Search This Blog

Friday, November 1, 2019

Pse ndodhin epokat e akullnajave?

Pse ndodhin epokat e akullnajave?




Në 2.6 milionë vitet e kaluara planeti ka pësuar më shumë se 50 epoka akullnajore me periudha më të ngrohta ndërakullnajore në mes.

Por, çfarë i shkakton shtresat e akullit dhe akullnajat të zgjerohen në mënyrë periodike? Epokat e akullnajave janë pasojë e një bashkësie faktorësh të ndërlikuar dhe të ndërlidhur, duke përfshirë pozicionin e Tokës në sistemin diellor dhe më shumë ndikime lokale si nivelet e dioksidit të karbonit. Shkencëtarët po mundohen të kuptojnë sesi funksionon ky sistem, veçanërisht për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit mund të kenë prishur përgjithmonë ciklin.

Vetëm pak shekuj më parë shkencëtarët filluan të dallonin gjurmët e të kaluarës me akull të thellë. Në mes të shekullit XIX, natyralisti zvicerano-amerikan Louis Agassiz dokumentoi shenjat që akullnajat kishin lënë në Tokë, të tillë si shkëmbinjtë jo në vendin e duhur apo grumbuj gjigand mbetjesh të njohura si "moraine" dhe që ai dyshoi se akullnajat antike i kanë mbartur dhe shtyrë përgjatë distancave të mëdha.

Aty nga fundi i shekullit XIX shkencëtarët kishin emëruar katër epoka akullnajash që kishin ndodhur gjatë epokës Pleistocene, që ka zgjatur nga rreth 2.6 milionë vite më parë deri rreth 11,700 vite më parë. Sidoqoftë vetëm disa dekada më parë, hulumtuesit kuptuan se këto periudha të ftohta vijnë me më shumë rregullsi. Një zbulim i madh kryesor në të kuptuarit e cikleve të epokave të akullnajave erdhi në vitet 1940 kur astrofizikani serb Milutin Milankovitch propozoi atë që u bë e njohur si ciklet Milankovitch: të dhëna e lëvizjes së Tokës që përdoren ende sot për të shpjeguar variacionet e klimës.

"Milankovitch skicoi tre mënyra që orbita e Tokës varion në referim me diellin," tha profesori i paleontologjisë në Universitetin London, Mark Maslin. Këta faktorë përcaktojnë sesa shumë rrezatim diellor do të arrijë planetin.

Së pari, orbita e Tokës rreth diellit ka një formë ekscentrike e cila varion nga afërsisht rrethore në epileptike në një cikël 96,000 vitesh. "Arsyeja pse e ka këtë cikël është për shkak se Jupiteri i cili është 4% e masës së sistemit tonë diellor, ka një efekt të fortë gravitacional që zhvendos orbitën e Tokës jashtë pastaj prapa," shpjegon Maslin.

Së dyti, ka një anim të Tokës që është edhe arsyeja pse kemi stinë. Boshti i anuar i rrotullimit të Tokës do të thotë se njëra hemisferë është gjithmonë e prirur në të kundërt të diellit (duke shkaktuar dimrin) ndërsa tjetra priret në drejtim të diellit (duke shkaktuar verën). Këndi i këtij animi në një cikël prej rreth 41,000 vitesh që ndryshon sesa ekstreme janë stinët thotë Maslin. "Në qoftë se boshti është më në drejtim sipër atëherë sigurisht që verat do të jenë më pak të ngrohta dhe dimri do të bëhet pak më pak i ftohtë."

Së treti, ka një tundje të boshtit të anuar të Tokës që lëviz sikur të ishte një top rrotullues.  "Ajo që ndodh është se momenti këndor i Tokës që rrotullohet e rrotullohet shumë shpejt çdo ditë, bën që boshti të tundet përreth gjithashtu," thotë Maslin. Kjo tundje ndodh në një cikël 20,000 vjeçar.

Milankovitch identifikoi që kushtet orbitale për vera të freskëta kanë qenë shenja paralajmëruese veçanërisht të rëndësishme për epokat e akullnajave. "Gjithmonë do të ketë akull në dimër," tha Maslin. "Për të ndërtuar një epokë akullnajash duhet që ai akull të mbijetoj edhe në verë."

Por, tranzicioni në një epokë akullnajore nuk mjaftojnë vetëm fenomenet orbitale. Shkaku faktik i një epoke akullnajore është reagimi themelor në sistemin klimatik, tha Maslin. Shkencëtarët ende po mundohen të gjejnë sesi faktorët e ndryshëm mjedisorë influencojnë akullnajizimin dhe shkrirjen, por hulumtimet e fundit kanë sugjeruar se nivelet e gazeve serë luajnë një rol të rëndësishëm.

