që kemi për Marsin këtu në Tokë, ai është një shkretëtirë e ftohtë, e thatë, polare, dhe akullnajat janë kryesisht me bazë të ftohtë," thotë bashkëautori Gordon Osinski, profesor në departamentin e "Western University" për shkencat të tokës dhe Institutit për Eksplorimin e Tokës dhe Hapësirës.

Në total, studiuesit analizuan më shumë se 10,000 lugina Marsiane duke përdorur një algoritëm të ri për të konstatuar proceset e tyre themelore të erozionit. "Këto rezultate janë prova e parë për erozionin e gjërë subglacial të nxitur nga kullimi i kanalizuar i ujërave të shkrirë poshtë një shtrese akulli të lashtë në Mars", thotë bashkëautori Mark Jellinek, profesor në departamentin e UBC për shkencat e tokës, oqeanit dhe atmosferës. "Gjetjet demonstrojnë se vetëm një pjesë e rrjeteve të luginës përputhen me modelet tipike të erozionit të ujit sipërfaqësor, i cili është në kontrast të theksuar me pikëpamjen konvencionale. Përdorimi i gjeomorfologjisë së sipërfaqes së Marsit për të rindërtuar rigorozisht karakterin dhe evolucionin e planetit në një mënyrë statistikisht kuptimplotë është, sinqerisht, revolucionare".

Teoria e Grau Galofre gjithashtu ndihmon në shpjegimin se si luginat do të ishin formuar 3.8 miliardë vjet më parë në një planet që është më larg nga dielli sesa Toka, gjatë një kohe kur dielli ishte më pak intensiv.  "Modelimi i klimës parashikon që klima e lashtë e Marsit ishte shumë më e ftohtë gjatë kohës së formimit të rrjetit të luginës", thotë Grau Galofre. "Ne u përpoqëm t'i mbledhim të gjitha të dhënat së bashku dhe të nxisnim një hipotezë e cila nuk ishte marrë vërtet në konsideratë: që kanalet dhe rrjetet e luginave mund të formohen nën  shtresat e akullit, si pjesë e sistemit të kullimit që formohet natyrshëm nën një shtresë akulli, kur ka ujë të akumuluar në  bazë."

Këto mjedise gjithashtu do të suportonin kushte më të mira të mbijetesës për jetën e mundshme antike në Mars. Një shtresë akulli do të krijonte më shumë mbrojtje dhe stabilitet të ujit poshtë, si dhe sigurimin e strehimit nga rrezatimi diellor në mungesë të një fushe magnetike, diçka që Marsi e kishte dikur, por që u zhduk miliarda vjet më parë.

Ndërsa hulumtimi i Grau Galofre ishte përqendruar në Mars, mjetet analitike që ajo zhvilloi për këtë punë mund të zbatohen edhe për të zbuluar më shumë rreth historisë së hershme të planetit tonë. Jellinek thotë se ai synon të përdorë këto algoritme të reja për të analizuar dhe eksploruar tiparet e erozionit të mbetura nga historia e hershme e Tokës.

"Aktualisht ne mund të rindërtojmë në mënyrë rigoroze historinë e akullnajave globale në Tokë duke shkuar mbrapa rreth një milion deri në pesë milion vjet," thotë Jellinek. "Puna e Anës do të na lejojë të shqyrtojmë përparimin dhe tërheqjen e shtresave të akullit në të paktën 35 milion vjet më parë, në fillimet e Antarktidës, ose më herët pas në kohë, shumë përpara epokës së bërthamave më të vjetra të akullit. Këto janë mjete shumë elegante analitike ".


Tuesday, August 4, 2020

Imuniteti i tufës.


Gati 100 vjet më parë, dy hulumtues britanikë, William Topley dhe Graham Wilson, po eksperimentonin me infeksione bakteriale te minjtë. Ata vunë re se mbijetesa individuale varej nga sa prej minjve ishin vaksinuar. Pra, roli i imunitetit të një individi duhej të dallohej nga imuniteti tërësor i tufës.

Koncepti i "imunitetit të tufës" tani është diskutuar gjerësisht në komunikimet e qeverisë dhe artikujt e gazetave. Por çfarë do të thotë në të vërtetë?

 Kur një sëmundje e tillë si COVID-19 përhapet në popullatë, ajo i lë disa persona të imunizuar, të paktën në një afat të shkurtër.  Personat që infektohen më vonë do të kenë më shumë kontakte me këta njerëz imunë dhe jo me të prekurit. Si rezultat, rreziku i infeksionit zvogëlohet dhe përfundimisht sëmundja ndalon përhapjen. Kjo mund të ndodhë edhe nëse disa njerëz në popullatë janë akoma të ndjeshëm.

Vaksinimi mund të përdoret për të mbrojtur njerëzit e ndjeshëm dhe në këtë mënyrë të shpejtojë rënien e epidemisë. Mund të përdoret gjithashtu edhe për të ndaluar përhapjen e virusit në radhë të parë.

Si funksionon?

Imagjinoni një popullatë në të cilën të gjithë janë të ndjeshëm (ndaj një virusi). Del një person i infektuar dhe virusi përhapet me numrin gjithnjë në rritje të rasteve të reja.  Epidemia vazhdon derisa shumica e individëve të kapin virusin dhe të bëhen imun ndaj tij ose të vdesin. Nëse disa njerëz mbrohen, për shembull, në fazat fillestare të një programi të vaksinimit masiv, sëmundja do të përhapet më ngadalë.

