Search This Blog

Thursday, January 14, 2021

Deja vu: shkenca pas ndjenjës hutuese të familjarizimit.


Nëse keni pasur ndonjëherë ndjesinë se një situatë është shumë familjare për ju edhe pse e dini që nuk duhet të ndihet aspak e tillë, atëherë me siguri keni përjetuar déjà vu . Déjà vu, që në frëngjisht do të thotë "tashmë e parë", ndërthur mosnjohjen objektive, pra, faktin që ju e dini, bazuar në prova të shumta se diçka nuk duhet të jetë e njohur, me familjaritetin subjektiv, pra atë ndjenjën që gjithsesi diçka duket familjare për ju.

Déjà vu është e zakonshme. Sipas një artikulli të botuar në vitin 2004, më shumë se 50 sondazhe mbi déjà vu- në sugjeruan që rreth dy të tretat e individëve e kanë përjetuar atë të paktën një herë në jetën e tyre dhe më shumë të tjerë që raportojnë përvoja të tilla të shumta. Ky numër i raportuar gjithashtu duket se është në rritje ndërsa njerëzit bëhen më të vetëdijshëm për atë që është déjà vu.
Më së shpeshti, déjà vu përshkruhet në terma të asaj që ju shihni, por ajo nuk është diçka specifike për të parit, dhe madje edhe njerëzit që kanë lindur të verbër mund ta përjetojnë atë.

• Të masësh Déjà Vu-në.

Déjà vu është e vështirë të studiohet në laborator sepse është një përvojë kalimtare, dhe gjithashtu sepse nuk ka ndonjë shkas qartazi të identifikueshëm për të. Sidoqoftë, studiuesit kanë përdorur disa mjete për të studiuar fenomenin, bazuar në hipotezat që ata kanë paraqitur. Studiuesit mund të anketojnë pjesëmarrësit në studim; të studiojnë proceset e mundshme të lidhura, veçanërisht ato të përfshira në kujtesë; ose të hartojnë eksperimente të tjera për të hetuar déjà vu-në.

Meqenëse déjà vu është e vështirë të matet, studiuesit kanë dhënë shumë shpjegime se si ajo funksionon. Më poshtë janë disa nga hipotezat më të spikatura.

• Shpjegimet e kujtesës.

Shpjegimet e kujtesës së déjà vu bazohen në idenë se më parë keni përjetuar një situatë, ose diçka shumë e ngjashme me të, por nuk e mbani mend me vetëdije. Në vend të kësaj, ju e mbani mend atë në mënyrë të pavetëdijshme, prandaj ndihet e njohur edhe pse nuk e dini arsyen e këtij familjariteti.

1. Familjariteti i një elementi të vetëm.

Hipoteza e familjaritetit të një elementi të vetëm sugjeron që ju të përjetoni déjà vu nëse një element i skenës është i njohur për ju, por nuk e njihni me vetëdije sepse po ndodh në një mjedis tjetër, si psh nëse shihni berberin tuaj në rrugë.

Trurit tuaj ende i duket berberi i njohur edhe pse nuk e dallon diçka të tillë dhe përgjithëson atë ndjenjë familjariteti në të gjithë skenën. Pra, elementi i vetëm që të duket i njohur krijon ndjenjën e familjaritetit për të gjithë skenën e ngjarjes apo vendit ku ndodhesh. Studiues të tjerë e kanë shtrirë këtë hipotezë edhe në shumë elementë. 

2. Familjariteti Gestalt

Hipoteza e familjaritetit gestalt përqendrohet në mënyrën se si sendet janë të organizuara në një skenë dhe se si ndodh déjà vu kur përjetoni diçka me një paraqitje të ngjashme. Për shembull, ju mbase nuk e keni vënë re më parë, pikturën e mikut tuaj në dhomën e tij të ndenjes, por mbase keni parë një dhomë me paraqitje si dhoma e ndenjes së mikut tuaj: një pikturë e varur mbi divan, përballë një rafti librash. Dhe meqenëse nuk mund ta kujtoni dhomën tjetër, ju përjetoni déjà vu.

Një avantazh i hipotezës së ngjashmërisë gestalt është se ajo mund të testohet më drejtpërdrejt. Në një studim, pjesëmarrësit shikuan dhomat në realitetin virtual, më pas u pyetën se sa e njohur ishte një dhomë e re (që nuk e kishin parë virtualisht) dhe nëse ndiheshin se po përjetonin déjà vu.

Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit e studimit të cilët nuk mund të kujtonin dhomat e vjetra që kishin shikuar më parë, kishin tendencë të mendonin se një dhomë e re ishte e njohur për ta dhe se ata po përjetonin déjà vu, në qoftë se dhoma e re i ngjante dhomës së vjetër. Për më tepër, sa më e ngjashme të ishte dhoma e re me një dhomë të vjetër, aq më të larta ishin këto vlerësime.

• Shpjegimet neurologjike.

1. Aktiviteti spontan i trurit.

Disa shpjegime paraqesin që déjà vu përjetohet kur ekziston një aktivitet spontan i trurit që nuk ka lidhje me atë që po përjetoni aktualisht. Kur kjo ndodh në pjesën e trurit tuaj që merret me kujtesën, ju mund të keni një ndjenjë false të familjaritetit.

Disa prova vijnë nga individë me epilepsi të lobit temporal, kur ndodh një aktivitet elektrik jo normal në pjesën e trurit që merret me kujtesën. Kur truri i këtyre pacientëve stimulohet elektrikisht si pjesë e një vlerësimi para operacionit, ata mund të përjetojnë déjà vu.

Një studiues sugjeron që ju përjetoni déjà vu kur sistemi parahipokampal, i cili ndihmon në identifikimin e diçkaje si të njohur, gabon rastësisht dhe ju bën të mendoni se diçka është e njohur kur nuk duhet të ishte e tillë.

Të tjerët kanë thënë që déjà vu nuk mund të izolohet në një sistem të vetëm familjariteti, por përkundrazi përfshin struktura të shumta të përfshira në kujtesë dhe lidhjet midis tyre.

2. Shpejtësia e transmetimit nervor.

Hipoteza të tjera bazohen në atë se sa shpejt informacioni udhëton nëpër trurin tuaj. Zona të ndryshme të trurit tuaj transmetojnë informacione në zona "me një rend të lartë" që kombinojnë informacionin së bashku për t'ju ndihmuar të kuptoni botën. Nëse ky proces kompleks prishet në ndonjë mënyrë, ndoshta një pjesë dërgon diçka më ngadalë ose më shpejt sesa zakonisht, atëherë truri juaj i interpreton gjërat përreth jush në mënyrë të gabuar.

• Cili Shpjegim është i saktë?

Një shpjegim për déjà vu-në mbetet ende i pakapshëm, megjithëse hipotezat e mësipërme duket se kanë një fije të përbashkët: një gabim të përkohshëm në procesimin kognitiv. Tani për tani, shkencëtarët mund të vazhdojnë të hartojnë eksperimente që hetojnë më drejtpërdrejt natyrën e déjà vu-së, për të qenë më të sigurt për shpjegimin e saktë.

Burimi: © ThoughtCo 

Fotoja: Phung Huynh Vu Qui / Getty Images