Për shembull, shkencëtarët në Institutin Potsdam në Kërkimet për Impaktin e Klimës (PIK) në Gjermani kanë treguar se fillimi i epokave akullnajore të kaluara ka qenë nxitur kryesisht nga ulja e dioksidit të karbonit dhe pastaj rritja dramatike e dioksidit të karbonit në atmosferë, si pasojë e emetimeve të shkaktuara prej njerëzve, ka gjasë që të kenë shtyrë fillimin e epokës akullnajore të rradhës për më shumë se 100,000 vite.

"Si asnjë forcë tjetër në planet, epokat e akullnajave i kanë dhënë formë mjedisit global dhe si rrjedhim kanë përcaktuar zhvillimin e qytetërimit njerëzor," tha Hans Joachim Schellnhuber ish drejtor në PIK. "Për shembull, dheun tonë pjellor e kemi falë epokës së fundit të akullnajave që gjithashtu ka gdhendur peisazhet e sotme, duke lënë pas akuj dhe lumenj, fjorde, morena dhe liqene. Sidoqoftë, është njerëzimi që me emetimet e tij nga djegia e karburanteve fosile që përcakton të ardhmen e zhvillimit të planetit."

Burimi: artikulli origjinal është publikuar në © Live Science:

Përkthimi: Skeptik

Pse ndodhin epokat e akullnajave?

Katër forcat themelore të natyrës.



Që nga ecja në rrugë e deri te lëshimi i një rakete në hapësirë, forcat fizike veprojnë kudo përreth nesh. Por, të gjitha forcat që ne përjetojmë në jetën e përditshme (shumë prej nesh nuk e kuptojnë se po i përjetojnë në përditshmëri) mund të përmblidhen në vetëm katër forca themelore.

1) Graviteti.
2) Forca e dobët.
3) Elektromagnetizmi.
4) Forca fortë.

Këto janë quajtur si katër forcat themelore të natyrës dhe ato udhëheqin çdo gjë që ndodh në univers.

• Graviteti

Graviteti është tërheqja midis dy objekteve që kanë masë ose energji, kudo që kjo vërehet, si te lëshimi i një guri nga një urë, i një planeti që orbiton një yll apo te hëna që shkakton baticat dhe zbaticat në oqeane. Graviteti është ndoshta njëra nga forcat themelore më intuitive dhe familjare, por që ka qenë gjithashtu nga më sfidueset për t'a shpjeguar.

Isaac Newton ka qenë i pari që ka propozuar idenë e gravitetit dhe supozohet se ka qenë frymëzuar nga rënia e një molle nga një pemë. Ai e ka përshkruar gravitetin si një tërheqje literale midis dy objekteve. Shekuj më vonë Albert Einstein sugjeroi përmes teorisë së tij të relativitetit të përgjithshëm se graviteti nuk është një tërheqje ose një forcë. Por, në vend të kësaj është një rrjedhojë e një objekti që përkul hapësirë-kohën. Një objekt i madh ushtron ndikim mbi hapësirë-kohën pak a shumë siç ndikon një top i madh i vendosur në mes të një çarçafi, duke e deformuar atë dhe duke shkaktuar që objektet e vogla që ndodhen në të bien në drejtim të mesit.

Edhe pse graviteti mban planetet, yjet, sistemet diellore dhe madje edhe galaktikat sëbashku, doli se në fakt ishte forca më e dobët themelore, veçanërisht në shkallë molekulare dhe atomike.

• Forca e dobët

Forca e dobët e quajtur ndryshe edhe si ndërveprimi i dobët bërthamor është përgjegjës për shpërbërjen e grimcave. Ky është ndryshimi në kuptimin literal i një lloji grimce subatomike nga një lloj tjetër. Kështu për shembull, një neutrino që rastis në afërsi të një neutroni mund t'a kthejë neutronin në proton ndërkohë që vetë neutrinoja kthehet në elektron.

Shkencëtarët e shpjegojnë këtë ndërveprim nëpërmjet një shkëmbimi të grimcave forcë-mbajtëse të quajtura bosone. Lloje të veçanta bosonesh janë përgjegjëse për forcën e dobët, forcën elektromagnetike dhe forcën e fortë. Në forcën e dobët bosonet janë grimca të ngarkuara të quajtura "bosone Z" dhe "bosone W". Kur grimcat subatomike të tilla si protonet, neutronet dhe elektronet afrohen ndaj njëra-tjetrës me 10 në fuqi të –18 ose thënë ndryshe sa 0.1% e diametrit të një protoni, ato mund t'i shkëmbejnë këto bosone. Dhe si rezultat grimcat subatomike shpërbëhen në grimca të reja.