Një pjesë edhe më thelbësore duhet të mbrohet për të ndaluar plotësisht virusin, por për çudi nuk ka nevojë të jetë e gjithë popullata. Në vitet 1970, epidemiologët matematikorë zbuluan se ky proporcion varet nga sa infektive është sëmundja, me një formulë të thjeshtë që e lidh atë me numrin riprodhues, R. Për fruthin kjo përqindje kritike është 95%, por për gripin, mund të jetë aq e ulët sa 35%.

Sapo popullata të arrijë imunitetin e tufës, qoftë përmes vaksinimit ose në mënyrë natyrale duke u shëruar nga sëmundja, çdo zinxhir i ri infeksioni do të vdes shpejt. Në këtë mënyrë, popullsia mbrohet nga shpërthimet e ardhshme, por vetëm për aq kohë sa ruhen nivelet e imunitetit.

Nëse niveli i imunitetit bie nën vlerën kritike, sëmundja mund të rindizet. Individët e porsalindur që janë të ndjeshëm do të duhet të vaksinohen, dhe ata që rezistenca ndaj sëmundjes bie me kalimin e kohës mund të kenë nevojë për forcues.

Imuniteti i tufës për Koronavirusin.

Vlerësimi aktual i R për COVID-19 është rreth 3, por është ndoshta aq i ulët sa 1.4 dhe aq i lartë sa 4. Niveli i imunitetit përkatës të tufës është 60% (50% deri 75%).

Kjo vlerë është në mungesë të ndonjë masë kontrolli jo-farmaceutike, siç është izolimi (lock down). Ruajtja e disa niveleve të distancimit social në afat të gjatë lejon që imuniteti i dëshiruar të jetë më i ulët duke e mbajtur të sigurtë popullsinë.

Një kohë e gjatë mund të jetë e nevojshme për të zhdukur eventualisht sëmundjen, edhe pasi të arrihet niveli i imunitetit të tufës. Pra, madhësia përfundimtare e epidemisë, numri i personave që kanë kaluar infeksionin kur virusi të jetë shkatërruar më në fund, mund të jetë shumë më i lartë.

A kemi arritur ende aty?

Nuk është e lehtë të përcaktohet se sa afër jemi në nivelin e imunitetit të tufës ose nëse do të arrijmë ndonjëherë në këtë fazë.

Së pari, supozimi kritik është se infeksioni i koronavirusit rezulton në një rezistencë të vazhdueshme dhe uniforme ndaj shpërthimeve të ardhshme virale. Kjo është larg nga e sigurta, dhe nëse njerëzit mund të kapin virusin SARS-CoV-2 më shumë se një herë, siç është rasti për të ftohtin e zakonshëm, do të bëjë që imuniteti i tufës të zhduket. Nga studimet e mëdha për të vlerësuar imunitetin e popullatës, ne e dimë që numrat aktualisht janë midis 5% dhe 25%.

Së dyti, numri riprodhues, pra numri R, ndryshon me vendndodhjen dhe po kështu edhe niveli i imunitetit të tufës i nevojshëm për të ndaluar sëmundjen.

Së treti, studimet sugjerojnë që disa njerëz kanë një rezistencë shumë më të lartë ndaj COVID-19, mbase sepse vuanin nga një sëmundje tjetër e ngjashme në të kaluarën ose ishin vaksinuar kundër sëmundjeve të tjera.

Dhe së fundmi, ekziston një ndryshueshmëri e madhe në reagimin e njerëzve ndaj virusit dhe në gjatësinë e kohës për të cilën dikush ruan nivelet e antitrupave që përdorin për të luftuar infeksionin. Imuniteti mund të mos shpërndahet në mënyrë të barabartë midis atyre që kanë qenë të sëmurë me COVID-19.

Njerëzit që vuajnë më shumë mund të vijnë nga zonat që janë gjithashtu më në rrezik.  Një larmishmëri e tillë mund të ulë ndjeshëm nivelet e imunitetit të tufës që nevojitet për të ndaluar sëmundjen duke synuar vetëm këto pjesë të shoqërisë ku është më e nevojshme.  Ky fenomen i ngjan strategjisë së vaksinimit në unazë, e cila u përdor me sukses për të luftuar sëmundje të tilla si lija.

Individët apo tufa.

Koncepti i imunitetit të tufës, edhe pse i dobishëm për planifikimin e një përgjigje ndaj pandemisë, nuk është pa polemikë. Në një fushatë për ta arritur atë, shumë njerëz janë të ekspozuar ndaj një rreziku të rritur individual për të mbrojtur pjesën tjetër të popullatës.

Mos imponimi i masave të rrepta të izolimit ose relaksimi shumë herët mund të çojë që njerëzit të bëhen imun ndaj COVID-19 më shpejt, duke arritur kështu imunitetin e tufës më herët. Por, kjo gjithashtu çon në vdekje të tepërt të njerëzve vulnerabël që do të kishin mbijetuar ndryshe.

Imuniteti i tufës duhet të ruhet. Niveli i kërkuar për të ndaluar sëmundjen varet nga transmetimi i sëmundjes, e cila në vetvete varet nga sjellja e njeriut. Kur ballafaqohemi me pasoja potencialisht të rënda, sjellja jonë është natyrisht e tillë që të parandalojmë transmetimin, gjë që ul kërkesën e imunitetit të tufës.

Sapo të arrihet kjo, faktorë të tjerë (social, ekonomik, rreziku i komplikimeve të vaksinave) bëhen më të rëndësishme, transmetimi rritet si rezultat i ndryshimit të sjelljes dhe imuniteti i tufës humbet. Në hartimin e strategjive të suksesshme, qeveritë duhet të marrin parasysh si popullsinë ashtu edhe rreziqet dhe përfitimet individuale.