• Elektromagnetizmi

Forca elektromagnetike e quajtur ndryshe si forca Lorentz vepron midis grimcave të ngarkuara, si elektronet e ngarkuara negativisht ashtu edhe protonet e ngarkuara pozitivisht. Ngarkesat e kundërta tërheqin njëra-tjetrën. Dhe në ngjashmëri me gravitetin kjo forcë mund të ndihet në distancë infinit (edhe pse do të bëhej shumë e vogël në atë distancë).

Vetë emri elektromagnetizëm tregon se kjo forcë përbëhet nga dy pjesë: forca elektrike dhe forca magnetike. Në fillim shkencëtarët i përshkruan këto forca si të ndara nga njëra-tjetra, por më vonë hulumtuesit kuptuan se të dyja këto janë përbërëse të së njëjtës forcë. Komponenti elektrik vepron midis grimcave të ngarkuara sikur janë në lëvizje apo në prehje, duke krijuar një fushë nga e cila ngarkesat ndikojnë të njëra tjetra. Por, sa fillojnë të lëvizin këto grimca të ngarkuara shfaqin komponentin e dytë, forcën magnetike. Grimcat formojnë një fushë magnetike përreth vetes teksa lëvizin. Kështu, kur grimcat lëvizin me shpejtësi nëpër një përcjellës për të karikuar laptopin tënd ose telefonin ose për të ndezur televizorin, përcjellësi bëhet magnetik.

Forcat elektromagnetike transmetohen midis grimcave të ngarkuara nëpërmjet bosoneve forcë-mbajtëse pa masë të quajtura fotone të cilat janë gjithashtu grimcat përbërëse të dritës. Fotonet forcë-mbajtëse që shkëmbehen midis grimcave të ngarkuara janë sidoqoftë, një manifestim i ndryshëm i fotoneve. Ato janë virtuale dhe të padedektueshme edhe pse ato janë teknikisht të njëjtat grimca si ato të versionit real dhe të dedektueshëm.

Forca elektromagnetike është përgjegjëse për disa nga fenomenet më të zakonshme që përjetojmë si: fërkimi, elasticiteti, forca normale dhe forca që mban sendet e ngurta në një formë të caktuar. Madje është përgjegjëse edhe për rezistencën që zogjtë dhe avionët përjetojnë gjatë fluturimit. Këto veprime mund të ndodhin për shkak të ndërveprimit të grimcave të ngarkuara. Forca normale që mban një libër sipër tavolinës përshëmbull, (ndryshe nga graviteti që do tërhiqte librin në drejtim të tokës) është një rrjedhojë e elektroneve në atomet e tavolinës që zmbrapsin elektronet e atomeve të librit.

• Forca bërthamore e fortë

Forca bërthamore e fortë e quajtur ndryshe edhe ndërveprimi bërthamor i fortë është më e fuqishmja ndër katër forcat themelore të natyrës. Ajo është 6 mijë trilionë, trilionë, trilionë ( ose 39 zero pas 6) herë më e fortë sesa graviteti. Dhe kjo sepse ngjit grimcat themelore  të materies sëbashku për të formuar një grimcë më të madhe. Ajo mban sëbashku kuarket që përbëjnë protonet dhe neutronet, ndërsa një pjesë e forcës së fortë mban gjithashtu protonet dhe neutronet e një bërthame atomi sëbashku.

Shumë ngjashëm me forcën e dobët, forca e fortë operon vetëm kur grimcat subatomike janë jashtëzakonisht afër me njëra-tjetrën. Ato duhet të jenë diku brenda 10 në fuqi të -15 metra ose afërsisht brenda diametrit të një protoni. Megjithatë kjo forcë është e çuditshme, sepse sikundër forcat e tjera themelore ajo bëhet gjithnjë e më e dobët sa më shumë afrohen grimcat subatomike. Ajo në fakt, arrin maksimumin e fuqisë sa më larg nga njëra-tjetra të jenë grimcat. Sa futen në diapazonin e duhur, bosonet pamasë të ngarkuara të quajtura "glukone" transmetojnë forcën e fortë midis kuarkeve dhe i mbajnë ato të "ngjitura" sëbashku. Një fraksion shumë i vogël i forcës së fortë i quajtur "forca e fortë e mbetur" vepron midis protoneve dhe neutroneve. Protonet në bërthamë prapësojnë njëri-tjetrin për shkak të ngarkesës së ngjashme, por forca e fortë e mbetur mund t'a mposhtë këtë shtytje, kështu që grimcat qëndrojnë të lidhura në bërthamën e një atomi.

• Unifikimi i natyrës

Pyetja shumë e shquar për katër forcat themelore është nëse ato janë manifestim i një forcë të vetme të madhe në univers. Nëse është kështu secila prej tyre duhet të jenë të afta për t'u bashkuar me të tjerat dhe ka në fakt prova se ato munden.

Fizikanët Sheldon Glashow dhe Steven Weinberg bashkë me Abdul Salam nga Kolegji Imperial I Londrës fituan në vitin 1979 çmimin Nobel në fizikë për unifikimin e forcës elektromagnetike dhe forcës së dobët për të formuar konceptin "forca elektro e dobët". Fizikanët po punojnë për të gjetur të ashtuquajturën "teorinë e madhe të unifikuar" me qëllim që të unifikojnë forcën elektro të dobët me forcën e fortë për të përcaktuar një forcë elektrobërthamore, të cilën e kanë parashikuar modelet teorike, por që hulumtuesit nuk e kanë vëzhguar ende. Pjesa finale e pazëllit, do të kërkonte pastaj unifikimin e forcës së gravitetit me forcën elektrobërthamore për të zhvilluar të ashtuquajturën "teorinë e çdo gjëje", një kornizë teorike që mund të shpjegonte të gjithë universin.

Sidoqoftë, fizikanët e kanë shumë të vështirë të bashkojnë botën mikroskopike me atë makroskopike. Në shkallë të madhe e veçanërisht astronomike, graviteti sundon dhe është i mirë përshkruar nga teoria e relativitetit të përgjithshëm të Einstein-it. Por, në shkallë molekulare, atomike dhe subatomike është mekanika kuantike që përshkruan më mirë botën natyrore. Dhe deri më tani asnjë nuk ka gjetur një mënyrë të mirë për t'i bashkuar këto dy botë.

Fizikanët që studiojnë gravitetin kuantik kanë si qëllim të përshkruajnë forcën në termat e botës kuantike që mund të ndihmonte me bashkimin. Në këtë përqasje do të ishte thelbësore zbulimi i "gravitoneve" që janë bosonet forcë-mbajtëse të teorizuara për forcën e gravitetit është e vetmja forcë themelore që fizikanët aktualisht mund t'a përshkruajnë pa përdorur grimcat forcë-mbajtëse. Por, duke qenë se përshkrimi i forcave të tjera kërkon patjetër grimcat forcë-mbajtëse shkencëtarët presin që patjetër duhet të ekzistojë edhe gravitoni në nivel subatomik, megjithëse hulumtuesit thjesht nuk i kanë gjetur këto grimca ende.

Ajo që e komplikon këtë histori më shumë është sfera e padukshme e materies së errët dhe energjisë së errët të cilat përbëjnë afërsisht 95% të universit. Është e paqartë nëse materia dhe energjia e errët konsistojnë në një grimcë të vetme apo në një bashkësi të tërë grimcash që kanë forcat e tyre dhe bosonet e tyre përçues.

Grimca përçuese primare në interesimin aktual është "fotoni i errët" që do të ndërmjetësonte ndërveprimet midis universit të dukshëm dhe të padukshëm. Nëse fotoni i errët ekziston do të ishte kyç në dedektimin e botës së padukshme të materies së errët dhe mund të çonte në zbulimin e një force të pestë themelore. Por, deri më tani nuk ka asnjë provë që fotoni i errët ekziston dhe disa hulumtues kanë ofruar prova të forta që këto grimca nuk ekzistojnë.

Referenca: Artikulli në origjinal është publikuar në Space.com ©

Përkthimi: © Skeptik

Fotoja: © NASA/Shutterstock

Rrënjët e besimit njerëzor tek e keqja mund të jenë gjetur.

Rrënjët e besimit njerëzor tek e keqja mund të jenë gjetur. 

Sëmundja mund të jetë rrënja e të gjithë të keqes. 



Ku e ka zanafillën koncepti spiritual i të keqes? Një shpjegim i mundshëm mund të jetë përpjekja e njeriut për të kuptuar dhe për t'u përballur me sëmundjet infektive.

Lidhja e sëmundjeve dhe e simptomave të tyre me forcat misterioze të së keqes është një praktikë që është shfaqur në sistemet e besimit tradicional deri para gjysmës së shekullit XIX, atëherë kur u prezantua teoria e mikrobeve, shkruajnë në një studim të ri shkencëtarët. Teoria e mikrobeve zbuloi se janë në fakt patogjenet mikroskopikë shkaktarë të sëmundjeve dhe jo shpirtrat e keqdashës.

Sidoqoftë, hulumtuesit kanë zbuluar se lidhja midis bindjeve religjoze rreth të mirës dhe të keqes dhe prezencës së sëmundjeve infektive mbetet edhe sot e kësaj dite. Ata gjetën se në zona gjeografike me incidente të mëdha sëmundjesh, njerëzit shfaqnin gjithashtu bindje më të fortë rreth agjentëve të së keqës si demonët dhe shtrigat.

Historikisht, shumë kultura në Afrikë, Azi, Europë dhe në Amerikën Veriore kanë përdorur forcat e mbinatyrshme për të shpjeguar dhe për të drejtuar reagimin ndaj sëmundjeve. Një shembull i njohur ka qenë vala e madhe e gjuetisë së shtrigave në Europën mesjetare atëherë kur kontinenti po shkatërrohej nga "Vdekja e Zezë" (murtaja), raportuan hulumtuesit.

Kjo përqasje kishte një efekt praktik: njerëzit e sëmurë, pra ata që shfaqnin të ashtuquajturën influencë e keqe, do të izoloheshin, shmangeshin dhe madje vriteshin dhe kështu mbroheshin të tjerët nga përhapja e patogjeneve.

Nëse besimet në të keqen kanë qenë më të zakonshme në zona me ngarkesë më lartë sëmundjesh infektive, "sugjeron se historikisht këto besime mund të kenë evoluar për të shpjeguar efektet e patogjeneve," tha autori drejtues i studimit Brock Bastian që është profesor i asociuar në shkollën e shkencave psikologjike në Universitetin Melbourne në Australi.

Shtrigat, djalli dhe syri i keq. 

Për të testuar hipotezën e tyre hulumtuesit kryen studime analizuese si dhe morën parasysh të dhënat e arkivuara për të vlerësuar nivelet e besimit në të keqen. Ata kanë marrë në analizë më shumë se 3,000 studentë të universiteteve në 28 shtete duke hetuar nëse pjesëmarrësit besonin fort në syrin e keq, shtrigat, djallin si dhe në forca të së keqrs të paspecifikuara. Po ashtu edhe të dhënat arkivore të rreth 58,000 njerëzve përgjatë 50 shteteve, të koleksionuara midis vitit 1995 dhe 1998, të cilëve u ishte drejtuar pyetja për besimin te djalli. Hulumtuesit gjithashtu kanë shqyrtuar të dhënat historike globale të sëmundjeve infektive duke krahasuar këto shenja me trendin gjeografik  për besimet spirituale rreth të keqes.

Ata mësuan se në vendet ku sëmundjet infektive ishin historikisht të shpërndara gjerësisht "njerëzit kishin më shumë gjasa të besonin tek djalli, fuqitë keqdashëse të syrit të keq si te shtrigat, të cilat kanalizonin të keqën", sipas studimit të publikuar në revistën "Proceedings of the Royal Society B".

Shkencëtarët gjetën se  korrelacionet midis besimit te djalli dhe sëmundjeve gjerësisht të shpërndara përgjatë historisë ishin më të fuqishme në Nigeri, Bangladesh dhe në Filipine, ndërsa ishin më të dobëta në Çeki, Gjermani dhe Suedi.

Shikimi i sëmundjeve si të djallosura mund të ketë promovuar një sjellje që frenonte infeksionin dhe limitonte përhapjen, duke përfituar shëndeti i përgjithshëm i komunitetit, thanë hulumtuesit. Në këtë mënyrë, sistemet e besimit me një sens të fortë tek e mira dhe e keqja si forca aktive mund të ketë siguruar një avantazh qe grupet e njerëzve të jetonin në vende ku risku i sëmundjeve ngjitëse ishte i lartë.

Sapo këto bindje nguliten në një kulturë ndikimi i tyre mund të vazhdojë për gjenerata. Madje edhe sot e kësaj dite kur shpjegimet shkencore për sëmundjet janë lehtësisht të disponueshme, "mendime të tilla mbeten të dukshme në shumë shoqëri moderne ku shqetësimet shëndetësore shpeshherë i atribuohen vullnetit të Zotit ose punës së djallit dhe kurat spirituale vazhdojnë," shkruajnë autorët.

Burimi: artikulli origjinal është marrë nga Live Science

Përkthimi: Skeptik

Fotoja: © DeAgostini/Getty